ATV

Author: K.B.

  • KQZ-ja gati për zgjedhje, megjithatë nuk është ndarë buxhet për organizimin e tyre

    KQZ-ja gati për zgjedhje, megjithatë nuk është ndarë buxhet për organizimin e tyre

    Dy ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se meqë në këtë vit nuk janë planifikuar zgjedhje, nuk është ndarë as buxhet për organizimin e tyre. Sipas tij, kostoja e përafërt do të jetë 10 milionë euro.

    “Në rrethana të tilla, pra gjithmonë nëse do të kemi zgjedhje, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve. Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e zgjedhjeve të mundshme, pasi aktualisht nuk kemi ndonjë planifikim. Një shumë e tillë duhet të miratohet nga KQZ-ja dhe kjo do të ndodhë vetëm në rast se do të kemi një proces zgjedhor”, ka thënë Elezi.

    Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve.

    Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se institucioni nuk ka pasur kohë të hartojë plane e procedura për t’i shmangur parregullsitë që përcollën procesin e fundit zgjedhor të 28 dhjetorit.

    “Sfidojnë KQZ-në dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për arsye se do të duhej që një proces elektoral të përgatitej më shpejt sesa në rrethana normale brenda mandatit katërvjeçar bie fjala. Duhet, në situata të tilla, në mënyrë të përshpejtuar të bëhen përgatitjet, të realizohen projektet, trajnimet e ndryshme. Pra me një fjalë të gjitha përgatitjet e duhura për një cikël zgjedhor i cili kërkon mesatarisht, të paktën, gjashtë muaj përgatitje”, është shprehur Baraliu.

    Ndonëse dita e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka kaluar me pak parregullsi, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është shoqëruar me manipulime në shkallë të gjerë.

    Sipas një raporti të Demokracisë në Veprim, rinumërimi gjeti se mbi 242 mijë vota u tjetërsuan gjatë numërimit fillestar. Kjo çoi në arrestimin e qindra komisionerëve.

    Përtej aspektit organizativ, sociologu Genc Xërxa ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore e dobësojnë besimin e qytetarëve në institucione dhe në demokraci.

    “Këto mund të vijnë në shprehje shumë më shumë se zëri i qytetarëve apo grupeve të cilat presin, me të drejtë, nga ky sistem. Ashtu që shumë parti të ndryshme, ideologji të ndryshme mund të vijnë në shprehje, e të cilat në disa raste mund të jenë jodemokratike”, ka thënë Xërxa.

    E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

  • Dita e të Zhdukurve, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe

    Dita e të Zhdukurve, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe

    Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu do të bëjë nderime pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Bashkë me të, homazhe do të kryejë edhe kryeministri Albin Kurti.

    Ngjarja do të zhvillohet me fillim nga ora 11:30 para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

  • 27 vjet nga rënia e dëshmorit Enver Musa – “DIVI”

    27 vjet nga rënia e dëshmorit Enver Musa – “DIVI”

    Sot shënohet 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit Enver Musa “DIVI”, pjesëtar i Zonës Operative të Shalës (ZOSH), në kuadër të Brigadës 141 “Mehë Uka”.

    Ai ra më 27 prill 1999 në Betejën e Melenicës, pas 47 ditësh përballje të ashpër me forcat serbe.

    Enver Musa, i njohur me nofkën “DIVI”, në një moshë të re zgjodhi t’i bashkohej luftës për liri, duke lënë pas çdo gjë për idealin e çlirimit të vendit. Sipas bashkëluftëtarëve, ai luftoi deri në momentet e fundit vetëm pak metra larg armikut, duke treguar vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm.

    Në këtë përvjetor, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë kujtojnë me nderim jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se figura e “DIVI”-t mbetet shembull i trimërisë, vendosmërisë dhe dashurisë për atdheun.

  • Kuvendi mblidhet për dy seanca, njëra i kushtohet Rexhep Qosjes

    Kuvendi mblidhet për dy seanca, njëra i kushtohet Rexhep Qosjes

    Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për të zhvilluar dy seanca.

    Me fillim nga ora 09:00, të zgjedhurit e popullit bëhen bashkë për ta nderuar akademikun e ndjerë, Rexhep Qosjen.

    Ndërsa nga ora 12:00 Parlamenti do të mbajë seancë të rregullt plenare.

  • E hënë me diell dhe temperatura të larta

    E hënë me diell dhe temperatura të larta

    Të hënën pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometeorologjik do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 18 deri në 21 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.

  • Arrestohet në Prishtinë 43-vjeçari i dënuar për vrasje në tentativë

    Arrestohet në Prishtinë 43-vjeçari i dënuar për vrasje në tentativë

    Policia e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një person të kërkuar, i dënuar për veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Spas postimit në Facebook, bëhet fjalë për A.E., 43 vjeç, shtetas i Kosovës, i cili ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim.

    Arrestimi është realizuar nga Njësia e Arrestimeve e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, në kuadër të veprimeve të vazhdueshme për kapjen e personave të kërkuar dhe të dënuar për vepra penale.

    “Pas ndalimit, i njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit”, thotë PK.

  • Hoti: Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale, president i ri ose zgjedhje

    Hoti: Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale, president i ri ose zgjedhje

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka qëndruar të dielën në Prizren, nga ku ka përcjellë një mesazh në prag të seancave vendimtare në Kuvend.

    “E diel e këndshme në Prizren. ☀️ Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale për t’i dhënë vendit Presidentin e ri ose për ta kthyer mandatin sërish te qytetarët”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka theksuar se dy ditët në vijim do të jenë përcaktuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, ndërsa ka lënë të hapur edhe mundësinë e kthimit të mandatit te qytetarët në rast se procesi nuk përmbyllet në Kuvend.

  • Jehona Lushaku i kërkon VV’së të deklarohen për Vjosa Osmanin: Emrin e keni

    Jehona Lushaku i kërkon VV’së të deklarohen për Vjosa Osmanin: Emrin e keni

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje pasi po kërkojnë emra jopartiakë për President.

    Të dielën, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë emër për President nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK – duke shtuar se edhe sonte janë në pritje.

    Por, Lushaku ka shkruar në Fascebook se emrin e kanë, duke e pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse i kanë 66 vota për Vjosa Osmanin.

    “A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota”, ka shkruar ajo

  • Ushtarakët e FSK-së diplomojnë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

    Ushtarakët e FSK-së diplomojnë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

    Dy oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar jashtë vendit. Një në Mbretërinë e Bashkuar dhe tjetra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu thuhet në postimin e ninistrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se kjo arritje dëshmon nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

    Siç njoftohet, nëntogeri Endi Sherifi ka përfunduar një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), në Brecon, Uells, ku për performancën e tij është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

    Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ermonda Meshi ka diplomuar nga “The Adjutant General Basic Officer Leader Course” (AGBOLC), një trajnim i avancuar për përgatitjen e oficerëve në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake.

    Postimi i tij i plotë:

    Ushtarakët e FSK-së po vazhdojnë të shkëlqejnë në akademitë e vendeve të NATO-s. Gjatë muajit prill, dy oficerë kanë diplomuar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

    Nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), në Brecon, Uells, ku për performancën e tij është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

    Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ermonda Meshi ka diplomuar me sukses nga The Adjutant General Basic Officer Leader Course (AGBOLC), një trajnim i avancuar për përgatitjen e oficerëve në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake. Për arritjet e saj, ajo është nderuar me medaljen “United States Diplomatic Medal”.

    Këto suksese janë dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të lartë të ushtarakëve tanë, por njëkohësisht edhe rezultat i investimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes në trajnim, edukim ushtarak dhe zhvillim profesional. Duke zgjeruar mundësitë për shkollim dhe specializim në akademitë dhe qendrat më prestigjioze ushtarake të vendeve partnere, ne po ndërtojmë një ushtri gjithnjë e më profesionale, më të përgatitur dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës sipas standardeve më të larta të NATO-s.

    Jemi krenarë për secilin ushtarak të FSK-së që me punë, disiplinë dhe përkushtim po përfaqëson me dinjitet Republikën e Kosovës në akademitë dhe shkollat ushtarake të vendeve aleate. Arritjet e tyre janë arritjet e shtetit tonë, të ushtrisë sonë dhe të rrugëtimit tonë të sigurt drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve tona mbrojtëse.

  • Ky është parashikimi i motit për javën e fundit të prillit

    Ky është parashikimi i motit për javën e fundit të prillit

    Java e fundit e prillit pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm. Sipas njoftimit të lëshuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, intervalet me diell dhe vranësira kohë pas kohe do të shoqërohen edhe me reshje shiu e shkarkesa elektrike.

    “Era gjatë gjithë javës do të jetë kryesisht nga drejtimi verior (veriperëndim dhe verilindje), me intensitet të dobët deri mesatar, duke reflektuar praninë e një fushe relativisht të dobët presioni, por me ndikim të vazhdueshëm të masave ajrore më të freskëta”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

    Të hënën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen rreth 1-3 gradë celsius, ndërsa maksimalet rreth 18-21.

    Të martën mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat gjatë ditës vende-vende priten të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale nga 1-4 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 19-22.

    Të mërkurën pritet të mbajë mot i ngjashëm, por me temperatura më të ulëta. Ndonëse ato minimale do të shënojnë ngritje deri në 8 gradë celsius, maksimalet do të sillen nga 15-18 gradë.

    Të enjten po ashtu do të ketë mot me vranësira e reshje shiu në disa vende. Temperaturat minimale do të jenë të ngjashme si të një dite më parë, ndërsa maksimalet do të shënojnë rënie në 13 gradë celsius.

    Të premten edhe pse pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët e pa reshje shiu, temperaturat minimale do të bien në 0-3 gradë celsius, ndërsa maksimalet në 11-13.