ATV

Author: K.B.

  • “Proces i turpshëm me shpifje”, Ilir Meta shfaqet për herë të parë në publik pas arrestimit në 2024

    “Proces i turpshëm me shpifje”, Ilir Meta shfaqet për herë të parë në publik pas arrestimit në 2024

    Kjo është dalja e tij e parë publike që pas arrestimit. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka nisur direkt me një fjalim pas kafazit prej xhami, ku po mbahet seanca në themel në GJKKO. Ai ka lëshuar akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si proces të turpshëm.

    “Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar.

    Nga sot deri në momentin e fundit, ju ftojë të ndiqni dhe transmetoni seancën”, dëgjohet teksa flet Meta pas kafazit prej xhami. Meta shfaqet për herë të parë publikisht për mediat, që pas arrestimit të tij në tetor të 2024-s, ndërsa dukshëm shfaqet ndryshe në pamje.

    Meta ka kërkuar me këmbëngulje që seancat gjyqësore të transmetohen live, si një kush sipas tij që gjithçka të jetë transparente. Ai iu drejtua me një kërkesë të veçantë edhe Gjykatës së Posaçme në lidhje me këtë çështje vetëm pak ditë më parë.

    “Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. Që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet momenti i arrestimit.

  • Osmani: 27 prilli plagë e hapur, Serbia të hapë arkivat dhe të japë llogari për krimet

    Osmani: 27 prilli plagë e hapur, Serbia të hapë arkivat dhe të japë llogari për krimet

    I sh-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 27 prilli, Dita e të Zhdukurve me dhunë gjatë luftës, mbetet një plagë e hapur për Kosovën.

    Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se familjet e viktimave ende jetojnë në pritje dhe ankth, disa për një varr e disa për një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.

    “Familjet ende presin. Disa për një varr. Disa për një përgjigje. Që të gjithë në ankth. Kosova kërkon drejtësi të plotë. Serbia duhet të hapë arkivat dhe të japë llogari për krimet. Mbajtja e të zhdukurve me dhunë dhe fshehja e varrezave masive është krim i përsëritur i Serbisë. E ardhmja ndërtohet vetëm mbi të vërtetën. Paqja e vërtetë ndërtohet vetëm kur ka drejtësi. E vërteta e vetme është se Serbia ende fle mbi varreza masive”, shkroi Osmani

  • BE shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka ndjekur ende përgjegjësit e sulmit në Banjskë

    BE shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka ndjekur ende përgjegjësit e sulmit në Banjskë

    Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t’i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë të Kosovës në vitin 2023.

    Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.

    Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Në këmbim e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – mori përgjegjësinë për sulmin.

    Tre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin. Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.

    Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë “udhëheqësi i grupit terrorist” dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.

    Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.

    Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

    Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.

    Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se ekziston vendimi që ia ndalon Radoiçiqit largimin nga banesa e tij dhe ka detyrim që të paraqitet në polici, ndërsa Zyra e Prokurorit nuk e ka komentuar ndonjë aktakuzë eventuale./REL

  • Behrami kërkon raportim të Trëndafilovës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

    Behrami kërkon raportim të Trëndafilovës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

    Anëtari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka propozuar dërgimin e një ftese zyrtare për raportim në këtë komision parlamentar, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova.

    Behrami, gjatë mbledhjes së komisionit, shpjegoi arsyet pse, sipas tij, është e nevojshme që Trandafilova të raportojë para deputetëve.

    “Në këto gjashtë vite të funksionimit të kësaj gjykate, kemi qenë dëshmitarë të një devijimi shumë të madh të mandatit që deputetët e Republikës së Kosovës ia kanë dhënë kësaj gjykate. Ka pasë shumë kritika edhe nga Ombudspersoni (Avokati i Popullit) i Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, nga përfaqësues të të drejtave të njeriut, nga gazetarë, nga mbrojtja, shqetësime serioze për cenim të të drejtave të njeriut të të paraburgosurve, në këtë rast krerëve të UÇK-së të cilët gjenden në Hagë. Dhe kam dëgjuar po ashtu argumentet të cilat thonë se ligji të cilin e kemi miratuar në Kuvend nuk e lejon një gjë të tillë. Mirëpo, unë fola edhe një herë për këtë devijim që ka ndodhur nga mandati i kësaj gjykate. Dhe unë mendoj që kjo neve na jep të drejtë që si Komision për të Drejtat e Njeriut të cilat janë të drejta universale, të cilat nuk mund të ndalohen me asnjë ligj, me asnjë konventë ndërkombëtare që të monitorohen shtetasit e Republikës së Kosovës edhe në institucione ku Republika e Kosovës ka mandat, po edhe në institucione të cilat Republika e Kosovës nuk ka juridiksion”, u shpreh Behrami.

    Behrami sqaroi se raportimi nuk ndërhynë në drejtësi.

    “Dhe ne kemi pasur diskutime, por pikënisja ka qenë edhe fjalimi i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme, zotëri Glauk Konjufca, i cili në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ka zgjuar edhe një herë këtë kritikën tashmë të shpërndarë jo vetëm në Kosovë, por te të gjithë ata që kanë monitoruar Gjykatën Speciale. E cila, fatkeqësisht, nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili e ka krijuar, por përmes EULEX-it i raporton UNMIK-ut, duke shfrytëzuar Rezolutën 1244. Dhe unë mendoj që të gjithë ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, nuk e kanë votuar që kjo gjykatë t’i raportojë në çfarëdo forme EULEX-it edhe UNMIK-ut përmes Rezolutës 1244, por t’i raportojë Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Për të sqaruar edhe një gjë: tendenca jonë që kemi kërkuar një raportim të tillë nuk është që të ndërhyjmë në drejtësi. Sepse të drejtat e njeriut kur ato adresohen, nuk është ndërhyrje në drejtësi; është bash përkundrazi, është një iniciativë për me vu drejtësi. Dhe meqë jemi në fund të procesit të gjyqit në Hagë dhe të verdiktit, këtë komision edhe një raportim i tillë nuk do të ketë fare ndikim as në verdikt. Por është një komision që dëshiron të vijë deri te e vërteta se çfarë ka ndodhur atje, cilat janë të drejtat e të paraburgosurve që janë shkelur, në mënyrë që të sigurojmë edhe të vërtetën nga perspektiva e Republikës së Kosovës”, thekson ai, raporton Ekonomia Online.

    Ai gjithashtu renditi shkeljet që kjo gjykatë ka bërë.

    “Dhe ndër shkeljet më të mëdha ka qenë padyshim: Monitorimi i kufizuar dhe jo privat i intervistave; Pengimi i mandatit të pakufizuar të institucionit të të drejtave të njeriut; Mungesa e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes ndaj institucioneve të Kosovës; Raportimi jashtë kornizës kushtetuese; Transparenca e ulët e qasjes, e kufizuar në informata publike; Mosrespektimi i parimit të barazisë së armëve; Pranimi i provave jo objektive, për shembull nga librat; Paqartësi mbi provat nga Serbia; Mungesa e standardit të qartë të veprës në procedurë; Monitorim, pengim i komunikimit dhe kufizimi i vizitave familjare; Paraburgim i zgjatur dhe kufizime pa proporcionalitet; Mungesë e mekanizmit të pavarur të ankesave dhe mbikëqyrjes; Funksionim pa kontroll institucioni dhe transparencë efektive; Strukturë e centralizuar e gjykatës; Dyshime për pavarësi; Përfshirja e Dhomës Kushtetuese brenda strukturës; Pozita e Avokatit të Popullit brenda strukturës, që është në kundërshtim të plotë me Parimet e Parisit; Përgjimi i komunikimeve edhe me mbrojtjen; Kohëzgjatja e tepruar e paraburgimit dhe mungesa e alternativave; Mosbesim ndaj institucioneve, standard jo i barabartë, e kështu me radhë.

    Pra janë një sërë shkeljesh që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, për të cilat ne si komision kemi të drejtë që të ftojmë edhe Ombudspersonin e Dhomave të Specializuara të Republikës së Kosovës, por edhe kryetaren e këtij institucioni, për t’u informuar nga ta nëse janë respektuar të gjitha këto të drejta të njeriut, edhe nëse ka pasur devijim nga mandati i tyre, meqë në nenin 1 të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës përmendet qartë raportimi i Dick Marty-t që ndërlidhet me trafikim të organeve, një gjë që nuk është adresuar fare nga kjo gjykatë”, thotë tutje ai.

  • Alban Krasniqi e fshin postimin ku kërkoi nga LDK që ta zyrtarizojë me nënshkrime propozimin e Vjosa Osmanit

    Alban Krasniqi e fshin postimin ku kërkoi nga LDK që ta zyrtarizojë me nënshkrime propozimin e Vjosa Osmanit

    Alban Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut, e shlyu postimin ku i kërkoi Lidhjes Demokratike të Kosovës që të zyrtarizojë përmes nënshkrimeve propozimin e Vjosa Osmanit.

    Ai tha se kjo çështje të mos bëhet në rrjete sociale por në sekretariat të kuvendit.

    Por, me ç’duket, pishman është bërë Alban Krasniqi i cili fshiu postimin.

    Alban Krasniqi i VV’së: LDK është dashur t’a zyrtarizojë emrin e Osmanit me shkresë e nënshkrimet e të gjithë deputetëve

  • A është më e shëndetshme të punosh në këmbë apo ulur?

    A është më e shëndetshme të punosh në këmbë apo ulur?

    Prej vitesh na është thënë se “të qëndruarit ulur është duhani i ri”. Është një frazë tërheqëse që duket se përmbledh një problem shumë real, por është gjithashtu një thjeshtim i tepruar. Nëse ulja do të ishte gjithmonë opsioni më i keq, mund ta zgjidhnim problemin thjesht duke u ngritur në këmbë dhe kjo nuk është e vërtetë.

    Për miliona njerëz, puna në këmbë nuk është një alternativë e shëndetshme, por një kërkesë e përditshme. Punonjësit e shëndetësisë dhe industrisë, mësuesit, shitësit, kamerierët dhe parukierët kalojnë orë të panumërta në këmbë dhe kjo gjithashtu ndikon negativisht në shëndetin e tyre.

    Çrregullimet muskuloskeletore që prekin shpinën, qafën, shpatullat, këmbët dhe shputat, janë problemi më i zakonshëm shëndetësor në vendin e punës në Europë. Në Spanjë, për shembull, 29% e aksidenteve në punë që rezultuan me leje mjekësore në vitin 2024 ishin pasojë e mbingarkesës fizike, ndërsa çrregullimet muskuloskeletore përbënin 78% të sëmundjeve të lidhura me punën.

    Trupi nuk është krijuar për të qëndruar i palëvizshëm

    Pra: a është më mirë të punosh në këmbë apo ulur? Në fakt, kjo mund të jetë pyetja e gabuar. E vërteta është se gjëja më e rëndësishme është sa kohë kalojmë në një pozicion të caktuar dhe sa shpesh lëvizim gjatë ditës.

    Trupi i njeriut nuk reagon mirë ndaj asnjë qëndrimi të zgjatur dhe statik. Ndërsa ulja për periudha të gjata priret të shkaktojë probleme në pjesën e mesit, qafë dhe shpatulla, orët e gjata në këmbë lidhen më shumë me lodhje, dhimbje në mes dhe presion të tepërt mbi këmbët dhe shputat.

    Qëndrimi në këmbë dhe ulja mund të mos dëmtojnë në të njëjtën mënyrë, por pa dyshim, asnjëra nuk është e padëmshme nëse e bëjmë për shumë kohë.

    Mos harroni këmbët

    Kur mendojmë për dhimbjet që lidhen me punën, pothuajse gjithmonë mendojmë për shpinën. Por dita e punës për trupin fillon shumë më poshtë.

    Këmba është baza mekanike mbi të cilën mbështetet gjithçka: ajo bën kontakt me tokën, shpërndan presionin dhe transmeton forcat drejt kyçit të këmbës, gjurit, ijeve dhe shtyllës kurrizore. Nëse kjo bazë punon për orë të tëra pa ndërprerje, edhe pjesa tjetër e trupit mund të vuajë.

    Në fakt, në një studim të fundit mbi punëtorët në linjat e montimit, një ditë e plotë pune në këmbë u shoqërua me ndryshime të matshme në qëndrim dhe në shpërndarjen e presionit në shputat e këmbëve, si dhe me shqetësime të shpeshta në pjesën e poshtme të shpinës, gjunjë dhe vetë këmbët.

    Me fjalë të tjera, jo të gjitha këmbët reagojnë njësoj ndaj të njëjtave kërkesa në vendin e punës, dhe kjo diferencë biomekanike mund të kontribuojë në shfaqjen e shqetësimeve.

    Pra, cila është më e mira?

    Siç thekson Agjencia Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA), në përgjithësi është më e shëndetshme të ndryshoni qëndrimin, të përfshini lëvizje dhe të reduktoni kohën e kaluar në pozicione statike.

    Kjo ndonjëherë na çon të kërkojmë zgjidhje novatore, si tavolina me lartësi të rregullueshme, karrige të dizajnuara posaçërisht dhe shtresa për këpucë, apo pajisje si korrigjues të qëndrimit, jastëkë ergonomikë dhe mbështetje për mesit. Disa nga këto mjete mund të ndihmojnë, por asnjëra prej tyre nuk mund të kompensojë e vetme një ditë pune të organizuar keq.

    Masat parandaluese që funksionojnë realisht nuk janë aq tërheqëse. Ato përfshijnë pushime të shkurtra të rregullta, rotacion detyrash, përshtatje të vendit të punës, këpucë të përshtatshme, ushtrime fizike dhe një orar që lejon lëvizjen.

    Në fund të fundit, nuk ka nevojë të demonizohet karrigia apo të idealizohet qëndrimi në këmbë. Duhet të kuptojmë se trupi është i krijuar për të ndryshuar, për t’u përshtatur dhe për të lëvizur. Kur puna na detyron të qëndrojmë në të njëjtin pozicion për shumë kohë, atëherë fillojnë problemet. /TheConversation

  • Çfarë do të thotë kur pulson drita e verdhë në veturat me naftë?

    Çfarë do të thotë kur pulson drita e verdhë në veturat me naftë?

    Kur ndizni një automjet dizel, është normale që drita e verdhë e kontrollit (e ngrohësve) të pulsojë shkurtimisht. Megjithatë, nëse ajo vazhdon të qëndrojë e ndezur, këshillohet kujdes. Lista e arsyeve është e gjatë.

    Nëse drita e indikatorit pulson, kjo zakonisht nuk është shenjë e mirë. Në këtë rast mund të ketë një defekt.

    Shkaqet e mundshme janë të ndryshme: problem me sistemin e riqarkullimit të gazrave (EGR), bllokim i filtrit të grimcave dhe të tjera. Zakonisht mund të vazhdoni ngasjen, por duhet të shkoni në servis sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Të gjithë motorët dizel kanë karakteristikë konstruktive që kërkojnë ngrohje të ajrit gjatë ndezjes së motorit, sidomos kur është i ftohtë.

    Në këtë proces, roli i ngrohësve është shumë i rëndësishëm, pasi ata e ngrohin ajrin. Në vend të kandelave, motorët dizel përdorin qirinj ndezës (glow plugs), të cilët e ngrohin ajrin për procesin e djegies.

    Sot ky proces është shumë më i shpejtë dhe zakonisht i padukshëm. Megjithatë, drita treguese ka mbetur dhe duhet të fiket shpejt pas ndezjes së automjetit. Nëse ajo mbetet e ndezur, mund të ketë probleme të mundshme.

  • Çmimet e bagazheve dhe vendeve rriten, truket e linjave ajrore për të paguar karburantin

    Çmimet e bagazheve dhe vendeve rriten, truket e linjave ajrore për të paguar karburantin

    “Në fluturimin Milano–New York të muajit prill, vendi 40L në një Boeing 777 ofron hapësirë të bollshme për këmbët pasi ndodhet pranë daljes së emergjencës. Por ka një “mangësi” të dukshme, nuk ka dritare.”

    Megjithatë, kjo nuk është shqetësimi kryesor për pasagjerët.

    Problemi qëndron te çmimi i zgjedhjes së këtij vendi gjatë check-in-it: 235 euro për çdo drejtim, ose 470 euro vajtje-ardhje. Një shumë që tejkalon koston e vetë biletës së fluturimit transatlantik, e cila në disa raste mund të jetë rreth 400 euro.

    Sipas të dhënave të fundit, tensionet në Gjirin Persik kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimit të karburantit të avionëve (kerosenit), i cili është dyfishuar krahasuar me fundin e shkurtit. Kjo ka sjellë rritje të përgjithshme të tarifave të fluturimeve, një trend që vështirë se mund të shmanget nga kompanitë ajrore.

    Por ndikimi nuk ndalet këtu. Janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e shërbimeve shtesë që përdoren nga rreth 40% e pasagjerëve të kompanive low cost dhe 5–10% e atyre të linjave tradicionale, zgjedhja e vendit, bagazhet dhe ushqimi në bord.

    Sipas IATA-s, çmimi i një ton kerosen në Europë ka arritur në 1.484 dollarë, mbi 106% më shumë se një vit më parë. Karburanti përbën 35–40% të kostove operative të linjave ajrore, dhe mbi 50% për kompanitë low cost.

    Në këtë situatë, edhe kompanitë që blejnë karburant me kontrata afatgjata po përballen me rritje të ndjeshme të shpenzimeve. Vetëm për pjesën e blerë me çmime aktuale, disa kompani raportojnë dhjetëra milionë dollarë kosto shtesë në muaj.

    Në nivel global, tarifat mesatare të fluturimeve janë rritur me rreth 24% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sipas industrisë, çmimet ende mbeten nën nivelet e para pandemisë nëse merret parasysh inflacioni.

    Një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e fitimeve të kompanive ajrore vjen nga shërbimet “ancillary”, që dikur përfshiheshin në çmimin e biletës. Këto përfshijnë zgjedhjen e vendit, bagazhet dhe imbarkimin prioritar.

    Sipas të dhënave të industrisë, vetëm në vitin 2025 këto shërbime kanë gjeneruar 157 miliardë dollarë të ardhura, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë.

    Në disa raste, rritjet janë të forta: bagazhet me 21–24%, ndërsa zgjedhja e vendit ka shënuar rritje deri në 40%.

    Përfaqësues të industrisë pranojnë se rritja e çmimit të karburantit po e bën të vështirë ruajtjen e tarifave aktuale. Sipas tyre, pa rritje të të ardhurave nga të gjitha shërbimet, disa kompani rrezikojnë seriozisht stabilitetin financiar.

    Në këtë kontekst, një vend në avion që nuk ka as dritare si 40L është kthyer në simbol të një tendence më të gjerë: fluturimet po bëhen më të shtrenjta, dhe çdo detaj po kthehet në shërbim me pagesë.

  • Sa pushime duhen në vit për të ulur stresin?

    Sa pushime duhen në vit për të ulur stresin?

    Pushimet nuk janë luks, por nevojë për shëndetin mendor dhe fizik. Sipas studimeve në fushën e psikologjisë dhe mirëqenies, marrja e pushimeve të rregullta gjatë vitit ndihmon ndjeshëm në uljen e stresit, përmirësimin e humorit dhe rritjen e produktivitetit.

    Ekspertët sugjerojnë se 2 deri në 3 pushime në vit, edhe nëse janë të shkurtra, janë më efektive sesa një pushim i vetëm i gjatë. Arsyeja është se efektet pozitive të pushimeve zakonisht zgjasin disa javë, ndaj ndarja e tyre gjatë vitit mban nivelin e stresit më të ulët për një kohë më të gjatë.

    Po ashtu, studimet tregojnë se edhe pushimet e shkurtra të fundjavës apo “mini-arratisjet” ndihmojnë në rikuperimin mendor, sidomos nëse shoqërohen me shkëputje reale nga puna.

    Planifikimi i pushimeve gjatë gjithë vitit mund të jetë një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të menaxhuar stresin.

  • ORCA me aksion simbolik para Kuvendit, Hoxha: Pavarësia e AKA-së të mbrohet me çdo kusht

    ORCA me aksion simbolik para Kuvendit, Hoxha: Pavarësia e AKA-së të mbrohet me çdo kusht

    Organizata për cilësi në arsim ORCA ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar, siç u tha, tentimet për cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

    Aktivisti i ORCA-s, Dibran Hoxha, para mediave theksoi se ndërhyrjet në këtë proces rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin e sistemit të arsimit të lartë në vend.

    “Pavarësia e AKA-së duhet të mbrohet me çdo kusht dhe standardet duhet të zbatohen pa kompromis. Kuvendi i Kosovës nuk duhet të votojë një proces të komprometuar, por të ruajë integritetin institucional dhe besimin publik në sistemin e akreditimit,” deklaroi Hoxha.

    Ai foli gjerësisht për zhvillimet e fundit lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke e cilësuar të gjithë procedurën si të përshpejtuar dhe problematike.

    “Më 7 prill 2026, Ministria e Arsimit shpalli thirrjen publike për nominimin e tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, me një afat aplikimi prej vetëm 8 ditësh. Për këtë thirrje aplikuan gjithsej 10 kandidatë. Më 20 prill, komisioni vlerësues u mblodh dhe brenda rreth 48 orëve përfundoi vlerësimin e të gjithë kandidatëve, duke hartuar një listë rekomandimesh që iu dorëzua ministrit Hajrullah Çeku,” tha ai.

    Sipas Hoxhës, mënyra e procedimit ngre shqetësime serioze për transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.

    “Raporti është proceduar në Qeveri në mënyrë urgjente, pa qartësi nëse është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ndërkohë, kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim. Këto elemente krijojnë dyshime serioze për integritetin e gjithë procesit dhe për respektimin e procedurave ligjore,” u shpreh ai.

    Ai hodhi poshtë edhe arsyetimin për urgjencë në këtë proces.

    “Pretendimi për mungesë kuorumi në Këshillin Shtetëror të Cilësisë nuk qëndron. Përbërja aktuale e këtij organi garanton funksionimin e tij edhe për një periudhë të konsiderueshme kohore. Nuk ka asnjë bazë faktike apo ligjore për të krijuar urgjencë artificiale për ndërhyrje në përbërjen e tij,” theksoi Hoxha.

    Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe rikthimin e një kandidature të kontestuar.

    “Në këtë proces është rikthyer emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019, i cili në vitin 2023 ishte diskualifikuar nga një proces i ngjashëm për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim. Ai kishte pretenduar rol akademik si bartës programi në Universitetin e Prishtinës dhe kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë përvojën e tij akademike,” deklaroi ai.

    Hoxha shtoi se edhe zhvillimet e fundit lidhur me këtë kandidat janë shqetësuese.

    “Në tetor 2025, ai u përfshi në një incident publik me sjellje joakademike gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në shkurt 2026 është ndëshkuar me vërejtje me shkrim nga Universiteti i Prishtinës për cenim të imazhit institucional. Pavarësisht këtij historiku, ai është rekomanduar sërish për një pozitë vendimmarrëse,” tha ai.

    Sipas ORCA-s, reagimi kundër këtij procesi është më i gjerë.

    “Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe rrjeti ROSCAP kanë kërkuar ndalimin e këtij procesi dhe refuzimin e listës së propozuar, duke paralajmëruar për pasoja serioze në kredibilitetin e Agjencisë dhe në pozitën e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë,” theksoi Hoxha.

    Ai bëri thirrje për anulim të plotë të procedurës dhe nisje të një procesi të ri.

    “Ky rast tregon qartë se si një proces që duhet të bazohet në meritë dhe transparencë po shndërrohet në një procedurë të përshpejtuar ku standardet relativizohen dhe kriteret anashkalohen. ORCA kërkon që ky proces të anulohet dhe të iniciohet një procedurë e re, transparente dhe e bazuar në meritë. Çdo vendim që cenon pavarësinë dhe kredibilitetin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim rrezikon drejtpërdrejt edhe pozitën ndërkombëtare të sistemit të arsimit të lartë në vend, përfshirë anëtarësimin në mekanizma si EQAR dhe ENQA,” shtoi ai.