ATV

Author: K.B.

  • Asamblistët e PDK-së në Vushtrri i kërkojnë kryetarit kthimin e Limajt

    Asamblistët e PDK-së në Vushtrri i kërkojnë kryetarit kthimin e Limajt

    Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal në Vushtrri kanë kërkuar zyrtarisht rikthimin e Fatmir Limajt.

    Në një letër drejtuar kreut të subjektit politik, Bedri Hamza dhe kryesisë së PDK-së, tetë të zgjedhurit nga qytetarët e Vushtrrisë janë shprehur të bindur se bashkimi me Limajn do t’i forconte.

    Kjo kërkesë të cilën e ka siguruar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, është dërguar sot në Partinë Demokratike, raporton Klankosova.tv

    Ky grup i asamblistëve konsideron se përfshirja e Limajt në listën e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, është domosdoshmëri politike dhe jo çështje individuale.

    Ndryshe, kryesia e kësaj partie, pritet të mblidhet sot, ku do të diskutojë rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor.

    Takimi do të nisë me fillim nga ora 16:00 dhe pritet të ngritet si çështje diskutimi edhe kthimi i Limajt, por nuk dihet nëse do të shqyrtohet kjo temë.

  • Nesër varroset Rifat Stojkaj, sekretari i AAK-së në Deçan

    Nesër varroset Rifat Stojkaj, sekretari i AAK-së në Deçan

    Nesër do të varroset Rifat Stojkaj, drejtori i Bujqësisë në komunën e Deçan.

    35-vjeçari vdiq pas një aksidenti të trafikut, duke lënë të pikëlluar përgjithmonë familjarët e tij.

    Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të mbahet të martën nga ora 17:00 në varrezat e Lloqan.

    Ndërsa komuna e Deçan do të organizojë mbledhje komemorative nga ora 15:00 në sallën e Kuvendit të Komunës.

  • Përgatitjet për zgjedhje: PDK mblidhet sot

    Përgatitjet për zgjedhje: PDK mblidhet sot

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme po afrohen, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës pritet të mblidhet sot për të diskutuar përgatitjet për to.

    Takimi është planifikuar të nisë në orën 16:00, dhe në të pritet të trajtohet edhe çështja e mundshme e rikthimit të Fatmir Limajt në këtë subjekt politik.

    Kthimi i “Çelikut” në Partinë Demokratike po konsiderohet ndër çështjet kryesore politike brenda PDK-së.

    Situata është nxitur pas një letre që Fatmir Limaj i ka dërguar kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza, të premten, ku ai ka kërkuar që të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë pa kushte.

    Kthimin e tij në këtë parti e kanë kërkuar edhe disa figura të njohura të këtij subjekti.

    Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku përmes një postimi sot në Facebook, tha se po të varej nga ai, Fatmir Limaj do të duhej të ishte pjesë e kësaj partie, megjithatë kjo, siç tha ai, pritet të vendoset në mbledhjen e kryesisë së këtij subjekti politik.

  • E tmerrshme: Nxënësit shkatërrojnë klasën në një shkollë në Bulqizë

    E tmerrshme: Nxënësit shkatërrojnë klasën në një shkollë në Bulqizë

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Asllan Keta” në Bulqizë, ku gjatë natës është shkatërruar klasa e katërt e kësaj shkolle.

    Ngjarja është konstatuar mëngjesin e sotëm, në momentin kur stafi pedagogjik dhe nxënësit janë paraqitur për të nisur procesin mësimor.

    Sipas burimeve të Top Channel pranë drejtorisë së shkollës, pamjet e para kanë qenë tronditëse. Bankat dhe karriget janë gjetur të dëmtuara, materialet mësimore të shpërndara në dysheme, ndërsa muret dhe pajisjet e klasës kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.

    Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, drejtoria ka njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet e para hetimore.

    Nga verifikimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, mësohet se në ambientet e shkollës janë futur disa fëmijë, aktualisht nxënës të kësaj shkolle.

    Ata dyshohet se kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës, duke shmangur hyrjen kryesore. Pamjet filmike janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe po analizohen për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësit konkretë.

    Ndërkohë, Policia ka shoqëruar disa nxënës dhe prindër të tyre për t’i marrë në pyetje lidhur me këtë akt vandalizmi.

    Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se po punohet për të kuptuar motivet e kësaj ngjarjeje, si dhe nëse kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në qytet. Jashtë kamerave, nxënës, prindër dhe banorë të zonës e kanë dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm që dëmton jo vetëm ambientet shkollore, por edhe vetë komunitetin.

    Ata kanë kërkuar më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga të rinjtë, si dhe forcim të masave të sigurisë në institucionet arsimore.

    Drejtoria e shkollës pritet të marrë masa për rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në klasën e dëmtuar, ndërsa hetimet e Policisë vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

  • Helen Fraser dëshmon në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Helen Fraser dëshmon në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, të hënën po dëgjohet dëshmitarja Helen Fraser.

    Fraser tha se është kërkuese në linguistikën forenzike dhe se aktualisht punon në Universitetin e Melbournit në Australi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitarja tha se në fushën e transkripteve forenzike punon tash e reth 23 vite.

    Me pyetje për dëshmitaren po vazhdon mbrojtësja e Thaçit, Sophie Menegon.

    Fraser konfirmoi se ajo ka shkruar raportin e 27 marsit 2026.

    Si eksperte, tha se ka dhënë akt-ekspertiza në çështje penale, veçanërisht në Australi. Tha se ka shkruar raporte për shumë vite, për rreth 100 çështje gjyqësore.

    Ajo shtoi se ka dhënë disa herë dëshmi në gjykatë, duke shtuar se konstatimet e saj janë marrë për bazë në gjykatat.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

  • Gjilan: Tejkaloi në vijë të plotë, policia gjobit shoferin me 200 euro, ia merr edhe lejën për tre muaj

    Gjilan: Tejkaloi në vijë të plotë, policia gjobit shoferin me 200 euro, ia merr edhe lejën për tre muaj

    Policia në Gjilan ka identifikuar dhe gjobitur një vozitës të automjetit Golf me targa vendore, i cili më 3 maj 2025 kishte kryer tejkalim të rrezikshëm në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Rasti u dokumentua përmes pamjeve video të dërguara nga qytetarët, ndërsa policia e gjobiti me 200 euro dhe dy pikë negative. Gjithashtu të njëjtit iu mor leja për tre muaj.

    Njoftimi:

    Identifikohet dhe gjobitet vozitësi për tejkalim të rrezikshëm në trafik

    Gjilan, 11 maj 2026

    Me datë 03.05.2025 vozitësi i automjetit Golf me targa vendore, në kundërshtim me ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor nr. 08/L-186, ka kryer një tejkalim të parregullt duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

    Veprimi i kundërligjshëm është dokumentuar edhe përmes pamjeve video të realizuara nga qytetarët, ku shihet momenti i tejkalimit të rrezikshëm në rrugë.

    Pas pranimit të pamjeve Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme operative, me ç’rast është arritur identifikimi i vozitësit ndaj të cilit është shqiptuar gjobë konform legjislacionit në fuqi.

  • “Mirë se erdhe Vjosë në shtëpi” – LDK del me mesazh për Osmanin

    “Mirë se erdhe Vjosë në shtëpi” – LDK del me mesazh për Osmanin

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar një mesazh politik ku theksohet rëndësia e unitetit dhe rikthimit te vlerat themelore të partisë, pas tubimit të djeshëm të bashkimit me Vjosa Osmanin.

    “Kjo është LDK-ja jonë. Kjo është shtëpia politike që na ka formuar të dyve. Shtëpia që na ka mësuar ta duam Kosovën para vetes. Shtëpia që, edhe në ditët më të vështira, nuk e humbi kurrë besimin tek Republika”, thuhet në njoftim.

    Mesazhi vijon me thirrje për bashkim të brendshëm dhe forcim të partisë.

    “Kjo shtëpi sot na thërret të dyve. Është koha t’i japim të gjitha kësaj shtëpie”, thuhet tutje.

    Duke e cilësuar momentin aktual si të rëndësishëm politik, në deklaratë theksohet edhe ideja e krijimit të një momentum të ri brenda subjektit.

    “Yjet politike na kanë sjellë sërish në një vend. Në të njëjtin vend që ndihemi të dy mirë! Le ta krijojmë këtë momentum në një lidhje që qëndron në kohë. Prandaj sonte, le ta kuptojmë se ky nuk është vetëm bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi. Prandaj, mirë se erdhe Vjosë në shtëpi!”, thuhet në njoftim.

  • Protesta e dhunshme e PD më 17 prill, Apeli liron 5 protestuesit që hodhën molotov

    Protesta e dhunshme e PD më 17 prill, Apeli liron 5 protestuesit që hodhën molotov

    Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të hënë, 11 maj, lirimin nga qelia të pesë mbështetësve të Sali Berishës, të arrestuar pas protestës së 17 prillit.

    Për ta është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa vendimi është dhënë nga gjyqtari Dritan Hasani.

    Kjo ishte hera e parë që Gjykata e Tiranës vendosi masën e burgimit për protestues të Partisë Demokratike, të cilët qëndruan 21 ditë në qeli për shkak të akteve të dhunës gjatë protestës së opozitës.

    Ata akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit”.

    Sipas policisë, në prokurori janë dorëzuar prova filmike që tregojnë protestuesit e maskuar gjatë marshimit pas Sali Berishës, të cilët kanë sulmuar me molotovë dhe mjete piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë dhe forcave të policisë.

  • Arrestohen influencuesit e TikTok-ut, shitnin mallra të falsifikuara me vlerë mbi 1.1 mln euro

    Arrestohen influencuesit e TikTok-ut, shitnin mallra të falsifikuara me vlerë mbi 1.1 mln euro

    Një grup krijuesish përmbajtjesh në TikTok u arrestuan për shitjen e mijërave rroba të falsifikuara.

    Më shumë se 1.2 milion euro veshje, përfshirë atlete dhe çorape që besohet se janë vjedhur, u gjetën në një magazinë në Rotherham, South Yorkshire.

    Oficerët gjithashtu ndërprenë një burrë që po bënte një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok për të promovuar mallrat e falsifikuara. Një total prej 26,489 artikujsh u sekuestruan në ambientet e tyre, duke mbushur katër kamionë 18 tonësh.

    Një hetim zbuloi se influencuesit po pretendonin në mënyrë të rreme se shisnin produkte origjinale në përgjigje të komenteve nga shikuesit e TikTok.

    Hetimi zbuloi gjithashtu “fletë mashtrimin për komisionet” të cilat u ofronin krijuesve të përmbajtjes paga më të larta për çdo artikull të falsifikuar që mund të shisnin.

    Një video në TikTok tregoi një nga influencuesit duke qëndruar pranë kutive me ato që ai pretendon se janë atlete Nike, duke shtuar se ai ka qenë në platformë për një periudhë nëntë mujore.

    Një klip tjetër tregon të njëjtin influencues duke promovuar “çorape të bardha Nike”.

    “Çdo gjë që shesim është autentike djem. Nuk do të ishim në gjendje të shisnim këtu nëse nuk do të ishte kështu”, përpiqet t’i sigurojë shikuesit një tjetër influencues.

    Blerësit janë paralajmëruar se rrobat e falsifikuara nuk ka gjasa të jenë të cilësisë së mirë dhe prodhohen nga punëtorë në kushte të këqija, shkruan Metro.

    Gjashtë persona u arrestuan me dyshimin për shpërndarje mallrash me markë tregtare të rreme, sipas Aktit të Markave Tregtare të vitit 1994, transmeton Klankosova.tv.

    Të gjithë janë liruar me kusht ndërsa hetimi vazhdon.

    Shërbimi i Policisë së Qytetit të Londrës, Jamie Kirk, tha: “Ky hetim tregon se si ka evoluar shitja e mallrave të falsifikuara, duke kaluar nga tezgat tradicionale të tregut në aplikacionet moderne dhe tregjet online. Në këtë rast, ndikuesit u përdorën për të promovuar dhe shitur produkte të falsifikuara për audienca të mëdha. Ky rast duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë kujtdo që shet mallra të falsifikuara në internet: është e paligjshme dhe ne do të ndërmarrim veprime”.

  • Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Ka nisur seanca në çështjen Thaçi dhe të tjerët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Rasti i gjykimit lidhet me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

    Në këtë rast, nën akuzë janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.

    Në seancë u bë e ditur se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po i përcjellin përmes videolidhjes.