ATV

Author: K.B.

  • Disa kongresistë amerikanë dalin me nismë për t’ia vënë emrin e Eliot Engel ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë

    Disa kongresistë amerikanë dalin me nismë për t’ia vënë emrin e Eliot Engel ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë

    Kongresmeni Ritchie Torres dhe përfaqësuesit Gregory W. Meeks, Michael McCaul dhe Brian Mast, të cilët pasuan Eliot Engel si kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë iniciuar një legjislacion për të emëruar ndërtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kosovë, si “Ndërtesa Eliot L. Engel”.

    Kjo nismë dypartiake, sipas njoftimit synon të nderojë trashëgiminë e Engel në mbështetje të popullit të Kosovës.

    “Ne jemi mirënjohës ndaj anëtarëve të Kongresit për sponsorizimin e legjislacionit për riemërtimin e ndërtesës së Ambasadës Amerikane,” tha familja Engel. “Ne pamë se si përpjekjet e tij bënë ndryshim për miliona kosovarë dhe jemi të nderuar që ambasada për të cilën ai preu shiritin mund të mbajë emrin e tij. Është një nderim i merituar për përkushtimin e tij në forcimin e lidhjeve të forta mes popullit të Kosovës dhe kombit tonë.”

    “Eliot Engel nuk ishte thjesht një anëtar i Kongresit; ai ishte një hero për shumë njerëz,” tha kongresmeni Torres. Ai u shpreh se me angazhimin e tij të palëkundur, u shpërtuan jetë në Kosovë.

    “Jetët e qindra mijëra njerëzve u shpëtuan nga angazhimi i tij i palëkundur. Ai luajti një rol kyç në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi nga regjimi vrastar i Slobodan Milosheviqit. Për dekada, ai ishte një institucion në Bronx dhe një luftëtar i fuqishëm për pavarësinë e demokracisë më të re në botë: Kosovës. Trashëgimia që ai lë pas do të zgjasë për breza dhe ky ligj do të sigurojë që puna e tij të nderohet përgjithmonë”, shtoi ai.

    Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Bryan Mast tha se nuk ka mënyrë më të përshtatshme për të nderuar trashëgiminë e Eliot Engel.

    “Si kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ai ishte një mbrojtës i fortë i lirisë dhe demokracisë në Kosovë dhe në mbarë botën. Ky legjislacion do ta gdhendë atë trashëgimi në histori për brezat që do të vijnë.”

    Projektligji i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Engel vdiq disa javë më parë në moshën 79-vjeçare. Ai ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, dhe një figurë e njohur e politikës amerikane me një karrierë mbi tre dekada në Kongres.

  • Nagavci fajëson opozitën për shkuarje në zgjedhje: Bllokuan çdo propozim

    Nagavci fajëson opozitën për shkuarje në zgjedhje: Bllokuan çdo propozim

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve politike dhe refuzim të vazhdueshëm të çdo propozimi të partisë së saj.

    Ajo ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për të shmangur zgjedhjet e parakohshme kanë hasur në bllokadë të plotë nga partitë opozitare.

    “Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje”, ka shkruar Nagavci.

    Nagavci ka theksuar se, opozita nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe ka refuzuar një sërë propozimesh, përfshirë kandidatët për pozita të larta shtetërore dhe bashkëpunimin institucional.

    “Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh ajo.

    Ajo ka shtuar se situata aktuale po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, për të cilat sipas saj, përgjegjësia bie mbi opozitën.

    “Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”, shkroi Nagavci.

  • Mbetje mortore në Krushë të Vogël, Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje

    Mbetje mortore në Krushë të Vogël, Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje

    Mbetje morore janë gjetur ditën e djeshme në Krushë të Vogël të Rahovecit.

    Dyshohet se këto mbetje i përkasin personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    Lidhur me rastin detaje ka dhënë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    “Po flasim për një lokacion/rast të iniciuar nga Sektori për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës. Në zbatim të urdhëresës së Gjykatës dhe sipas planifikimeve paraprake mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në komunikim edhe me Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë, gjatë ditës së djeshme janë realizuar gërmimet dhe zhvarrimi i mbetjeve mortore”, deklaroi Gara për Klankosova.tv.

    Tutje, Gara deklaroi se në bashkëpunim me kolegët nga Instituti për Mjekësi Ligjore, ky lokacion është trajtuar në kuadër të procesit për konfirmimin e identitetit.

    “Siç është bërë e ditur edhe përmes njoftimit të Policisë, mbetjet mortore të zhvarrosura janë dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”, shtoi ai.

  • Vendi pa president e në zgjedhje të reja, Anu Prattipati s’i komenton zhvillimet politike

    Vendi pa president e në zgjedhje të reja, Anu Prattipati s’i komenton zhvillimet politike

    E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Anu Prattipati, nuk ka pranuar që të komentoj zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

    E, njëjta është pyetur lidhur me dështimin e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

    Kuvendi i Kosovës, mbrëmë ka dështuar të zgjedhë presidentin e vendit.

    Si shkak i kësaj, Kosova ka shkuar në zgjedhje të patakohshme. /eo

  • Gjyqi mes Elon Musk dhe OpenAI, dëshmon edhe shqiptarja Mira Murati

    Gjyqi mes Elon Musk dhe OpenAI, dëshmon edhe shqiptarja Mira Murati

    Elon Musk ka dalë në bankën e të akuzuarve në një gjyq me rrezik të lartë mbi të ardhmen e OpenAI, duke e paraqitur padinë e tij kundër krijuesit të ChatGPT si një mbrojtje të dhënies bamirëse.

    Personi më i pasur në botë po padit OpenAI, bashkëthemeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të saj, Sam Altman, dhe presidentin e saj, Greg Brockman, dhe tha në bankën e të akuzuarve të martën se ata e tradhtuan atë dhe publikun duke braktisur misionin e OpenAI për të qenë një administrator bamirës i IA-së për njerëzimin dhe duke e transformuar organizatën jofitimprurëse në një gjigant që kërkon fitim.

    “Nëse e bëjmë të pranueshme plaçkitjen e një bamirësie, i gjithë themeli i dhënies bamirëse në Amerikë do të shkatërrohet”, dëshmoi Musk në ditën e parë të gjyqit. “Ky është shqetësimi im”.

    Në këtë gjyq, një nga dëshmitaret kryesore është edhe shqiptarja Mira Murati. Ajo do të merret në pyetje lidhur me kufizimet që OpenAI mund të ketë pasur në ndarjen e teknologjisë me Microsofti-in.

    Sipas raportimeve, dëshmia e saj pritet të jetë mjaft e rëndësishme sa i përket kësaj çështjeje, derisa dëshmia do të jetë e regjistruar në video.

    Gjyqi, i cili po zhvillohet në Oakland, Kaliforni, përfshin gjithashtu emra të tjerë të njohur si Satya Nadella (CEO i Microsoft), Greg Brockman dhe Ilya Sutskever. Musk kërkon dëmshpërblim prej rreth 150 miliardë dollarësh, duke pretenduar se udhëheqja e OpenAI ka tradhtuar misionin fillestar jofitimprurës të kompanisë.

  • Shfaqet një baner i madh dhe mbështetës për krerët e UÇK-së në Hagë

    Shfaqet një baner i madh dhe mbështetës për krerët e UÇK-së në Hagë

    Një baner i madh e mbështetës për krerët e UÇK-së në Hagë është shfaqur sot në qendër të Prishtinës.

    Fotografinë e ka publikuar sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

    Në këtë baner janë fotot e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

    Kujtojmë se në atë vend, më parë ka qenë flamuri i Ukrainës.

  • Lisa Kudrow zbulon një anë të errët nga prapaskenat e serialit “Friends”

    Lisa Kudrow zbulon një anë të errët nga prapaskenat e serialit “Friends”

    Lisa Kudrow ka zbuluar më në detaje përvojën e saj gjatë xhirimeve të serialit “Friends”, duke thënë se pas skenave ekzistonte një atmosferë shpesh e ashpër dhe e pakëndshme.

    Sipas saj, gjatë incizimeve që bëheshin para një publiku live prej rreth 400 personash, presioni ishte i madh.

    Nëse një aktor gabonte tekstin ose nuk arrinte ta jepte replikën në mënyrën e duhur, skenaristët mund të reagonin me komente fyese dhe nënçmuese.

    Këto kritika, sipas Kudrow, ishin të drejtpërdrejta dhe ndonjëherë shumë të rënda për t’u përballuar.

    Ajo gjithashtu ka theksuar se në dhomën e skenaristëve, që dominohej kryesisht nga burra, shpesh zhvilloheshin biseda të papërshtatshme.

    Ata qëndronin deri vonë natën duke punuar për skenarët dhe, sipas saj, diskutonin edhe fantazi seksuale për aktoret e serialit, veçanërisht për Jennifer Aniston dhe Courteney Cox.

    Kjo situatë, sipas Kudrow, krijonte një ambient “intens” dhe të pakëndshëm, edhe pse shumica e këtyre bisedave ndodhnin pas dyerve të mbyllura.Megjithatë, Kudrow ka shtuar se ajo personalisht përpiqej të mos ndikohej shumë nga kjo sjellje.

    Ajo e arsyetonte duke thënë se skenaristët punonin me orë të gjata dhe nën presion të madh për të përfunduar episodet, prandaj shpesh shprehnin frustrimin e tyre në mënyra të papërshtatshme.

    Qëndrimi i saj ishte që, përderisa komentet bëheshin pas shpine, nuk kishin rëndësi të madhe për të.

    Raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët.

  • BE akuzon Meta-n për shkelje të rregullave digjitale ndaj fëmijëve në Instagram dhe Facebook

    BE akuzon Meta-n për shkelje të rregullave digjitale ndaj fëmijëve në Instagram dhe Facebook

    Një në dhjetë fëmijë nën moshën 13 vjeç përdor Facebook ose Instagram, sipas rregullatorëve të BE-së.

    Komisioni Evropian ka nxjerrë një konstatim paraprak kundër Meta-s, duke pretenduar se kompania ka dështuar të parandalojë fëmijët nën 13 vjeç nga përdorimi i Instagram-it dhe Facebook-ut.

    Komisioni tha se gjetjet tregojnë që sistemet e kompanisë janë në shkelje të Digital Services Act (DSA).

    Meta-s e caktojnë moshën minimale 13 vjeç për të dyja platformat, por sipas Komisionit, masat për verifikimin e moshës janë kryesisht joefektive. Fëmijët mund të regjistrohen duke vendosur një datëlindje të rreme, pa ndonjë mekanizëm që verifikon saktësinë e të dhënave.

    Komisioni shtoi se rreth 10–12% e fëmijëve nën 13 vjeç përdorin Instagram dhe Facebook, çka bie në kundërshtim me vlerësimet e brendshme të Meta-s. Gjithashtu, u theksua se Meta “ka shpërfillur prova shkencore të disponueshme”, të cilat tregojnë se fëmijët më të vegjël janë veçanërisht të cenueshëm ndaj rreziqeve nga këto platforma, shkruan Euronews.

  • Behrami: Kurti për një natë e shndërroi Parlamentin në Kuvend Popullor

    Behrami: Kurti për një natë e shndërroi Parlamentin në Kuvend Popullor

    Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar me kritika ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar për tentativë të dominimit të plotë institucional.

    Sipas Behramit, gjatë mbrëmjes së kaluar, për disa orë, Parlamenti i Kosovës është shndërruar në një “Kongres Popullor”, pa opozitë, pa kundërshtime dhe pa respektim të rregullave.

    Ai ka deklaruar se për një periudhë të shkurtër është krijuar një “realitet imagjinar”, me mbështetje absolute dhe dominim total, të shoqëruar me nënshtrim dhe duartrokitje nga përkrahësit.

    Në reagimin e tij, Behrami shton se kjo situatë ishte e përkohshme, duke theksuar se “nën akrepat e orës”, në mesnatë, përfundoi ajo që ai e cilëson si një “ëndërr”.

    Në fund, ai ka theksuar se “dielli sot lindi përsëri”, duke e lidhur këtë me vazhdimësinë e Republikës së Kosovës.

  • Kishte abuzuar vajzat e mitura, aktori i njohur dënohet me burgim të përjetshëm

    Kishte abuzuar vajzat e mitura, aktori i njohur dënohet me burgim të përjetshëm

    Nathan Chasing Horse, i njohur dikur për rolin e tij në filmin fitues të çmimit Oscar “Dances with Wolves”, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Nevada, pas një rasti që ka tronditur opinionin publik.

    49-vjeçari u shpall fajtor për 13 akuza të rënda, përfshirë sulme seksuale ndaj tre vajzave indigjene. Sipas prokurorisë, ai kishte ndërtuar një rrjet abuzimi duke përdorur rolin e tij si udhëheqës shpirtëror i një sekti të quajtur “The Circle”.

    Hetimet zbuluan se Chasing Horse kishte shfrytëzuar besimin dhe ndjeshmërinë e viktimave, duke i manipuluar nën premtime dhe kërcënime. Në disa raste, abuzimet janë justifikuar si “rituale shpirtërore” ose si mënyra për të “shpëtuar” familjarë të viktimave nga sëmundje të rënda.

    Një nga viktimat dëshmoi në gjykatë se ishte detyruar të heshtë për vite me radhë, pasi ishte kërcënuar se do të dëmtohej nëse fliste. Ajo tha se ishte vetëm 14 vjeçe kur nisi abuzimi dhe përshkroi humbjen e fëmijërisë së saj si një plagë të pashërueshme.

    Prokurorët deklaruan gjithashtu se organizata e tij funksiononte si një sistem kontrolli, ku anëtarët sillnin vajza të reja dhe i dorëzonin tek ai. Disa prej rasteve përfshijnë edhe të mitura që planifikoheshin të martoheshin sapo të mbushnin moshën ligjore.

    Gjykatësi theksoi se veprimet e tij përbëjnë një abuzim ekstrem të pushtetit dhe besimit shpirtëror, duke e cilësuar dënimin me burgim të përjetshëm si të domosdoshëm për drejtësi ndaj viktimave.