ATV

Author: K.B.

  • Kosova bëhet anëtare me të drejta të plota në ERRA

    Kosova bëhet anëtare me të drejta të plota në ERRA

    Në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (Energy Regulators Regional Association (ERRA)), e mbajtur më 28 prill 2026 në Bratislavë të Sllovakisë, Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të sektorit të energjisë.
    Kosova, e cila më parë kishte statusin e anëtares së asociuar në ERRA, tashmë është pranuar me të drejta të plota, duke përfshirë të drejtën e votës dhe pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje dhe politikat rregullatore rajonale e ndërkombëtare.

    “Anëtarësimi me të drejta të plota përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin dhe avancimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”.

    Sipas Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ky është një hap i rëndësishëm institucional që dëshmon përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në sektorin e energjisë dhe forcimin e rolit të saj në bashkëpunimet profesionale ndërkombëtare.

    “Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e qëndrueshëm dhe angazhimin aktiv të ZRRE-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s”, thuhet në komunikatë.

  • Mashtrimet me sms ku qytetarëve po u merren të dhënat bankare, Policia në Prizren del me njoftim

    Mashtrimet me sms ku qytetarëve po u merren të dhënat bankare, Policia në Prizren del me njoftim

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren është deklaruar lidhur me një dukuri shqetësuese që është duke u shfaqur në zonën e përgjegjësisë, e cila paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë financiare të qytetarëve.

    Policia njoftoi se qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme, përmes të cilave njoftohen se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.

    Sipas njoftimit, në këto mesazhe përfshihet një lidhje (link) e dyshuar, ku kërkohet nga qytetarët të fusin të dhënat e tyre personale dhe bankare. Pas futjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht xhirollogaria e tyre zbrazet.

    Këshilla për qytetarët:

    📩🚫 Mos hapni linke të dyshimta

    Mos klikoni në lidhje (linke) të panjohura të pranuara përmes SMS apo aplikacioneve.

    👤🔑🚫 Mbroni të dhënat personale

    Mos ndani fjalëkalime, kode apo informata personale në platforma të pasigurta.

    ⚠️📞 Raportoni menjëherë

    Nëse dyshoni për mashtrim, lajmëroni rastin menjëherë në polici.

    🛡️👮 Siguria është prioritet

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin e veprimeve të kundërligjshme.

  • Gucati “kthehet” në Hagë me 200 mijë nënshkrime për lirimin e bashkëluftëtarëve

    Gucati “kthehet” në Hagë me 200 mijë nënshkrime për lirimin e bashkëluftëtarëve

    Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup u dëgjua zëri i shqiptarëve në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Pak javë para shpalljes së vendimit për katërshen e UÇK-së, Speciales në Hagë do t’i dorëzohen edhe mbi 200 mijë firmat e mbledhura në mbrojtje të vlerave të luftës.

    Ky peticion kombëtar, i iniciuar dy muaj më parë, do të dorëzohet pranë Speciales, të mërkurën nga i kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

    Ai u dënua për pengim të drejtësisë dhe u liria nga burgu në vitin 2023.

    Syla shton për KosovaPressin se ky peticion kishte për qëllim që t’i dërgohet Speciales një mesazh se shqiptarët kundërshtojnë një gjykim politik.

    Ani pse peticioni nuk ka efekt juridik, Syla thekson se është e rëndësishme që të pasqyrohet qëndrimi i shqiptarëve për procesin gjyqësor në Hagë.

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Ëales”, lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.

    Raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

    Ky raport është hartuar nga një organizatë e pavarur juridike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë angazhuar ekspertë britanike me kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit, pas shqetësimeve për mos respektim të standardeve për të drejtat e njeriut.

    Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.

  • Muhaxheri hedh poshtë raportimet për dorëheqje: Vazhdoj të jem në LDK dhe në krye të degës në Pejë

    Muhaxheri hedh poshtë raportimet për dorëheqje: Vazhdoj të jem në LDK dhe në krye të degës në Pejë

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka hedhur poshtë raportimet se ai ka dhënë dorëheqja nga pozitat në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Muhaxheri ka mohuar diçka të tillë, ndërsa ka thënë se vazhdon të jetë pjesë e LDK-së, si kryetar i degës në Pejë dhe s’bëhet fjalë për dorëheqje nga ndonjë pozitë.

    “Jo, unë jam në LDK, jam kryetar i degës në Pejë dhe nuk kam dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse,” ka deklaruar ai për televizionin lokal.

    Edhe gjatë javës së kaluar, raportimet për dorëheqje të Kujtim Shalës dhe Gazmend Muhaxherit, LDK-ja i cilësoi propagandë.

    Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, deklaroi se këto raportime janëshpifje.

    “Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, kishte shkruar Lushaku-Sadriu.

  • Komuna e Prishtinës: Ndërpritet përkohësisht sistemi i Tatimit në Pronë për shkak të rregullimeve teknike

    Komuna e Prishtinës: Ndërpritet përkohësisht sistemi i Tatimit në Pronë për shkak të rregullimeve teknike

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se sistemi i Tatimit në Pronë është ndërprerë përkohësisht për shkak të disa rregullimeve teknike që po realizohen nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë.

    Sipas njoftimit, ndërprerja është bërë sot, më 4 maj 2026, dhe mund të shkaktojë pengesa të përkohshme në ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit deri në përfundimin e procesit të rregullimit të sistemit.

    “Të dashur qytetar, Kryeqyteti njofton të gjithë tatimpaguesit se, sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë, sot më 04.05.2026 është ndërprerë përkohësisht Sistemi i Tatimit në Pronë, për shkak të disa rregullimeve teknike që janë duke u realizuar”, thuhet në njoftim.

    Tutje, komuna ka bërë të ditur se si pasojë e këtyre punimeve teknike, qytetarët mund të përballen me vonesa ose ndërprerje të përkohshme të shërbimeve.

    “Për këtë arsye, mund të ketë ndërprerje të përkohshme në ofrimin e shërbimeve deri në përfundimin e procesit të rregullimit të sistemit. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet më tej në njoftim.

  • KQZ: Më 6 maj fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë dhe në përfaqësi diplomatike

    KQZ: Më 6 maj fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë dhe në përfaqësi diplomatike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.

    Për 12 ditë, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, do të mund të aplikojnë online për t’u regjistruar, për të votuar me postë apo në përfaqësi diplomatike.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se është në vullnetin e votuesve që të përzgjedhin mënyrën e votimit, qoftë në përfaqësi diplomatike apo përmes postës.

    “Gjatë kësaj periudhe 12-ditore (6 maj – 17 maj 2026), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për njërën nga tri mënyrat e votimit: (1) për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës; (2) për të dërguar fletëvotimin përmes postës në njërën nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës apo (3) për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.

    Më tej, sipas Elezit, votuesit që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor, ndërkaq votuesit përmes postës mund të votojnë nga 25 maji deri më 6 qershor.

    “Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, KQZ ka rregulluar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovë. KQZ ka vendosur numrin minimal prej 50 votuesish të regjistruar si kriter për organizimin e votimit në një përfaqësi të caktuar diplomatike. Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Ndërkaq, për shtetasit që regjistrohen për të votuar me postë, KQZ, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, do t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim”, tregoi Elezi.

    Sipas Elezit, është detyrim ligjor për KQZ-në, që emrin e çdo votuesi që regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga lista e votuesve që shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve në Kosovë.

  • MINT gjobit KEDS-in me 90 mijë euro, 18 njehsorëve u kishte skaduar afati i vlefshmërisë

    MINT gjobit KEDS-in me 90 mijë euro, 18 njehsorëve u kishte skaduar afati i vlefshmërisë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, pas konstatimit të parregullsive në njehsorët elektrikë.

    Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjetur se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.

    Gjatë muajit prill 2026, autoritetet kanë intensifikuar trajtimin e ankesave të konsumatorëve lidhur me devijimet në njehsorë. Një komision ad hoc i themeluar për këtë çështje ka pranuar gjithsej 574 ankesa të dokumentuara.

    Nga verifikimet në terren, janë tërhequr 54 njehsorë nga shtatë rajone të Kosovës dhe janë testuar në laboratorët e Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Rezultatet tregojnë se në 38 prej tyre janë konstatuar devijime në kohë.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore, në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, MINT njofton se rastet e konfirmuara po i përcillen KESCO, nga e cila kërkohet që të bëjë kompensimin e menjëhershëm të konsumatorëve të dëmtuar.

    MINT gjithashtu ka paralajmëruar se kontrollet dhe ndëshkimet do të vazhdojnë edhe gjatë muajit maj.

    “Sigurojmë qytetarët… se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave”.

  • Reagon Fahrije Hoti, Osmanin e quan presidente: Politika për mua është si puna që kam bërë gjithë jetën

    Reagon Fahrije Hoti, Osmanin e quan presidente: Politika për mua është si puna që kam bërë gjithë jetën

    Fahrije Hoti ka reaguar pas njoftimit nga ish-presidentja Vjosa Osmani, se ajo i është bashkuar rrugëtimit politik të saj, për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se nga sot nis një rrugëtim të ri, “krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani”.

    Ajo tha se këtë hap e ndërmori për gruan që ngrihet, për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre, për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë dhe për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime.

    “Vij nga Krusha. Vij nga një kohë kur gratë e fshatit tim humbën gjithçka, përveç njëra-tjetrës. Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë”.

    “Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë. Për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime. Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën. Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t’ju zhgënjej! E juaja, Fahrija”, ka shkruar ajo.

  • ​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

    ​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE), ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor njësisë B2 në Termocentralin Kosova B.

    Sipas njoftimit, ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.

    “Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe, mbi të gjitha, të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

  • Policia ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

    Policia ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë, ka ndërmarrë aksione gjatë javës së fundit.

    Sipas njoftimit, vetëm brenda një jave janë parandaluar tri raste të garave ilegale në autostradë, ku janë shqiptuar masa dhe gjoba ndaj shoferëve të përfshirë.

    Në njoftimin e Policisë thuhet: “ka arritur që në tri raste të parandalojë garat ilegale të shpejtësisë me automjete”, ndërsa janë shqiptuar gjithsej disa gjoba për shkelje të ndryshme në trafik.

    Po ashtu, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe automjete të dyshuara për modifikime teknike. Në njoftim theksohet: “gjatë vikendit janë sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikim në sistemin e tërheqjes”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.

    Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë rrugore, duke raportuar rastet e tilla dhe duke mos u përfshirë në gara ilegale. Në fund të njoftimit theksohet: “APELON tek të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor” dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për parandalimin e këtyre rasteve.