ATV

Author: K.B.

  • Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha

    Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha

    Këngëtarja nga Afrika e Jugut, Tyla, ka reaguar pas Met Gala-s duke mohuar spekulimet për një përplasje me Rihannan, të cilat nisën pas një videoje që u bë virale nga eventi.

    Ajo publikoi një video në TikTok, ku sqaroi se mes saj dhe Rihannas nuk ka asnjë konflikt.

    Tyla tregoi se e kishte takuar Rihannan edhe vitin e kaluar dhe se ajo ishte shumë e sjellshme, por takimi kishte qenë i shkurtër sepse Rihanna ishte e zënë.

    Sipas saj, ajo iu afrua dhe e përshëndeti, ndërsa Rihanna iu përgjigj duke thënë se “po e thërriste babai i fëmijës së saj”, dhe më pas u largua.

    Për këtë arsye, Tyla shpjegoi se këtë vit në Met Gala hezitoi t’i afrohej sërish, sepse nuk donte ta ndërpriste dhe vendosi të priste një moment më të qetë për bisedë.

    Videoja që nxiti komentet tregon Tylan teksa qëndron anash, sikur pret që Rihanna ta vërejë, ndërkohë që Rihanna është përpara kamerave dhe i afrohet partneri i saj, ASAP Rocky.

    Në pamje duket sikur Rihanna hedh një vështrim drejt Tylas dhe më pas e kthen vëmendjen te partneri, gjë që në rrjete sociale u interpretua si “injorim”.

    Tyla theksoi se distanca e saj nuk ishte shenjë e marrëdhënieve të këqija, por respekt dhe një ndjenjë sikleti në një situatë me shumë presion.

  • Hani i Elezit pranon dy automjete pune në kuadër të një projekti të financuar nga BE

    Hani i Elezit pranon dy automjete pune në kuadër të një projekti të financuar nga BE

    Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka njoftuar se komuna ka pranuar dy automjete pune në kuadër të projektit “A Smart System for Early Floods Detection and Waste”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA III.

    Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, automjetet do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve komunale në menaxhimin e mjedisit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

    “Komuna e Hanit të Elezit ka pranuar dy automjete pune, të cilat do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve tona në menaxhimin e mjedisit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në postimin e tij.

    Kryetari bëri të ditur se automjeti i parë, një veturë pune Isuzu BTF, do të mbetet në shfrytëzim të komunës për nevojat dhe aktivitetet komunale në kuadër të projektit.

    Ndërkaq, automjeti i dytë, një furgon Opel Movano, sipas tij, i është dhuruar Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi”, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar sot me drejtorin ekzekutiv të ndërmarrjes, Hiriman Kuka, me qëllim rritjen e kapaciteteve operative dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

    Po ashtu, kryetari ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se projekte të tilla kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin më efikas të mbeturinave dhe zhvillimin e shërbimeve publike në Han të Elezit.

  • ChatGPT është “më i zgjuar dhe më i saktë” pas përditësimit të ri

    ChatGPT është “më i zgjuar dhe më i saktë” pas përditësimit të ri

    Versioni standard i ChatGPT është përditësuar në GPT-5.5 Instant, një model që sjell përmirësime në saktësi dhe reduktim të “halucinacioneve” (gabimeve të pavërteta), veçanërisht në fusha si mjekësia, ligji dhe financat, ka njoftuar OpenAI.

    GPT-5.5 Instant është më i aftë për detyra si analiza e imazheve, përgjigjja në pyetje STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe vendosja kur duhet përdorur kërkimi në internet për të dhënë përgjigje më të mira.

    Po ashtu, përgjigjet mund të personalizohen më shumë, pasi modeli mund të përdorë më mirë kontekstin nga bisedat e mëparshme, dokumentet dhe Gmail-i, por kjo veçori aktualisht është e kufizuar për përdoruesit me pagesë.

    OpenAI thotë se përgjigjet tani janë më të shkurtra dhe më të qarta, pa humbur përmbajtjen thelbësore, dhe pa e ndryshuar “personalitetin” e ChatGPT. Modeli jep informacionin njësoj, por me më pak formatime të panevojshme, më pak emoji dhe pa pyetje shtesë të tepërta.

    Të gjithë modelet e ChatGPT po përditësohen gjithashtu me funksionin e “kujtesës”, që i lejon sistemit të shfaqë biseda të mëparshme, dokumente dhe kontekst tjetër që është përdorur për krijimin e përgjigjeve.

    GPT-5.5 Instant po shpërndahet për të gjithë përdoruesit dhe po zëvendëson GPT-5.3 Instant si modeli standard. Ndërsa përdoruesit falas mund ta përdorin këtë version, funksionet e reja të personalizimit janë të kufizuara për abonentët Plus dhe Pro në web.

    OpenAI shton se personalizimi do të zgjerohet edhe në pajisjet mobile dhe në javët në vijim do të jetë i disponueshëm edhe për përdoruesit Free, Go, Business dhe Enterprise.

    Ende nuk dihet kur integrimi i ChatGPT në Apple Intelligence do të kalojë në GPT-5.5 Instant.

  • Nëse kaloni mbi këtë urë, mund të shihni katër shtete njëkohësisht

    Nëse kaloni mbi këtë urë, mund të shihni katër shtete njëkohësisht

    Ka disa ura mjaft mbresëlënëse në të gjithë botën.

    Por ka një që mund të jetë më mbresëlënëse nga të gjitha, pasi u lejon vizitorëve të shohin katër vende njëherësh.

    Ura Kazungula mund të mos jetë struktura më e bukur e projektuar në botë, por pozicionimi i saj mbi lumin Zambezi, e bën një nga më interesantet.

    Ura është 923 m e gjatë dhe 18.5 m e gjerë.

    Megjithatë, ajo që e bën të veçantë është se, ndërsa lidh Zambian dhe Botsvanën, ka dy vende të tjera në të dyja anët, Namibinë dhe Zimbabven.

    Ura u projektua për të akomoduar kalime kufitare komplekse midis dy vendeve, ndërkohë që është shumë pranë dy vendeve të tjera.

    Kjo do të thotë që ata që përdorin urën mund të shohin njëkohësisht Botsvanën, Namibinë, Zambian dhe Zimbabven.

    Hartat tregojnë se kjo zonë është pika e vetme katërkëndëshe në botë, që do të thotë se është vendi i vetëm ku takohen katër vende.

    Kjo njihet si pika katërkëndëshe Kazungula, ku Botsvana, Namibia, Zambia dhe Zimbabve takohen të gjitha në mes të lumit Zambezi.

  • Ambasada e SHBA’së në Tiranë paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e PD’së: Situata mund të ndryshojë shpejt

    Ambasada e SHBA’së në Tiranë paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e PD’së: Situata mund të ndryshojë shpejt

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë publik një njoftim drejtuar shtetasve amerikanë, ku u këshillon që të tregohen të kujdesshëm gjatë protestës së sotme të opozitës.

    “Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

    Qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet. Po ashtu, bëhet e ditur se stafi i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën ku do të zhvillohet protesta.

    Në njoftim saktësohet se tubimi është planifikuar të fillojë në orën 19:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, në afërsi të godinës së Kryeministrisë.

    Ambasada paralajmëron se protesta mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, teksa priten masa të shtuara të policisë, bllokime të mundshme rrugësh dhe kufizime të qarkullimit si para nisjes së saj ashtu edhe gjatë zhvillimit të tubimit.

    “Shmangni zonat e protestës, jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, ndiqni mediat lokale për përditësime, te keni një plan emergjence ose rrugë alternative largimi dhe të ruajnë një profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik”, njofton ambasada./TCh/

  • Diploma dhe dëftesa të falsifikuara, arrestohet një person në Ferizaj

    Diploma dhe dëftesa të falsifikuara, arrestohet një person në Ferizaj

    Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për posedim të dokumenteve të falsifikuara.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 7 maj 2026 rreth orës 11:00, ku gjatë një kontrolli janë gjetur diploma të falsifikuara, dëftesa, si dhe një libër protokolli.

    I dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar dhe intervistuar nga organet kompetente. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

  • Dy punëtorë shëndetësorë sulmohen nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së

    Dy punëtorë shëndetësorë sulmohen nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së

    Dy punëtorë shëndetësorë janë sulmuar sot në orët e mëngjesit në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

    Sipas tij, të dy janë në gjendje të mirë pas trajtimit që kanë marë dhe janë në shtëpitë e tyre.

    “Dy punëtorë shëndetësorë janë sulmuar sot nga qentë endacakë. Njëri është doktor në Klinikën e Pediatrisë dhe tjera është punëtore shëndetësore në Klinikën e Ortopedisë. Gjendja e tyre është stabile dhe janë lëshuar për në shtëpi”, ka thënë Syla.

  • Komisioni Europian: Kosova rrezikon të humbasë dhjetëra milionë euro nëse vonohen reformat deri më 30 qershor

    Komisioni Europian: Kosova rrezikon të humbasë dhjetëra milionë euro nëse vonohen reformat deri më 30 qershor

    Nëse deri më 30 qershor 2026 Kosova nuk e zbaton Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, rrezikon të humbasë fonde me vlerë dhjetëra milionëshe të parapara nga Bashkimi Europian.

    Aktualisht, vendi nuk ka Kuvend funksional, ndërsa ekziston mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe gjatë muajit qershor, apo edhe më tej.

    Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, dhe proceset pasuese – numërimi i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit – pritet të zgjasin përtej këtij afati.

    Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com, tha se Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave dhe nëse plotësohen kushtet e përgjithshme dhe parakushtet për pagesë.

    Institucioni, shtoi se pas ratifikimit të vonuar të Marrëveshjes për Instrumentin dhe Marrëveshjes së Huasë, Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e fondeve që lidhen me hapat reformues, afatet e të cilëve po afrohen.

    Në përgjigje, rikujtuan se afati i ardhshëm i raportimit do të jetë më 30 qershor 2026 dhe pas vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave – me kusht që të jenë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe parakushtet – mund të bëhet lëshimi i rregullt i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes.

    “Me përfundimin e periudhës së parë të tolerimit (grace period) më 30 qershor të këtij viti për 13 hapa reformues, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”- shkruan në përgjigje.

    Kur Komisioni Europian kishte nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën pas ratifikimit të marrëveshjevem, Qeveria kishte bërë me dije se në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

  • Haradinaj përkujton komandant Drinin dhe dëshmorët e 8 Majit: Sakrifica e tyre është themeli i lirisë së Kosovës

    Haradinaj përkujton komandant Drinin dhe dëshmorët e 8 Majit: Sakrifica e tyre është themeli i lirisë së Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha – Drini, si dhe dëshmorët e martirët e rënë në ngjarjet e 8 Majit gjatë luftës çlirimtare.

    Haradinaj e cilësoi Ekrem Rexhën – Drinin si një ndër figurat më emblematike të UÇK-së, duke vlerësuar rolin e tij si udhëheqës dhe vizionar në luftën për liri.

    “Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai theksoi se humbja e Rexhës kishte qenë një goditje e rëndë për vendin, familjen dhe bashkëluftëtarët e tij.

    Në të njëjtin reagim, Haradinaj kujtoi edhe sakrificën e banorëve të fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, të cilët, sipas tij, “u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot”.

    Kreu i AAK-së rikujtoi gjithashtu edhe Beteja e Llapushnikut, e zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj 1998, duke e cilësuar atë si një nga betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare.

    Sipas Haradinajt, kjo betejë shënoi një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e luftës frontale dhe ndërpreu një nga arteriet kryesore të furnizimit të forcave serbe.

    “Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës”, thuhet në postimin e tij.

    Haradinaj ka përkujtuar po ashtu edhe dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet themel i lirisë së Kosovës.

    “Gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë, dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!”, përfundon reagimi i Haradinajt.

  • Protesta e PD-së sot në Tiranë, mbi 1200 policë në terren

    Protesta e PD-së sot në Tiranë, mbi 1200 policë në terren

    Partia Demokratike organizon sot në orë 19:00 protestën e saj të radhës kombëtare, ku Policinë e Tiranës e ka njoftuar se do ta organizojë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”.

    Për të menaxhuar protestën, Policia bëhet me dije se do të angazhojë më shumë se 1200 efektivë policie, ndërsa i bën apel organizatorëve që të respektojnë vendin e përcaktuar dhe orarin e njoftuar.

    Për menaxhimin e protestës u hartua një plan i posaçëm masash, ku që prej mesnatës së të enjtes u kufizua qarkullimi në disa segmente rrugore, të cilat deri në përfundim të protestës do të jenë të paaksesueshme për automjetet.

    Ndalimi i parkimit apo edhe i qarkullimit pas orës 15:00 do të jetë në fuqi në gjithë perimetrin e bulevardit, ndaj dhe uniformat blu kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

    Për protestuesit, policia apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike./rtsh