ATV

Author: K.B.

  • Vuçiq i kërkon Hagës lirimin e kriminelit Mlladiq

    Vuçiq i kërkon Hagës lirimin e kriminelit Mlladiq

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se gjendja shëndetësore e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i cili në Hagë po vuan dënimin për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, është shumë e rëndë dhe se nuk e kupton pse atij nuk i lejohet që “ditët e fundit t’i kalojë jashtë qelisë së burgut”.

    “Jam informuar nga ministri i drejtësisë Nenad Vujiq se gjendja e tij është shumë e rëndë. Ai nuk ka mundur të ulet, është dërguar në spital në pozicion të shtrirë dhe ka qenë në gjendje të përgjigjet vetëm shkurt. Nuk e kuptoj pse dikujt nuk i lejohet të kalojë ditët e fundit jashtë qelisë së burgut. Por a jam i befasuar? Jo”, tha Vuçiq para gazetarëve në Beograd.

    Ratko Mlladiq është një nga figurat më të njohura ushtarake të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992–1995, si komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, shkruan danas.rs.

    Ai u bë një nga personat më të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare për krimet gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë, i cili la pas vetes dhjetëra mijëra viktima dhe një krizë të thellë humanitare në rajon.

    Në vitin 2017, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë e shpalli fajtor Mlladiqin për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës, i konsideruar si krimi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.

    Sipas raportimeve të fundit, Mlladiq më 10 prill ka pësuar goditje në tru dhe që atëherë ndodhet në spitalin e paraburgimit në Hagë, ku po trajtohet nën mbikëqyrje mjekësore. Gjendja e tij shëndetësore është raportuar si e rëndë dhe e paqëndrueshme, duke ngritur diskutime edhe për mundësinë e trajtimit të tij jashtë qelisë së burgut në fazat e fundit të jetës.

  • Hashim Thaçi feston ditëlindjen, mbush 58 vjet

    Hashim Thaçi feston ditëlindjen, mbush 58 vjet

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot feston ditëlindjen e tij të 58-të. Edhe kjo datëlindje Thaçin e gjen në Hagë ku po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

    Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, ishte presidenti i pestë i Republikës së Kosovës.

    Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.

    Thaçi ishte gjithashtu kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Ai u ngrit në rend të parë si kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

  • Sot varroset i riu që humbi jetën në vendin e punës

    Sot varroset i riu që humbi jetën në vendin e punës

    Sot do të varroset 29 vjeçari Lendrit Fetahaj i cili vdiq dje në vendin e punës.

    I ndjeri do të varroset në fshatin Skivjan të Gjakovës.

    Ceremoni mortore për Lendrit Fetahajn, do të mbahet me fillim nga ora 17:00, gjersa lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij.

  • Kuvendi sot mban dy seanca, ky është rendi i ditës

    Kuvendi sot mban dy seanca, ky është rendi i ditës

    Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare.

    Fillimisht duke filluar nga ora 10:00 në ambientet e Kuvendit do të mbahet seancë në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.

    Ndërsa një orë më vonë po në të njejtën ditë do të mbahet seanca e dytë. Në këtë seancë janë paraparë dhjetë pika të rendit të ditës.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Pyetjet parlamentare,
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-034 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2. të Marrëveshjes
    Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020,
    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 1O/L-O35 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes
    Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2019, pjesa
    e dyte, objektivi 1,
    6. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
    7. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
    8. Zgjedhja e anëtarëve ne Komisionin e Pavarur të Mediave,
    9. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit
    shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në përputhje me standardet evropiane,
    10. Propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione
    parlamentare.

  • Kosova sot është në zi në nderim të jetës dhe veprës së Rexhep Qosjes

    Kosova sot është në zi në nderim të jetës dhe veprës së Rexhep Qosjes

    Kosova sot është në zi në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes, i cili dje ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes.

    Sipas saj, me këtë vendim, shteti shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.

    Dje është ndarë nga jeta akademiku Rexhep Qosja, varrimi i të cilit është zhvilluar në një ceremoni të thjeshtë, në praninë e anëtarëve më të ngushtë të familjes.

    Sipas familjarëve, me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

    “Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, ka theksuar nipi i tij.

    Kush ishte Rexhep Qosja?

    Rexhep Qosja është një nga figurat më të njohura të letërsisë, kritikës letrare dhe publicistikës shqiptare, si dhe akademik me ndikim të madh në hapësirën kulturore shqiptare.

    Lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malësisë së Gucisë (sot në Mal të Zi). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i vazhdoi në Prishtinë dhe Beograd, ku u diplomua në gjuhë dhe letërsi shqipe.

    Qosja u dallua herët si studiues dhe kritik letrar. Ai ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe më pas ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

    Ai është autor i një numri të madh veprash letrare, studimore dhe publicistike, ku trajton letërsinë shqiptare, historinë, identitetin kombëtar dhe zhvillimet shoqërore e politike. Ndër veprat e tij më të njohura janë studimet mbi letërsinë shqipe dhe trilogjia “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

    Përveç veprimtarisë shkencore, Qosja është i njohur edhe për angazhimin e tij publik dhe qëndrimet kritike ndaj zhvillimeve politike në Kosovë dhe më gjerë.

    Ai është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ka marrë shumë çmime dhe vlerësime për kontributin e tij në kulturën shqiptare.

  • Sot vendimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm

    Sot vendimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i ndodhur në shtator të vitit 2023.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit është caktuar të fillojë në orën 15:00.

    Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Të tre të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë.

    Ndërkohë, për Milan Radoiçiqin dhe 41 të akuzuar të tjerë, të cilët ndodhen në arrati, prokuroria kishte kërkuar gjykim në mungesë. Megjithatë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar këtë kërkesë si të pabazuar.

    Sipas aktakuzës, 42 të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Ndërsa Milan Radoiçiq akuzohet gjithashtu për “lehtësim dhe financim të terrorizmit” si dhe “shpëlarje parash”.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se të akuzuarit dyshohet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Kosovës me qëllim bashkimin me Republikën e Serbisë, gjatë të cilit sulm ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe civilëve.

  • Mëngjes i ftohtë, gjatë ditës rritje e temperaturave

    Mëngjes i ftohtë, gjatë ditës rritje e temperaturave

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot stabil, me diell dhe vranësira të herëpashershme dhe me rritje të temperaturave edhe pse ende priten erëra të freskëta nga veriu e verilindja.

    Mëngjesi do të jetë i ftohtë me mundësi për ngrica të dobëta sipërfaqësore.

    Temperaturat pritet të lëvizin nga 1 minimalja deri në 19 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Ramadani: Kurti është tu i ba gati videot e fushatës

    Ramadani: Kurti është tu i ba gati videot e fushatës

    Analisti Burim Ramadani tha se kryeministri Kurti “është duke i bë gati videot e fushatës”.

    “Nëse e shohim sidomos në këto ditët e fundit, mendoj që Kurti është duke i bërë gati videot e fushatës”, tha Ramadani në Pressing.

    Ai tha se në këtë periudhë i ka bërë “krejt kartat gati, së pari opozita kinse po e gjejmë një kandidat konsensual, pastaj byroja e konfiskimit – ajo është tema e zgjedhjeve, pako 200 milionëshe që me gjasë mundet me u shpërnda diku kah mesi i muajit maj”, shtoi Ramadani.

  • OKB: Mbi 840 mijë vdekje në vit nga stresi në punë

    OKB: Mbi 840 mijë vdekje në vit nga stresi në punë

    Më shumë se 840,000 njerëz humbasin jetën çdo vit në mbarë botën si pasojë e rreziqeve psikosociale në vendin e punës, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, (ILO), një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

    Raporti thekson se faktorë si orët e gjata të punës, pasiguria në punë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin fizik dhe mendor të punëtorëve, duke u lidhur kryesisht me sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet mendore, përfshirë vetëvrasjen. Puna, sipas ILO-s, nuk ndikon vetëm në sigurinë ekonomike, por edhe në identitetin dhe marrëdhëniet shoqërore, ndërsa mënyra e organizimit të saj është vendimtare për shëndetin.

    Shefja e Politikave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në ILO, Manal Azzi, e cilësoi këtë fenomen si një nga sfidat më të mëdha të kohës moderne, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të punës është thelbësor për mirëqenien dhe produktivitetin. Sipas të dhënave, këto rreziqe përkthehen në rreth 45 milionë vite jete të humbura të rregulluara për aftësinë e kufizuar (DALY) çdo vit, ndërsa kostoja ekonomike globale arrin në 1.37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    Në Evropë, regjistrohen mbi 112,000 vdekje çdo vit dhe humbje ekonomike prej 1.43% të PBB-së. Ndërsa sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve, çrregullimet mendore janë shkaktari kryesor i humbjes së viteve të jetës së shëndetshme.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se depresioni dhe ankthi shkaktojnë rreth 12 miliardë ditë pune të humbura çdo vit.

    Efektet më të zakonshme përfshijnë depresionin, ankthin, lodhjen kronike, çrregullimet e gjumit dhe rraskapitjen fizike. Në shumë raste, këto probleme lidhen edhe me sëmundje fizike për shkak të sjelljeve të pashëndetshme si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe mungesa e aktivitetit fizik.

    Raporti evidenton gjithashtu se rreth 35% e punëtorëve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë rrit ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës. ILO paralajmëron se transformimi dixhital, puna në distancë dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë shpejt mjedisin e punës, duke e bërë të domosdoshëm ndërmarrjen e masave parandaluese.

    Organizata rekomandon organizim më të mirë të punës, qartësi në role, menaxhim të ngarkesës dhe mbështetje të drejtë dhe pa stigma për punëtorët.

  • Krerët e UÇK-së me telegram ngushëllimi nga Haga për familjen e Rexhep Qosjes

    Krerët e UÇK-së me telegram ngushëllimi nga Haga për familjen e Rexhep Qosjes

    Jakup Krasniqi ka përcjellë një telegram ngushëllimi për familjen e Rexhep Qosja, në emër të bashkëudhëtarëve të tij që po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Njoftimin e ka publikuar Bilall Sherifi, i cili tha se mesazhi u dërgua përmes telefonit.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj. Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë edhe neve, prandaj ndajmë me ju pikëllimin në këto çaste të vështira! Jeta dhe vepra e tij do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan. Ai do të jetojë përherë në kujtesën dhe respektin tonë dhe të kombit!

    Në telegram ata vlerësojnë lart jetën dhe veprën e Qosjes, duke e cilësuar atë si një figurë që do të mbetet përherë në kujtesën dhe respektin e kombit shqiptar.

    “Edhe pse larg jush dhe të privuar nga liria prej vitesh, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë. Nga muret e heshtura të Hagës, ju dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë jush me zemër e shpirt! Urojmë që të gjeni forcë në kujtimet dhe në dashurinë që ai la pas! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Bashkudhëtarët e z. Rexhep Qosja në rrugëtimin për realizimin e aspiratave tona të ligjshme kombëtare”, thuhet aty.