ATV

Author: K.B.

  • “Nuk pres mbështetje nga ata që lobojnë për pavarësinë e Kosovës”, thotë Vuçiq – reagon eurodeputeti italian

    “Nuk pres mbështetje nga ata që lobojnë për pavarësinë e Kosovës”, thotë Vuçiq – reagon eurodeputeti italian

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi të fundit, ka ofenduar eurodeputetin italian, Sandro Gozi, duke e quajtur lobist dhe duke thënë se “nuk di as cilës kombësi i përket”.

    Ai deklaroi se Serbia nuk mund të ketë mbështetje nga ata që, sipas tij, lobojnë për pavarësinë e Kosovës dhe e quajnë Serbinë shtet gjenocidal, duke përmendur në këtë kontekst edhe Gozin.

    Nuk vonoi përgjigjja e Sandro Gozi, i cili tha se javën e kaluar e kishte ftuar Vuçiqin në një debat publik televiziv, qoftë në Bruksel apo në Beograd, shkruan klix.ba.

    “Së pari e pranove, pastaj u zhduke duke u fshehur pas makinerisë tënde propagandistike”, u shpreh ai.

    Politikani italian u ndal edhe te çështja e Kosovës, duke theksuar se “negociatat nuk janë përgjegjësia ime, por e Vuçiçit sipas rezolutave të OKB-së dhe detyrimeve ndërkombëtare që Serbia ka marrë tashmë”.

    Gozi reagoi edhe ndaj komentit për kombësinë, duke theksuar se çdo qytetar i Bashkimit Evropian ka të drejtë të zgjidhet në vendin ku jeton, si një parim bazë demokratik i BE-së.

    Në fund, ai theksoi se fyerjet janë shenjë dobësie: sipas tij, liderët që sulmojnë të tjerët për të fshehur politikat e tyre tregojnë se janë në vështirësi dhe frikë nga llogaridhënia.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta një cent më lirë se dje

    Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta një cent më lirë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve për sot.

    Ka rënë për një cent çmimi i naftës, krahasuar me të enjten.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës sot është 1.63 euro për litër, i benzinës 1.40 ndërsa i gazit 0.87 euro për litër.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Mitrovicë të Veriut, hetohet rasti

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Mitrovicë të Veriut, hetohet rasti

    Një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Mitrovicë të Veriut.

    Detaje për rastin janë dhënë në raportin 24-orësh policor.

    “18-23.04.2026/22:38. Është gjetur pa shenja jete në banesën e tij viktima mashkull kosovar. Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës”.

    Me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion trupi i pajetë. Rasti duke u hetuar.

  • Rama ndan pamje nga stërvitja e Forcave Speciale të Ushtrisë

    Rama ndan pamje nga stërvitja e Forcave Speciale të Ushtrisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamje nga stërvitjet e Forcave Speciale të Ushtrisë Shqiptare, duke vënë në pah përgatitjen dhe profesionalizmin e kësaj njësie elite.

    Aktivitetet e tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur standarde të larta në ushtri.

    “Mirëmengjes dhe me këto momente nga stërvitja e Forcave Speciale, elita e Ushtrisë Shqiptare, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan ai.

  • Aksioni i jashtëzakonshëm i Inspektoratit të punës – 31 inspektime, 13 ndalime dhe 28 masa për eliminim parregullsish për 48 orë

    Aksioni i jashtëzakonshëm i Inspektoratit të punës – 31 inspektime, 13 ndalime dhe 28 masa për eliminim parregullsish për 48 orë

    Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së ka paraqitur të dhënat e fundit lidhur me aksionin e jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Ky raport 48-orësh nga Inspektorati Qendror i Punës paraqet rezultatet e inspektimeve të ditës së tetë të realizuara në kuadër të këtij aksioni, ndërkaq fokus i inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë.

    Sipas raportit 48-orësh janë realizuar gjithsej 31 inspektime dhe 44 riinspektime, duke rezultuar me një numër të konsiderueshëm masash ndëshkuese dhe parandaluese ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar legjislacionin në fuqi.

    Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 13 masa ndalimi të punimeve, ndërsa në 12 raste është dhënë leje për vazhdimin e aktivitetit, pas përmbushjes së kushteve ligjore nga ana e subjekteve të inspektuara.

    Po ashtu, inspektorët kanë dhënë 10 vërejtje dhe në 12 raste nuk janë konstatuar shkelje, duke reflektuar një nivel të ndryshëm të përputhshmërisë në sektorë të ndryshëm.

    Një nga treguesit kryesorë të aksionit është numri i masave për eliminimin e parregullsive, që arrin në 28 raste, duke dëshmuar për nevojën e ndërhyrjeve konkrete në përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e standardeve të sigurisë.

    Sa i përket shpërndarjes sipas komunave, Gjakova kryeson me 10 inspektime dhe 7 riinspektime, ndërsa Mitrovica shënon numër të lartë të ndërhyrjeve me 7 inspektime dhe 9 riinspektime, si dhe 4 ndalime punimesh.

    Gjilani ka regjistruar 2 inspektime dhe 9 riinspektime, me 4 leje për punim dhe 4 masa për eliminim të parregullsive. Ndërkohë, në Lipjan janë evidentuar 5 masa për eliminim parregullsish, ndërsa në Drenas ky numër arrin në 8 – më i larti ndër komunat e përfshira në raport.

    Autoritetet kanë paralajmëruar se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së disiplinës ligjore dhe parandalimit të shkeljeve në tregun e punës në Kosovë.

  • Afati po skadon, ende s`ka marrëveshje për president

    Afati po skadon, ende s`ka marrëveshje për president

    Kosova po hyn në ditët e fundit të vendimeve politike për çështjen e kreut të shtetit.

    Ende nuk ka marrëveshje dhe as njoftim për një seancë për këtë çështje.

    Ndonëse kanë mbetur pesë ditë deri në përmbylljen e afatit kushtetues, një marrëveshje mes partive politike duket e largët, bazuar në qëndrimet e tyre aktuale.

    Vetëvendosje ende pret një konsensus. Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, nënvizoi se është e gatshme të heqë dorë nga pozita që ushtron, siç tha, që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

    Ndërsa shefja e deputetëve të Vetëvendosjes insiston që partitë opozitare të japin emrat ose kërkesat e tyre për këtë proces, i cili mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

    Ndërkohë, opozita vazhdon të këmbëngulë në qëndrimet e ditëve të fundit.

    Me gjithë deklarimet nga të gjitha palët se ka vullnet për zgjedhjen e presidentit të ri, një javë para skadimit të afatit të përcaktuar nga Kushtetuta, dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, janë deklaruar se i kanë mbyllur bisedimet dhe kontributin e tyre partiak për t’i dhënë vendit kreun e ri të shtetit. Ndërsa Vetëvendosje vazhdon të insistojë se ka ende kohë për një marrëveshje.

  • Vdekje e dyshimtë në Prizren, nisin hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Prizren, nisin hetimet

    Një rast i hetimit të vdekjes është raportuar më 23 prill në Prizren.

    Sipas informacioneve zyrtare, një mashkull kosovar ka ndërruar jetë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe ekipi mjekësor, ku është konstatuar vdekja e viktimës.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Prizren / 23.04.2026-NN. Është raportuar se një mashkull kosovar ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, njofton PK.

  • Nisin homazhet në nderim të akademik Rexhep Qosja

    Nisin homazhet në nderim të akademik Rexhep Qosja

    Kanë nisur homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

    Nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazh përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre.

    Akademiku Rexhep Qosja vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare.

  • Molliqaj: Ndihmojeni PSD-në të hyjë në Kuvend për të parë si sfidohet Kurti

    Molliqaj: Ndihmojeni PSD-në të hyjë në Kuvend për të parë si sfidohet Kurti

    Dardan Molliqaj u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë Partinë Socialdemokrate të Kosovës që të jetë pjesë e Kuvendit.

    Madje ai ka thënë ata duan që vetëm të hyjnë në Kuvend dhe me 6 deputetë do ta sfidojnë Kurtin më shumë se opozita me 42.

    Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ai ka thënë se vendi ka nevojë për PSD-në Kuvend.

    “Unë çka jam duke lypur sot është votojeni PSD-në, veç qona në Kuvend me 6 deputetë për ta parë si bëhet opozita dhe sfidohet Albin Kurti. Po ta garantoj që më shumë ka mu sfiduar Kurtin prej 6 deputetëve të PSD-së se 42 të opozitës. Ftesa jam është, ndihmona pak që ta bëjë atë që ka nevojë ky vend. Deri sot njerëzit kanë menduar që s’ka nevojë për qetë punë, thoshin duhet Bedri Hamza është njeri normal, kontabilist edhe na kryen punën. Duhet Hamza, Abdixhiku, nuk kryhet veç me këta”, ka thënë Molliqaj.

    Grupi i të larguarve nga LVV që më pas iu bashkuan PSD-së të cilën e kishte formuar Kaqusha Jashari, vetëm njëherë kishte marrë pjesë në zgjedhje, në vitin 2019 dhe atë në koalicion me AAK-në.

  • Presidenti kroat: Kroacia nuk ka armik tjetër përveç Serbisë

    Presidenti kroat: Kroacia nuk ka armik tjetër përveç Serbisë

    Presidenti kroat Zoran Millanoviq deklaroi se Kroacia “nuk ka armiq përveç Serbisë”, me të cilën marrëdhëniet nuk janë të harmonizuara, dhe se Zagrebi nga ana e tij “po bën gjithçka që mundet” për përmirësimin e marrëdhënieve.

    “Kroacia, në fakt, nuk ka armiq, ka vetëm Serbinë me të cilën nuk po arrin dot të harmonizojë marrëdhëniet”, deklaroi Millanoviq në një seancë solemne me rastin e Ditës së Qarkut Krapina-Zagorje.

    Do të ishte shumë mirë, siç tha ai, sikur kjo të ishte e mundur, por nuk është e mundur dhe “për këtë vërtet nuk shoh fajtorë në Kroaci”.

    “Ne po bëjmë nga ana jonë gjithçka që mundemi”, tha ai, duke theksuar veçanërisht se Kroacia duhet të jetë shumë e kujdesshme nëse tërhiqet, qoftë me plan, qoftë nga inercia, në ndonjë armiqësi të re globale me disa shtete.

    “Nuk duam përplasje, nuk duam konflikt. A kemi të drejtë për një lloj të tillë të politikës së jashtme? Nevoja jonë ekzistenciale është të jemi zot në vendin tonë, por jo me portofol në xhep – sepse sot askush nuk mban më para në xhep, por me mendjen tonë dhe me gjykimet tona se çfarë është e mirë për ne dhe çfarë nuk është”, theksoi Millanoviq.

    Duke folur për Bashkimin Evropian, Millanoviq theksoi se blloku kryesisht prodhon ushqim vetë dhe kështu siguron nevojat e veta.

    “Bashkimi Evropian është një projekt paqeje dhe sigurie, jo një projekt lufte, në të cilin po shndërrohet dita-ditës, ndërsa jemi ulur këtu”, tha presidenti kroat.

    Ai theksoi se “ka një sërë përpjekjesh për të armatosur BE-në, dhe ky nuk është më një projekt paqeje”.

    “Ne jemi pjesë e një shoqërie ku po hartohen plane të mëdha, në mendimin strategjik të së cilës ne pothuajse nuk mund të marrim pjesë. Jemi shumë të vegjël, por ato na prekin shumë”, tha ai.

    “Gjermania ka 250.000 ushtarë, ndërsa cila është perspektiva që të ketë një milion? Shumë e vogël, pothuajse aspak, duke pasur parasysh kulturën dhe rendin juridik të Gjermanisë. Njerëzit nuk duan të shkojnë në ushtri”, shtoi ai.

    “Cilat janë shanset që Kroacia, me 17.000 ushtarë në letër dhe 13.000 në realitet, të arrijë në 50.000 me rezervë, që është minimumi minimal për të filluar planifikimin e një vizioni mbrojtës? Cilat janë shanset për këtë? Më të vogla se të voglat”, vlerësoi Millanoviq.