ATV

Author: K.B.

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut avancojnë bashkëpunimin ndërkufitar për menaxhimin e ujërave

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut avancojnë bashkëpunimin ndërkufitar për menaxhimin e ujërave

    Institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut kanë zhvilluar një tryezë të përbashkët dyditore, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në menaxhimin e ujërave në pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar.

    Takimi është organizuar me mbështetjen e Programit IWRM-K dhe Programit për Menaxhimin, Përdorimin dhe Mbrojtjen e Ujërave Nëntokësore në Maqedoninë e Veriut, duke bashkuar përfaqësues të ministrive përkatëse, autoriteteve të pellgjeve lumore, shërbimeve hidrometeorologjike dhe ekspertëve teknikë nga të dy vendet.

    Gjatë tryezës, diskutimet janë përqendruar në analizimin e përvojave nga bashkëpunimi ekzistues ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit, si dhe në identifikimin e prioriteteve konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.

    Sipas organizatorëve, ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të besimit dhe krijimit të një kornize më praktike bashkëpunimi në nivel lokal për pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar, me theks në mësimin e përbashkët dhe shkëmbimin teknik.

    Programi IWRM-K ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të mbështetur procese që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmirësimin e qeverisjes së ujërave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të përbashkëta ujore.

  • “Fatmirësisht pshtoj”: Kurti përcjell nga afër një operim në repartin e Kardiologjisë

    “Fatmirësisht pshtoj”: Kurti përcjell nga afër një operim në repartin e Kardiologjisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në QKUK për përurimin e disa hapësirave të reja në repartin e Kardiologjisë.

    Gjatë qëndrimit aty, Kurtit i ka rastisur që ta shoh edhe një ndërhyrje në zemër që po realizohej nga mjekët në klinikë.

    Një prej mjekëve që dukej se njihej personalisht me Kurtin, pasi përshëndetet, i jep edhe disa informacione për operimin dhe pacientin.

    “Operacion shumë i rëndë. Fatmirësisht pshtoj, 82-sh”, dëgjohet teksa i thotë mjeku-Kurtit.

  • Kurti me ministra merr pjesë në themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës

    Kurti me ministra merr pjesë në themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës

    Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës po mbahet aktiviteti për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës.

    Pjesëmarrës në këtë zhvillim është kryeministri Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli.

    Pos tyre, në këtë aktivitet po marrin pjesë nxënës e qytetarë të Republikës së Kosovës.

  • Haxhiu: E kam ofruar pozitën e kryeparlamentares që të shmangen zgjedhjet

    Haxhiu: E kam ofruar pozitën e kryeparlamentares që të shmangen zgjedhjet

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se e ka ofruar pozitën e kryeparlamentares që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

    Ajo, ka thënë se ka kërkuar vazhdimin e takimeve nga partitë për të gjetur një zgjidhje për çështjen presidentit.

    “Prandaj besoj që gjatë këtyre ditëve do të duhej që të ketë sërish takime, sepse unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri të hënën, përkatësisht me 27 prill?”, ka thënë Haxhiu.

    Haxhiu, ka deklaruar se mendon se me këtë qasje të opozitës nuk po tregohet përkushtim dhe vullnet që vendit t’i jepet një president me mandat pesëvjeçar.

    “Duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vete, përkatësisht 5-6 ditë para vete, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime, dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit, sepse çka na duhet pozita e Kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme?”, ka deklaruar ajo.

    Ajo ka thënë se refuzimi i propozimeve të Kurtit nga PDK e LDK nuk i bën mire vendit.

    “Unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë Kryetarin e Kuvendit, ta ketë Qeverinë, pra Kryeministrinë, dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin.Kjo nuk është pozita ime. Domethënë nuk është pozita ime, nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj që këtu duhet të dëshmojmë që e kemi për vendin dhe jo për interesat personale.”, ka thënë ajo.

  • Në Spitalin e Mitrovicës nis për herë të parë skriningu neonatal për foshnjat e porsalindura

    Në Spitalin e Mitrovicës nis për herë të parë skriningu neonatal për foshnjat e porsalindura

    Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka nisur për herë të parë procesi i skriningut neonatal për foshnjat e porsalindura, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

    Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Klinikën e Neonatologjisë, me qëllim zbulimin e hershëm të sëmundjeve të lindura metabolike dhe gjenetike.

    Skriningu neonatal përfshin marrjen e disa pikave të gjakut nga foshnja, zakonisht nga thembra, menjëherë pas lindjes. Përmes këtij testimi mundësohet identifikimi i hershëm i sëmundjeve, para shfaqjes së simptomave, duke mundësuar trajtim të menjëhershëm dhe parandalimin e komplikimeve serioze apo dëmtimeve të përhershme.

    Fillimi i këtij procesi në Repartin e Neonatologjisë është përcjellë nga drejtori ekzekutiv i spitalit, Gëzim Berisha, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit mjekësor, Dr. Qenan Çabra, të cilët janë njoftuar nga shefi i shërbimit të Neonatologjisë, Dr. Agim Sherifi, se mostrat e para tashmë janë marrë nga disa foshnje dhe se zbatimi i projektit ka nisur me sukses.

    Menaxhmenti i spitalit ka falënderuar ShSKUK-në dhe Klinikën e Neonatologjisë për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, përfshirë edhe furnizimin me reagensët e nevojshëm.

    Sipas drejtuesve të institucionit, ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për të porsalindurit në rajonin e Mitrovicës.

  • IKD s’merr pjesë në konsultimet ‘‘formale’’ për Byronë: Po tentohet të procedohet me nguti

    IKD s’merr pjesë në konsultimet ‘‘formale’’ për Byronë: Po tentohet të procedohet me nguti

    Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në konsultimet ‘’formale’’ për Projektligjin për Byronë.

    Nga IKD, thuhet se, mënyra se si po zhvillohet ky proces dëshmon se po tentohet të procedohet me nguti, pa dhënë kohën e nevojshme për një konsultim real, serioz dhe meritor të përmbajtjes së Projektligjit në fjalë, përcjell Gazeta Express.

    ”Po ashtu, zhvillimi i këtij dëgjimi publik në rrethana të tilla, kur vendi ndodhet vetëm pak ditë para një afati kur pritet të shpërndahet Kuvendi, shton përshtypjen se qëllimi kryesor nuk është zhvillimi i konsultimeve meritore dhe gjithëpërfshirëse, por procedimi sa më i shpejtë i Projektligjit. Një ligj i tillë nuk duhet të trajtohet me nguti dhe as të shtyhet përpara përmes konsultimeve të organizuara në mënyrë të tillë që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen substanciale të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë relevantë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Komunikata:

    IKD: Nuk marrim pjesë në konsultime formale për Projektligjin për Byronë

    Prishtinë, 22 prill 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj mënyrës se si Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka thirrur dëgjimin publik për Projektligjin Nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Përkundër faktit se tentativa për shmangie nga procedurat e rregullta parlamentare nuk është miratuar në seancë plenare, mënyra se si po zhvillohet tash ky proces dëshmon se po tentohet që një projektligj i një rëndësie të madhe që afekton të drejtat e njeriut të procedohet me nguti, pa dhënë kohën e nevojshme për një konsultim real, serioz dhe meritor të përmbajtjes së Projektligjit në fjalë.

    Ftesa për pjesëmarrje në dëgjimin publik është publikuar vetëm më pak se 24 orë përpara takimit. Një qasje e tillë nuk mund të konsiderohet serioze dhe as në përputhje me standardet minimale të një konsultimi ku kërkohet kontribut përmbajtësor dhe profesional për një projektligj kaq të ndjeshëm. Me një afat kaq të shkurtër, pjesëmarrja e akterëve relevantë reduktohet në formalitet dhe jo në mundësi reale për të dhënë kontribut meritor në këtë proces.

    Në rastin konkret, duke qenë se Projektligji është duke u trajtuar sipas procedurës së rregullt, afati i përcaktuar për thirrjen e dëgjimit publik është në kundërshtim me Nenin 38, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se ftesa për seancë dëgjimore duhet të shpallet në ueb-faqen e Kuvendit të paktën pesë (5) ditë para takimit, së bashku me agjendën, projektligjin që do të diskutohet dhe materialet përcjellëse.

    Siç dihet, ky Projektligj është rrëzuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, një herë për meritat e tij dhe një herë për procedurën e ndjekur. Derisa trajtohet për herë të tretë në Kuvend, në dy (2) raste Qeveria nuk ka zhvilluar fare konsultime publike derisa në rastin tjetër ka shkurtuar në mënyrë arbitrare afatin e konsultimeve publike. Në këto rrethana, duke pasur parasysh këto aspekte dhe rëndësinë e këtij projtligji, çdo veprim që reflekton nguti, formatitetit apo përfshirje vetëm sa për të përmbushur një kërkesë procedurale, cenon seriozisht besueshmërinë e procesit dhe përmbajtjen e Projektligjit në fjalë.

    Po ashtu, zhvillimi i këtij dëgjimi publik në rrethana të tilla, kur vendi ndodhet vetëm pak ditë para një afati kur pritet të shpërndahet Kuvendi, shton përshtypjen se qëllimi kryesor nuk është zhvillimi i konsultimeve meritore dhe gjithëpërfshirëse, por procedimi sa më i shpejtë i Projektligjit. Një ligj i tillë nuk duhet të trajtohet me nguti dhe as të shtyhet përpara përmes konsultimeve të organizuara në mënyrë të tillë që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen substanciale të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë relevantë.

    Për këto arsye, IKD vlerëson se pjesëmarrja në këtë dëgjim publik do të nënkuptonte vetëm validim të një tendence për procedim të përshpejtuar, jo adekuat dhe përfshirje vetëm formale në konsultime publike. Prandaj, IKD njofton publikisht se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

    IKD deri më tani ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për këtë Projektligj, që nga koha e inicimit të tij. Kjo duke marrë pjesë në të gjitha takimet e mbajtura, duke publikuar analiza, dërguar komente dhe marrë pjesë në takimet e Komisionit të Venecias përkitazi me këtë Projektligj. IKD mbetet e përkushtuar që të kontribuojë tutje në çdo proces serioz, të rregullt dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik, ku koha, forma dhe mënyra e organizimit të mundësojnë trajtim meritor të çështjeve të ngritura. Megjithatë, pjesëmarrja në procese të organizuara në mënyrë të ngutshme dhe formale nuk i shërben cilësisë së legjislacionit dhe interesit publik.

  • Haxhiu takon Gashin e KPK-së, flasin për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    Haxhiu takon Gashin e KPK-së, flasin për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu në një takim me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Arian Gashi kanë folur rreth përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Ajo përmes një njoftimi në rrjetet sociale bëri me dije se me Gashin diskutuan edhe për arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi prokurorial në vend.

    “Folëm për reformat në drejtësi dhe domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.Po ashtu folëm edhe për nevojat buxhetore, infrastrukturën, si dhe nevoja për më shumë prokurorë dhe staf mbështetës, çështje që ndikojnë në efikasitetin institucional.

    Riafirmova përkushtimin për pavarësinë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu.

  • Abdixhiku nis përgatitjet për zgjedhjet e reja, planifikon tubime e takime në mërgatë

    Abdixhiku nis përgatitjet për zgjedhjet e reja, planifikon tubime e takime në mërgatë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takim virtual me 88 nëndegët e LDK’së në mërgatë, pas zhvillimeve të fundit ku dështuan bisedimet rreth një marrëveshje për president.

    Abdixhiku ka thënë se janë dakorduar për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë, shkruan Reporteri.net.

    “Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka thënë se koha për pritje ka përfunduar dhe se ka nisur ajo për veprim.

    “I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen. Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Kurti do President nga VV, akuza opozitës për zhurma e piskama: Le t’ma gjejnë një njeri me të mirë se Glauk Konjufca

    Kurti do President nga VV, akuza opozitës për zhurma e piskama: Le t’ma gjejnë një njeri me të mirë se Glauk Konjufca

    Kryeministri Albin Kurti edhe sot foli gjatë për gazetarët nga Klinika e Kardiologjisë për çështjen e Presidentit.

    Ai akuzoi partitë opozitare se nuk po kanë interes për marrëveshje derisa insistoi se posti i Presidentit duhet të jetë i Vetëvendosjes.

    “Pas aktgjykimit u takova me LDK’në, PDK’ja refuzoi. LDK’së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK’së për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”.

    Kurti tha se “zhurmat e piskamat”, duke aluduar për opozitën, nuk po e dëmtojnë Vetëvendosjen.

    “Tema kryesore para një viti ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit sepse është konfliktuoze, përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve. E patën linçuar dhe stigmatizuar gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot? Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit, ajo është edhe u.d, ajo s’është as konfliktueze dhe as përçarëse. Prandaj, të gjitha këto zhurma dhe piskama që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk po na bëjnë dëm neve, po i bëjnë dëm shtetit, jo neve”.

    Krahas thirrjes për propozim të një kandidati konsensual për President, Kurti ia bëri me dije partive opozitare se nuk i kanë numrat as për 30 nënshkrimet e nevojshme për të propozuar një kandidat.

    “Mazhoranca i ka 66 deputetë. Partisë që i ka 15 deputetë i kam ofruar që të bëhet kryetari i tyre zëvendësi i imi, që i bie që në mungesë timen ai t’i udhëheqë mbledhjet e qeverisë, dhe katër ministri. Pra, i kam ofruar dyfish më shumë se partisë Guxo, e cila ka garuar me mua e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfish më shumë”.

    Më pas ai lavdëroi nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, duke u përpjekur ta sfidojë opozitën për një emër më të mirë se ai.

    “U tha që nuk bën Vetëvendosja t’i ketë të tri pozitat. Po ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po Vetëvendosja s’duhet ta ketë presidentin. Po le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca, që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që s’bën Vetëvendosja është duke thënë që s’bën Glauku. Dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun? Pse nuk propozuan ata asnjë emër. E di që s’i kanë numrat as për të aplikuar”, tha Kurti.

  • 5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet

    5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet

    Nxitimi i përditshëm në kuzhinë dhe dëshira për të provuar gjithçka menjëherë mund të duken të pafajshme.

    Megjithatë, shumë ushqime janë të pasigurta kur konsumohen të gjalla ose të pagatuara mirë. Nga mishi i gjallë te disa bishtajore, rreziqet përfshijnë helmim serioz nga ushqimi dhe madje edhe infeksione që mund të kërkojnë shtrim në spital.

    Ekspertët theksojnë se, ndërsa të gjithë e dimë që pula ose vezët e gjalla mund të shkaktojnë sëmundje, ka edhe ushqime bimore që nuk duhen konsumuar pa trajtimin e duhur termik. Çelësi është përgatitja e duhur dhe respektimi i rregullave të sigurisë në gatim.

    Miell

    Mund të duket i padëmshëm, por mielli i papërpunuar mund të përmbajë baktere si salmonela ose E. coli. Përpunimi i kokrrave nuk i vret këto mikroorganizma. Nëse doni të shijoni brumë të papërpunuar, duhet ta ngrohni më parë miellin dhe të përdorni vezë të pasterizuara.

    Mish i grirë

    Mishi i grirë i viçit nuk duhet të hahet i gjallë, pasi bakteret mund të përhapen në të gjithë mishin. Ndërsa E. coli në biftek kufizohet në sipërfaqe dhe vritet nga gatimi, në mishin e grirë të viçit mund të shkaktojë helmim serioz ushqimor nëse nuk gatuhet plotësisht. Temperatura e brendshme duhet të arrijë 160°F (71°C) për të qenë i sigurt.

    Shpendë

    Mishi i pulës, gjelit të detit, rosës ose patës nuk duhet të hahet i gjallë. Një temperaturë e brendshme prej 74°C siguron që bakteret, të tilla si salmonela, të vriten dhe ushqimi të jetë i sigurt për t’u ngrënë. Ngrënia e mishit të shpendëve të gjallë mund të çojë në helmim serioz nga ushqimi.

    Fasule të kuqe

    Fasulet e papërpunuara përmbajnë nivele të larta të fitohemosfagnumit, i cili mund të shkaktojë simptoma helmimi vetëm nga disa fasule. Ato janë të sigurta vetëm kur zihen siç duhet për të paktën 10 minuta pasi të jenë lënë në ujë për 5 orë. Fasulet e konservuara janë tashmë gati për t’u ngrënë.

    Qumësht

    Qumështi i papërpunuar përbën rrezik për shkak të baktereve të tilla si E. coli, salmonela dhe Listeria. Pasterizimi zvogëlon rrezikun e sëmundjeve dhe e bën qumështin të sigurt për t’u pirë. Ekspertët nuk rekomandojnë konsumimin e qumështit të papërpunuar.