ATV

Author: K.B.

  • Komiteti Ushtarak i NATO-s vjen në Kosovë

    Komiteti Ushtarak i NATO-s vjen në Kosovë

    Sot dhe nesër, në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-së.

    Me këtë rast Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.

  • I dyshuari që gjuajti në darkën e Trump del para gjykatës, ‘presidenti ishte objektiv i mundshëm’

    I dyshuari që gjuajti në darkën e Trump del para gjykatës, ‘presidenti ishte objektiv i mundshëm’

    I dyshuari për të shtënat me armë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington do të dalë sot para gjykatës.

    Personi i identifikuar është 31-vjeçari Cole Tomas Allen, nga Torrance, Kaliforni.

    Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, tha se gjetjet “paraprake” sugjerojnë se i dyshuari kishte në shënjestër anëtarë të administratës Trump – dhe se vetë Trump ishte një objektiv “i mundshëm”.

    Më pak se një orë pas incidentit, Trump tha në një postim në Truth Social tregoi se i dyshuari është arrestuar dhe më pas postoi foton e tij, raporton BBC.

    Zbatuesit e ligjit i thanë dje partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se i dyshuari po mbahej në një stacion të Departamentit të Policisë Metropolitane në veriperëndim të Uashingtonit dhe do të transportohej më vonë sot në një qendër paraburgimi në juglindje të kryeqytetit.

    Ai pritet të akuzohet zyrtarisht sot për sulm ndaj një oficeri federal dhe përdorim të një arme zjarri.

  • Afati për presidentin po mbaron, Kurti shmang përgjigjen për Osmanin

    Afati për presidentin po mbaron, Kurti shmang përgjigjen për Osmanin

    Kryeministri Albin Kurti nuk i është përgjigjur pyetjes nëse do ta pranojë Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

    Duke u nisur drejt seancës për Rexhep Qosjen, kreu i Qeverisë nuk komentoi fare këtë çështje.

    Ndërkohë, nesër është afati përfundimtar kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

  • PSRK ngrit aktakuzë ndaj një personi që ka “dëmtuar dhe fyer” flamurin e Turqisë gjatë Ramazanit

    PSRK ngrit aktakuzë ndaj një personi që ka “dëmtuar dhe fyer” flamurin e Turqisë gjatë Ramazanit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet D.Z., i dyshuar për kryerjen e dy veprave penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë ka ndodhur më 5 mars 2026, rreth orës 02:00, në sheshin Sheshi Adem Jashari në Mitrovicë. I pandehuri dyshohet se, gjatë një aktiviteti publik të organizuar për iftar në muajin e Ramazanit, ka ndërmarrë veprime që synonin nxitjen e urrejtjes dhe mosdurimit, duke cenuar rendin publik. Konkretisht, ai dyshohet se ka dëmtuar flamurin kombëtar të Turqia duke përdorur një mjet të mprehtë dhe ka shprehur publikisht fyerje ndaj këtij simboli.

    Në pikën e dytë të aktakuzës, PSRK bën të ditur se i pandehuri, në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 12 mars 2026, ka poseduar armë dhe municion pa leje, në kundërshtim me ligjin në fuqi.

  • Alban Krasniqi i VV’së: LDK është dashur t’a zyrtarizojë emrin e Osmanit me shkresë e nënshkrimet e të gjithë deputetëve

    Alban Krasniqi i VV’së: LDK është dashur t’a zyrtarizojë emrin e Osmanit me shkresë e nënshkrimet e të gjithë deputetëve

    Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherit edhe bashkëshorti i ud.presidentes Albulena Haxhiu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me procesin e propozimit të kandidaturës për presidente.

    Krasniqi ka deklaruar se propozuesit e emrit të Vjosa Osmani duhet ta respektojnë atë duke e zyrtarizuar kandidaturën përmes një shkrese formale, e cila sipas tij duhet të përmbajë emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Ai ka theksuar se për të hyrë në procesin zgjedhor për president, duhet të propozohet edhe një kandidat tjetër, duke u bërë thirrje propozuesve që “të kalojnë nga Facebook-u në Sekretarinë e Kuvendit dhe të kryejnë procedurat e nevojshme”.

  • Kuvendi mban një minutë heshtje për akademikun Rexhep Qosja

    Kuvendi mban një minutë heshtje për akademikun Rexhep Qosja

    Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e veçantë në shenjë nderimi për akademikun Rexhep Qosja, me një minutë heshtje

    Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja, ka vdekur të enjten në moshën 90-vjeçare, njoftoi familja e tij. Në nderim të jetës së Qosjes, në Kosovë 24 prilli ishte ditë zie.

    Valjet Rexhepi, nipi i tij, shkroi në Facebook se Qosja vdiq dhe u varros të enjten në një ceremoni private familjare.

    “Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!” shkroi Rexhepi.

  • Maqedonci: Ushtarakët e FSK-së po shkëlqejnë në akademitë e vendeve të NATO-s

    Maqedonci: Ushtarakët e FSK-së po shkëlqejnë në akademitë e vendeve të NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdojnë të shënojnë suksese në akademitë e vendeve të NATO-s.

    Sipas tij, gjatë muajit prill, dy oficerë të FSK-së kanë diplomuar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

    Maqedonci ka njoftuar se nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), në Brecon të Uellsit, ku për performancën e tij është vlerësuar me “Mirënjohje të Veçantë” nga komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

    Ndërkaq, në SHBA, Ermonda Meshi ka diplomuar nga “The Adjutant General Basic Officer Leader Course (AGBOLC)”, trajnim i avancuar për përgatitjen e oficerëve në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake. Për arritjet e saj, ajo është nderuar me medaljen “United States Diplomatic Medal”.

    Ministri theksoi se këto rezultate janë dëshmi e përkushtimit të ushtarakëve të FSK-së, por edhe e investimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes në trajnim, edukim ushtarak dhe zhvillim profesional.

    Ai shtoi se përmes zgjerimit të mundësive për shkollim dhe specializim në akademitë dhe qendrat më prestigjioze të vendeve partnere, Kosova po ndërton një ushtri gjithnjë e më profesionale dhe të përgatitur sipas standardeve të NATO-s.

    Maqedonci u shpreh krenar për secilin ushtarak të FSK-së që, sipas tij, me punë, disiplinë dhe përkushtim po e përfaqëson me dinjitet Republikën e Kosovës në akademitë e vendeve aleate, duke nënvizuar se arritjet e tyre janë edhe arritje të shtetit dhe të rrugëtimit drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.

  • KQZ-ja mban mbledhjen e radhës, në rend dite raporti vjetor dhe analizat e zgjedhjeve

    KQZ-ja mban mbledhjen e radhës, në rend dite raporti vjetor dhe analizat e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë mbledhjen e radhës më 27 prill 2026, duke filluar nga ora 13:30, në zyrat e institucionit në Prishtinë.

    Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja do të kryesohet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend dite janë një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin dhe aktivitetin zgjedhor.

    Në kuadër të këshillit për operacione zgjedhore, anëtarët do të shqyrtojnë dhe miratojnë raportin vjetor të KQZ-së për vitin 2025, i cili më pas i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, në rend dite janë edhe shqyrtimi i agjendës së punëtorisë lidhur me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvend, si edhe analizat e votave me asistencë për këto procese zgjedhore.

    KQZ-ja do të trajtojë edhe ndryshime dhe plotësime në disa rregullore zgjedhore, përfshirë ato për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, qendrën e numërimit dhe rezultatet, votimin dhe menaxhimin e vendvotimeve, si dhe për vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe raporti për realizimin e planit të punës së KQZ-së për vitin 2026.

  • “Djalin e ndiqnin për ta vrarë”, flasin prindërit e 30-vjeçarit që u ekzekutua në Memaliaj

    “Djalin e ndiqnin për ta vrarë”, flasin prindërit e 30-vjeçarit që u ekzekutua në Memaliaj

    Prindërit e Endri Goxhaj, 30-vjeçarit që u vra javën e kaluar në Memaliaj, kanë ndarë detaje për Top Channel.

    I ati i tij invalid, Astrit Goxhaj rrëfen me dhimbje se për të rritur të birin ka bërë sakrifica të mëdha, duke mbledhur lule në mal për të siguruar jetesën.

    Ai tregon se çdo përpjekje dhe mund i jetës së tij kishte vetëm një qëllim, të ndërtonte një të ardhme më të mirë për Endrin, por sot, pas vrasjes së të birit, ai shprehet se gjithçka i është shkatërruar.

    Mes lotësh dhe dhimbjes së thellë, thotë se humbja e Endrit i ka rrënuar jetën dhe i ka marrë çdo shpresë, ndërsa kërkon me ngulm që drejtësia të vihet në vend.

    Edhe nëna e tij, e tronditur thellë nga kjo humbje, kërkon drejtësi për djalin e saj. Me zë të dridhur, ajo apelon që autorët të zbulohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, duke theksuar se asgjë nuk mund ta kthejë më Endrin, por drejtësia është e vetmja gjë që mund t’i japë sadopak qetësi shpirtit të saj ajo shton se djalin ja ndiqnin për ta vrarë.

    Mësohet se Endri kishte pak kohë që ishte fejuar, duke e bërë edhe më të rëndë këtë tragjedi për familjen dhe të afërmit, pasi jeta e tij u ndërpre pikërisht në momentin kur po niste një kapitull të ri.

  • 10 serialet më të mira televizive të vitit 2026 deri tani

    10 serialet më të mira televizive të vitit 2026 deri tani

    Përzgjedhja e 10 serialeve më të mira të vitit 2026 deri më tani vjen nga BBC, duke sjellë një panoramë të gjerë të produksioneve më të spikatura në televizion, nga një horror i Ryan Murphy, te një komedi-dramë gjeniale me temë James Bond dhe prequel-i më i ri i Game of Thrones.

    Industry
    Drama e BBC/HBO që nis si histori për të rinjtë në botën bankare, por shpejt shndërrohet në një pasqyrë të fuqisë, politikës dhe medias. E fortë në dialog dhe performanca, sidomos nga Myha’la dhe Marisa Abela.

    How to Get to Heaven from Belfast
    Një komedi-mister nga Lisa McGee që ndjek tre shoqe në një udhëtim të çmendur nëpër Irlandë. Plot humor, kthesa të papritura dhe fokus te miqësia afatgjatë.

    The Beauty
    Një horror satirik nga Ryan Murphy që trajton obsesionin me pamjen përmes një “ilaçi” që transformon trupin me pasoja të frikshme. I guximshëm dhe vizualisht i fortë.

    The Night Manager
    Rikthimi i serialit spiunazhi me Tom Hiddleston sjell një histori të re me trafik armësh dhe intriga ndërkombëtare. Elegant dhe me tension të vazhdueshëm.

    Lord of the Flies
    Adaptim i ri i romanit klasik, që eksploron errësirën e natyrës njerëzore përmes një grupi fëmijësh të izoluar. Strukturë interesante me këndvështrime të ndryshme.

    A Knight of the Seven Kingdoms
    Prequel-i i Game of Thrones që sjell një histori më të lehtë dhe më personale me një kalorës dhe ndihmësin e tij. Më shumë fokus te karakteret sesa te politika.

    The Comeback
    Lisa Kudrow rikthehet në rolin e Valerie Cherish në një satirë të Hollywood-it dhe obsesionit me famën. Qesharak, por edhe me nota melankolike.

    Rooster
    Komedi me Steve Carell si një shkrimtar që përfundon papritur në një kolegj. Situata absurde dhe kast i fortë e bëjnë serialin shumë të lehtë për t’u ndjekur.

    Bait
    Një histori për industrinë e filmit dhe rolin e James Bond, që trajton përfaqësimin dhe presionin mediatik. Satirik dhe shumë modern në qasje.

    The Pitt
    Dramë mjekësore që ndjek një turn 15-orësh në një spital traume. Realiste, intensive dhe e fokusuar te stresi i profesionit mjekësor.

    Një listë që tregon sa i larmishëm dhe i fortë ka qenë televizioni në 2026 deri tani, me seriale që kanë lënë gjurmë në zhanre të ndryshme.