ATV

Author: K.B.

  • Conan O’Brien do të prezantojë sërish Oscars 2027

    Conan O’Brien do të prezantojë sërish Oscars 2027

    Conan O’Brien do të rikthehet si prezantues i 99‑tës ceremoni të Oscars, e cila do të mbahet më 14 mars 2027 në Dolby Theatre në Los Angeles, kanë njoftuar drejtuesit e Akademisë së Filmit.

    Kjo do të jetë hera e tretë radhazi që O’Brien e moderon ceremoninë, pas reagimeve kryesisht pozitive që mori në dy edicionet e fundit.

    Në një nga monologët e tij këtë vit, ai bëri shaka duke thënë se kishte “nderin të ishte prezantuesi i fundit njerëzor i Oscars”.

    Bashkë me të rikthehen edhe producentët ekzekutivë Raj Kapoor dhe Katy Mullan, të cilët do të udhëheqin sërish.

    Kreu i Akademisë, Bill Kramer, dhe Lynette Howell Taylor e vlerësuan ekipin si të jashtëzakonshëm dhe thanë se presin që Conan ta udhëheqë mbrëmjen me humorin dhe energjinë e tij.

    Ceremonia ka shënuar rritje shikueshmërie vitet e fundit, përfshirë rreth 19.7 milionë shikues në vitin e parë të O’Brien si prezantues, kur filmi “Anora” dominoi çmimet.

    Këtë vit, megjithatë, pati rënie të shikueshmërisë kur “One Battle After Another” fitoi filmin më të mirë, edhe pse angazhimi në rrjete sociale u rrit me mbi 42 për qind.

    Oscars 2027 do të transmetohen live në ABC, ndërsa raportohet se nga 2029 ceremonia do të zhvendoset në YouTube dhe në një lokacion tjetër në qendër të Los Angelesit.

  • Deda kritikon partitë kryesore: Po i rikandidoni ata që kanë vjedhë vota, faj ka ky milet që duan me ia nxjerrë sytë njani-tjetrit për ju

    Deda kritikon partitë kryesore: Po i rikandidoni ata që kanë vjedhë vota, faj ka ky milet që duan me ia nxjerrë sytë njani-tjetrit për ju

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar partitë kryesore në vend, LVV, LDK dhe PDK se po i rikandidojnë personat të cilët kanë qenë të përfshirë në “vjedhje të votave”.

    Deda ka thënë se fajet i ka populli i Kosovës të cilët “duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit” për politikë.

    “PDK, LDK e LVV i rikandidojnë njerëzit që kanë manipulu me vota me 28 dhjetor.

    Aman mos flisni për shtet ligjor e drejtësi kur të kundërtën po e bëni ju vetë.

    Po s’keni faj ju, po ky milet që ju përcjellë e do me ja nxjerrë sytë njëri tjetrit për juve”, ka shkruar ai.

  • Pse po bien followersat? Instagram nis aksionin kundër llogarive fake

    Pse po bien followersat? Instagram nis aksionin kundër llogarive fake

    Miliona ndjekës janë zhdukur brenda pak orësh nga profilet e famshme në Instagram dhe rrjeti po zien nga reagimet. Shumë përdorues raportuan rënie të menjëhershme të numrit të followers, ndërsa platforma duket se ka nisur një “spastrim” masiv të llogarive false, joaktive dhe spam.

    Sipas raportimeve ndërkombëtare, Instagram ka ndërmarrë një operacion të gjerë për të eliminuar bot-et dhe profilet e dyshimta, duke prekur jo vetëm përdoruesit e zakonshëm, por edhe emra shumë të njohur të showbiz-it dhe sportit.

    Mes personazheve që kanë humbur miliona ndjekës përmenden Kylie Jenner, Cristiano Ronaldo, Taylor Swift dhe anëtaret e BLACKPINK. Raportohet se disa profile kanë humbur deri në disa milionë followers brenda një dite.

    Në rrjetet sociale, shumë përdorues thanë se panë rënie të menjëhershme edhe në profile personale apo faqe biznesi. Në Reddit, përdorues të shumtë raportuan se pothuajse të gjitha llogaritë e mëdha pësuan ulje të ngjashme në numrin e ndjekësve, duke e lidhur këtë me një pastrim global të profileve joautentike.

    Sipas mediave të huaja, një zëdhënës i Meta ka sqaruar se bëhet fjalë për proces rutinë të heqjes së llogarive joaktive dhe profileve që shkelin politikat e platformës.

    Ekspertët e rrjeteve sociale thonë se kjo lëvizje mund të ndikojë fort te influencerët dhe bizneset që janë mbështetur te ndjekësit e rremë për të rritur artificialisht popullaritetin e tyre. Ndërkohë, shumë përdorues e kanë cilësuar këtë si “pastrimi më i madh” që Instagram ka bërë vitet e fundit.

  • E rëndë në Shkodër, i riu hidhet nga pallati, humb jetën

    E rëndë në Shkodër, i riu hidhet nga pallati, humb jetën

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Shkodër, ku një i ri ka humbur jetën pasi dyshohet se është hedhur nga një pallat në lagjen Rus.

    Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Deri më tani nuk dihen shkaqet e ngjarjes, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

    Lapsi.al shkruan se i riu ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. Policia vijon hetimet dhe pritet të japë informacion zyrtar në vijim.

  • Kontrollohen mbi 5 mijë kamionë e autobusë, shqiptohen mbi 400 gjoba

    Kontrollohen mbi 5 mijë kamionë e autobusë, shqiptohen mbi 400 gjoba

    Policia e Kosovës ka thënë se ka përmbyllur me sukses javën e aktiviteteve operacionale në kuadër të rrjetit evropian të policive rrugore, ROADPOL, duke fokusuar kontrollet tek mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve.

    Në periudhën prej 4 deri më 10 maj 2026, njësitë e trafikut kanë shtuar prezencën në të gjitha akset rrugore të vendit me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

    Sipas njoftimit, gjatë kësaj jave janë realizuar gjithsej 834 pika kontrolli të mjeteve, ku janë ndaluar dhe verifikuar 5,344 kamionë dhe autobusë.

    “për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar 416 gjoba për kundërvajtje të ndryshme”, tha Policia në njoftim.

    “Ky plan operacional ka pasur për fokus specifik kontrollin e rreptë të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si kategori me rrezikshmëri të lartë në rastet e aksidenteve rrugore”, njoftoi Policia.

  • Këto janë katër partitë që ende nuk i kanë dorëzuar listat për zgjedhjet e 7 qershorit

    Këto janë katër partitë që ende nuk i kanë dorëzuar listat për zgjedhjet e 7 qershorit

    Katër subjekte politike ende nuk i kanë dorëzuar listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të parapara të mbahen më 7 qershor 2026.

    Sipas tabelës së publikuar me subjektet politike dhe numrin e kandidatëve, partitë që aktualisht figurojnë me shenjën “/”, që nënkupton se listat nuk janë dorëzuar ende, janë:

    YENİLİKÇİ TÜRK HAREKET PARTİSİ
    KOSOVSKI SAVEZ
    Partia Balliste – P.B
    PARTIA QYTETARE PËR MIRËQENIE SOCIALE
    Ndërkohë, partitë e tjera tashmë kanë dorëzuar listat me kandidatët e tyre, ku numri total i kandidatëve të regjistruar deri më tani ka arritur në 917, prej tyre 603 meshkuj dhe 314 femra.

  • Galatasaray i bën ofertë Dua Lipës për festën e titullit kampion në Stamboll

    Galatasaray i bën ofertë Dua Lipës për festën e titullit kampion në Stamboll

    Klubi turk Galatasaray S.K. ka bërë një ofertë zyrtare ndaj këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa, për të performuar në festimet e titullit kampion që pritet të mbahen në Stamboll, transmeton albinfo.ch.

    Sipas raportimeve, oferta e klubit kap vlerën e rreth 2 milionë dollarëve për interpretimin e katër këngëve gjatë ceremonisë festive, e cila do të shënojë suksesin e sezonit për gjigantin turk.

    Ftesa ndaj artistes shqiptare nuk shihet vetëm si një lëvizje marketingu, por edhe si një element simbolik i lidhur me historinë dhe identitetin e klubit. Galatasaray S.K. shpesh përmendet në disa media dhe qarqe tifozësh si “skuadra e shqiptarëve të Stambollit”, për shkak të lidhjeve historike të themelimit të saj.

    Klubi u themelua në vitin 1905 nga Ali Sami Yen, i cili në disa burime historike përmendet si i lidhur me figurën e rilindasit shqiptar Sami Frashëri, duke i dhënë kësaj historie një dimension kulturor që shpesh theksohet nga tifozët shqiptarë dhe turq.

    Nëse marrëveshja finalizohet, performanca e Dua Lipës do të ishte një nga momentet më të spikatura të festimeve të titullit kampion në Stamboll.

  • Kroacia dëbon një tjetër serb, kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’

    Kroacia dëbon një tjetër serb, kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’

    Një shtetas serb është gjobitur dhe dëbuar nga Kroacia për dy vjet për shkak se kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’ në pikën kufitare të Nova Selës.

    Kjo ndodhi të dielën në mbrëmje në pikën kufitare të Nova Selës, njoftoi Departamenti i Policisë së Qarkut Dubrovnik-Neretva.

    Burri mbërriti në pikën kufitare të Nova Selës në orët e mbrëmjes së 10 majit si pasagjer në një makinë. Gjatë kontrollit kufitar dhe procedurës për marrjen e të dhënave biometrike, oficerët e policisë vunë re se ai mbante veshur një bluzë me mbishkrime dhe simbole që sipas njoftimit, lavdërojnë idetë e ‘Serbisë së Madhe’.

    “Për prishjen e rendit dhe qetësisë publike duke shfaqur një simbol në një vend publik, duke shkelur kështu Ligjin për Veprat Kundër Rendit dhe Qetësisë Publike, një burrë 32-vjeçar u arrestua dhe bluza në fjalë iu konfiskua. Pas arrestimit, burri u soll në Departamentin e Kundërvajtjeve të Gjykatës Komunale në Metković me një aktakuzë. Gjykata e shpalli fajtor dhe vendosi një gjobë përfundimtare prej 2,000 eurosh”, raporton Index.hr.

    Ndalim hyrjeje për dy vjet

    Bazuar në vendimin e gjykatës, policia e Metković-it gjithashtu kreu procedurat sipas Ligjit për të Huajt dhe i lëshoi ​​atij një vendim për ta dëbuar nga Zona Ekonomike Evropiane (EEA). Atij iu ndalua gjithashtu hyrja dhe qëndrimi në Republikën e Kroacisë për dy vjet, dhe pasi vendimi u bë i formës së prerë, atij iu refuzua hyrja në vend.

    Si kujtesë, një burrë u dëbua nga Kroacia në fillim të majit për shkak se valëviti flamurin e Republikës Srpska në ballkonin e një hoteli.

    Policia kroate deklaroi në atë kohë se sjellja e tij kishte shkaktuar “ankth publik”.

  • Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë – Policia njofton për mbi 60 aksidente e 35 të arrestuar

    Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë – Policia njofton për mbi 60 aksidente e 35 të arrestuar

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2415 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, raportohet të kenë ndodhur 43 aksidente me dëme materiale, e 22 me të lënduar.

    Po ashtu, shtohet se, janë arrestuar 35 persona, ku 17, janë dërguar në mbajtje.

  • Tre burra dhe një grua gjermane arrestohen në Graçanicë, u kapën me drogë

    Tre burra dhe një grua gjermane arrestohen në Graçanicë, u kapën me drogë

    Janë arrestuar në Graçanicë tre shtetas kosovarë, dhe një femër shtetase gjermane, pasi që gjatë kontrollit të veturës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e marihuanës.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Graçanicë / 12.05.2026 – 23:07. Janë arrestuar tre meshkuj kosovarë dhe një femër Gjermane, pasi që gjatë kontrollit të veturës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancave narkotike të llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.