ATV

Author: K.B.

  • Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë

    Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë

    Deputetët serbë kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës, pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu mirëpriti dënimet për sulmin terrorist në Banjskë, dhe vendimi u duartrokit nga të gjithë deputetët.

    Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

    Pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet.

    Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

  • Prokurori Naim Abazi pas aktgjykimit për Banjskën: Do të kërkojmë arrestimin e të tjerëve përmes Interpolit

    Prokurori Naim Abazi pas aktgjykimit për Banjskën: Do të kërkojmë arrestimin e të tjerëve përmes Interpolit

    Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj tre të dënuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ka reaguar prokurori special i rastit, Naim Abazi.

    Ai ka deklaruar se aktgjykimi i sotëm jep sinjal të qartë se të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm do të marrin dënimin e merituar.

    Sipas Abazit, institucionet e drejtësisë nuk do të ndalen vetëm me këtë vendim, por përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe Interpolit do të kërkohet arrestimi edhe i pjesëtarëve të tjerë që ndodhen në arrati.

    “Përmes ndihmës ndërkombëtare dhe Interpolit do të kërkojmë arrestimin edhe të pjesëtarëve të tjerë. Të gjithë ata që kanë urdhëruar, financuar dhe koordinuar sulmin do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar ai.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vite burgim për sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy zyrtarë policorë.

  • Dushan Maksimoviq i vetmi në sallë kur u shqiptua dënimi për Banjskën

    Dushan Maksimoviq i vetmi në sallë kur u shqiptua dënimi për Banjskën

    Dushan Maksimoviq i cili është dënuar sot me 30 vjet burg për sulmin terrorist në Banjskë ka qenë i vetmi që ka marrë pjesë në seancë ku është shqiptuar dënimi.

    Dy të tjerët, Bllagoje Spasojeviq dhe Vladimir Tollic s’kanë qenë të pranishëm. Të dy janë dënuar me burg të përjetshëm.

  • “Lavdi heroit Afrim Bunjaku”, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë pritet më duartrokitje në Kuvend

    “Lavdi heroit Afrim Bunjaku”, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë pritet më duartrokitje në Kuvend

    Lajmin për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë dhe 30 vjet burgim për të akuzuarin e tretë ua dha deputetëve gjatë seancës së sotme kryekuvendarja Albulena Haxhiu.

    Ky lajm u prit me duartrokitje nga deputetët.

    “Më lejoni të përshëndes vendimin e Gjykatës Themelore me burgim të përjetshëm për sulmin terrorist në Banjskë”, tha Haxhiu, e cila shtoi se me këtë vendim s’përmbyllet dënimi për sulmin e shtatorit të 2023-ës.

    “Megjithatë, drejtësia për sulmin në Banjskë nuk përfundon këtu, ajo përmbyllet kur kryeterroristi Milan Radoiçiq transferohet në Republikën e Kosovës së bashku me terroristët tjerë. Lavdi heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku”.

  • Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes, hap i madh për Kosovën

    Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes, hap i madh për Kosovën

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ajo e cilësoi këtë një hap i madh që forcon subjektivitetin ndërkombëtar dhe e vendos Kosovën aty ku e meriton: krah për krah me Amerikën.

    “Ishin Tomahawk-ët amerikanë që, në vitin 1999, çanë errësirën dhe ndalën makinerinë gjenocidale serbe mbi popullin tonë. Ishte Amerika ajo që qëndroi në anën e drejtësisë, kur ne kishim më shumë nevojë se kurrë për shpresë dhe shpëtim. Dhe është Amerika përsëri sot, ajo që qëndron përkrah nesh. Faleminderit SHBA-ve dhe Presidentit Trump për besimin dhe ftesën që të jemi shtet themelues i Bordit të Paqes”, shkruhet tutje në reagimin e saj.

  • Drejtësia flet për Banjskën: Dy dënime të përjetshme për sulmin terrorist, njëri 30 vjet

    Drejtësia flet për Banjskën: Dy dënime të përjetshme për sulmin terrorist, njëri 30 vjet

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, ndërsa me 30 vite dënoi Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë.

    Ata u gjetën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

    Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

    Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.

    Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë, me ç’rast ishte vrarë polici Bunjaku, ishte plagosur nga armë zjarri polici tjetër Alban Rashiti, ndërsa ishin lënduar policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, por ishte rrezikuar edhe jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.

    Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

    Ndërkaq, në Serbi nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur përkundër thirrjeve nga BE dhe NATO që autorët e sulmit të Banjskës të mbahen përgjegjës.

  • Viza “Gold Card” prej 1 milion dollarësh e Trumpit është marrë vetëm nga një person

    Viza “Gold Card” prej 1 milion dollarësh e Trumpit është marrë vetëm nga një person

    Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka miratuar deri më tani vetëm një aplikant për programin e ri të vizave “Gold Card”, sipas deklarimeve të Sekretarit të Tregtisë, Howard Lutnick.

    Programi, i nisur në dhjetor, u lejon të huajve të marrin leje qëndrimi në SHBA në këmbim të një “kontributi” prej 1 milion dollarësh për qeverinë amerikane, pas një procesi të rreptë verifikimi.

    Sipas Lutnick, aplikimi për këtë vizë është finalizuar së fundmi në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr procesin. Përveç shumës prej 1 milion dollarësh, aplikantët duhet të paguajnë edhe 15 mijë dollarë tarifë për përpunim.

    Ai deklaroi se deri tani është miratuar vetëm një person, ndërsa qindra të tjerë ndodhen në proces shqyrtimi dhe verifikimi, shkruan cbsnews.

    Lutnick theksoi se kontrolli i aplikantëve është jashtëzakonisht i rreptë dhe, sipas tij, më i detajuari në historinë e programeve qeveritare të këtij lloji.

    Trump e ka prezantuar këtë program si një mënyrë për të tërhequr investime të mëdha nga të huajt dhe për të gjeneruar të ardhura për shtetin amerikan, duke u dhënë një rrugë të shpejtë drejt qëndrimit ligjor në SHBA.

    Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit të vetëm të miratuar deri tani.

    Sipas zyrtarëve, procesi mbetet ende në fazat e hershme dhe pritet që në të ardhmen të përpunohen më shumë aplikime.

  • Kuvendi i Kosovës formon komisionin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

    Kuvendi i Kosovës formon komisionin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

    Në Kuvendin e Kosovës është formuar komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Ky komision do të ketë për detyrë të shqyrtojë dhe të menaxhojë procedurat lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për këtë institucion të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.

  • Netanyahu zbulon se është diagnostikuar me kancer të prostatës, thotë se e mbajti të fshehtë për shkak të luftës me Iranin

    Netanyahu zbulon se është diagnostikuar me kancer të prostatës, thotë se e mbajti të fshehtë për shkak të luftës me Iranin

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zbuloi se është diagnostikuar me kancer të prostatës.

    Netanyahu, 76 vjeç, tha se e vonoi publikimin e raportit të tij vjetor mjekësor – i cili zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer në prostatë në mënyrë që të mos përdorej si propagandë nga Irani.

    Udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Izraelit iu nënshtrua një operacioni për zmadhim të prostatës në dhjetor 2024, një ndërhyrje që Zyra e Kryeministrit e bëri publike në atë kohë. Në kontrollin më të fundit pas operacionit, Netanyahu zbuloi në një deklaratë në rrjetet sociale se mjekët kishin zbuluar një tumor malinj në prostatën e tij.

    Zyra e Kryeministrit publikoi gjithashtu dy letra nga mjekët e tij për të shoqëruar njoftimin në rrjetet sociale. “Ky është një zbulim i hershëm i një lezioni shumë të vogël, pa metastaza, siç e kanë konfirmuar pa asnjë dyshim të gjitha testet e tjera,” thuhej në një nga letrat.

    Ai nuk zbulon se kur është bërë kontrolli i fundit, por një burim izraelit i njohur me çështjen i tha CNN se kanceri ishte diagnostikuar disa muaj më parë. Sipas burimit, Netanyahu filloi terapinë me rrezatim rreth dy muaj e gjysmë më parë dhe së fundmi e ka përfunduar trajtimin.

    Netanyahu thotë se mori vendimin t’i nënshtrohej terapisë së synuar me rrezatim dhe se “zona u zhduk plotësisht.”

    “Falë Zotit, jam i shëndetshëm,” tha Netanyahu në rrjetet sociale.

  • Siguri e hekurt në Pallatin e Drejtësisë, sot aktgjykimi për rastin e Banjskës

    Siguri e hekurt në Pallatin e Drejtësisë, sot aktgjykimi për rastin e Banjskës

    Njësi të shtuara policore janë vendosur sot në Pallati i Drejtësisë, ku në orën 15:00 pritet të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

    Ekipi i KosovaPress njofton se kontrollet e sigurisë janë të rrepta si brenda, ashtu edhe jashtë objektit. Masa të larta sigurie janë vendosur edhe para sallës ku pritet të mbahet seanca gjyqësore.

    Policia ka shtuar praninë policore për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë këtij procesi të ndjeshëm, ndërsa pritet një interesim i madh i publikut dhe mediave për shpalljen e vendimit.