ATV

Author: K.B.

  • Shtyhet seanca për krime lufte ndaj dy të akuzuarve, shkak mosdërgimi i urdhëresës për Njësinë e Transportit të të akuzuarve

    Shtyhet seanca për krime lufte ndaj dy të akuzuarve, shkak mosdërgimi i urdhëresës për Njësinë e Transportit të të akuzuarve

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte, u shty seanca e paraparë për ditën e sotme në rastin ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët po akuzohen për krime lufte.

    “Për shkak të një lëshimi tek ne, pasi urdhëresa për njësinë e transportit nuk ka shkuar… nuk është çështje procedure, por ka ndodhur një lëshim teknik; urdhëresa është dashur të dërgohej me email, por nuk ka shkuar”, deklaroi gjyqtarja Donikë Shala Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prezent në sallë ishin trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Donikë Shala Abdyli, prokurori i shtetit Armend Zenelaj, përfaqësuesi i viktimave Veton Rudaku, dëshmitarët Enver Lipa dhe Rahime Lipa, si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatja Jovana Filipoviq me zëvendësim dhe avokati Millosh Deleviq.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshefi i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq, dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, më 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, pas bombardimeve të NATO-s në Burgun e Dubravës, të pandehurit, së bashku me forcat policore serbe, dyshohet se kanë ushtruar dhunë sistematike ndaj të burgosurve shqiptarë. Në aktakuzë përshkruhen edhe raste të vrasjeve, plagosjeve dhe dhunimeve gjatë kësaj periudhe./BetimipërDrejtësi

  • Hoti: Mungesa e transparencës në dialogun me Serbinë është shqetësuese

    Hoti: Mungesa e transparencës në dialogun me Serbinë është shqetësuese

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur sot në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë. Sipas Hotit, këto vite sa Qeveria Kurti është në pushtet, dialogu ka pasur regres, duke u kthyer në dialog teknik dhe duke mos u marrë me njohjen reciproke si rezultat final.

    “Gjatë këtyre viteve, kemi parë kthim prapa në këtë proces. Ka pas një dakordim mes forcave politike që dialogu të drejtohet drejt njohjes reciproke. Derisa tash është kthy në dialog teknik. Ky dialog për marrëveshje përfundimtare ka nis në vitin 2020, por është lënë në gjysmë”, ka thënë Hoti.

    Hoti ka thënë se ka edhe mungesë të transparencës ndaj Kuvendit dhe qytetarëve.

    “Është shqetësuese mungesa e plotë e transparencës karshi këtij Kuvendi dhe qytetarëve.Besoj që është e domosdoshme që ky Kuvend të nxjerr një rezolutë të re që adreson çështjen e transparencës karshi Kuvendit dhe qytetarëve”, ka thënë Hoti.

  • Publikohet traileri i parë i “Practical Magic 2”, rikthehen Nicole Kidman dhe Sandra Bullock

    Publikohet traileri i parë i “Practical Magic 2”, rikthehen Nicole Kidman dhe Sandra Bullock

    Warner Bros. ka publikuar trailerin e parë për filmin Practical Magic 2, vazhdimin e shumëpritur të filmit kult të vitit 1998. Filmi pritet të mbërrijë në kinema më 11 shtator.

    Traileri u prezantua fillimisht për pjesëmarrësit e CinemaCon në Las Vegas, përpara se të publikohej për publikun e gjerë. Në këtë vazhdim rikthehen në rolet e tyre ikonike Nicole Kidman dhe Sandra Bullock, si motrat Sally dhe Gilly Owens.

    Kastit i bashkohen emra të rinj si Joey King, Lee Pace, Maisie Williams, Xolo Maridueña dhe Solly McLeod. Ndërkohë, rikthehen edhe Stockard Channing dhe Dianne Wiest në rolet e tezeve Frances dhe Jet.

    Ngjarja zhvillohet vite pas filmit të parë, me Sally që ka rritur vajzat e saj, ndërsa Gilly jeton një jetë të qetë. Por kjo qetësi prishet kur një personazh misterioz, i luajtur nga Lee Pace, i detyron motrat të largohen nga qyteti i tyre në New England dhe të përballen me një mision dramatik.

    Skenari i filmit është shkruar nga Akiva Goldsman dhe Georgia Pritchett, bazuar në romanin “The Book of Magic” të autores Alice Hoffman. Filmi drejtohet nga Susanne Bier.

    Sipas studios, “Practical Magic 2” rikthen publikun në një botë të mbushur me magji dhe mister, ku motrat Owens duhet të përballen me një mallkim të errët që kërcënon të shkatërrojë familjen e tyre, në një histori që premton argëtim, emocione dhe kaos magjik.

  • Fëmijët i vendosën flakët pallatit? Prokuroria e Tiranës merr në pyetje të miturit që shfaqen në kamerat e sigurisë

    Fëmijët i vendosën flakët pallatit? Prokuroria e Tiranës merr në pyetje të miturit që shfaqen në kamerat e sigurisë

    Prokuroria e Tiranë ka marrë në pyetje pesë fëmijë që shfaqen në pamjet e kamerave të sigurisë duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet si vatra nga ku nisi zjarri që përfshiu një pallat shumëkatësh.

    Të miturit, banorë të kompleksit, janë pyetur në prani të psikologëve dhe prindërve. Sipas burimeve, ata kanë deklaruar se nuk kanë vepruar me paramendim dhe se mbetjet që morën flakë ndodheshin pranë një karroce që gjendej pranë një kondicioneri. Sipas tyre dhe nuk e kanë menduar që mund të sillnin një rrezik të tillë.

    Ndërkohë, prokurori i çështjes ka urdhëruar vijimin e veprimeve hetimore në vendngjarje dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë të përfshirë, ndërsa ekspertiza shkencore ende nuk është përfunduar.

    Nga ana tjetër, policia ka referuar në hetim dhe ka arrestuar fillimisht katër shtetas: Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

    Gjykata penale ka caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit.

  • A janë vërtet të shëndetshme “air fryer”?

    A janë vërtet të shëndetshme “air fryer”?

    “Air fryer”-at janë kthyer në një nga pajisjet më të përdorura në kuzhinë, me rreth 65% të familjeve në Mbretërinë e Bashkuar që tashmë i kanë. Por, krahas popullaritetit, janë shtuar edhe pyetjet: a janë vërtet aq të shëndetshme dhe të sigurta sa mendohet?

    Debati u nxit edhe nga deklarata e Gemma Collins, e cila pretendoi se e kishte hequr pajisjen sepse “thithte oksigjenin” nga kuzhina – një ide që ekspertët dhe prodhuesit e hodhën poshtë.

    Si funksionon “air fryer”?

    Në thelb, një “air fryer” është një furrë e vogël me ventilim të fuqishëm. Ajo përdor ajër shumë të nxehtë që qarkullon me shpejtësi rreth ushqimit, duke e gatuar në mënyrë të barabartë dhe duke krijuar një sipërfaqe krokante, të ngjashme me skuqjen.

    Ky proces shkakton edhe të ashtuquajturin reaksion Maillard, që i jep ushqimit ngjyrën e artë dhe shijen karakteristike të pjekjes apo skuqjes.

    A janë më të shëndetshme?

    Në krahasim me skuqjen në vaj të thellë, “air fryer”-at përdorin shumë pak ose aspak vaj, çka redukton ndjeshëm yndyrën dhe kaloritë. Kjo mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për obezitet dhe sëmundje të zemrës.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë një pikë të rëndësishme:

    Nuk është pajisja që e bën ushqimin të shëndetshëm, por ajo që gatuani.

    Ushqime si patatet e skuqura, nugget-at apo sallamet mbeten të pashëndetshme edhe nëse përgatiten në “air fryer”. Ndërsa zgjedhje si perimet, peshku apo mishi pa yndyrë janë alternativa më të mira.

    A ka rreziqe?

    Po – edhe pse shpesh konsiderohen të sigurta, “air fryer”-at nuk janë pa rreziqe.

    Gatimi në temperatura të larta mund të krijojë akrilamid, një substancë që lidhet me rrezik potencial kancerogjen, sidomos te ushqimet me niseshte si patatet.

    Rreziku rritet kur ushqimi digjet apo skuqet tepër.

    Disa modele me defekte teknike kanë pasur edhe rrezik zjarri.

    Gjithashtu, si çdo pajisje gatimi, ato mund të lëshojnë grimca shumë të imta në ajër gjatë përdorimit, të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e ajrit të brendshëm – sidomos nëse kuzhina nuk ajroset mirë.

    Po për materialet dhe kimikatet?

    Shumica e “air fryer”-ave kanë shtresa jo-ngjitëse si tefloni (PTFE), që konsiderohet i sigurt në temperatura normale gatimi. Por në temperatura shumë të larta mund të degradojë dhe të lëshojë gazra.

    Modelet më të reja zakonisht shmangin substanca të diskutueshme si PFAS apo PFOA, por ekspertët rekomandojnë zgjedhjen e produkteve cilësore dhe mirëmbajtjen e rregullt.

    Çfarë nuk duhet gatuar?

    “Air fryer”-at nuk janë të përshtatshëm për çdo ushqim:

    Brumëra shumë të lëngshëm apo supa

    Ushqime që lëshojnë shumë yndyrë

    Copëza të mëdha mishi që nuk gatuhen në mënyrë të barabartë

    Djathë i lirë që shkrihet dhe rrjedh

    Ato funksionojnë më mirë me ushqime të thata ose lehtësisht të vajosura, ku ajri mund të qarkullojë lirshëm.

    “Air fryer”-at mund të jenë një alternativë më e shëndetshme ndaj skuqjes tradicionale, por nuk janë një zgjidhje magjike. Përfitimet varen nga zgjedhjet ushqimore dhe mënyra e përdorimit.

    Me pak fjalë: Pajisja ndihmon, por dieta dhe zakonet tuaja janë ato që bëjnë diferencën.

  • Reagon Fatos Geci pas deklaratave në Kuvend, kërkon falje publike

    Reagon Fatos Geci pas deklaratave në Kuvend, kërkon falje publike

    Pas deklaratave në Kuvendin e Kosovës, deputeti Fatos Geci ka reaguar publikisht duke kërkuar falje për gjuhën për gjuhën e përdorur ndaj një deputeteje.

    Në reagimin e tij, Geci ka pranuar se mënyra e komunikimit nuk ka qenë në nivelin që ai përfaqëson, duke shprehur keqardhje për uljen e standardit të debatit parlamentar.

    Reagimi i tij i plotë:

    SQARIM

    Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës.

    Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë.Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm.

    Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time.

    Megjithatë, kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe.Këto përvoja janë të thella dhe më bëjnë që, përtej respektit të përgjithshëm për luftën e pastër të UÇK-së dhe vlera të larta, të kem qëndrime të rezervuara ndaj individëve të caktuar. Këto përjetime formësojnë qëndrimet e mia.I Juaji, Fatos Geci.

  • Skandali në operacionin e kapjes së Maduros – Basti 400 mijë dollarësh çon në pranga ushtarin amerikan

    Skandali në operacionin e kapjes së Maduros – Basti 400 mijë dollarësh çon në pranga ushtarin amerikan

    Një pjesëtar i forcave speciale të ushtrisë amerikane është arrestuar pasi dyshohet se ka përdorur informacione sekrete për të vënë baste mbi një operacion ushtarak që çoi në arrestimin e ish-presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.

    Sipas autoriteteve amerikane, ushtaraku – i identifikuar si Gannon Ken Van Dyke – ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e operacionit dhe kishte qasje në informacione të klasifikuara.

    Ai i përdori këto të dhëna për të vendosur baste prej 33 mijë dollarësh në platformën e parashikimeve Polymarket, duke fituar rreth 400 mijë dollarë, shkruan Reuters.

    Prokurorët thonë se ai kishte vënë bast se forcat amerikane do të ndërhynin në Venezuelë dhe se Maduro do të rrëzohej nga pushteti, duke shfrytëzuar njohuritë e brendshme për rezultatin e operacionit.

    Ai është akuzuar për disa vepra penale, përfshirë mashtrim financiar, përdorim të paligjshëm të informacionit qeveritar dhe transaksione të paligjshme monetare.

    Rasti konsiderohet si një nga rastet e para të “insider trading” të lidhur me tregjet e parashikimeve.

    Autoritetet theksojnë se përdorimi i informacionit të klasifikuar për përfitim personal përbën shkelje serioze të ligjit dhe të besimit që u jepet pjesëtarëve të ushtrisë.

  • Paralajmërim për diabetin, simptoma të pazakonta mund të shfaqen në këmbë

    Paralajmërim për diabetin, simptoma të pazakonta mund të shfaqen në këmbë

    Britanikët paralajmërohen të jenë vigjilentë ndaj disa simptomave të pazakonta që shfaqen në këmbë, të cilat mund të tregojnë një gjendje të rrezikshme. Diabeti është një gjendje serioze dhe shpesh e përjetshme që çon në nivele tepër të larta të sheqerit në gjak.

    Ndërsa shkaku i saktë i diabetit të tipit 1 mbetet i panjohur, diabeti i tipit 2 shpesh shoqërohet me faktorë që përfshijnë peshën e tepërt dhe aktivitetin fizik të pamjaftueshëm. Megjithatë, mund të jetë edhe i trashëgueshëm, shkruan Mirror.

    Ashtu si me çdo gjendje mjekësore, sa më herët të identifikohen simptomat e diabetit, aq më shpejt mund të kërkohet ndihmë mjekësore. Megjithatë, këto shenja paralajmëruese mund të shfaqen në disa zona të papritura.

    Për shkak të niveleve të larta të sheqerit në gjak, këmbët përfaqësojnë një zonë të trupit që mund të pësojë dëme të konsiderueshme. “Diabetes UK” deklaron: “Me kalimin e kohës, nivelet e larta të sheqerit në gjak, të njohura edhe si nivele të glukozës në gjak, mund të dëmtojnë enët e vogla të gjakut që furnizojnë nervat në këmbët tuaja”.

    “Kjo i ndalon lëndët ushqyese thelbësore të arrijnë nervat. Nëse nervat në këmbët tuaja dëmtohen, mund të humbni ndjesinë në këmbë, e njohur si neuropati periferike (dëmtim nervor). Kjo do të thotë që mund të mos i ndjeni gjërat siç duhet dhe mund t’i dëmtoni këmbët pa e vënë re”.

    “Enët e gjakut të dëmtuara gjithashtu zvogëlojnë furnizimin me gjak në këmbët tuaja, që do të thotë se mund të keni probleme me shërimin e prerjeve dhe plagëve. Gjithashtu mund të keni dhimbje dhe ngërçe në këmbë ose shputa”.

    Organizata këshillon njerëzit të konsultohen me mjekun e tyre familjar nëse vërejnë ndonjë nga shenjat e mëposhtme:

    Ndjesi shpimi ose mpirje;

    Dhimbje djegieje;

    Humbje e ndjesisë në këmbë;

    Ënjtje e këmbëve – mund të vini re se veshja e këpucëve ose ecja është bërë më e vështirë;

    Këmbët tuaja nuk djersiten;

    Plagë që nuk shërohen;

    Kërcitje në pulpat tuaja gjatë pushimit ose ecjes;

    Lëkurë e shndritshme dhe e lëmuar në këmbë;

    Rënie e qimeve në këmbë dhe shputa.

  • “Shpresojmë vitin tjetër ta festojë në Kosovë”, Ismaili ia uron Thaçit ditëlindjen

    “Shpresojmë vitin tjetër ta festojë në Kosovë”, Ismaili ia uron Thaçit ditëlindjen

    Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili i ka uruar ditëlindjen ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar që vitin e ardhshëm të festojë në Kosovë.

    “Para se me fillu fjalën, dëshiroj t’ia uroj ditëlindjen një çlirimtarit, presidentit Hashim Thaçi, dhe shpresoj që herëne ardhshme ta presim ditëlindjen e ardhshme në Kosovë, qysh e meriton një person që kohën e vet të jetës së vet ia ka dhënë Kosovës”, tha Uran Ismaili.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot feston ditëlindjen e tij të 58-të. Ai vazhdon të mbahet në Hagë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

  • Jelena Gjukanoviq raportonte çdo lëvizje të shefit te OSBE-së Jeff Bieley te inteligjenca serbe

    Jelena Gjukanoviq raportonte çdo lëvizje të shefit te OSBE-së Jeff Bieley te inteligjenca serbe

    Dëshmitë e reja të siguruara nga dosja e spiunazhit tregojnë se Jelena Gjukanoviq ka raportuar te agjenti i BIA-s, Aleksandar Vllajiq, edhe për eprorin e saj të drejtpërdrejtë, amerikanin Jeff Bieley, duke e etiketuar atë me gjuhë fyese dhe duke tentuar ta lidhë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Një idiot me uniformë të UÇK-së”

    Në komunikimet e saj, Gjukanoviq shpreh një urrejtje të hapur për Jeff Bieley, i cili mbante pozicionin e Drejtorit të Çështjeve Politike në Misionin e OSBE-së. Ajo e përshkruan atë si “idiot” dhe u tregon agjentëve serbë një detaj që ajo e konsideronte “inkriminues” për sytë e Beogradit – mbajtjen e një fotografie me uniformë të UÇK-së, shkruan Dukagjini.

    “Fatkeqësisht për ne në zyrë, shefi i misionit… është Jeff Bieley, një idiot që punonte për ICO-në dhe që mbante një fotografi të tij me uniformë të UÇK-së në tavolinën e zyrës,” raporton Gjukanoviq, duke tentuar të ndërtojë profilin e një zyrtari ndërkombëtar që është tërësisht në anën e shqiptarëve.

    Shënjestrimi i lidhjeve me Drenicën

    Gjukanoviq raporton te BIA se Bieley mban kontakte të rregullta me njerëz nga Skenderaji dhe Drenasi, duke sugjeruar se ai gëzon respekt të madh në ato zona. Për shërbimin sekret serb, ky informacion shërbente për të ndërtuar narrativën se OSBE-ja udhëhiqet nga njerëz “antiserbë” dhe të lidhur me luftën. Ky rast konsiderohet si shkelje e rëndë e sigurisë, pasi Gjukanoviq përdorte besimin e zyrës dhe afërsinë me eprorët për t’i “shitur” ata te një shërbim i huaj inteligjence.

    Denigrimi i figurës së Bieleyt tregon se ajo ishte e instruktuar të gjente çdo pikë të dobët të diplomatëve perëndimorë për t’i diskredituar ata.