ATV

Author: K.B.

  • Sot vazhdon seanca për Presidentin, procesi po konsiderohet antikushtetues

    Sot vazhdon seanca për Presidentin, procesi po konsiderohet antikushtetues

    Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u ndërpre mbrëmë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa pritet të vazhdojë sot në orën 10:00, mes përplasjeve të forta politike për ligjshmërinë e procesit.

    Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë. Kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të sigurojë asnjë votë.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se propozimi i dy kandidateve erdhi në mungesë të alternativave nga opozita.

    “Në mungesë të iniciativave nga partitë tjera, kemi vazhduar me dy nominime të reja, me dy aktiviste, gra të denja dhe profesioniste, në mënyrë që të vazhdojmë procesin dhe të shmangim zgjedhje të reja”, tha Nagavci.

    Ajo theksoi se seanca kishte kuorum për nisje.

    “Kemi pasur kuorum për të filluar seancën e jashtëzakonshme, sepse seanca ftohet me 40 nënshkrime. Ishin të pranishëm më shumë se 61 deputetë për të filluar seancën”, tha ajo.

    Sipas saj, në sallë ishin 64 deputetë dhe asnjë nga opozita nuk kishte njoftuar për mungesën.

    “U pa që zonja Feride Rushiti kishte mbështetjen e deputetëve, me 63 vota nga deputetët e pranishëm”, shtoi ajo, duke i ftuar deputetët opozitarë që të marrin pjesë në vazhdimin e seancës.

    Në anën tjetër, opozita e ka cilësuar procesin si antikushtetues.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se zhvillimet përbëjnë “puç kushtetues”.

    “Po vërehet që kjo kohë vendin po e kalon në një situatë bukur komplekse, por sonte mosserioziteti dhe papërgjegjshmëria e kanë mbërritur kulmin. Ky është një puç kushtetues”, deklaroi ai.

    Hamza insistoi se Kushtetuta kërkon prezencën e 80 deputetëve për votim.

    “Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë prezentë në sallë dhe të votojnë që të konsumohet raundi i parë”, tha ai, duke shtuar se procedura është zhvilluar në kundërshtim me rendin kushtetues.

    Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi zhvillimet, duke i cilësuar si të rënda për demokracinë.

    “Është një natë bukur e rëndë për Republikën e Kosovës… një rast pa precedent, jodemokratik dhe antikushtetues”, tha ai.

    Abdixhiku theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet përmes marrëveshjes politike.

    “E vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin është nëpërmjet një marrëveshjeje politike”, u shpreh ai, duke bërë të ditur se LDK ka siguruar 15 nënshkrime për kandidatin e saj.

    Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e cilësoi seancën si “sulm ndaj Kushtetutës”.

    “Ky akt shënon një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues”, deklaroi ai, duke e quajtur situatën edhe “tentim për grusht-shtet”.

  • “Po e zgjedhim sot karate”, mesazhi i deputetit të VV-së kapet nga mediat

    “Po e zgjedhim sot karate”, mesazhi i deputetit të VV-së kapet nga mediat

    Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje është fotografuar nga Ekonomia Online gjatë seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes, teksa dërgonte një mesazh lidhur me zhvillimet në këtë proces.

    Në mesazhin e dërguar, deputeti ka përdorur edhe shprehjen “karate”, duke përmendur më pas edhe mundësinë e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar në seancë.

    “Po e zgjedhim “karate”, pastaj të shofim çfarë thotë Kushtetusja”, ka shkruar ai.

    E, lidhur me këtë mesazh të deputetit të VV-së, Ekonomia Online ka pyetur edhe shefen e grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Arbërie Nagavcin.

    Ajo, ka thënë se nuk mund të jep përgjigje në lidhje me këtë çështje, duke shtuar se nuk ka pare se çfarë është shkruar në atë mesazh.

    “Tani unë nuk di çfarë kanë shkruar aty apo çfarë raportimi, nuk mund të jap përgjigje për gjërat që nuk i kam parë”, tha ajo.

  • Parashikimi i motit për sot, maksimalja deri në 25 gradë

    Parashikimi i motit për sot, maksimalja deri në 25 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ngrohtë, me diell dhe vranësira lokale të cilat rrallë në disa rajone kryesisht kodrinore-malore do të kushtëzojnë rrebeshe të izoluara shiu.

    Temperaturat do të lëvizin nga 5 minimalja deri në 25 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?

    Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?

    Teksa votimi në Kuvendin e Kosovës për presidentin e ri ka ndodhur sonte, ne po risjellim në vëmendje një aktgjykim për zgjedhjen e presidentit më 2011.

    Në mars të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje në zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit.

    Në aktgjykimin e publikuar u tha se për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë dhe për zgjedhjen e presidentit duhet të votojnë të paktën dy e treta e votave e të gjithë deputetëve.

    Aktgjykimi sqaroi se një kandidat zgjidhet president në rast se në dy rundet e para fiton 80 vota, ndërkaq në të tretin nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votash.

    Më 22 shkurt 2011, Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimit me 62 vota, në një seancë të bojkotuar nga një pjesë e opozitës. Në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë.

    Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 30 mars 2011, interpretoi nenin 86 të Kushtetutës duke theksuar se formulimi “dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve” nënkupton pjesëmarrjen në votim të të gjithë 120 deputetëve, përveç atyre me leje mungese.

    Sipas Gjykatës, vetëm pasi të provohet se nuk sigurohen 80 vota në dy rundet e para, mund të kalohet në rundin e tretë.

    Duke qenë se në rastin e Pacollit në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ky kusht nuk ishte përmbushur dhe se procedura e zgjedhjes së presidentit kishte shkelur Kushtetutën. /REL

  • KDI e dënon nisjen e votimit për President pa pasur kuorum prej 80 deputetësh

    KDI e dënon nisjen e votimit për President pa pasur kuorum prej 80 deputetësh

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues.

    Sipas KDI-së Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

    “Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë”.

    “Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”.

    “KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, thuhet në reagim.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu e ka mbyllur seancën e Kuvendit duke thënë se vazhdon nesër në ora 10:00.

  • Mbyllet seanca për presidentin, Haxhiu do ta vazhdojnë nesër në orën 10:00

    Mbyllet seanca për presidentin, Haxhiu do ta vazhdojnë nesër në orën 10:00

    Është mbyllur seanca e jashtëzakonshme për presidentin, njoftoi kryesuesja Albulena Haxhiu. Ajo tha se seanca do të vazhdojë nesër në orën 10:00, duke i bërë thirrje opozitës që të jetë e pranishme.

    Në seancë ndodheshin 64 deputetë, nga ky numër “63 deputetë votuan për Feride Rushitin, një votë e pavlefshme dhe zero vota për Hatixhe Hoxha”.

  • Votimi për Presidentin me veç 64 deputetë në sallë, Zemaj: Ky është puç kushtetues

    Votimi për Presidentin me veç 64 deputetë në sallë, Zemaj: Ky është puç kushtetues

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka cilësuar si “puç kushtetues” votimin në Kuvend për presidentin e ri, pa praninë e deputetëve të opozitës.

    Ai ka publikuar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Behxhet Pacollin, që gjeti se Pacolli u zgjodh në mënyrë të kundërligjshme president, pasi për të nuk kishin marrë pjesë në votim dy e treta e deputetëve, apo 80.

    “Kjo është puç kushtëtues!”, ka shkruar Zemaj.

  • Behrami i PDK-së: VV-ja pati 75 ditë për konsensus, tash po prodhon artificialisht “fajtorë të paqenë”

    Behrami i PDK-së: VV-ja pati 75 ditë për konsensus, tash po prodhon artificialisht “fajtorë të paqenë”

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se LVV-ja po tenton që të prodhojë “artificialisht fajtorë të paqenë” për një proces, që sipas tij, vetë Qeveria është përgjegjëse.

    “Paramendo, i ka pasur 75 ditë që nga seanca e parë konstituive për të gjetur konsensus për një emër të presidentit”, shkroi ai në Facebook.

    “Qeveria e minutave të fundit, e territ dhe izolimit po mundohet të prodhojë artificialisht fajtorë të paqenë për një proces që përgjegjës është vetë!”, vijon ai.

  • Nis votimi për zgjedhjen e Presidentes, 64 deputetë të shumicës ndodhen në sallë, opozita s’shkon

    Nis votimi për zgjedhjen e Presidentes, 64 deputetë të shumicës ndodhen në sallë, opozita s’shkon

    Kuvendi i Kosovës ka filluar propozuar për zgjedhjen e Presidentit

    Emrat e propozuar për President ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxhën.

    Komisioni për këtë çështje u votua pasi ishin 64 deputetë në sallë.

    Për t’u përmbushur kuorumi në dy raunde nevojiten 80 deputetë në sallë.

  • Eliza Hoxha akuzon Kurtin për bllof kushtetues: Ku i more nënshkrimet e reja për kandidate të reja?

    Eliza Hoxha akuzon Kurtin për bllof kushtetues: Ku i more nënshkrimet e reja për kandidate të reja?

    Derisa seanca për zgjedhjen e Presidentit po vonohet, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës , Eliza Hoxha, ka ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e procedimit të kandidaturave të reja nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Përmes një reagimi në “Facebook”, Hoxha ka drejtuar pyetje direkte ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se nënshkrimet e përdorura për kandidatët e kaluar nuk mund të riciklohen për emrat e rinj Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

    “Shumë po më intereson ku i ka Kurti 30 + 30 nënshkrime të reja për këto dy kandidatura për presidente… Sepse 60 nënshkrime veç i ka shpenzu, u tërhoqën kandidatët e kaluar apo jo – nëshkrimet e njëjta nuk vlejnë për të nominuar kandidatë të rinj”, ka shkruar deputetja Hoxha.

    Sipas saj, kjo lëvizje e mazhorancës është një tentativë për të “blerë kohë” dhe përbën një akt tjetër kundërkushtetues.

    Ajo e ka cilësuar Kurtin si “mashtrues par excellence”.