ATV

Author: K.B.

  • Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara

    Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, të publikuara të mërkurën, deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar 67,685 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 61,500, ndërsa 5,858 janë refuzuar dhe 301 janë ende në shqyrtim.

    Nga aplikimet e aprovuara, 14,566 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,605 kanë zgjedhur të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 45,329 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë vendit.

  • Osmani e Abdixhiku nesër do të jenë në Pejë, Muhaxheri: Ju mirëpresim

    Osmani e Abdixhiku nesër do të jenë në Pejë, Muhaxheri: Ju mirëpresim

    Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë të ditur se nesër, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe ajo për presidente Vjosa Osmani do të jenë në Pejë.

    Muhaxheri, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë.

    ‘’Nesër, e enjte, në ora 11:00, në Hotel Dukagjini, Salla e Madhe, mirëpresim kandidatin për Kryeministër, z. Lumir Abdixhiku, dhe kandidaten për Presidente, znj. Vjosa Osmani.

    Ju mirëpresim!’’, ka shkruar Muhaxheri.

  • KQZ anulon tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, nuk ofertoi asnjë kompani

    KQZ anulon tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, nuk ofertoi asnjë kompani

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Arsyeja e anulimit të tenderit, sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurorimi, është mospranimi i asnjë oferte.

    “Nuk kemi pranuar asnjë ofertë”, thuhet në njoftim.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

    Afati për dorëzim të ofertave ka qenë dje.

  • U arrestua për ngacmim ndaj 21-vjeçares, mjeku përfundon në spital

    U arrestua për ngacmim ndaj 21-vjeçares, mjeku përfundon në spital

    Mjeku kirurg , Nikoll Nunka që u arrestua për ngacmim seksual nga një 21 vjeçare, mësohet se ndodhet në spitalin e Korçës pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.

    Sipas informacioneve, mjeku ka patur më herët probleme nga zemra dhe nuk është ndjerë mirë në ambientet e komisariatit ku është dërguar në urgjencë për kontroll.

    Pas vizitës, nga ekg-ja e zemrës ka rezultuar që ka probleme dhe kardiologu ka vendosur që Nunka të mbahet në spital i shtruar.

    Kirurgu po mbahet në monitorim ndërsa do të shihet në vijim edhe për masën e sigurisë të caktuar për ditën e nesërme nëse do të zhvillohet në ambientet e spitalit

  • Paralajmëron Ukraina: Nuk bëjmë lëshime territoriale për një marrëveshje paqeje me Rusinë

    Paralajmëron Ukraina: Nuk bëjmë lëshime territoriale për një marrëveshje paqeje me Rusinë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibiha, deklaroi se kushti kryesor i Kievit për çdo marrëveshje paqeje me Rusinë është mospranimi i asnjë lëshimi territorial lidhur me vijën aktuale të frontit.

    Gjatë konferencës së sigurisë të organizuar nga Instituti Polak i Marrëdhënieve Ndërkombëtare (PISM) në Varshavë, Sibiha theksoi se Ukraina kërkon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke përjashtuar çdo kompromis mbi sovranitetin kombëtar.

    “Ukraina nuk do të pranojë asnjë formulë apo iniciativë që nënkupton lëshime ndaj integritetit dhe sovranitetit tonë territorial”, deklaroi shefi i diplomacisë ukrainase.

    Deklarata e tij vjen në një kohë kur po shtohen diskutimet ndërkombëtare për mundësinë e negociatave mes Kievit dhe Moskës për përfundimin e luftës që vazhdon prej më shumë se dy vitesh.

    Qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: çdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë kufijtë dhe integritetin territorial të vendit.

  • Haradinaj kujton masakrën e Korishës: Liria jonë në themel i ka ata që u flijuan për liri

    Haradinaj kujton masakrën e Korishës: Liria jonë në themel i ka ata që u flijuan për liri

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar 77 civilët e vrarë në masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, ku pushtuesit nuk kursyen as 14 fëmijë të kësaj ane.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, shteti serb nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet kundër popullit shqiptar.

    Ai shtoi se liria e Kosovës në themel i ka heronjtë e kombit, martirët, gjithë ata që janë flijuar për liri ndër breza.

    “Në 45-vjetorin e rënies, kujtojmë heroizmin e familjes Meha në Prekaz. Me nder e respekt, përulemi para trimërisë së Tahir e Nebih Mehës, që ranë në përballje të pabarabartë me qindra forca jugosllave. Rezistencën dhe trimërinë e Tahirit dhe Nebihut, e pasoi UÇK-ja për dëshmi para historisë, se ka kush i del zot atdheut, sakrificë që u kurorëzua me liri dhe shtet të pavarur. I përjetshëm kujtimi për të rënët!”, shkroi ai.

  • Zhytësit e FSK-së u bashkohen kërkimeve për gruan e zhdukur në Deçan

    Zhytësit e FSK-së u bashkohen kërkimeve për gruan e zhdukur në Deçan

    Kërkimet për 55 vjeçaren që u shpall dje e zhdukur në Deçan po vazhdojnë.

    Kjo u konfirmua nga Deni Hameli i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit Malor.

    Hameli njoftoi se operacioni do t’i bashkangjitet edhe FSK-ja.

    “Nuk kemi ndonjë gjurmë. E kemi bërë kërkmin sipërfaqësor të terrenit rreth lumit, nuk ka pasur asgjë. Më pas e kemi ndërtuar një urë me litarë, ku më pas jemi munduar me shufra të kontrollojmë në ujë.”, theksoi Hameli për Klan Kosovën

    “Atje janë duke shkuar edhe zhytësit e FSK-së dhe pastaj të shohim se si do të kombinohemi, pasi që aty aktualisht është e pamundur të hyjmë në ujë pasi që rrjedha e ujit është tejet e shpejtë”, shtoi ajo.

  • “A je gjallë”, ironia e Osmanit ndaj Pecit në Mitrovicë

    “A je gjallë”, ironia e Osmanit ndaj Pecit në Mitrovicë

    Dikur pjesë e së njëjtës frymë politike, por sot raportet mes Vjosa Osmanit dhe Faton Pecit kanë pësuar ndryshim.

    Dy figurat politike janë parë të mërkurën në një restorant në Mitrovicë, ku Osmani iu drejtua Pecit me fjalët “Ku je z. kryetar, a je gjallë, a je mirë?”, një komunikim që flet shumë për raportin aktual mes tyre, raporton Paparaci.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani është bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente, ndërsa Peci, kryetar i Mitrovicës, vazhdon bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ish-anëtarë të partisë Guxo kanë deklaruar se Peci ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të Osmanit, sidomos pas mosmbështetjes nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat tjetër në krye të presidencës.

    Vjosa Osmani bashkë me Faton Pecin dhe Donika Gërvallën u larguan nga LDK-ja dhe themeluan Guxo, atëherë një frymë e re politike.

    Më vonë Guxo u bashkua me LVV-në, ku Vjosa Osmani u bë presidente.

    Raportet mes Osmanit, Gërvallës dhe Pecit shpesh janë parë si simbol i bashkëpunimit të ngushtë politik. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrjedhën e këtij raporti.

    Pas mosmbështetjes së Osmanit nga LVV, ajo në këto zgjedhje u bashkua me LDK-në, ndërsa Gërvalla dhe Peci vazhdojnë rrugëtimin me Vetëvendosjen.

  • I kërkuar për tre vrasje, Sokol Hoxha arrestohet në ShBA pas 30 vjetësh në arrati

    I kërkuar për tre vrasje, Sokol Hoxha arrestohet në ShBA pas 30 vjetësh në arrati

    Sokol Hoxha është arrestuar pas gati 30 vjetësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ai akuzohet për vrasjen e tre personave (vëllezërve Banaj) në mars të vitit 1997 në Patos dhe një gruaje në gusht të po të njëjti vit.

    Siç shkruan Top Channel, ai tashmë është dënuar nga gjykata me 25 vjet burgim derisa edhe Belgjika e kërkon për të vuajtur dënimin e vrasjes së Brunilda Dervishit.

    Pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë.

    Tutje TCh, raporton se pas hetimeve shumëvjeçare të agjencive më të mëdha të zbatimit të ligjit në Evropë dhe jo vetëm, aktiviteti kryesor i Sokol Hoxhës në Belgjikë ka qenë prostitucioni.

    Madje edhe vrasja e kryer në këtë vend lidhet ngushtë me këtë aktivitet gjithashtu të paligjshëm.

    Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel. Dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.

    Sipas hetimeve, raportohet se pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha u transferua në Britaninë e Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, siç shumë shqiptarë bënin në atë periudhë, duke përfituar nga lufta e Kosovës. Përmes këtyre dokumenteve false ai ka arritur të sigurojë leje qëndrimi në Britani.

    Por frika ishte ende ekzistente se mund të zbulohej dhe ai dysohet se mori vendimin për t’u transferuar përtej Atalantikut, në SHBA në fillim të viteve 2000. Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë.

    Pas më shumë se dy dekadash, agjencitë hetimore shqiptare morën indicie se vendodhja e Hoxhës ishte në SHBA, pasi agjenci ligjzbatuese amerikane, belge, britanike, kosovare u angazhuan për të shkëmbyer informacione mbi këtë person.

    Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë bëri lëvizjen e radhës, duke bërë një kërkesë ekstradimi në SHBA në vitin 2019. Në të njëjtën periudhë, në Britani u ndalua një shqiptar me emrin Sokol Hoxha, por pas verifikimeve nga Interpoli, ai u lirua pas vetëm një jave, pasi rezultoi të ishte një tjetër person, por me të dhëna të ngjashme me të kërkuarin.

    Në vitin 2021 hetimet në SHBA u intensifikuan dhe u përqendruan tek shtetasi shqiptar i cili kishte shtegtuar drejt SHBA në vitet 2000. Investigimet i derguan hetuesit tek Sokol Hoxha i vertetë, duke përputhur shenjat e gishtave dhe fotografitë e asaj kohe. U vërtetua plotësisht se shtatsi me pasaportë false me identitet të ri është Sokol Hoxha, i dënuar me 25 vite burgim në Shqipëri dhe një dënim të përjetshëm kapital në Belgjikë.

    Mësohet se më 5 maj në Ohajo, i shumëkërkuari për gati tre dekada është arrestuar dhe autoritetet amerikane po vlerësojnë hapat e mëtejshëm për dorëzimin dhe largimin e këtij të arratisuri në Shqipëri ose Belgjikë. Sokol Hoxha sot është 51 vjeç.

    Një mbyllje e suksesshme e një hetimi prej thuajse 30 vitesh për këtë të dënuar, që tashmë do të duhet të përballet me ligjin. Me siguri në vazhdim ai do të tentojë të shfrytëzojë anekset ligjore për shkak se krimet janë kryer shumë kohë më parë.

  • Qytetari i ndërhyn Dardan Molliqajt: A po lufton kundër pushtetit apo opozitës?

    Qytetari i ndërhyn Dardan Molliqajt: A po lufton kundër pushtetit apo opozitës?

    Kreu i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për media pas aksionit simbolik të PSD-së në sheshin “Nëna Terezë”, ku foli për rolin e opozitës dhe kritikat ndaj partive opozitare në vend, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë konferencës pati edhe ndërhyrje nga një qytetar, i cili e pyeti drejtpërdrejt se kundër kujt po vepron PSD-ja – pushtetit apo opozitës.

    “Ti a po lufton kundër pushtetit apo kundër opozitës?”, pyeti ai.

    Molliqaj u shpreh se, kur ai ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte 26 për qind të mbështetjes, ndërsa, sipas tij, opozita e ka dyfishuar këtë përkrahje.

    “Jo, po qe po ta thashë, po të tregoj. Nëse e ke problem qeverisjen e vendit, duhet me pasë opozitë. Nëse s’e ke problem, atëherë jemi në rregull. Ama këta e kanë rritur Kurtin. Se po më thonë mua kaq njerëz qytetarë [se unë e rrita]… me të drejtë, unë kam ndihmuar dhe kam kontribuar atje. Ama unë e kam lënë Kurtin 26%. Këta e kanë prurë 51%. Dyfishim! Prandaj unë besoj që opozita është e rëndësishme me qenë përnime. Le të bëhen opozitë përnime dhe bashkëpunojmë. Ama qishtu siç i shërbejnë atij dhe të tjerëve, nuk bën”, u shpreh Molliqaj.

    Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se cili do të jetë ndryshimi i PSD-së nga partitë e tjera opozitare nëse siguron ulëse në Kuvend, ai tha se partia e tij do të jetë prezente në seanca dhe do të reagojë varësisht nga çështjet që trajtohen.

    “Varësisht nga problemi. Pra, ne besojmë që reagimi nuk është as shabllon, as i paramenduar. Varësisht çka ndodh, varësisht sa problem është, edhe kundër reagimi ynë. Ajo që është e qartë: ne nuk jemi opozitë që flet dhe ne nuk jemi opozitë që kur në Kuvend votohet ose diskutohet për çështje të rëndësishme, të dalim jashtë Kuvendit e të bëjmë selfie dhe të ankohemi”, u shpreh tutje ai./EO/

    Molliqaj për PDK-në: Uran Ismaili udhëheq “klikën”, refuzimi i Limajt nuk u bë në mbledhjen e kryesisë