ATV

Author: K.B.

  • Mbi 21 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për dy ditë, 1 mijë e 37 janë refuzuar

    Mbi 21 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për dy ditë, 1 mijë e 37 janë refuzuar

    Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe përfundon më 17 maj 2026.

    Sipas tij, të dhënave të përditësuara deri të premten, më 8 maj në orën 09:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org, janë pranuar gjithsej 21,378 kërkesa për regjistrim.

    “Prej tyre, 9,149 aplikime janë aprovuar, 1,037 janë refuzuar, ndërsa 11,187 mbeten në proces shqyrtimi”.

    Nga aplikimet e aprovuara, Elezi thotë se 2,284 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike, 239 për të votuar përmes kutisë postare në Kosovë, ndërsa 6,626 për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

    Ai ka bërë të ditur se procesi i votimit jashtë vendit do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik është 66,450.

    “Ky kufizim vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi për votim përmes postës mbetet i pakufizuar. Në rast të arritjes së kufirit maksimal në një përfaqësi, aplikuesit do të udhëzohen të zgjedhin mënyra alternative të votimit përmes postës, sipas parimit të kohës së aplikimit”.

    Po ashtu, KQZ ka përcaktuar një prag minimal prej 50 votuesish të regjistruar për organizimin e votimit në një përfaqësi diplomatike. Nëse ky numër nuk arrihet, votimi fizik në atë përfaqësi nuk do të organizohet dhe votuesit do të kalojnë automatikisht në votim përmes postës.

    Sipas KQZ-së, shtetasve të regjistruar për votim me postë do t’u dërgohet paketa me fletëvotim në adresat e tyre, siç është praktikuar edhe në proceset e mëparshme zgjedhore.

  • Limaj i çon letër Hamzës, kërkon që Nisma të jetë në listën e PDK-së në zgjedhje

    Limaj i çon letër Hamzës, kërkon që Nisma të jetë në listën e PDK-së në zgjedhje

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i ka dërguar letër kreut të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij të jetë pjesë e listës së kësaj partie, për të garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Në letrën që ka siguruar Klan Kosova, Limaj ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik, në “funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

    “NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën.

    Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angazhimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Njëkohësisht, shprehim gatishmërinë tonë për të dhënë kontributin e plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të këtij procesi të përbashkët.

    Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces.” – përfundon kjo shkresë që ka shkuar sot te PDK-ja.

  • Dallaveret me njëhsorë, 35 mijë euro gjobë KEDS’it

    Dallaveret me njëhsorë, 35 mijë euro gjobë KEDS’it

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ka shqiptuar KEDS’it gjobë prej 35 mijë euro lidhur me dallaveret me njëhsorë, shkruan Reporteri.net.

    Gjoba është shqiptuar pas verifikimit laboratorik të 16 njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë paraqitur ankesa, janë konstatuar një sërë parregullsish.

    Sipas rezultateve të verifikimit, në 6 raste është konstatuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë.

    “Po ashtu, në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa 3 njehsorë të tjerë vazhdojnë të jenë në procedurë të verifikimit laboratorik. Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.

  • Bedri Hamza: PDK e hapur për gra e burra të aftë nga Kosova dhe diaspora

    Bedri Hamza: PDK e hapur për gra e burra të aftë nga Kosova dhe diaspora

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza u ka bërë thirrje përmes një video-mesazhi qytetarëve të cilët synojnë të kontribuojnë politikisht duke thënë se lista e partisë është e hapur për njerëz të ndershëm që punojnë me përkushtim dhe e duan vendin.

    Hamza në postimin e tij në Facebook tha se ka ardhur koha që njerëzit e mirë të mos rrinë anash.

    Ai madje ka lënë edhe kontaktin e tij për të gjithë ata që dëshirojnë të kontaktojnë me kryetarin e PDK-së.

    “Kosova ka nevojë për ju!”, ka shkruar ai.

  • Një 52-vjeçar dërgohet pa shenja jete në emergjencën e Suharekës, policia: U vërejtën rrethana për vdekje të dyshimtë

    Një 52-vjeçar dërgohet pa shenja jete në emergjencën e Suharekës, policia: U vërejtën rrethana për vdekje të dyshimtë

    Një burrë 52-vjeçar është dërguar pa shenja jete mëngjesin e sotëm në emergjencën e Suharekës.

    Policia tha se doli në vendngjarje dhe se “janë vërejtur edhe rrethana që ngrisin dyshime për vdekje të dyshimtë”.

    Lajmin p e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Sot, më 08.05.2026, rreth orës 08:20, Policia ka pranuar informacion nga Emergjenca në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë se një person mashkull, rreth 52 vjeç, është sjellë pa shenja jete. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga personeli mjekësor është konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete, ndërsa janë vërejtur edhe rrethana që ngrisin dyshime për vdekje të dyshimtë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin, duke siguruar prova dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes në Suharekë, si dhe duke intervistuar dëshmitarë”.

    Bytyqi shtoi se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Instituti i Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    *Fotografia në lajm ilustruese

  • ​IKSHPK qetëson qytetarët, rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

    ​IKSHPK qetëson qytetarët, rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me Hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e BE/EEA vlerësohet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me Hantavirus në një anije kroçierë, përfshirë tre viktima, ndërsa në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

    IKSHPK thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët.

    Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.

    Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes kontaktit me urinën, fekalet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

    Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar janë punonjësit e pyjeve, fermerët dhe personat që punojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve. Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër Hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral.

    Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin dhe ventilimin e ambienteve të mbyllura, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave ku mund të ketë brejtës.

  • Shqipe Selimi nga Haga: Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë

    Shqipe Selimi nga Haga: Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë

    Ish-deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti Selimi ka qëndruar në Hagë pasi ka vizituar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

    Selimi këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    “Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë! Krenarë”, ka shkruar Selimi.

    Ndryshe, Gjykata Speciale ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së deri më 20 korrik.

  • Për lëndim të rëndë trupor, Kobra dhe dy të tjerët dënohen vetëm me nga 5 mijë euro gjobë nga Gjykata e Prizrenit

    Për lëndim të rëndë trupor, Kobra dhe dy të tjerët dënohen vetëm me nga 5 mijë euro gjobë nga Gjykata e Prizrenit

    Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Arlind Dakaj dhe Mirsat Hajredini janë dënuar me vetëm nga 5 mijë euro gjobë për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.

    Gjykata Themelore në Prizren, në seancën e 7 prillit, ka marrë aktgjykim ndaj tyre duke shqiptuar dënim me 6 muaj burgim, i cili është zëvendësuar me gjobë me kërkesë të avokatëve mbrojtës.

    Dënimi ndaj tyre rezulton të jetë nën minimumin e paraparë me ligj.

    Bazuar në përgjigjen e gjykatës, rezulton se dënimi është bazuar në nenin 186 të Kodit Penal të Kosovës, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1, i cili parasheh dënim me burgim nga 1 deri në tetë vjet.

    “APROVOHET kërkesa e mbrojtësve të të akuzuarve Dibran Hoxhaj av. Avni Berisha, Arlind Dakaj av. Driton Shehu dhe Mirsad Hajredini av. Klodian Krasniqi, në kuptim të nenit 44 të KPRK-së, që dënimi me burgim t’i zëvendësohet me dënim me GJOBË, ashtu që Gjykata, dënimin me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh për secilin të akuzuar veç e veç, e ka zëvendësuar me DËNIM ME GJOBË në shumën prej 5,000 (pesëmijë) eurosh, për secilin të akuzuar veç e veç, të cilën gjobë do ta paguajnë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për “Betimin për Drejtësi”.

    Mirëpo, duke qenë se të njëjtit kanë qëndruar në paraburgim nga 19 qershori 2018 deri më 23 korrik 2018, atëherë do të paguajnë nga 4,260 euro.

    Në aktakuzën e ngritur ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prizren thuhet se më 15 qershor 2018, Hoxha, Dakaj e Hajredini i kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Hulusi Badallaj.

    Badallaj thuhet se, pas mosmarrëveshjes me të dyshuarit, kishte shkuar për ta paraqitur rastin në stacion policor dhe, duke u kthyer, të njëjtit i kishin ndërprerë rrugën.

    Të njëjtit i kishin shkaktuar tronditje në tru dhe shtatë plagë në trup nga përdorimi i mjeteve të forta.

    “I njëjti sulmohet në pjesë të ndryshme të trupit nga ana e të akuzuarve dhe me grushta dhe shufra metalike ndërsa i akuzuari merr briskun në veturën e të dëmtuarit dhe ia jep të akuzuarit, i cili brisk e godet në krahun e majtë dhe në këmbë të dëmtuarin me c’rast shkaktojnë lëndime të rënda trupore ndrydhje të indeve të buta të kokës, me plagë shqyese në kokë të shoqëruar me tronditje trunore dhe me 7 plagë në trup, të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fort si dhe plagë prerëse në regjionin e supit të majtë i shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të prehtë të përshkruar si në ekspertizën mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

    Ndryshe, për Kobrën “Betimi për Drejtësi” ka raportuar në vazhdimësi se shteti është duke dështuar duke shqiptuar dënime të “buta” ndaj tij.

    Ndërsa, i njëjti është dënuar edhe me 24 vjet burgim lidhur me vrasjen e 31 vjecarit tek lokali “Kobra City”.

  • Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, shkruan Reporteri.net.

    Përveç këtij ligji, Haxhiu ka bërë me dije se ka dekretuar edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

    “Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

  • Rihanna publikon video me A$AP Rocky pas thashethemeve për tension në MET Gala

    Rihanna publikon video me A$AP Rocky pas thashethemeve për tension në MET Gala

    Ylli i muzikës, Rihanna duket se ka hedhur poshtë spekulimet për një krizë me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky, pas paraqitjes së tyre në Met Gala.

    Të enjten, Rihanna publikoi në platformën X një video-montazh 45-sekondësh ku çifti shfaqet duke buzëqeshur, duke mbajtur duart dhe duke festuar së bashku gjatë mbrëmjes së gala-s në New York City. Videoja u interpretua si një mesazh i qartë se marrëdhënia mes tyre është në rregull.

    Megjithatë, më herët kishin qarkulluar pamje që tregonin çiftin në një bisedë emocionale brenda një autobusi pranë Metropolitan Museum of Art, ku zhvillohet tradicionalisht eventi i famshëm i modës. Pamje të tjera i shfaqnin ata me shprehje serioze në fytyrë, duke nxitur aludime në rrjet për tensione mes tyre.

    Sipas burimeve pranë çiftit, nuk bëhej fjalë për konflikt, por thjesht për lodhje pas një dite të gjatë përgatitjesh për eventin.

    Me publikimin e videos së re, Rihanna duket se ka dashur t’u japë fund spekulimeve për probleme në marrëdhënien e tyre.

    Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha