ATV

Author: K.B.

  • Mbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar konsumatorëve|Video

    Mbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar konsumatorëve|Video

    Edhe pse një pjesë e konsumatorëve ndër vite kanë shpenzuar energji elektrike pa e paguar, borxhi i tyre vazhdon t’u faturohet qytetarëve të tjerë. Vetëm këtë vit, mbi 7 milionë euro borxh do të shpërndahet te konsumatorët, ndërsa vitin e kaluar kjo shumë kishte arritur mbi 8 milionë euro.

    Edhe pse kanë shpenzuar energji elektrike, një pjesë e konsumatorëve ndër vite nuk e kanë paguar atë. Megjithatë, ky borxh i është faturuar qytetarëve tjerë. Vetëm sivjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka propozuar që në emër të borxhit të keq, 7.32 milionë euro t’u tarifohen qytetarëve tjerë.

    Vitin e kaluar vlera e borxhit të keq ishte mbi 8 milionë. Nga KESCO i kanë thënë RTK-së se ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq, ndërkaq ata vetëm respektojnë dispozitat rregullative.

    “Trajtimi i borxhit të keq përcaktohet në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave për Furnizuesin me Shërbim Universal, nr. 15/2017 e aprovuar nga Zyra Rregullatit për Energji (ZRrE). Në përputhje me këtë rregull, ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq. Ne si kompani e rregulluar respektojmë me përpikëri këto dispozita rregullative, duke i zbatuar ato brenda metodologjisë së miratuar dhe vendimit rregullativ sikurse kur aplikojmë per tarifa, ashtu edhe gjate raportimeve”.

    E nga ZRRE deklarojnë se KESCO ka propozuar nivel më të lartë të borxhit të keq, por që ata e kanë ulur atë.

    “Sa i përket verifikimit, ZRRE ka analizuar të dhënat historike të arkëtimit, strukturën e borxheve dhe masat e ndërmarra nga furnizuesi për mbledhjen e tyre. Në këtë proces janë marrë parasysh vetëm ato borxhe që konsiderohen realisht të paarkëtueshme, duke përjashtuar çdo element që mund të lidhet me mungesë efikasiteti në arkëtim. Gjithashtu, është bërë krahasim me nivelet e mëparshme dhe me praktikat rregullatore për të siguruar që niveli i njohur të jetë i arsyeshëm”.

    Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë tha se qytetarët e Kosovës, ata që kanë qenë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ndaj obligimeve të të shpenzimeve të tyre të energjisë që kanë qenë pagues të rregullt, do të thotë kanë paguar koston e një pjese që kanë qenë të papërgjegjshëm.

    “Mendoj që kjo duhet që ZRRE-ja të ulet dhe ta gjejë një modalitet se si ato humbje që janë në rrjet, do të thotë qoftë vjedhje, qoftë humbje të tjera të gjejnë një mekanizëm se si do të kompensohen”, theksoi ai.

    Raporti i Auditorit të Përgjithshëm i vitit 2019, ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’, citon se ZRRE nuk ka një rregullore për klasifikimin e llogarive të arkëtueshme dhe me fokus të veçantë për identifikimin e borxheve të këqija. Vendosja e borxhit të keq në nivel prej 4% sipas ZKA-së ishte bërë pa një analizë të detajuar për të dëshmuar se ky nivel i aplikuar në tarifa është i argumentuar.

    Nga ZRRE kanë thënë se kanë marrë në konsideratë gjetjet e auditorit dhe kanë aplikuar kritere më strikte për njohjen e borxhit të keq.

  • AKB ngre alarmin: Kosova po zbrazet, ekonomi në rënie dhe papunësi e lartë

    AKB ngre alarmin: Kosova po zbrazet, ekonomi në rënie dhe papunësi e lartë

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale ekonomike në vend, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore.

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka vlerësuar se raporti i fundit i Banka Botërore pasqyron një gjendje shqetësuese të ekonomisë së Kosovës, e cila sipas tyre nuk po shënon zhvillim të qëndrueshëm, por po funksionon në nivel mbijetese.

    Sipas AKB-së, rritja ekonomike e parashikuar në nivelin 3.7%–3.9% mbetet e pamjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune, për të rritur pagat dhe për të ndalur trendin e emigrimit.

    “Rritja prej 3.7%–3.9% është e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe ndaljen e emigrimit. Problemi nuk është mungesa e fuqisë punëtore, por mungesa e politikave serioze ekonomike. Emigrimi masiv dhe përjashtimi i grave nga tregu i punës po e dobësojnë ekonominë çdo ditë”.

    Organizata thekson se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e fuqisë punëtore, por te mungesa e politikave serioze dhe afatgjata ekonomike.

    “Kosova përballet me një paradoks të rrezikshëm: papunësi të lartë dhe njëkohësisht mungesë punëtorësh, si rezultat i një sistemi arsimor të shkëputur nga tregu i punës dhe kushteve jo konkurruese të punës,” thuhet në reagimin e AKB-së.

    Sipas vlerësimeve të saj, emigrimi masiv dhe përjashtimi i grave nga tregu i punës po e dobësojnë ekonominë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa struktura aktuale ekonomike mbetet e varur kryesisht nga konsumi dhe remitancat, duke e bërë atë të brishtë dhe pa bazë prodhuese të fortë.

    AKB kërkon ndërhyrje urgjente institucionale, me fokus në prodhim dhe eksport, reforma në sistemin arsimor dhe tregun e punës, si dhe masa konkrete për ndaljen e emigrimit dhe rritjen e mbështetjes për bizneset dhe pagat.

    “Pa reforma të thella, Kosova do të vazhdojë të humbasë njerëz, konkurrueshmëri dhe perspektivë ekonomike”.

    Raporti më i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor i publikuar gjatë ditës së djeshme jep një alarm të qartë për Kosovën dhe rajonin. Ekonomitë po rriten, por shumë më ngadalë sesa kanë nevojë qytetarët dhe shumë më poshtë potencialit real që ekziston.

    Për Kosovën parashihet rritje ekonomike prej 3.7% në vitin 2026 dhe 3.9% në vitin 2027. Në pamje të parë këto shifra mund të duken pozitive, por në realitet ato nuk mjaftojnë për ta transformuar ekonominë, për të hapur vende të reja pune në masë, për të rritur pagat apo për të frenuar emigrimin e të rinjve.

    Raporti thotë se rritja në të gjithë Ballkanin Perëndimor po ngadalësohet për shkak të pasigurive globale, konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacionit të vazhdueshëm dhe dobësimit të kërkesës së jashtme.

    Një nga pikat më kritike të raportit është tregu i punës.

    Banka Botërore e pranon se Kosova dhe rajoni kanë mungesë fuqie punëtore, ndërsa paradoksi është se në të njëjtën kohë shumë njerëz janë të papunë ose kanë hequr dorë nga kërkimi i punës. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e njerëzve, por mungesa e vendeve cilësore të punës dhe mospërputhja mes aftësive që ofron sistemi arsimor dhe nevojave të tregut. Në Kosovë, mijëra të rinj diplomojnë çdo vit, por shumë prej tyre nuk gjejnë punë në profesionin e tyre ose largohen jashtë vendit menjëherë sapo u jepet mundësia.

    Banka Botërore kërkon reforma strukturore, por kjo në gjuhë të thjeshtë do të thotë se Kosova duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si funksionon ekonomia.

    Banka Botërore rekomandon që Kosova të fokusojë politikat në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në ekonomi, përmes shërbimeve më të mira sociale dhe trajnimeve profesionale.

    Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë
    Read more

  • Sot mblidhet KQZ, diskutohet buxheti për zgjedhjet e 7 qershorit

    Sot mblidhet KQZ, diskutohet buxheti për zgjedhjet e 7 qershorit

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nën drejtimin e Kreshnik Radoniqit, do të diskutohen pikat kryesore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.

    Këshilli për Operacione Zgjedhore: planit kohor i aktiviteteve, afatet kohore dhe formula për nominimin e anëtarëve të KKZ-së.

    Këshilli për Buxhet dhe Financa: Plani i buxhetit për zgjedhjet.

    Këshilli për Personel: rekrutimi i stafit të përkohshëm dhe kompensimi për punën jashtë orarit, ditëve të vikendit dhe festave zyrtare.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë

    Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë

    Një person në Podujevë është gjetur i shtrirë në dysheme dhe pa shenja jete.

    Policia, në raportin 24 orësh ka njoftuar se mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    Sipas Policisë, viktima kishte plagë në fytyrë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.

    Ndërsa, në vendin e ngjarjes në afërsi të viktimës janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një mjet i mprehtë (thikë), një karikator me një fishekë në të, një gëzhojë, disa mjete për pastrimin e armës si dhe një palë syze të dëmtuara.

    Njoftimi i plotë:

    Podujevë 30.04.2026, 16:30-23:26. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në dysheme pa shenja jete ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima kishte plagë në fytyrë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes në afërsi të viktimës janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një mjet i mprehtë (thikë), një karikator me një fishekë në të, një gëzhojë, disa mjete për pastrimin e armës si dhe një palë syze të dëmtuara. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur dhe një armë që dyshohet të jetë jo funksionale si dhe 11 fishekë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Ushtroi dhunë ndaj vajzës së tij të mitur, arrestohet një i dyshuar në Obiliq

    Ushtroi dhunë ndaj vajzës së tij të mitur, arrestohet një i dyshuar në Obiliq

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person ën Obiliq, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, palët kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i plotë:

    Obiliq 30.04.2026, 23:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se kishte shkaktuar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur. Palët kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

  • 39% e punonjësve shqiptarë nuk e shtyjnë dot muajin me shpenzimet që kanë, rekord në Evropë

    39% e punonjësve shqiptarë nuk e shtyjnë dot muajin me shpenzimet që kanë, rekord në Evropë

    Sot është 1 Maji, dita që shënon në mbarë botën Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një simbol i përpjekjeve historike për të drejtat në punë, kushte më të mira dhe dinjitet për punonjësit.

    Kjo ditë lidhet me lëvizjet sindikale të shekullit XIX, veçanërisht me protestat për orarin 8-orësh të punës, dhe sot shërben si moment reflektimi mbi sfidat e tregut të punës, nga pagat dhe siguria në punë, te transformimet që po sjell ekonomia digjitale dhe automatizimi.

    Për punonjësit shqiptarë nuk ka shumë për të festuar këtë ditë. Të dhënat nga një raport i fundit i Komisionit Europian për anketimin mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, që realizohet një herë në 5 vjet dhe u publikua në prill, gjetën se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi, ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, nga 8% që është mesatarja europiane.

    Kjo përqindje është më e larta në Europë dhe ka shumë diferencë me shtetet e tjera. Vendi i dytë pas nesh është Greqia, ku 21% e të anketuarve pohojnë se nuk shtyjnë dot fundin e muajit.

    Në vendet e tjera të rajonit, situata paraqitet më e moderuar, por sërish mbi mesataren e Europës Perëndimore. Në rajon, pas Shqipërisë, niveli më i lartë i vështirësive për të përballuar shpenzimet regjistrohet në Kosovë, me 18%. Bosnja dhe Hercegovina paraqitet gjithashtu me një nivel relativisht të lartë, prej 13%.

    Në vendet e tjera të Ballkanit, treguesi është më i ulët. Serbia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë nga 9%, Kroacia 8%, ndërsa Mali i Zi ka nivelin më të ulët në rajon, me 7%.

    Ndërsa Maqedonia e veritu dhe Mali i Zi përmenden në raport si shtete që kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, në Shqipëri përqindja e punonjësve që kanë vështirësi për të mbyllur muajin vijon të mbetet në nivele rekord.

    Të anketuarve u kërkohet të vlerësojnë se sa e lehtë është për familjen e tyre të përballojë shpenzimet mujore, duke marrë parasysh të ardhurat totale mujore nga burime të ndryshme.

    Vlerësimi bëhet në një shkallë me gjashtë nivele, nga “shumë lehtë” deri te “me shumë vështirësi”. Në përgjithësi, 8% e të anketuarve në BE raportuan se në vitin 2024 e kishin të vështirë ose shumë të vështirë të përballonin shpenzimet. Dallimet mes gjinive ishin të papërfillshme.

    Në raport theksohet se sondazhi tregon diferenca të theksuara mes vendeve. Përqindja e punonjësve që kanë vështirësi të përballojnë shpenzimet mujore varion ndjeshëm, nga vetëm 1% në Poloni në 39% në Shqipëri, siç paraqitet në hartë.

    Europa

    Të dhënat nxjerrin në pah edhe një ndarje të qartë gjeografike: vendet skandinave raportojnë në mënyrë të qëndrueshme nivele të ulëta të vështirësive financiare, ndërsa në disa vende të Europës Lindore dhe Jugore pesha e punonjësve që përballen me vështirësi ekonomike është dukshëm më e lartë.

    Që nga viti 2010, që përkonte me mesin e krizës ekonomike, përqindja e punonjësve që hasin vështirësi për të përballuar shpenzimet ka rënë ndjeshëm.

    Në vitin 2010, rreth 17% e punonjësve deklaronin se e kishin të vështirë ose shumë të vështirë të përballonin jetesën ekonomikisht. Në vitin 2024, kjo përqindje ra në vetëm 8%.

    Në të njëjtën kohë, pesha e atyre që deklaronin se ia dilnin lehtë ose shumë lehtë u rrit nga 30% në 40%.

    Përmirësimet më të mëdha janë vërejtur në disa vende të Europës Lindore, si Bullgaria, Hungaria dhe Letonia, ku përqindja e punonjësve me vështirësi ekonomike ra me mbi 30 pikë përqindje. Rënie të ndjeshme, me mbi 20 pikë përqindje, u regjistruan edhe në Kroaci, Lituani, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani.

    Asnjë vend nuk raportoi rritje statistikisht të rëndësishme të vështirësive për të përballuar shpenzimet.

    Ekziston një lidhje e fortë mes karakteristikave të familjeve të punonjësve dhe nivelit të cenueshmërisë së tyre financiare, në përputhje edhe me gjetjet e studimeve të tjera, thekson raporti. Prindërit e vetëm preken në mënyrë disproporcionale nga vështirësitë financiare: 43% e tyre deklarojnë se kanë vështirësi për të përballuar shpenzimet.

    Nënat e vetme janë veçanërisht të cenueshme, me 46% që raportojnë vështirësi financiare.

    Punonjësit që jetojnë në familje me fëmijë priren të përballen me sfida më të mëdha financiare, me 31–37% që deklarojnë vështirësi për të përballuar shpenzimet. Pas tyre renditen familjet me një person të vetëm në moshën kryesore të punës, ku 28% raportojnë vështirësi ekonomike.

    Të dhënat tregojnë gjithashtu se cenueshmëria financiare ndryshon sipas statusit të punësimit dhe profesionit.

    Punonjësit me kontrata me afat të caktuar, me 36%, të vetëpunësuarit e varur ekonomikisht, me 40%, si dhe ata pa kontratë ose me forma të tjera kontraktuale, me 42%, raportojnë përqindjet më të larta të vështirësive për të përballuar shpenzimet.

    Punonjësit në profesione me kualifikim më të ulët përballen me vështirësi më të mëdha. Të paktën një nivel vështirësie për të përballuar shpenzimet raportohet nga 49% e punonjësve në profesione elementare, 47% e punonjësve të kualifikuar në bujqësi, 37% e punonjësve në shërbime dhe shitje, si dhe 35% e operatorëve të impianteve dhe makinerive.

    Në të kundërt, punonjësit në profesione me kualifikim më të lartë, si menaxherët, teknikët dhe profesionistët, raportojnë nivele relativisht të ulëta të vështirësive financiare, me përqindje nën 20%.

    Raporti thekson se këto gjetje konfirmojnë prirje tashmë të njohura dhe nënvizojnë nevojën që politikat mbështetëse të orientohen drejt grupeve të veçanta, përfshirë prindërit e vetëm dhe punonjësit në punë me paga të ulëta, të cilët shpesh janë nën presion të madh financiar.

    Anketa Europiane për Kushtet e Punës 2024, e publikuar në prill të këtij viti ofron një panoramë të plotë të cilësisë së punës në Europë, duke analizuar karakteristikat e fuqisë punëtore, vendet e punës, cilësinë e punës dhe cilësinë e jetës në punë.

    Anketa është një instrument i rëndësishëm për politikëbërësit, pasi nxjerr në pah rolin e cilësisë së punës në arritjen e një rritjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Europë.

    Gjetjet e anketës bazohen në 36,644 intervista ballë për ballë, të zhvilluara në 35 vende. Çdo intervistë zgjati rreth 45 minuta, duke ofruar një pasqyrë unike mbi gjendjen e punës në Europë.

    Kjo anketë është zhvilluar në mënyrë të rregullt që nga viti 1990, duke ofruar një seri të krahasueshme të të dhënave për kushtet e punës në Europë në intervale pesëvjeçare./monitor.al

  • Haradinaj falënderon kongresistët amerikanë për rezolutën pro Kosovës në NATO

    Haradinaj falënderon kongresistët amerikanë për rezolutën pro Kosovës në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kongresistët amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për paraqitjen e një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila shpreh mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

    Haradinaj ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për organizatën “Albanians for America”, Harry Bajraktarin dhe Gino Mulliqin, si dhe për të gjithë shqiptaro-amerikanët që, sipas tij, po angazhohen fuqishëm për kauzën e Kosovës në institucionet amerikane, në veçanti në Kongresin Amerikan.

    Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe garantimit të sigurisë së saj.

    Sipas Haradinajt, prezenca politike e Kosovës si shtet në institucionet amerikane është jetike, sidomos në këtë kohë.

  • Shqipëria do ta rihapë Shkollën e Aviacionit pas gati 20 vjetësh

    Shqipëria do ta rihapë Shkollën e Aviacionit pas gati 20 vjetësh

    Anëtarja e NATO-s, Shqipëria do ta rihapë Shkollën e saj të Aviacionit në Vlorë, gati dy dekada pasi ishte mbyllur për shkak të kostove dhe dëmimeve të mëdha gjatë viteve ‘90, njoftoi të enjten ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

    Nufi e bëri këtë njoftim gjatë shënimit të 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, ku morën pjesë zyrtarë shtetërorë dhe ushtarakë.

    “Ringritja e Shkollës së Aviacionit është hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve”, tha Nufi.

    Kjo shkollë do të nxjerrë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë të trafikut ajror ushtarakë dhe civilë.

    Shkolla do të ripahet pas një marrëveshjeje nga viti i kaluar mes kompanisë shtetërore të mbrojtjes së Shqipërisë, Kayo, dhe asaj izraelite, Elbit System Ltd.

    Nufi nuk dha të enjten ndonjë datë se kur do të rifillojë të arsimojë pilotë kjo shkollë.

    Por, pas nënshkrimit të marrëveshjes vitin e kaluar, autoritetet kishin parashikuar se deri në vitin 2030 shkolla do të nxirrte 30 pilotë dhe 50 kontrollorë të trafikut ajror ushtarakë.

    Shkolla e Aviacionit ushtarak në Vlorë u themelua në vitin 1962, por ajo pësoi dëme të mëdha gjatë trazirave të të viteve ’90 dhe, pavarësisht se ishte rinovuar dhe u riorganizua disa herë, ajo ishte mbyllur para dy dekadave.

    Ky njoftim vjen në një kohë kur Shqipëria ka bërë disa hapa për forcimin e mbrojtjes së vet.

    Një ditë më parë ajo nënshkroi marrëveshje me Italinë për prodhimin e anijeve luftarake në bazën detare të Pashalimanit në Vlorë.

    Ndërsa, në fillim të muajit autoritetet njoftuan se do të fillonin prodhimin e dronëve luftarakë gjithashtu.

    Nufi shtoi të enjten se gjithashtu po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore.

    “Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe thelbësore për realitetin e sotëm të sigurisë”, tha Nufi.

  • Dita e Punëtorëve, sot protestohet në Prishtinë

    Dita e Punëtorëve, sot protestohet në Prishtinë

    Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka njoftuar se më 1 maj 2026, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, do të organizojë një protestë paqësore.

    Sipas njoftimit të FSPTSPK-së, protesta organizohet në mbështetje të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

    “Protesta do të fillojë në ora 10:00, me vendgrumbullim në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, dhe do të vazhdojë sipas itinerarit të planifikuar deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë”, thuhet në njoftim.

    Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 maji, dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

    Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte ne orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA).

    Ndërkohë, kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë. Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882.

    Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Gjithashtu organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 majin. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Data e 1 maj është miratuar në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve i referohej këtu Marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872.

    Në Evropë 1 maji festa e punëtorëve është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.

  • “Kafe mes miqsh”, Osmani flet shkurt pas takimit me kreun e LDK-së

    “Kafe mes miqsh”, Osmani flet shkurt pas takimit me kreun e LDK-së

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur shkurt pas takimit me kreun e Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Teksa po largohej nga takimi, ajo u tha gazetarëve se kjo ishte një kafe mes miqsh.

    “Ka kafe mes miqsh si gjithmonë”, u shpreh Osmani.