ATV

Author: K.B.

  • Nagavci distancohet nga gjuha seksiste e Gecit: Janë deklarata individuale dhe të pandikuara

    Nagavci distancohet nga gjuha seksiste e Gecit: Janë deklarata individuale dhe të pandikuara

    Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci është distancuar sërish nga gjuha ofenduese dhe seksiste e deputetit të Guxo-s, Fatos Geci.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci dënoi gjuhën e deputetit, i cili uroi burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili aktualisht po mbahet në paraburgim në Hagë.

    “Menjëherë pas fjalës së deputetit Geci në Kuvend, unë si kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kam marr menjëherë fjalën në Kuvend dhe jam distancuar nga gjuha e përdorur dhe e kam përsëritur edhe një herë qëndrimin që është i ditur, Lëvizja Vetëvendosje respekton dhe nderon vlerat e luftës së drejtë, të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe beson që Gjykata Speciale është një padrejtësi që i është bërë Kosovës”, tha Nagavci.

    Ndër të tjera ajo tha se qëndrimi i deputetit Geci ka qenë personal dhe e pandikuar nga askush.

    Shefja e GP-së së VV-së po ashtu u distancua edhe nga gjuha seksiste që deputeti Geci përdori ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.

    “Ndërsa sa i përket deklaratës seksiste që ai pati në raport me deputeten Çitaku, natyrisht që dënojmë një gjuhë të tillë, edhe këtu edhe në Kuvend. Angazhimi jonë është që si shoqëri, një gjuhë e tillë të mos përdoret në asnjë rast, askund. Janë deklarata individuale të deputetit Geci”, u shpreh Nagavci.

  • Ag Apolloni prezanton romanin e tij në Harvard në Ditën Botërore të Librit

    Ag Apolloni prezanton romanin e tij në Harvard në Ditën Botërore të Librit

    Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Universitetin e Harvardit është organizuar një takim letrar me shkrimtarin shqiptar Ag Apolloni, ku prezantohet romani i tij “Kësukëkuqja, përrallë për të rritur” (Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups).

    Në këtë aktivitet do të flasë studiuesja e njohur Maria Tatar, ndërsa prezantimin e autorit dhe veprës e bën Ekaterina Pirozhenko nga Departamenti i Gjuhëve Gjermanike dhe Letërsive.

    Promovimi mbahet në Menschel Hall, pjesë e Harvard Art Museums, dhe shënon një moment të veçantë për letërsinë shqipe në një nga universitetet më prestigjioze në botë.

    Kjo ngjarje përfaqëson një tjetër hap drejt prezantimit të letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike globale.

  • Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të Boksit

    Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të Boksit

    Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar një fitore të thellë në kuadër të turneut prestigjioz World Boxing Cup – Brazil 2026, që po mbahet në Foz do Iguaçu.

    Në duelin e zhvilluar mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë 60 kilogramë, Sadiku triumfoi ndaj boksieres nga Zelanda e Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0.

    Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë në knockdown kundërshtaren. Dominimi vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku Sadiku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalojë përkohësisht ritmin e luftës. Në raundin e tretë, ajo ruajti kontrollin e plotë, duke e përmbyllur duelin në mënyrë bindëse.

    Ky turne ka rëndësi të veçantë për boksierët, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në kualifikimin për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.

    Sadiku pritet të rikthehet në ring më 24 prill, nga ora 16:00, në përballjen e saj të radhës, ku synon të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm në këtë kompeticion ndërkombëtar.

  • Haxhiu dënon gjuhën ofenduese të Gecit: Përçarëse dhe goditje ndaj veprës së UÇK-së

    Haxhiu dënon gjuhën ofenduese të Gecit: Përçarëse dhe goditje ndaj veprës së UÇK-së

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka dënuar gjuhen fyese dhe seksiste të deputetit të VV-së, Fatos Gecit.

    Ajo tha se si kryetare nuk do ta lejojë që Kuvendi të shndërrohet në arenë përplasjesh.

    “Unë përveç që i kam tërhequr vërjejten deputetit Geci, po ashtu në kërkesën e tij për të replikuar përfaqësuesit të PDK-së nuk e kam lejuar, e kam dënuar atë gjuhë. Për mua ajo gjuhë është e papranueshme, përçarëse dhe goditje ndaj veprës madhështore të Ushtrisë Çlirimare të Kosovës”, tha ajo.

    “Edhe sot në seancën e Kuvendit do të mbajë qëndrim në seancën e Kuvendit, dhe po ashtu dënoj gjuhën seksiste kundrejt nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku. Nuk do të lejoj që Kuvendi të shndërrohet në arenë përplasjesh, dhe të goditen gratë deputete”.

    Kujtojmë se deputeti Geci uroi burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi që po gjykohet në Hagë, ndërsa ndaj nënkryetares Çitaku përdori gjuhë të rëndë seksiste.

  • Tiranë, Prishtinë e Zvicër: Si funksionoi shpëlarja e parave të kokainës?

    Tiranë, Prishtinë e Zvicër: Si funksionoi shpëlarja e parave të kokainës?

    Pronarët e një agjencie udhëtimi në Luzern të Zvicrës dyshohen se kanë transferuar para droge drejt Shqipërisë. Raporte të reja tregojnë si funksiononte sistemi dhe kush qëndron pas tij, njofton portali zviceran Zentralplus.

    Një rrugë e qetë në mes të Tiranës gjendet një këmbimore valutash. Ajo pothuaj nuk bie në sy. Këtu, shkruan portali zviceran Zentralplus, janë transferuar nga Zvicra para të fituara nga tregtia me drogë. Në anën tjetër të rrugës së gjatë të transferimit të parave gjendet një agjenci udhëtimi në Luzern të Zvicrës qendrore. Të përfshirët në këtë vepër dyshohet se kanë përdorur sistemin “havala”. Në këtë sistem, një person dorëzon para në një vend dhe merr një kod; me këtë kod, ai mund të tërheqë të njëjtën shumë në një vend tjetër. Paratë fizike transferohen më vonë.

    Tashmë dihet si është përdorur ky sistem dhe kush qëndron pas tij. Këtë e tregojnë raporte të reja nga mediat shqiptare, të cilat mbështeten në dokumente të prokurorisë speciale dhe në biseda telefonike të përgjuara, shkruan Zentralplus.

    Në qendër qëndron një burrë me nofkën “Visi”. Atij i përkiste në fakt këmbimorja e përmendur në Tiranë, edhe pse zyrtarisht ishte në emër të një të afërmi. Kjo thuhet në një dokument të prokurorisë shqiptare, e cila e ka mbyllur lokalin.

    Detyra e “Visit” ishte koordinimi dhe administrimi i transfertave. Ai dyshohet se organizonte mbledhjen e parave nga rrjetet e drogës në Zvicër, transferimin në Shqipëri dhe shpërndarjen te përfituesit.

    Bisedat e përgjuara tregojnë se ai fliste me persona të ndryshëm për dërgimin e parave nga Zvicra në Shqipëri dhe për shpërndarjen e tyre. Në një rast, gjatë pandemisë kur kufijtë ishin të mbyllur dhe fondet të pakta, ai thoshte: “Për momentin atje lart është mbyllur” dhe “poshtë jemi bosh”. “Atje lart” i referohej Zvicrës, “poshtë” Shqipërisë. Në biseda të tjera diskutohej për mbledhjen dhe transportin e parave.

    Sapo të rifillonin fluturimet, transfertat mund të kryheshin sërish – edhe në drejtim të kundërt. Ai kishte një fond prej dy milionë frangash në Zvicër për këtë qëllim.

    Transporti bëhej shpesh sipas të njëjtit model: nga Luzerni, “korrierët” i çonin paratë me avion në Prishtinë. Aty merreshin dhe dërgoheshin me makinë në Tiranë, ku mbusheshin arkat nga të cilat paguheshin përfituesit e sistemit.

    Shpesh për marrjen e parave në Prishtinë ishte përgjegjës kushëriri i “Visit”, i quajtur “Nipi”. Ai u arrestua në korrik 2020 në kufi, kur iu gjetën 77 mijë franga zvicerane. “Nipi” ishte praktikisht dora e djathtë e “Visit”: kryente transporte ose koordinonte kur ai nuk mundej.

    Pas arrestimit të “Nipit”, rolin kryesor e mori “Papi”. Ai konsiderohet figurë kyçe. Sipas raportimeve, ai kishte jetuar më parë në Zvicër dhe në Shqipëri njihej si “boss” i kokainës. U arrestua në vitin 2018, por u lirua shpejt. Edhe ai dyshohet se kishte një këmbimore.

    “Papi” udhëtonte rregullisht në Prishtinë për të marrë para. Kur nuk arrinte të shkonte vetë, paguante shoferë autobusësh për t’i kontrabanduar paratë. Thuhet se kështu ka transportuar të paktën 800 mijë franga.

    Ai ishte aktiv edhe në Luzern, ku merrte para dhe i çonte në agjencinë e udhëtimit ose në adresa të tjera.

    Një i afërm i pronarit të agjencisë së udhëtimit në Luzern ndodhej në Prishtinë, ai njihej me nofkën “Xeni”. Ai ishte një hallkë kyçe në rrjetin e shpërndarjes. Aty mbërrinin paratë nga trafiku i drogës, zakonisht me avion, dhe prej aty merreshin nga “Papi” dhe të tjerët.

    Ende nuk është e qartë sa thellë janë të përfshirë operatorët kosovarë të agjencisë në këtë rrjet. Në Zvicër, në shtator 2024, u arrestuan gjashtë persona. Akuza: pronari dhe djemtë e tij dyshohet se kanë ndihmuar në transferimin e rreth shtatë milionë frangave jashtë vendit.

    Që nga viti 2022, policia e kishte nën vëzhgim agjencinë. Vetëm brenda një viti u regjistruan mbi 750 vizita nga persona të dyshuar si korrierë droge.

    Në bisedat e përgjuara, agjencia quhej thjesht “zyra”. Operatorët dhe “Visi” dyshohet se merrnin deri në 6 për komision për transfertat.

    Raportet ofrojnë një pasqyrë më të gjerë të rrjetit të trafikut të drogës me lidhje në Shqipëri. Ende mbetet e paqartë nëse ka pasur edhe lidhje të tjera nga Luzerni drejt Shqipërisë.

    Prokuroria federale zvicerane dhe ajo speciale shqiptare po hetojnë rastin. “Visi” ndodhet në paraburgim në Zvicër në pritje të gjykimit. “Papi” është në burg në Shqipëri. Autoritetet kanë sekuestruar para dhe pasuri, përfshirë këmbimore, një vilë bregdetare dhe një apartament në Tiranë. Për të gjithë të përfshirët vlen prezumimi i pafajësisë, shkruan portali zviceran Zentralplus.

  • Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: Mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës

    Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: Mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës

    Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar shifrat e radhës nga aksioni i madh i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që nisi pas shtimit të rasteve të vdekjeve në vendin e punës.

    Aksioni i gjerë i Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, po vazhdon me ritëm të shtuar në sektorin e ndërtimtarisë, pas rritjes së rasteve të aksidenteve dhe vdekjeve në vendin e punës.

    Vetëm gjatë 48 orëve të para të raportimit, rezultatet e publikuara tregojnë për një gjendje shqetësuese në shumë punishte ndërtimore në Kosovë.

    Sipas të dhënave zyrtare, janë inspektuar gjithsej 110 vendpunishte, ndërsa në 50 prej tyre është marrë vendim për ndalim të menjëhershëm të punimeve për shkak të shkeljeve të konstatuara në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 33 vërejtje ndaj subjekteve të ndryshme.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se aksioni po fokusohet në sektorët me rrezikshmëri të lartë, ndërsa në këtë fazë vëmendja kryesore është përqendruar te ndërtimtaria, sektor i cili konsiderohet ndër më problematikët sa i përket kushteve të punës dhe numrit të aksidenteve fatale.

    Në raportin e fundit thuhet se vetëm në ditën e gjashtë të aksionit janë realizuar 41 inspektime të reja, të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë. Nga këto kontrolle, 16 raste kanë përfunduar me vendim për ndalim të punimeve.

    Sipas ndarjes rajonale, dy ndalime janë shqiptuar në Pejë, 11 në Prizren dhe tri në Prishtinë.

    Në të njëjtën ditë, inspektorët kanë shqiptuar edhe 13 vërejtje ndaj kompanive ku janë gjetur parregullsi që kërkojnë përmirësim të menjëhershëm, ndërsa në 13 raste të tjera nuk është konstatuar nevoja për ndonjë masë ndëshkuese.

    Ndërkohë, në tetë raste është lejuar vazhdimi i punimeve, pasi kushtet janë vlerësuar të pranueshme, ndërsa në 12 raste subjektet kanë eliminuar parregullsitë e evidentuara gjatë kontrollit dhe kanë përmirësuar kushtet e sigurisë.

    Inspektorati ka sqaruar se kolona ku figuron numri i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje që do të procedohen ndaj kompanive përkatëse.

    Në njoftim bëhet e ditur se në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve do të procedohen automatikisht në Gjykata për kundërvajtje, në përputhje me shkeljet e konstatuara gjatë inspektimeve.

    Po ashtu, është paralajmëruar edhe faza e riinspektimeve, e cila do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim sipas afateve të përcaktuara nga inspektorët përgjegjës.

    “Procesi i Riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullësive. Eleminim të parregullësive nënkupton procesin kur subjekti inspektuar ka ndërmarrë veprime në përmirësim të gjendjes së Sshp-së.”, thuhet në njoftim.

    Sipas sqarimit të Inspektoratit, eliminimi i parregullsive nënkupton rastet kur subjekti i inspektuar ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Sa i përket shpërndarjes së inspektimeve në komunat kryesore të vendit, raporti tregon se në Prishtinë janë inspektuar 12 vendpunishte, në Fushë Kosovë 10, në Ferizaj 13, në Gjilan 12, në Mitrovicë 13, në Lipjan 12, në Podujevë 11, në Drenas 11 dhe në Gjakovë 16.

    Për gjendjen në këtë sektor ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka vlerësuar se mungesa e vigjilencës dhe pakujdesia e pronarëve të kompanive ndërtimore mbeten ndër arsyet kryesore të vdekjeve në vendin e punës.

    Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me mungesën e kushteve teknike, por edhe me dënimet e buta që shqiptohen ndaj kompanive që shkelin rregullat e sigurisë.

    Azemi ka deklaruar se edhe dënimet nga gjykatat dhe nga inspektorët janë shumë të lehta dhe nuk krijojnë efekt parandalues.

    Ai ka theksuar se kur një punëtor humb jetën në vendin e punës, shpeshherë pronari apo menaxheri i kompanisë ndalohet vetëm për 48 orë dhe më pas lirohet, gjë që sipas tij nuk përkon me seriozitetin e pasojave.

    “Edhe dënimet e gjykatave edhe të inspektorëve janë aq të buta sa që s’mund të marrësh me mend. Kur e shohim që një punëtor vdes në vendin e punës, një pronar ose menaxher i kompanisë mund të mbahet për 48 orë në stacionin e policisë dhe pastaj është i lirë. Mendoj që Inspektorati Qendror i Punës duhet të pajiset më shume me inspektorë të punës, inspektorë që dinë të zbatojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në rend të parë. Në rend të dytë, të jenë më vigjilent dhe rastet që i shohin se janë me rrezikshmëri duhet t’i mbyllin deri në një kohë të caktuar”, theksoi Azemi.

    Kreu sindikal ka kërkuar që Inspektorati Qendror i Punës të pajiset me më shumë inspektorë profesionalë, të trajnuar për zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    Po ashtu, ai ka kërkuar që rastet me rrezikshmëri të lartë të mbyllen menjëherë deri në eliminimin e plotë të rreziqeve.

    Sipas Azemit, rreth 70 për qind e rasteve të vdekjeve në vendin e punës në Kosovë vijnë pikërisht nga sektori i ndërtimtarisë, ndërsa mosha mesatare e viktimave është vetëm 38 vjeç.

    Sipas tij, nëse respektohet Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, shumë prej këtyre rasteve tragjike mund të shmangen dhe numri i aksidenteve do të binte ndjeshëm.

    Aksioni i nisur në fillim të kësaj jave do të zgjasë gjithsej 15 ditë dhe do të shtrihet në shtatë rajone të Kosovës, me synim identifikimin e shkeljeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe parandalimin e rasteve të reja fatale në vendpunishte.

  • Haxhiu: Bordi i Paqes më 27 prill në Kuvend

    Haxhiu: Bordi i Paqes më 27 prill në Kuvend

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se është vendosur që më 27 prill të mbahet seancë plenare, por se kjo nuk do të jetë për presidentin.

    Ajo, ka thënë se në seancën e 27 prillit do të adresohen çështje me rëndësi, përfshirë këtu edhe shqyrtimin e Projektligjit nr.10/L-007 për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes

    “Do të doja të ishte ashtu, por ende jemi në pritje të një konsensusi sa i përket çështjes së presidentit”, tha ajo.

    “Kryesia e Kuvendit vendosi që më 27 prill në orën 10:00 të mbajë një seancë të re, për t’i adresuar disa çështje shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim është anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes”, u shpreh Haxhiu.

  • Përplasja e trenave në Danimarkë, raportohet për 17 të lënduar

    Përplasja e trenave në Danimarkë, raportohet për 17 të lënduar

    Dy trena lokalë u përplasën ballë për ballë në Danimarkë të enjten, duke lënë të lënduar të paktën 17 persona, katër prej të cilëve janë në gjendje kritike, tha shërbimi i emergjencës për Reuters.

    Transmetuesi publik DR tregoi imazhe të dy trenave të verdhë dhe gri, të dy me dëmtime të dukshme në pjesën e përparme, përballë njëri-tjetrit në një zonë të pyllëzuar, raporton Reuters.

    Incidenti ndodhi në veri të Kopenhagës, në një linjë treni që lidh qytetet Hillerod dhe Kagerup, tha policia në një deklaratë.

  • Gjuha seksiste e Gecit ndaj Çitakut, Tahiri: Ajo është frymëzim për të vazhduar përpara

    Gjuha seksiste e Gecit ndaj Çitakut, Tahiri: Ajo është frymëzim për të vazhduar përpara

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka thënë fjalë miradije për Sekretaren e Përgjithshme të kësaj partie, Vlora Çitakun, njëherësh nënkryetaren e Kuvendit.

    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thotë se për Çitakun ka mirënjohje pasi sipas tij, ajo ngriti zërin e Kosovës në botë dhe kontribuoi në forcimin e saj si shtet.

    “Ka momente kur ndalesh dhe reflekton për rrugën që kemi bërë si vend. Me mirënjohje për ata që e ngritën zërin e Kosovës në botë dhe kontribuuan në forcimin e saj si shtet, si Vlora Çitaku, që me dinjitet dhe guxim e mbrojti Kosovën në OKB. Frymëzim për të vazhduar përpara, me më shumë përkushtim, përgjegjësi dhe dashuri për vendin tonë”, ka shkruar Tahiri.

    Reagimi i deputetit vjen pasi Fatos Geci nga VV ka fyer rëndë nënkryetaren e Kuvendit duke përdorur gjuhë seksiste ndaj saj.

    “I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, i ka thënë deputeti Geci, Çitakut.

  • Ilir Kërçeli reagon me një video pasi Gecët thanë se ai ia ka dhënë Fatosit fjalimin për Thaçin

    Ilir Kërçeli reagon me një video pasi Gecët thanë se ai ia ka dhënë Fatosit fjalimin për Thaçin

    Deputeti i Vetëvendosjes Ilir Kërçeli, i ka reaguar familjes Geci, të cilët mbrëmë thanë se fjalimin të cilin e lexoi deputeti tjetër i VV-së Fatos Geci, ishte shkruar nga ai.

    Nëpërmjet një videoje në Facebook, Kërçeli tha se deklaratat e familjes Geci, i lexoi sot në mëngjes.

    “Deputeti në fjalë, Fatos Geci ka deklaruar se fjalimin e ka shkruar vet. Sa më përket mua për qëndrimin tim për krerët e UÇK-së në Hagë, dihet publikisht”, ka thënë deputeti Kërçeli.

    Ai thotë se ka qenë në vizitë në Hagë si dhe ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

    “Para disa jave në Komisionin për Buxhet dhe financa, kam votuar për buxhet shtesë për të akuzuarit në Hagë”, ka vazhduar Kërçeli.

    E lutem sot e dje e çdo ditë që sa më parë ata të lirohen e të kthehen tek familjarët e tyre. E ndjeva obligim moral këtë sqarim edhe pse dihet botërisht”, tha ai.