ATV

Author: K.B.

  • Spitali i Përgjithshëm i Pejës vendos rregulla të reja për vizitat, nga 12 maji ndryshon orari dhe hyrja për vizitorët

    Spitali i Përgjithshëm i Pejës vendos rregulla të reja për vizitat, nga 12 maji ndryshon orari dhe hyrja për vizitorët

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se duke filluar nga data 12 maj 2026 do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për vizitat tek pacientët e shtrirë, me qëllim rritjen e sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimin e përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore dhe krijimin e qetësisë së nevojshme për trajtim e pushim.

    Në njoftimin e publikuar në Facebook, spitali ka theksuar se masat po ndërmerren për shkak të frekuentimit të madh dhe lëvizjeve të pakontrolluara brenda institucionit, të cilat, sipas spitalit, rrisin rrezikun e infeksioneve dhe e pengojnë procesin e trajtimit.

    “Me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimit të përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore, krijimit të qetësisë së nevojshme për trajtim dhe pushim të pacientëve, si dhe për të mundësuar mbarëvajtjen më efikase të punës në repartet spitalore, do të ndryshojë mënyra e realizimit të vizitave tek pacientët”, thuhet në njoftim.

    Sipas spitalit, hyrja e vizitorëve do të lejohet vetëm nga një hyrje.

    “Hyrja në spital për vizitorët do të bëhet vetëm nga një hyrje dhe atë hyrja e Bllokut Kirurgjik”, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

    Po ashtu, është bërë e ditur se vizitat tek pacientët e shtrirë do të lejohen vetëm në një interval të caktuar kohor.

    “Vizitat tek pacientët e shtrirë lejohen vetëm nga ora 13:00 deri në ora 14:00”, thuhet më tej.

    Ndër rregullat e reja, spitali ka sqaruar se secilit pacient do t’i lejohet vetëm një përcjellës, ndërsa dalja e përcjellësit për furnizime apo nevoja të tjera do të lejohet vetëm në këto intervale: 08:00–09:00, 13:00–14:00 dhe 18:00–19:00.

    Spitali ka njoftuar gjithashtu se përcjellësi do të pajiset me bexh identifikues dhe do të jetë i obliguar ta bartë atë gjatë hyrje-daljeve në spital. Ndërkohë, lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë intervaleve të paraparë për furnizime nuk do të lejohet.

    “Lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë orarit të paraparë për furnizime nuk do të lejohet dhe dera do të jetë e mbyllur”, thuhet në njoftim.

    Në fund, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se masat synojnë mbrojtjen e shëndetit dhe ofrimin e kujdesit më të mirë për pacientët.

  • Komuna e Fushë Kosovës u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit

    Komuna e Fushë Kosovës u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit

    Komuna e Fushë Kosovës ka apeluar te prindërit që të sigurohen se fëmijët e tyre janë të vaksinuar sipas kalendarit të rregullt, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit, si një nga format më të sigurta të mbrojtjes për shëndetin e fëmijëve.

    Në njoftimin e komunës thuhet se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe se mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje, infeksione të mushkërive dhe pasoja të tjera shëndetësore.

    Sipas komunës, mbrojtja më e sigurt dhe më efektive kundër fruthit është vaksinimi i rregullt.

    Po ashtu, theksohet se vaksina MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, jepet sipas kalendarit të vaksinimit dhe ka rol të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së sëmundjes në komunitet.

    Komuna u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që imunizimi të jetë kryer me kohë.

    Në njoftim vlerësohet se “kujdesi dhe përgjegjësia jonë sot” janë mbrojtje për shëndetin e fëmijëve në të ardhmen, ndërsa theksohet se vaksinimi “shpëton jetë” dhe kontribuon në një komunitet më të shëndetshëm dhe më të sigurt për të gjithë.

  • Visar Azemi del me video: KEDS po i ndërron njehsorët, paratë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve centë më centë

    Visar Azemi del me video: KEDS po i ndërron njehsorët, paratë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve centë më centë

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sërish për çështjen e orëve të KEDS-it. Ai ka thënë se sot kompania turke është gjobitur edhe me 35 mijë euro të tjera për “vjedhje me njehsorët elektrikë”.

    Ai ka thënë se Prokuroria tashmë po merret me rastin dhe se paratë e duhet t’iu kthehen qytetarëve cent më cent.

    “Lajmi i mirë është që Prokuroria tashmë është duke u marrë me rastin.Por qytetarët nuk kanë nevojë për lajme. Kanë nevojë për drejtësi. Paratë duhet të kthehen cent më cent!”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Edhe gjatë ditës së sotme, KEDS-i është gjobitur sërish nga Ministria e Industrisë me 35 mijë euro për vjedhjen me njehsorët elektrikë.

    Por kjo nuk është drejtësi. Sepse qytetarët janë dëmtuar me miliona euro. Dhe askush nuk po flet për kthimin e këtyre parave.

    Në vend që të ruhen provat, KEDS-i ka vazhduar me ndërrimin e njehsorëve, duke i fshehur dëshmitë dhe duke vendosur njehsorë të prodhimit kinez. Kjo është përpjekje për ta mbyllur skandalin.

    Lajmi i mirë është që Prokuroria tashmë është duke u marrë me rastin.

    Por qytetarët nuk kanë nevojë për lajme. Kanë nevojë për drejtësi. Paratë duhet të kthehen cent më cent!

  • Kandidati i AAK-së për kryeministër: Kosova duhet ta kthejë andrrën e saj

    Kandidati i AAK-së për kryeministër: Kosova duhet ta kthejë andrrën e saj

    Kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, ka bërë thirrje për rikthimin e unitetit dhe vizionit kombëtar, duke thënë se Kosova nuk guxon ta humbasë rrugën dhe ëndrrën e saj.

    Gjini riktheu në kujtesë vitet e vështira të 80-tave dhe 90-tave, kur populli i Kosovës, i bashkuar rreth një qëllimi të vetëm, këndonte “Besa-Besë” në Stadiumin e Prishtinës.

    “Kosova duhet me e kthy andrrën e vet. Ne e kemi pasur një ëndërr që nga fëmijëria. Atë ëndërr që nuk mundi ta thyente askush, as regjimet më shtypëse. Ishte pikërisht kjo ëndërr që prodhoi ata djem e ato vajza që luftuan për lirinë tonë,” u shpreh Gjini.

    Sipas tij, arritja e pavarësisë ishte vetëm një stacion, por populli duhet të vazhdojë të ushqejë vizionin për të ardhmen, pasi pa të, rrezikohet shtylla kryesore e shoqërisë: solidariteti.

    “Nuk guxon kush me e mbyt vizionin, sepse kur vdes vizioni, gjithçka tjetër shkapërderdhet. Solidariteti do të thotë që nëse ka vërshime në Kaçanik, të mërzitem unë në Gjakovë dhe anasjelltas. Pa ëndërr, ne fillojmë të mos e duam njëri-tjetrin, rriten ekstremizmat dhe nuk na intereson më e ardhmja e fëmijëve tanë pas 10 vitesh,” tha Gjini.

  • 35 zyrtarë të Policisë së Kosovës certifikohen nga FBI dhe DOJ/ICITAP

    35 zyrtarë të Policisë së Kosovës certifikohen nga FBI dhe DOJ/ICITAP

    Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në koordinim me programin DOJ/ICITAP të Ambasadës Amerikane, zhvilloi dhe ofroi me sukses dy kurse trajnimi të përshtatura dhe specializuara – Inteligjenca për Praktikuesit dhe Teoria dhe Zbatimi i Inteligjencës për Mbikëqyrësit e Zbatimit të Ligjit – për Policinë e Kosovës.

    Kurset e njëkohshme përfunduan me një ceremoni zyrtare gjatë së cilës 35 punonjësve të Policisë së Kosovës iu dhanë certifikata, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në kapacitetet profesionale në inteligjencën dhe analizën e zbatimit të ligjit.

    Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Drejtori i Departamentit për Inteligjencë dhe Analizë, Gëzim Dibrani, Atasheu i DOJ-ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Znj. Kimberly Riffe; instruktorë të FBI-së dhe një analist që punon krah për krah me agjencinë, zyrtarë të lartë nga Departamenti i Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës dhe këshilltarë dhe staf të ICITAP-it.

    Trajnimi paraqiti një kurrikulë gjithëpërfshirëse të përshtatur si për praktikuesit ashtu edhe për personelin mbikëqyrës, duke u përqendruar në metodologjitë bashkëkohore të inteligjencës, teknikat analitike, përpunimin e informacionit dhe analizën strategjike.

    Përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me ekspertët e FBI-së, pjesëmarrësit forcuan kompetencat e tyre operacionale dhe rritën standardet profesionale në praktikat e inteligjencës dhe zbatimit të ligjit.Ky program u vlerësua gjerësisht për rëndësinë, zbatimin praktik dhe qasjen moderne mësimore, duke shërbyer si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin institucional.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj rritjes së vazhdueshme profesionale të personelit të saj përmes trajnimeve të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërkombëtar.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për programin DOJ/ICITAP dhe Atasheun e Zbatimit të Ligjit të FBI-së, Brendan Collins, për kontributin e tyre në profesionalizmin dhe zhvillimin e aftësive në Policinë e Kosovës.

  • GLPS: Partitë politike të mos kandidojnë persona me aktakuza dhe probleme me ligjin

    GLPS: Partitë politike të mos kandidojnë persona me aktakuza dhe probleme me ligjin

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje që partitë politike të mos përfshijnë kandidatë me probleme me ligjin në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke theksuar se integriteti i deputetëve ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë e Kuvendit dhe të procesit zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

    Menaxheri i projekteve në GLPS, Liridon Salihi, tha për EO se subjektet politike duhet të sigurohen që kandidatët për deputetë të mos kenë aktakuza aktive apo probleme me integritetin personal.

    “Si GLPS vlerësojmë faktin se secila prej partive politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet e shkurtit duhet ta kenë parasysh faktin që në listat e tyre zgjedhore duhet të përfshihen kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin. Pra, duke qenë se të gjitha këto parti politike thirren në aspektin e sundimit të ligjit dhe në integritetin institucional, është e rëndësishme që në listat zgjedhore për këto zgjedhje të mos përmbajnë ose të mos kenë kandidatë të cilët njëkohësisht kanë probleme me ligjin dhe njëkohësisht zgjidhen si përfaqësues të popullit brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, ajo çfarë është e rëndësishme është që për t’u garantuar një proces me integritet, një proces zgjedhor me integritet dhe për t’u garantuar që kemi një Kuvend i cili përmban brenda vetes deputetë me integritet, është e rëndësishme që në këto lista zgjedhore të cilat do t’i bëjnë partitë politike të mos përfshihen persona të cilët kanë ndalesë ligjore që parashihet me ligjin për zgjedhjet, ose edhe që kanë ndonjë aktakuzë të ngritur, ose që kanë probleme me integritetin e tyre personal. Pra, të gjitha këto janë elemente të cilat pastaj edhe e determinojnë edhe çështjen e integritetit të komplet procesit zgjedhor në vendin tonë”, tha ai.

    Ai ka kujtuar se në legjislaturat e kaluara ka pasur deputetë me probleme ligjore, gjë që sipas tij ka dëmtuar imazhin e Kuvendit.

    “Fatkeqësisht në shumicën e legjislaturave, mos të them në të gjitha legjislaturat e kaluara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kemi pasur deputetë të zgjedhur të cilët njëkohësisht kanë pasur edhe probleme me ligjin, pra kanë pasur aktakuza aktive ose kanë qenë edhe të dënuar për vepra penale. E rrjedhimisht thamë kjo e cenon edhe vetë integritetin e procesit zgjedhor por edhe paraqet një pasqyrë jo të mirë për vetë Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke qenë se aty miratohen ligjet të cilat kanë të bëjnë edhe me sundimin e ligjit, me integritetin institucional e po ashtu edhe me luftimin e korrupsionit, nuk mund të jetë pozitive nëse një person i cili ka probleme vetë me ligjin të jetë edhe përfaqësues ose të jetë pjesë e legjislativit. Pra edhe në të kaluarën GLPS ka bërë thirrje që në listat zgjedhore të mos kemi kandidatë që kanë probleme me ligjin, por fatkeqësisht ka ndodhur që në legjislaturat e kaluara të kemi deputetë që një kohë e kanë kaluar në Kuvend ndërsa një periudhë tjetër e kanë kaluar edhe nëpër gjykata, përkatësisht nëpër procese gjyqësore kur kanë qenë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë këtu edhe për korrupsion”, tha ai.

    Salihi ka shtuar se partitë duhet të vendosin filtra të qartë për integritetin e kandidatëve para dorëzimit të listave në KQZ.

    “Pra është e rëndësishme që secili kandidat, edhe secili deputet që zgjidhet në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është që i njëjti t’i plotësojë kriteret e integritetit profesional dhe personal, po ashtu edhe që të jetë i pastër sa i përket aspektit penal në raport me të. Pra që të mos ketë ndonjë aktakuzë të ngritur për të, aq më tepër që të mos ketë ndonjë gjykim që është duke vazhduar. Kjo duhet të bëhet edhe për faktin se këta deputetë nëse zgjidhen në legjislaturën e 11-të pastaj çështja që mund të ekzistojë mundësia që pastaj ata të ndikojnë edhe në vendime gjyqësore, që e dimë njëra nga gjetjet e GLPS-së në raportet që ne kemi monitoruar sidomos të rasteve të korrupsionit, ka qenë që në përgjithësi gjykatat i kanë amnistuar personat që kanë pasur një background publik ose që kanë qenë zyrtarë të lartë, përfshirë këtu edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj që me qëllim që të evitohen të gjitha këto rrethana, është mirë që vetë partitë politike fillimisht ta bëjnë këtë filtër që kandidatët e tyre të mos kenë të kaluar kriminale ose të mos kenë probleme me ligjin, e rrjedhimisht pastaj edhe deputetët që zgjidhen nga këto parti edhe që janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë deputetë me integritet të plotë dhe pa probleme me ligjin”, tha ai.

    Ai kritikoi edhe partitë që, sipas tij, flasin për luftim të korrupsionit ndërkohë që kandidojnë persona me probleme me ligjin.

    “Njëra prej mesazheve që jepet te publiku është çështja që qysh mundet me u thirrë partitë politike në luftimin e korrupsionit, në sundimin e ligjit kur brenda tyre, brenda deputetëve ose grupeve parlamentare të tyre kanë deputetë të cilët kanë probleme me ligjin ose që edhe akuzohen për vepra penale që lidhen edhe me korrupsionin. Pra, ajo çka proklamohet në aspektin e luftimit të dukurive negative siç është korrupsioni dhe vepra të tjera penale, përkthehet në atë që vetë këto parti politike i japin hapësirë këtyre kandidatëve, këtyre deputetëve që të jenë pjesë edhe e Kuvendit por edhe grupeve parlamentare që ato përfaqësojnë brenda legjislativit”, tha ai.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor 2026, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin/en e ri brenda afateve kushtetuese.

    Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përfundon më 12 maj 2026.

  • Dërguti zbulon pse u rikthye në politikë: Thirrja e Kurtit që të mos votohet opozita, kërcënim për demokracinë

    Dërguti zbulon pse u rikthye në politikë: Thirrja e Kurtit që të mos votohet opozita, kërcënim për demokracinë

    Aida Dërguti iu kthye politikës duke lënë pas periudhën si analiste.

    Ajo sot rrëfeu se çka e bindi të kthehej në politikë pas nëntë vjetësh.

    “Në qershor bëhen nëntë vjet prejse kur kam marrë pjesë në zgjedhje për herë të fundit”, ka thënë Dërguti në Kosova Today.

    “Personalisht, kam mëndu që e kam mbyllë këtë kapitull. Në vazhdimësi kam pasur oferta dhe kur kam qenë jashtë angazhimit politik, natyrshëm kam votuar për krahun e luftës, edhe në këtë rast për PDK-në, dhe mendoj që edhe në cilësinë e analistes nuk është mëkat të votohet”.

    “Arsyeja se pse kam vendosur të hyj në këtë garë, për mua ka qenë alarm për demokracinë fjalimi i kryeministrit në ditën e fundit të Kuvendit kur bëri thirrje që të mos votohet opozita”.

    “Thirrja e kryeministrit atë ditë për mua ishte një kërcënim serioz për demokracinë”.

  • Osmani ia merr Vetëvendosjes deputeten Albena Reshitaj për zgjedhjet e 7 qershorit

    Osmani ia merr Vetëvendosjes deputeten Albena Reshitaj për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ish-ministrja dhe deputetja në 4 mandate, Albena Reshitaj, do t’i bashkohet listës së saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Osmani e ka cilësuar Reshitajn si një bashkëpunëtore të kahmotshme, duke vlerësuar rolin e saj në momente të rëndësishme politike në vend.

    “Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës Serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë”, ka shkruar Osmani.

  • ​Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?

    ​Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?

    Javën e kaluar është prezantuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, raporti i ekspertëve britanikë lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ky raport preliminar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, ka ngritur shqetësime lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

    Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë KosovaPress-it, se ky raport “ka kontribut të rëndësishëm për të siguruar respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare për proces të rregullt dhe të drejtë”.

    Në këtë përgjigje, po ashtu nënvizohen edhe pritjet e këtij institucioni pas gjetjeve në raport.

    “Pritjet tona janë që gjetjet dhe vlerësimet e paraqitura të shërbejnë si një bazë e dobishme për reflektim të mëtejmë dhe për një dialog konstruktiv ndërmjet të gjithë akterëve përkatës, me qëllim avancimin e mëtejshëm të praktikave dhe garancive procedurale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sa i përket efektit të raportit, mbetet e rëndësishme që ai të trajtohet me vëmendjen e duhur dhe në frymën e bashkëpunimit institucional. Duke pasur parasysh natyrën e tij të pavarur dhe profesionale, konsiderojmë se raporti ka potencialin të kontribuojë pozitivisht në forcimin e standardeve të drejtësisë dhe në rritjen e besimit në proceset gjyqësore”, thuhet në këtë përgjigje të Institucionit të Avokatit të Popullit.

    Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep thotë se ky raport nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje apo funksionim.

    Ajo në një përgjigje për KP thekson se “Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur” dhe se “raporti nuk do të ketë asnjë ndikim në punën e Speciales”.

    “Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të sqaruar se, ndryshe nga raportimet e fundit në mediat e Kosovës, Raporti i BHRC-së nuk përmban asnjë konstatim se ndonjë vendim i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të ndonjë të akuzuari, dhe as nuk përfundon se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo të ndonjë tribunali ndërkombëtar ad hoc, përfshirë ICTY-në. Raporti i BHRC-së po ashtu nuk konstaton se vendimet mbi paraburgimin kanë shkelur ndonjë konventë për të drejtat e njeriut. Përkundrazi, Raporti i BHRC-së reflekton mbi mundësinë efektive të mjeteve juridike para KSC-së dhe faktin se shumë çështje janë ende në proces gjyqësor dhe mund të apelohen në instanca më të larta”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Dhomave.

    Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp thotë se raporti ngre shumë çështje ligjore, por flet edhe për rëndësinë e transparencës gjatë procesit gjyqësor.

    “Vlera më e madhe është se ky raport tregon rëndësinë e transparencës ndaj institucioneve ligjore si kjo gjykatë, ose çdo gjykate tjetër. Ato mund të ndiqen, analizohen, kritikohen gjatë funksionimit të tyre. Ajo që thuhet për funksionimin e gjykatës, jo vetëm në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, por edhe në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, është se këto organizata thjesht bëjnë monitorim dhe raportim. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e sundimit të ligjit, që organizata të tilla ekzistojnë dhe ndihmojnë në përfshirjen e publikut më të gjerë, jo vetëm juristëve, në debat dhe diskutim. Megjithatë, ato nuk janë palë në proces dhe ajo që thonë nuk merret si pjesë e procedurës gjyqësore. Në fund të fundit, një proces penal ka të bëjë vetëm me palët që kanë të drejtë të paraqiten në gjykim: prokuroria, mbrojtja dhe ndonjëherë palë të treta, si shteti kur kërkon të mbrojë interesat e tij. OJQ-të zakonisht nuk janë palë në proces. Ato mund të thirren si dëshmitarë ekspertë ose të dorëzojnë raporte, por jo më shumë se kaq. Në këtë rast, kjo nuk ka ndodhur. Kjo OJQ ka vendosur, si në raste të tjera, të analizojë funksionimin e gjykatës dhe punën e saj në lidhje me krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së në periudhën 1998–1999”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Sipas saj, ky raport, nuk mund të jetë pjesë e procedurës sepse rasti është i mbyllur dhe gjyqtarët do të vendosin vetëm mbi bazën e provave të paraqitura nga dy palët gjatë procesit.

    Shqetësim i madh gjatë këtij procesi është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

    Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

    “Kur bëhet fjalë për drejtësinë e procesit dhe pretendimet për paragjykim ndaj të akuzuarve, një nga çështjet lidhet me provat. Aty thuhet se mënyra se si prokuroria ka paraqitur një sasi shumë të madhe provash, një numër i madh dokumentesh dhe prova dokumentare, si dhe mënyra se si gjyqtarët i kanë pranuar ato si prova për t’u marrë parasysh në vendim, nuk është domosdoshmërisht mënyra se si duhet të bëhet. Sepse çdo provë duhet të paraqitet nga prokuroria duke shpjeguar qartë rëndësinë dhe lidhjen e saj me akuzat penale dhe me aktakuzën. Ata ngritin pyetjen: si mund të kalojnë gjyqtarët nëpër një sasi kaq të madhe dokumentesh dhe të përcaktojnë rëndësinë e provave për elementet e veprës penale, qoftë për krimet e kryera apo për qëllimin kriminal? Sipas tyre, kjo nuk mund të jetë e saktë, sepse akuzat janë shumë serioze për t’u trajtuar thjesht duke dorëzuar ‘ngarkesa të mëdha dokumentesh’ gjyqtarëve, pa që prokuroria të shpjegojë dokument për dokument relevancën e tyre. Prandaj mendoj se është një çështje shumë e drejtë që kanë ngritur”, thotë më tej Tromp.

    Një raport të tillë si të ekspertëve britanikë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kishte kërkuar në shumë se në një takim me partitë opozitare.

    “Tek të gjitha partitë politike opozitare që janë parlamentare kemi kërkuar, njëra prej arsyeve kur jemi takuar me ta, kam kërkuar votën e deputetëve të tyre për kontraktimin e një instituti të pavarur ndërkombëtar që shkon dhe e monitoron procesin në Gjykatën Speciale atje. Prandaj ne e vlerësojmë lartë gatishmërinë e partive politike opozitare parlamentare që na kanë dhënë neve mbështetjen që kurdo që kjo ide vjen në kuvend, ne jemi të gatshëm të japim votën tonë. Mund të them lirisht që të gjithë deputetët opozitarë kanë qenë të gatshëm që të japin votën që kuvendi si institucioni më i lartë në vendin tonë të mund të kontraktojë një institut sepse tek e fundit edhe vet Gjykata Speciale buron nga kuvendi. Por, nuk ka pasur vullnet qeveritar që qeveria të iniciojë sepse Ministria e Drejtësisë do të ishte dashur të iniciojë diçka të tillë dhe të vij dhe të marrë aprovimin edhe në kuvend”, thekson nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.

    Syla shton se raporte të tilla në shumë raste në botë kanë parandaluar gjykim të njëanshëm dhe politik.

    “Prandaj, kur ka shkuar ky institut [Trial Ëatch] dhe ka trajtuar çështje të procesit dhe i ka nxjerrë dështimet që i ka pasur procesi gjyqësor atje, këto dështime kur janë dalë në sipërfaqe besoni ose jo kemi raste edhe një gazetari edhe shumë raste të tjera që ata janë liruar se bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar që atje po ndodhë një gjykim politik, apo një gjykim i njëanashëm dhe prandaj besoni që ka ndikuar edhe deri në lirimin e atyre personaliteteve që janë arrestuar e janë provuar të gjykohen për arsye të atij pushteti që ka udhëhequr në atë pushtet, shteteve të cilët nuk janë demokratike që kanë provuar të arrestojnë gazetarë, qofshin edhe politikanë të ndryshëm që janë marrë me të drejtat e njeriut, i kanë arrestuar. Edhe ndikimi i atyre instituteve që janë të pavarura në gjykime ndërkombëtare, ka pasur ndikim aq të madh që ka përfunduar edhe me lirimin e atyre personave për të cilët u menduar që ai pushteti do i mbajë paligjshëm”, ka thënë ai.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • AKK: Komunave iu morën mbi 55 milionë euro, rrezikohen investimet kapitale

    AKK: Komunave iu morën mbi 55 milionë euro, rrezikohen investimet kapitale

    Komunat e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha financiare, pasi vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti u janë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore, kryesisht që lidhen me kontratën kolektive.

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online se shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të dedikuara për investime kapitale, duke paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

    “Edhe këtë vit si viteve të kaluara komunat janë duke u sfiduar jashtëzakonisht nga aspekti financiar. Edhe këtë vit deri në këto katër muaj të parë të këtij viti komunave iu kanë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore ku shumica e këtyre vendimeve kanë të bëjnë me kontratën kolektive. Nga këto 55 milionë euro shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të cilat kanë qenë të dedikuara për investime kapitale. Domethënë shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhetet komunale nuk do të mund të zbatohen dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ketë impakt negativ në jetën e qytetarëve. Nëse qeveria gjatë rishikimit të buxhetit për këtë vit, domethënë kurdo që kjo do të kemi këtë qeveri gjatë këtij viti pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet ta ketë si prioritet zgjidhjen e këtij problemi”, tha ai.

    Ibrahimi tha se AKK-ja ka tentuar ta zgjidhë çështjen përmes dialogut me nivelin qendror, por sipas tij deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.

    “Ne si asociacion jemi munduar përmes dialogut me nivelin qendror ta zgjidhim këtë problem, mirëpo deri më tani nuk ka pas asnjë rezultat sa i përket nivelit qendror karshi këtij problemi dhe qasja e nivelit qendror për ta zgjidhur këtë problem nuk ka qenë e drejtë. Domethënë komunat janë duke vazhduar të dëmtohen jashtëzakonisht shumë për shkak të kontratave kolektive dhe zgjidhje ende nuk ka. Në anën tjetër edhe gjykatat tona nuk po janë efikase sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se mbi 26 komuna kanë ushtruar padi ndaj nivelit qendror për kthimin e mjeteve të marra nga buxhetet komunale.

    “Para disa viteve mbi 26 komuna të Republikës së Kosovës kanë ushtruar padi ndaj nivelit qendror për marrjen e padrejtë të këtyre mjeteve financiare nga buxhetet komunale dhe në ato padi komunat kërkojnë rimbursimin e mjeteve dhe ata nuk lypin shkakun e problemit por zgjidhjen e problemit sepse po dëmtohen komunat e Republikës së Kosovës dhe ka që disa vite këto kërkesat e komunave të cilat ne i konsiderojmë që janë të ligjshme nuk janë duke u zgjidhur nga gjykatat tona në Republikën e Kosovës dhe gjithashtu bëjmë apel që kjo çështje të merret me prioritet nga gjykatat tona”, tha ai.

    Sipas tij, gjykatat kanë qenë më efikase në trajtimin e padive të mësimdhënësve sesa në rastet e komunave.

    “Ne po e themi këtë sepse kur po vjen puna deri te paditë e ngritura nga mësimdhënësit, gjykatat tona po janë shumë efikase mirëpo ka që disa vite që kërkesat e komunave nuk është duke i dëgjuar askush edhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe kërkojmë angazhim maksimal nga gjykatat tona që ta zgjidhin, që t’i japin verdikt final këtij problemi sepse komunat janë duke u dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga marrja e padrejtë e mjeteve financiare për shkak kontratave kolektive. Edhe një herë po e ritheksojmë: asociacioni dhe kryetarët e komunave nuk janë kundër kontratave kolektive por janë kundër marrjes së mjeteve në mënyrë të padrejtë nga përmbaruesit, nga vendimeve e gjykatave tona që shkojnë normal në favor të mësimdhënësve”, tha ai.

    Ibrahimi ngriti shqetësim edhe për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shtesat për përvojën e punës, duke thënë se barra financiare po u bartet komunave.

    “Problemi i dytë i cili këtë vit do të jetë për komunat nga aspekti financiar është që niveli qendror nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket shtesave për përvojën e punës dhe neve vitin e kaluar kemi pas një lloj dakordance me sindikatën e pavarur të administratës publike që zyrtarët publikë mos të fillojnë me ushtrimin e padive sepse do t’i merren komunave përsëri paratë, edhe pse komunat nuk janë fajtore këtu sepse niveli qendror nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë vit shumë zyrtarë publikë edhe në nivelin lokal kanë filluar të ushtrojnë padi dhe normal që për fajin e nivelit qendror komunat do të dëmtohen nga këto veprime”, tha ai.

    Ai sqaroi se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të gjithë zyrtarët publikë të përfitojnë shtesë prej 0.5 për qind për përvojën e punës, por sipas tij kjo nuk është reflektuar në buxhetet qendrore.

    “Ligji për pagat në ligjin aktual thotë se për zyrtarë publikë të cilët kanë më pak se 15 vjet përvojë pune masa e shtesës të jetë në 0.25%, kurse për ata që kanë përvojë më shumë se 15 vjet masa e shtesës të jetë 0.5%. Mirëpo Gjykata Kushtetuese ka thënë që të gjithë zyrtarët publikë masa e shtesës për përvojë të punës duhet të jetë 0.5% dhe këtë nuk e ka zbatuar niveli qendror dhe për vitin 2023, 2024 dhe 2025 niveli qendror nuk e ka paraparë në buxhetin e tyre këtë masë shtese për përvojën e punës dhe tani zyrtarët publikë kanë bërë veprime juridike ku përsëri komunat rrezikohen që mjetet financiare t’iu merren padrejtësisht”, tha ai.

    Ai kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se nuk ka paraparë mjete për mbulimin e kostove të punëtorëve teknikë të angazhuar gjatë procesit zgjedhor.

    Sipas tij, të gjitha këto veprime po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e investimeve kapitale dhe në dëmtimin e qytetarëve të Kosovës.

    “Pra e para kontrata kolektive, e dyta moszbatim i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës dhe tani kemi edhe problemin tjetër i cili ka lindur për shkak të KQZ-së sepse KQZ-ja edhe në zgjedhjet e kaluara por edhe në këto zgjedhje nuk ka paraparë mjete financiare për mbulimin e kostos për punëtorë të cilët do të angazhohen në ditët e zgjedhjeve, punëtorë teknikë nëpër institucionet të cilat menaxhohen nga komunat e Republikës së Kosovës dhe të cilët merren me parapërgatitjet teknike për procesin zgjedhor. Domethënë këtë kosto KQZ-ja po mendon t’ia bartë komunave padrejtësisht. Pra KQZ-ja është institucioni i cili ka legjitimitet të plotë për organizimin e zgjedhjeve. Edhe në këtë rast kostoja financiare për punëtorë teknikë të cilët angazhohen gjatë ditëve të zgjedhjeve duhet të mbulohet apo të merret nga KQZ-ja e jo nga komunat. Domethënë këto veprime nga institucionet qendrore po e dëmtojnë jashtëzakonisht rëndë buxhetin e nivelit lokal dhe për shkak të këtyre veprimeve buxhetet komunale po zvogëlohen jashtëzakonisht shumë por edhe nuk ka mundësi të ketë investime kapitale nëpër komunat tona. Pra në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetari i Republikës së Kosovës do të dëmtohet”, tha ai./EO/