ATV

Author: K.B.

  • 50 ditë nga fillimi i Kupës së Botës, cilat janë pesë problemet kryesore që po e përcjellin turneun?

    50 ditë nga fillimi i Kupës së Botës, cilat janë pesë problemet kryesore që po e përcjellin turneun?

    Me 50 ditë deri në nisjen e Kupës së Botës, FIFA dhe shtetet nikoqire po përballen me kritika për çështje sociale, politike dhe logjistike që po e rrethojnë turneun.

    Kanadaja dhe Meksika do ta bashkëorganizojnë turneun me Shtetet e Bashkuara, të cilat së bashku me Izraelin më 28 shkurt nisën një luftë kundër Iranit, shtet pjesëmarrës në Kupën e Botës. Edhe pse lufta është aktualisht nën një armëpushim të përkohshëm dhe të brishtë, pjesëmarrja e Iranit mbetet e paqartë.

    Tifozët në të tri vendet nikoqire po reagojnë ashpër edhe ndaj çmimeve të larta të biletave, ndërsa politikanë lokalë dhe publiku kanë shprehur shqetësime për rritjen e tarifave të transportit në linjat që lidhin stadiumet në SHBA.

    Al Jazeera Sport sjell një pasqyrë të shqetësimeve kryesore në prag të turneut, që nis më 11 qershor me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

    Çfarë është më e fundit rreth pjesëmarrjes së Iranit në Kupën e Botës?

    Kombëtarja e Iranit po vazhdon përgatitjet, por zyrtarët kanë bërë të ditur se vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen do të merret nga qeveria dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pasi të shqyrtohet siguria e lojtarëve në SHBA.

    Irani kishte deklaruar muajin e kaluar se mund të mos marrë pjesë, sidomos nëse vendi nikoqir nuk garanton sigurinë e ekipit. Kjo erdhi pas një postimi në rrjete sociale nga presidenti Donald Trump, ku ai sugjeroi se siguria e ekipit iranian nuk mund të garantohej në SHBA vend ku Irani pritet t’i luajë të gjitha ndeshjet e grupit.

    Federata iraniane më pas i kërkoi FIFA-s t’i zhvendoste ndeshjet e Iranit nga SHBA në Meksikë, por FIFA e refuzoi kërkesën. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi javën e kaluar se Irani “duhet të vijë” në turne.

    Irani do t’i luajë të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në Bregun Perëndimor të SHBA-së. Nëse kalon tutje, edhe ndeshjet e fazës me eliminim do të zhvillohen po në SHBA.

    Çmime të larta të transportit në qytetet nikoqire në SHBA

    Tifozët pritet të paguajnë gati 12 herë më shumë se tarifa e zakonshme prej 12.90 dollarësh për një udhëtim vajtje-ardhje me tren nga Penn Station në Manhattan drejt stadiumit MetLife në East Rutherford, New Jersey stadiumi ku do të luhet finalja e Kupës së Botës dhe edhe shtatë ndeshje të tjera.

    Guvernatorja e New Jerseyt, Mikie Sherrill, dhe FIFA janë kritikuar reciprokisht për çmimin prej 150 dollarësh për një udhëtim rreth 15-minutësh (14 km). Sherrill ka thënë se FIFA duhet t’i mbulojë kostot, ndërsa FIFA ka reaguar se nuk është e obliguar ta bëjë këtë.

    Në Boston, udhëtimi me tren drejt stadiumit Gillette kushton rreth katër herë më shumë se çmimi normal (rreth 20 dollarë), ndërsa autobusi vajtje-ardhje drejt Foxborough arrin 95 dollarë.

    Los Angeles dhe Philadelphia janë zotuar se nuk do t’i ndryshojnë tarifat. Kansas City ofron 15 dollarë vajtje-ardhje drejt stadiumit Arrowhead. Houston ka shtuar autobusë dhe vagona treni, por synon t’i mbajë tarifat aktuale: 1.25 dollarë për autobusët dhe trenat e lehtë, si dhe opsione parkim+transport nga 2 deri në 4.50 dollarë.

    Çmime të larta të biletave, kërkesë më e ulët

    Çmimet e larta të biletave kanë shkaktuar zemërim te tifozët, të cilët thonë se politika e çmimeve po i përjashton mbështetësit e zakonshëm. Raportohet se shitjet për disa ndeshje të mëdha kanë mbetur prapa pritshmërive, çka shihet si pasojë e çmimeve.

    FIFA i nxori biletat në shitje në dhjetor me çmime nga 140 dollarë (Kategoria 3 në raundin e parë) deri në 8.680 dollarë për finalen. Më pas, kur shitja u rihap më 1 prill, çmimet u rritën deri në 10.990 dollarë.

    Kandidatura e Amerikës së Veriut kishte premtuar bileta deri në 21 dollarë, por bileta më e lirë është vendosur 60 dollarë. Shumica e biletave kushtojnë të paktën 200 dollarë për ndeshjet me ekipe më të forta.

    FIFA ka paralajmëruar edhe një raund tjetër shitjesh, në përputhje me numërimin mbrapsht prej 50 ditësh: biletat do të jenë të disponueshme në kategoritë 1-3 për të gjitha 104 ndeshjet, me parimin “i pari vjen, i pari shërbehet”.

    Kundërshtime për bastisjet ndaj emigrantëve gjatë ndeshjeve

    Politikat e administratës Trump për deportime masive dhe shtrëngim të emigracionit ligjor kanë ngritur frikë se audienca ndërkombëtare e Botërorit mund të vihet në shënjestër nga autoritetet amerikane të emigracionit.

    Javën e kaluar, Infantinos iu kërkua të ushtrojë presion që të shmangen bastisjet gjatë turneut. Gazetarë sugjerojnë se agjentë të ICE dhe CBP kanë qenë të pranishëm në ndeshjet e Kupës së Botës për Klube vitin e kaluar, edhe pse administrata Trump ka mohuar se ka pasur operacione zbatimi.

    Sipas The Athletic, drejtues të FIFA-s e kanë paraqitur idenë e një moratoriumi të përkohshëm si përfitim të mundshëm për imazhin e administratës, dhe shpresojnë që Infantino ta përdorë marrëdhënien e tij me Trumpin për të ulur frikën e tifozëve.

    Dhuna në Meksikë ngre alarm për sigurinë e turneut

    Meksika po përballet me shqetësime për sigurinë pas një sulmi ndaj turistëve pranë kryeqytetit. Të hënën, një sulmues i vetëm hapi zjarr në Teotihuacan vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga atraksionet më të vizituara në Meksikë duke vrarë një turist kanadez dhe duke plagosur 13 të tjerë.

    Ngjarja ka shtuar pyetjet mbi protokollet e sigurisë të qeverisë së presidentes Claudia Sheinbaum në prag të turneut. Sheinbaum ka thënë se Meksika do ta forcojë sigurinë.

    “Detyrimi ynë si qeveri është të marrim masat e duhura që një situatë e tillë të mos përsëritet. Por është e qartë se kjo është diçka që nuk kishte ndodhur më parë”, tha ajo.

  • FSK-ja ndan detaje nga vizita disaditore e gjeneralit Osborn

    FSK-ja ndan detaje nga vizita disaditore e gjeneralit Osborn

    Adjutanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas (GKA), gjeneralmajor Stephen Osborn, ka realizuar vizitë disa-ditore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Fillimisht, ai u prit në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ku u diskutua mbi bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet FSK-së dhe GKA-së.

    Në vazhdën e agjendës, gjeneral Osborn vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u njoftua me zhvillimet kryesore në ngritjen e kapaciteteve operacionale, aktivitetet trajnuese, duke u fokusuar në linjat kryesore të përpjekjes si pjesë e planifikimit të përbashkët.

    “Gjithashtu, ai vizitoi edhe Gardën Kombëtare (GK), ku iu prezantua zhvillimi dhe kapacitetet specialistike, sfidat aktuale dhe objektivat zhvillimore të kësaj komande për të ardhmen. Në këtë rast, u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në aktivitete të përbashkëta në fushat ku Garda Kombëtare është e specializuar” njofton FSK-ja.

    Gjenerali Osborn falënderoi gjeneral Jasharin për pritjen dhe vlerësoi lart progresin e FSK-së, duke rikonfirmuar mbështetjen për avancimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor të forcës.

  • Me 25 minuta vonesë, fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Me 25 minuta vonesë, fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot, për të diskutuar pikat e rendit të ditës për seancën plenare.

    Ndonëse takimi ishte njoftuar të fillojë në orën 09:00, nisja vonoi 25 minuta.

    E kryesuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në mbledhje do të diskutohet pikat si në vijim:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-007 për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes,

    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030,

    3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,

    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,

    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,

    6. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

    7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

    III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

    Mbledhja e Kryesisë i paraprin seancës plenare që fillon në orën 10:00.

  • Gërxhaliu: Projekti “The Prishtina Film City” rrezikon të dështojë, humbin mbi 3 mijë vende pune

    Gërxhaliu: Projekti “The Prishtina Film City” rrezikon të dështojë, humbin mbi 3 mijë vende pune

    Ekonomisti dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësime lidhur me fatin e projektit “The Prishtina Film City”, duke vlerësuar se ai po përballet me rrezik serioz për dështim në Kosovë.

    Në një analizë të publikuar, Gërxhaliu ka theksuar se ky projekt nuk është vetëm një ide zhvillimore, por edhe një test për mënyrën se si vendi trajton investimet e huaja.

    “Rasti i projektit ‘The Prishtina Film City’ nuk është vetëm një projekt i madh në letër, por një test i qartë për mënyrën se si Kosova i trajton investimet e huaja dhe idetë transformuese zhvillimore”, ka deklaruar ai.

    Sipas tij, projekti parasheh ndërtimin e një kompleksi prej 65 hektarësh në Prishtinë, me studio filmike dhe infrastrukturë të modeluar sipas industrisë amerikane të filmit.

    “Nëse do të realizohej, ky projekt do ta poziciononte Kosovën në hartën globale të industrisë kreative”, ka theksuar Gërxhaliu.

    Ai ka përmendur edhe ndikimin potencial në punësim, duke theksuar se projekti parashikon rreth 3 mijë vende pune direkte.

    “Në një ekonomi si Kosova, ku papunësia e të rinjve mbetet sfidë strukturore, një impakt i tillë do të ishte i rëndësishëm, nëse shifrat do të shoqëroheshin me plan real implementimi”, është shprehur ai.

    Sa i përket aspektit financiar, Gërxhaliu ka bërë të ditur se investimi i parashikuar arrin në rreth 150 milionë euro, me potencial për të gjeneruar të ardhura të konsiderueshme vjetore.

    “Nëse këto projeksione do të ishin të mbështetura në studime serioze fizibiliteti dhe kontrata reale investimi, atëherë do të flisnim për një nga projektet më transformuese në rajon”, ka shtuar ai.

    Megjithatë, ai ka ngritur dilema për kapacitetin institucional të vendit për ta realizuar një projekt të tillë.

    “Pa studim të pavarur fizibiliteti, siguri të investitorëve dhe kornizë të qartë implementimi, çdo projekt i tillë rrezikon të mbetet në nivel koncepti”, ka theksuar Gërxhaliu.

    Sipas tij, mungesa e dinamikës dhe seriozitetit në proces ka krijuar pasiguri te investitorët potencialë, pavarësisht se projekti ishte premtuar nga autoritetet komunale.

    “Nëse kemi arritur në një situatë ku projekte të nivelit ‘Hollywood’ nuk arrijnë të kalojnë filtrin e realizueshmërisë në Kosovë, atëherë sfida nuk është mungesa e investitorëve, por mungesa e besimit dhe kapacitetit institucional për t’i absorbuar ato”, ka deklaruar ai.

    Gërxhaliu ka theksuar edhe rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe potencialin që ka Kosova në këtë drejtim, duke përmendur vizitat e figurave të njohura ndërkombëtare, si Gérard Depardieu, Maria Grazia Cucinotta, Tony Robinson, William Baldwin, Denis O’Hare dhe Louis Mandylor.

    “Zhvillimi ekonomik nuk matet me madhësinë e projekteve në letër, por me aftësinë për t’i kthyer ato në realitet të qëndrueshëm”, ka përfunduar ai, duke shtuar se projekti mund të realizohet, por rrezikon të mos ndodhë në Kosovë.

  • Arrestohet ish-kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini

    Arrestohet ish-kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini

    Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, është arrestuar të enjten.

    Sipas raportimeve, Sejdini dyshohet për shpërdorimin e 700 mijë eurove, të cilat UEFA i pati ndarë për ndërtimi e një tribune në një stadium në Ohër.

    “Zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me Prokuroria Themelore Publike Shkup, e kanë privuar nga liria M.S., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

    Sejdini e mori drejtimin e FFM-së në vitin 2018. Nën të, Maqedonia e Veriut e arriti suksesin më të madh në histori duke u kualifikuar në Euro 2020.

    Ai u largua nga posti në vitin 2024, pasi i përfundoi mandati.

  • Çmimet tavan të derivateve për sot në Kosovë: Nafta 1.64€, benzina 1.39€, gasi 0.87€

    Çmimet tavan të derivateve për sot në Kosovë: Nafta 1.64€, benzina 1.39€, gasi 0.87€

    Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), janë përcaktuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për sot.

    Bazuar në këtë vendim, çmimi tavan për një litër naftë (dizel) është 1.64 euro, për benzinë 1.39 euro, ndërsa për gas 0.87 euro për litër.

    Këto çmime kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për të gjitha pikat e shitjes së derivateve në territorin e Kosovës.

  • E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së në Vushtrri

    E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së në Vushtrri

    Është ndarë nga jeta Kamer Mani, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me prejardhje nga fshati Galicë i Vushtrrisë.

    Ngushëllime ka shprehur kryetari i komunës, Ferit Idrizi, i cili tha se Mani do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të çmuar në luftën për liri dhe për angazhimin e tij në shërbim të atdheut.

    “Në këto momente të rënda, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe bashkëndjej dhimbjen me ju. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Idrizi.

  • Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Auron Thaqit

    Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Auron Thaqit

    Këtë të enjte në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vazhdojë seanca gjyqësore për rastin e vdekjes tragjike të Auron Thaqit.

    Kështu ka konfirmuar për Klankosova.tv nëna e të ndjerit, Esma, derisa u bë e ditur se seanca do të fillojë nga ora 13:15.

    Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcanit, të cilët në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.

    I riu Auron Thaqi, vdiq më 7 korrik 2024, pasi ishte plagosur rëndë me thikë.

  • “Deputetë të tillë nuk kanë vend në Kuvend” – kërkohen masa ndaj Fatos Gecit pas deklaratës për Hashim Thaçin

    “Deputetë të tillë nuk kanë vend në Kuvend” – kërkohen masa ndaj Fatos Gecit pas deklaratës për Hashim Thaçin

    Deklarata e deputetit të Grupit parlamentar të LVV-së, Fatos Geci, për burgim të përjetshëm ndaj Hashim Thaçit sikurse për Naim Murselin, vrasësin e Liridona Ademajt, ka ngjallur valë reagimesh të ashpra.

    Organizatën e Veteranëve të Luftës së UCK-së, kërkon masa ndëshkimore ndaj Gecit, ndërsa Kuvendit i kërkon miratimin sa më të shpejt të Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës.

    “Kur dihet që UÇK ka zhvilluar luftë të drejtë çlirimtare të kërkohet për kreun e saj dënim kapital kjo për ne është e papranueshme dhe jemi të habitur me qëndrimin e atij djali dhe aq më tepër kur është një djalë i ri i cili do duhej të ishte i pa mbushur me sherr. Ne si OVL kemi kërkuar që sa më shpejtë të aprovohet në Kuvend Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës që automatikisht do të merrej më çështje të tilla, andaj edhe Parlamenti konform rregulloreve të tij është mirë të merr masa ndaj secilit që shkel rregullat dhe standardet”, tha Sopi për RTV21

    Masa ndaj Gecit kërkoi edhe Shoqata e Familjeve të dëshmorëve të UÇK-së. Kryetari, Xhavit Jashari tha se deputetët e tillë nuk kanë vend në Kuvend dhe se Geci do të duhej të intervistohej edhe nga prokuroria.

    “Nuk është turp vetëm për deputetin, por edhe për vetë institucionin, Parlamentin e Kosovës ku brenda tij ka deputetë të tillë që nxjerrin këso lloj deklaratash ku bëjnë thirrje të tilla sepse ai duhet ta di edhe deputetët e tjerë e qytetarët që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi s’janë vetëm emra s’janë individ…atje po gjykohet lufta e UÇK-së. Ky deputet do të duhej të intervistohej nga prokuroria, por edhe Kuvendi kryetarja përmes rregullores se di si e kanë por deputetët e tillë s’duhet të kenë brenda Kuvend. Kuvendi duhet patjetër ta nxjerr ligjin që mbron luftën e UÇK-së nga të tilla persona që bëjnë thirrje dhe fyejnë përfaqësuesit e saj…”, tha Jashari për RTV21.

    Deklarata a Gecit ka ngjallu reagime të ashpra edhe të PDK-së. Deputetja Ganimete Musliu tha se deklarata e tij është narrativë e LVV-së.

    Ndërkohë një numër deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje përfshirë edhe kryeministrin Kurti janë distancuar nga deklarata e deputetit Geci. Kurti tha se janë të bindur për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë. I pyetur për ndonjë masë ndaj deputetit Geci, kryeministri tha se nuk është kryetar i ndonjë komisioni disiplinor e aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër, Guxo-së.

    “Tashmë kjo ka ndodhur nga kryetarja e GP-së së VV-së. Ju e dini qëndrimin tonë për Gjykatën Speciale, e cila është një gjykatë jo e drejtë. Jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë… Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia ndërpreu fjalën deputetit… Unë jam vetëm kryetar i VV-së dhe kryeministër, nuk jam edhe ndonjë kryetar i ndonjë komisioni disiplinor”, ka thënë ai.

    Deklarata e Gecit se Hashim Thaçi do të përballet me të njëjtin fat si Naim Murseli ishte si përgjigje ndaj deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, i cili gjatë seancës së djeshme parlamentare tha se deputetët e pushtetit kanë nisur të dridhen për shkak se e kanë ndie erën për kthimin e Thaçit.

    Pas gjuhës së tij, krye parlamentarja Albulena Haxhiu ia kishte tërhequr vërejtjen Gecit.

    Geci në po të njëjtën seancë kishte përdorur gjuhë të rëndë edhe ndaj deputetes, Vlora Citaku.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, cakton rendin e ditës për seancën plenare

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, cakton rendin e ditës për seancën plenare

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, duke filluar nga ora 09:00.

    Në këtë mbledhje, fillimisht pritet të miratohet procesverbali i mbledhjes së mëparshme, ndërsa më pas do të shqyrtohet propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

    Ndër pikat kryesore që pritet të diskutohen janë:

    Projektligji për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes,

    Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”,

    Projektligji për Energjinë dhe ai për Energjinë Elektrike,

    Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,Emërimi i tre anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim,

    Formimi i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

    Në fund të mbledhjes, Kryesia do të trajtojë edhe propozime dhe kërkesa të ndryshme.