ATV

Author: K.B.

  • Samsung i përgjigjet Dua Lipës pasi kjo e paditi për përdorim të imazhit

    Samsung i përgjigjet Dua Lipës pasi kjo e paditi për përdorim të imazhit

    Artistja e njohur Dua Lipa ka bërë një padi prej 15 milionë dollarësh kundër kompanisë të njohur Samsung Electronics, duke e akuzuar kompaninë për përdorim pa leje të imazhit të saj në paketimet e televizorëve,sipas artistes kjo përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe të imazhit Samsung ka mohuar akuzat, duke deklaruar se fotografia ishte përdorur vetëm pasi një partner i jashtëm kishte garantuar se të gjitha lejet e nevojshme ishin të siguruara.

    Në një deklaratë zyrtare, Samsung u shpreh: “Imazhi u përdor vetëm pas marrjes së sigurimit të qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte marrë. Duke u nisur nga kjo garanci, ne mohojmë çdo akuzë për keqpërdorim të qëllimshëm.

    Megjithatë, ekipi ligjor i Dua Lipës pretendon se imazhi i saj vazhdoi të përdorej me muaj të tërë edhe pasi kompania ishte paralajmëruar zyrtarisht për ta ndalur atë.

    Dua Lipa ngre padi prej rreth 14 milionë eurosh kundër Samsung për përdorimin e fytyrës së saj në marketingun e televizorëve

  • Molliqaj për PDK-në: Uran Ismaili udhëheq “klikën”, refuzimi i Limajt nuk u bë në mbledhjen e kryesisë

    Molliqaj për PDK-në: Uran Ismaili udhëheq “klikën”, refuzimi i Limajt nuk u bë në mbledhjen e kryesisë

    Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar sot një aksion simbolik në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, të cilin ia kushtoi Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke akuzuar këtë subjekt për mungesë opozitarizmi dhe kontroll nga një “klikë” brenda partisë.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, adresoi akuza të drejtpërdrejta ndaj figurave udhëheqëse të PDK-së, veçanërisht ndaj Uran Ismailit.

    Molliqaj tha se PDK-ja kontrollohet nga një grup i vogël njerëzish që, sipas tij, marrin vendime jashtë strukturave formale të partisë.

    “Udhëheqësi i klikës së PDK-së edhe i klanit brenda PDK-së është Uran Ismaili. Paramendojeni, nga katër anëtarë të kësaj klike, dy prej tyre as nuk garojnë. Njëri ka qenë kryetar partie, tjetri ka qenë shef i grupit, ministra… as nuk hyjnë në garë fare. Por janë vendimmarrësit në këtë parti“, tha ai.

    Ai pretendoi se refuzimi i Fatmir Limajt për t’u rikthyer në PDK ishte vendosur paraprakisht dhe jo në organet e partisë.

    “A e dini që refuzimi i Fatmir Limajt nuk është bërë në mbledhjen e kryesisë të PDK-së? Një javë më herët e keni një intervistë në ‘Pressing’, udhëheqësi i klikës së PDK-së, Uran Ismaili, i cili thotë që nuk do ta marrim Fatmir Limajn. Mbledhja e kryesisë ka qenë veç formalizim i vendimit të tij“, u shpreh ai.

    Sipas Molliqajt, në kryesinë e PDK-së nuk kishte pasur as votim për këtë çështje.

    “Kryetari u çu dhe e ka mbyllë çështjen pa debat fare për këtë. Sepse klika ka kushtëzuar që nëse kthehet Fatmir Limaj, këta nuk marrin pjesë. Dikush nuk bëhet shef shtabi, dikush nuk hyn në listë, e dikush nuk garon“, thotë Molliqaj.

    Kreu i PSD-së kritikoi edhe mënyrën e organizimit të listave zgjedhore brenda PDK-së, duke përmendur se kandidatë me më shumë vota janë lënë pas në renditje.

    “A e dini që ky është i vetmi kandidat nga zgjedhjet e tetorit, i cili ka dalë, nëse s’gaboj, i katërti i votuar në parti, e është numër 2? Pra i vetmi kandidat që s’iu ka ndërru numri prej këtyre të votuarve është ky. I ka dy kandidatë më poshtë që janë Gruda dhe Tahiri, të cilët kanë marrë vota shumë e shumë më shumë se ky, e ky është prapë numër 2.”

    Ai akuzoi drejtuesit aktualë të opozitës se nuk kanë interes për përballje politike me pushtetin.

    “Me këta njerëz që e kanë në kontroll opozitën, qysh është dyshja Vjosa dhe Lumiri andej, dhe këta katër këndej në krye me Uranin, të cilët jetojnë jetë luksoze, nuk kanë me mujt me bë opozitë. Dhe nuk duan me bë opozitë. Në fakt, duan me qeverisë sa më shumë e kudo që munden“, thekson tutje ai.

    Molliqaj bëri thirrje që votuesit dhe strukturat e PDK-së të “çlirohen” nga kjo qasje politike dhe të mbështesin PSD-në si alternativë opozitare.

    “Duhet me u çliruar, e mënyra për me u çliruar nga kjo lloj opozite, kjo lloj qasje, është veç një rrugë: me e votuar një opozitë përnjëmend qysh është Partia Socialdemokrate. Çfarëdo tendenca të tjera janë rrugë të shkurtra e të cilat bëhen gjithmonë më të gjata dhe rezultati është i njëjtë: vendi mbetet pa opozitë.”

  • Driton Selmanaj vendos të mos garojë për deputet në këto zgjedhje

    Driton Selmanaj vendos të mos garojë për deputet në këto zgjedhje

    Ish-deputeti Driton Selmanaj tha se ka vendosur vetë që të mos përfshihet në listën e LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

    Ai tha se do të angazhohet për “fitoren e LDK-së”.

    “Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përgjatë gjithë angazhimit tim politik, kam besuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal, një mision shtetformues, një identitet politik dhe moral që ka mbajtur gjallë shoqërinë tonë, frymën institucionale dhe orientimin perëndimor të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, çdo përgjegjësi që më është besuar e kam trajtuar me përkushtim, me kujdes e ndershmëri dhe respekt ndaj vendit tim dhe anëtarësisë sonë të jashtëzakonshme. Edhe në këto zgjedhje, si Kryetar i Degës dhe Shef i Shtabit Zgjedhor në Prizren, do të jem plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së, sepse besoj se Kosovës i duhet një LDK e fortë dhe me vizion të qartë shtetëror”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “E me gjithë këtë, përkundër kërkesave të mëdha nga anëtarësia dhe strukturat tona, unë kësaj radhe kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë”, shtoi ai.

    Selmanaj tha se “ky nuk është vendim kundër LDK-së”.

    “Përkundrazi. Është një vendim për ta ruajtur dinjitetin politik dhe për të mos lejuar që kontributi politik të matet me standarde të momentit apo nevoja të përkohshme. LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja është një ideal, është bindje është historia jonë përplotë lavdi dhe e ardhmja që garanton stabillitet dhe zhvillim të shtetit tonë!”, shkroi ai.

    “Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë — në shërbim të LDK-së dhe të qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane, në përgjegjësinë shtetërore dhe në politikën me dinjitet. Jam i bindur se LDK do ta rigjejë forcën për t’u kthyer plotësisht te vlerat e saj burimore, aty ku parimet dhe merita janë themeli i çdo vendimi. Faleminderit secilit për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Zoti e bekoftë LDK-në, Zoti e bekoftë Kosovën tonë!”, shtoi Selmanaj.

  • Behrami: Kthimi i Thaçit e Veselit, më afër se kurrë – t’ia sjellim PDK-së fitoren në prag të ardhjes të tyre

    Behrami: Kthimi i Thaçit e Veselit, më afër se kurrë – t’ia sjellim PDK-së fitoren në prag të ardhjes të tyre

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka paralajmëruar kthimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të ish-kryekuvendarit Kadri Veseli në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, mes tjerash, ai ka kërkuar punë ndër anëtarë të partisë për, siç thotë, t’i sjellë fitoren PDK-së “në prag të kthimit të tyre”.

    “Që nga shkuarja e Presidentit Thaçi dhe kryetarit Veseli në Hagë, elektorati i PDK-së nuk është thyer kurrë. Tani, kur kthimi i tyre është më afër se kurrë, ne nuk duhet të demoralizohemi. Sot, si kurrë më parë, duhet të japim krejt çfarë kemi për t’ia sjellë fitoren e madhe PDK-së në prag të kthimit të tyre”, shkroi Behrami.

    Ai shtoi se partia e tij është “shumë afër fitores së dyfishtë: fitores së PDK-së, të Bedri Hamzës dhe fitores së kthimit të krerëve të UÇK-së në Kosovë”.

    PDK-ja ende nuk e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë. As Behrami nuk ka treguar nëse do të jetë sërish kandidat në zgjedhjet e 7 qershorit.

  • Prokuroria Speciale ndalon për 48 orë një të dyshuar në rastin “Laboratori ‘25”

    Prokuroria Speciale ndalon për 48 orë një të dyshuar në rastin “Laboratori ‘25”

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një të dyshuar në rastin “Laboratori ’25”, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se personi me inicialet S.D., është paraqitur sot vullnetarisht në Policinë e Kosovës në Prishtinë, lidhur me rastin që është duke u hetuar.

    Ai dyshohet për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.

    “Hetimet lidhur me rastin “Laboratori ‘25”, janë në zhvillim dhe Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Rasti lidhet me vepra penale të falsifikimit të dokumenteve publike si, pasaporta, patentë-shofera, e dokumente të tjera, të prodhuara për mbi 50 shtete të ndryshme të botës.

  • “Edi kundër Eddy”, Rama replikë gazetarit italian për intervistën e Hoxhës, reagon edhe Meloni

    “Edi kundër Eddy”, Rama replikë gazetarit italian për intervistën e Hoxhës, reagon edhe Meloni

    Kryeministri Edi Rama ka replikuar gazetarin Eddy Wax pas publikimit të intervistës së ministrit të Punëve të Jashtme Ferit Hoxha në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me Italinë.

    Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se është ‘qesharake të krijosh histori Edi kundër Eddy’. Ai shtoi se nuk ka pasur ankesa për gazetarin, por sipas tij citimi i reduktuar i deklaratave është përdorur në mënyrë mashtruese.

    Në fund të mesazhit të tij, kryeministri thekson se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Italisë mbetet e pandryshuar.

    “I dashuri im Eddy Wax

    E kuptoj plotësisht që është qesharake të krijosh një histori Edi kundër Eddy-t, por këtu nuk ka vend për këtë, sepse së pari, nuk u ankova për Edin tjetër, dhe së dyti, tani që e keni botuar me bujari transkriptin e plotë, është shumë e qartë se citimi i reduktuar ishte mjaftueshëm mashtrues për këdo që ka një interes të brendshëm ideologjik ta përdorë atë. Por realisht, pa asnjë ndjenjë të keqe. Njëri Eddy duhet të bëjë çfarë të dojë, dhe tjetri Edi duhet të durojë atë që duhet.

    Në fund të fundit, mbetet e pandryshuar: atë që Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, shkruan Rama.

    Raportuesi u habit kur pa një postim në rrjetet sociale nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të martën, ku sfidonte raportimin tonë për një intervistë të zhvilluar të hënën me ministrin e Jashtëm të vendit, Ferit Hoxha, e cila nxiti debat politik në Itali.

    Intervista u përqendrua te deklarata e Hoxhës se marrëveshja Itali-Shqipëri për emigracionin nuk do të zgjatet pas vitit 2030, sepse deri atëherë Shqipëria pret të jetë anëtarësuar në BE.

    Komentet u pasqyruan gjerësisht në shtypin italian, nga La Stampa deri te Corriere della Sera. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani u tha gazetarëve: “2030 është shumë larg; le të përqendrohemi te ajo që duhet të bëjmë tani.”

    Rama shkroi online: “Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim mashtrues të raportuar nga një media … më lejoni të ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e mirë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë.”

    Giorgia Meloni iu përgjigj postimit të tij mbrëmë me një mesazh të shkurtër: “Faleminderit Edi.”

    Për korrektësi, kjo është ajo që Hoxha më tha, fjalë për fjalë: “Po ju them se pas pesë vitesh, sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk do të jetë më ekstraterritoriale. Do të jetë territor i Bashkimit Europian. Së pari, marrëveshja është për pesë vite dhe nuk jam i sigurt që do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.”

    Do të isha i lumtur t’i dërgoja kryeministrit një kopje të transkriptit, nëse ai dëshiron ta shohë.

    Tetova rrit pagat e administratës komunale me 7% për tre vite
    Read more

  • Viktor Buzhala përsëri në garë në listën e VV-së, e publikon numrin

    Viktor Buzhala përsëri në garë në listën e VV-së, e publikon numrin

    Viktor Buzhala do të jetë sërish kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Këtë e ka konfirmuar vetë ai duke postuar një foto, prapa së cilës ndodhet numri 78 dhe logo e LVV-së.

    Buzhala nuk kishte marrë votat e nevojshme në zgjedhjet e 28 Dhjetorit për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

  • Haxhiu flet për largimet e ish-deputetëve që iu bashkuan Vjosa Osmanit

    Haxhiu flet për largimet e ish-deputetëve që iu bashkuan Vjosa Osmanit

    Albulena Haxhiu, u.d e presidentes, është deklaruar rreth largimeve që kanë ndodhur kohëve të fundit, nga GUXO drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se qytetarët ‘’do i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve’’.

    Haxhiu, ka thënë edhe se, ‘’njësoj ka ndodhur edhe në dhjetorin e vitit 2025, njësoj do të ndodh edhe në qershorin e 2026’’.

    “E kam theksuar në vazhdimësi që nuk ka pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje, është dashur të bëhemi bashkë dhe ta zgjedhim presidentin, por për shkak të mungesës së vullnetit politike të partive opozitare ka qenë e pamundur. Tani kemi një ditë të zgjedhjeve, jemi në një proces zgjedhor, prandaj janë qytetarët ata që do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve brenda partive politike. Njësoj ka ndodhur edhe në dhjetorin e vitit 2025 njësoj do të ndodh edhe në qershorin e 2026, meqë jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, më së miri do të flasin qytetarët dhe më së miri ata i gjykojnë veprimet tona”, ka thënë shkurtimisht Haxhiu.

  • Trump në Kinë, i merr me vete 17 biznesmenë të mëdhenj amerikanë

    Trump në Kinë, i merr me vete 17 biznesmenë të mëdhenj amerikanë

    Në një kohë tensionesh ekonomike dhe teknologjike në rritje midis Washingtonit dhe Pekinit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbërriti në Kinë i shoqëruar nga 17 drejtues kryesorë të biznesit dhe teknologjisë.

    Midis atyre që i janë bashkuar presidentit në vizitën e tij zyrtare në Pekin janë Jensen Huang i Nvidia-s, Tim Cook i Apple, Elon Musk i Tesla dhe SpaceX, Larry Fink i BlackRock, si dhe drejtues të tjerë nga Meta, Visa, JP Morgan, Boeing, Cargill dhe kompani të tjera.

    Surpriz; ishte paraqitja e shefit të Nvidia-s, Jensen Huang, kompania e të cilit është në qendër të rivalitetit SHBA-Kinë për çipat dhe inteligjencën artificiale.

    Prania e drejtorit të Micron Technology, Sanjay Mehrotr, tërheq vëmendje të veçantë, pasi Pekini ka kufizuar përdorimin e çipave Micron në infrastrukturën kritike në vitin 2023 për arsye sigurie.

    Fusha e gjysmëpërçuesve mbetet thelbësore në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve.

    Trump do të takohet me Presidentin kinez Xi Jinping dhe bisedimet pritet të përfshijnë luftën në Iran, në të cilën SHBA-të dhe Izraeli po kryejnë operacione ushtarake. Washingtoni dëshiron që Kina, e cila mbështetet në naftën iraniane, të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin.

    Delegacioni, i cili përfshin një gamë të gjerë interesash biznesi amerikan, nga rrjetet sociale dhe elektronika e konsumit te çipat dhe prodhimi komercial, shihet si vendimtar në përpjekjet për të lehtësuar tensionet dhe për të hapur kanale të reja bashkëpunimi.

  • PDK e vonon publikimin e listës, zbulohen pesë emrat e kandidatëve nga Suhareka

    PDK e vonon publikimin e listës, zbulohen pesë emrat e kandidatëve nga Suhareka

    Kryetari i degës së PDK-së në Suharekë, Dardan Berisha, ka zbuluar pesë kandidatët e nominuar nga kjo degë për përfshirje në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

    I rendituri më së larti nga pesë të nominuarit është ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili do të mbajë numrin dhjetë në listën e PDK-së, ka bërë të ditur Berisha.

    Në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook, Berisha ka thënë se katër të tjerët janë: Skender Hoxha, Sevdie Hoxha, Arben Gega dhe Shaip Kadrijaj.

    Kadrijaj, anëtar i PDK-së me origjinë nga Suhareka, përfaqëson diasporën.