ATV

Author: K.B.

  • Disa minatorë dalin nga miniera e Trepçës, të tjerët vazhdojnë të mbesin të ngujuar

    Disa minatorë dalin nga miniera e Trepçës, të tjerët vazhdojnë të mbesin të ngujuar

    Rreth 18 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar në minierë. Kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi.

    Ai tha se prej 40 minatorëve, një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë.

    “Mbi 40 minatorë kanë qenë të bllokuar, një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë, derisa sipas informacioneve diku rreth 18 vazhdojnë të jenë ende brenda, ata të cilët kanë qenë më të dobët me shëndet”, deklaroi Jonuzi.

    Kryetari i Sindikatës shtoi se gjendja e përgjithshme e minatorëve është e mirë.

    “Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë. Kemi komunikim me ta, por sa më tepër kohë që kalojnë brenda situata rëndohet. Kanë nevojë për furnizime, ushqim, ujë, sepse janë në rezerva të fundit”, th ai për Klankosova.

    Sipas raportimeve, kjo ka ndodhur si pasojë e problemeve me rrymë .

  • Mbahet sot takimi i Këshillit Ministror për Integrim Europian, do të diskutohet zbatimi i Agjendës së Reformave

    Mbahet sot takimi i Këshillit Ministror për Integrim Europian, do të diskutohet zbatimi i Agjendës së Reformave

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të marrë pjesë sot në një takim të Këshillit Ministror për Integrim Europian.

    Zyra e Kryeministrit njoftoi se në takimin që do të mbahet në 13:30 në ndërtesën e Qeverisë “do të diskutohet mbi Zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor”.

  • MINT publikon çmimet, ja sa do të jetë nafta sot

    MINT publikon çmimet, ja sa do të jetë nafta sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datën 14 maj 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është caktuar në 1.59 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.76 euro për litër.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Osmani i kundërpërgjigjet propagandës së VV-së rreth takimit rajonal me Grenellin

    Osmani i kundërpërgjigjet propagandës së VV-së rreth takimit rajonal me Grenellin

    Mbrëmë gjatë bisedave sy më sy me qytetarë përmes platformës “HAJDE FOLIM”, ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dha një nga deklaratat më të forta dhe më të drejtpërdrejta kundër propagandës politike që po qarkullon ndaj saj rreth një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues amerikan në Nju Jork.

    Përballë një pyetjeje të një qytetari, Osmani zgjodhi të mos heshtë. Me ton të vendosur, ajo demaskoi publikisht secilin pretendim dhe i quajti “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”, duke mbrojtur jo vetëm integritetin e saj politik, por edhe dinjitetin e shtetit të Kosovës.

    “Ne e kemi vetëm të vërtetën në anën tonë,” deklaroi Presidentja, duke iu referuar sulmeve që e kanë quajtur “tradhtare” për pjesëmarrjen e saj në një takim të organizuar nga zyrtarë të lartë amerikanë me liderët e Ballkanit Perëndimor për promovimin e potencialit investues të rajonit.

    Osmani hodhi poshtë një nga një pretendimet që po qarkullojnë në publik.

    Sipas saj, pretendimi se takimi ishte mbajtur fshehtë është plotësisht i pavërtetë, pasi aktiviteti ishte publikuar në Përmbledhjen e Presidencës zyrtarisht që në shtator, në kohën kur kishte ndodhur.

    Ajo mohoi gjithashtu akuzat se ambasadori i Kosovës në SHBA nuk kishte qenë prezent, duke theksuar se ambasadori Ilir Dugolli dhe kabineti presidencial kishin marrë pjesë dhe kishin ndjekur të gjithë prezantimin për potencialin ekonomik të Kosovës.

    Por reagimi më i fortë erdhi ndaj pretendimeve se takimi ishte organizuar nga gazetari Baton Haxhiu.

    “Takimi ishte organizuar si tryezë SHBA–Ballkani Perëndimor dhe ishte ftuar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, dhe ambasadori për misione të posaçme i Presidentit amerikan, Richard Grenell”, sqaroi Osmani, duke ironizuar propagandën që sipas saj po tenton të deformojë realitetin.

    Presidentja rikujtoi se në atë forum morën pjesë liderë rajonalë të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra dhe përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.

    Në përgjigjen e saj, Osmani ngriti edhe pyetjen që po dominon debatin publik: pse po sulmohet një takim zyrtar, publik dhe ndërkombëtar, ndërkohë që askush nuk jep përgjigje për takimet e mbyllura “me orë të tëra” me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarin evropian Miroslav Lajçak?

    “Aty nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se transparenca duhet të vlejë për të gjithë.

    Në një deklaratë që pritet të rezonojë fuqishëm te qytetarët, Osmani kujtoi se ka përfaqësuar Kosovën në dhjetëra forume ndërkombëtare gjithmonë përballë në ballafaqim me armiqtë që kanë tentuar të mohojnë shtetësinë dhe të vërtetën e Kosovës.

    “Kam mbrojtur Kosovën fort, me argumente, me dinjitet dhe pa u përkulur para askujt”, deklaroi ajo.

    Mesazhi i saj përfundimtar ishte po aq politik sa edhe emocional: sipas Osmanit, sulmet nuk vijnë sepse Kosova është dobësuar e përfaqësuar keq, por pikërisht sepse është mbrojtur fort.

    “Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, ishte fjalia që mbylli një nga reagimet më të forta politike të muajve të fundit me një mesazh që synon të mobilizojë qytetarët përballë manipulimit propagandues e denigrues dhe të rikthejë fokusin tek interesat shtetërore të Kosovës.

  • “Kafe mes miqsh”, vëllezërit e Hashim Thaçit takohen me Fatmir Limajn

    “Kafe mes miqsh”, vëllezërit e Hashim Thaçit takohen me Fatmir Limajn

    Vëllezërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, janë takuar me kreun e Nismës, Fatmir Limajn.

    Këtë e ka bërë të ditur ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.

    Ai e ka përshkruar si “kafe mes miqsh”, me gishtin që njihet si simbol i fushatave të mëhershme të Thaçit.

    Të hënën Partia Demokratike e Kosovës e ka diskuatuar kërkesën e Fatmir Limajt për të garuar në listën e saj. Pas mbledhjes së kryesisë kreu i PDK’së Bedri Hamza ka deklaruar para mediave se kjo parti e mirëpret kontributin, por kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së.

  • Gjini për Kurtin: Po i kërkon 60%, por nuk po tregon se çka i duhen

    Gjini për Kurtin: Po i kërkon 60%, por nuk po tregon se çka i duhen

    Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, ka thënë se Albin Kurti e filloi fushatën duke i kërkuar 60% të votave.

    Gjini pyeti se çfarë po i duhen kaq vota Kurtit duke shtuar se “pse nuk po e tregon këtë”.

    “Kur e ke një politikan që e nis fushatën, duke thënë se i kam pasur 51%, por po i dua 60% dhe nuk po tregon pse po i don, dhe nuk ka me i marrë, por edhe me i marrë qytetari po ta jep nuk ekziston për vetveten, por për vendin tënd e qytetarët tënd. Për çka po i don 60%, çka po do me bë. Kjo nuk është demokraci, nuk po dinë si me udhëheqë me shtetin, është totalisht gabim”, ka thënë ai.

  • Dyshohet se rreth 30 minatorë të Trepçës mbesin të ngujuar, shkak problemet me rrymë

    Dyshohet se rreth 30 minatorë të Trepçës mbesin të ngujuar, shkak problemet me rrymë

    Rreth 30 minatorë të Trepçës dyshohet se kanë mbetur të ngujuar në minierë.

    Dyshohet se janë bllokuar si pasojë e problemeve me rrymë.

    Minatorët janë akoma të ngujuar që nga mbrëmë në orët e natës.

    “Rreth 30 minatorë kanë mbetur të bllokuar si pasojë e problemeve me rrymë dhe të njëjtit janë akoma të ngujuar që nga mbrëmë në orët e natës. Janë brenda hapësirave të minierës. Këtë ma konfirmoi edhe kryetari i sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi”, raporton KlanKosova

  • 27 vjet nga Masakra e Qyshkut ku u vranë barbarisht 44 burra

    27 vjet nga Masakra e Qyshkut ku u vranë barbarisht 44 burra

    Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës në Qyshk të Pejës, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 meshkuj.

    Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë, policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur. Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.

    Ndërsa dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

  • Takimi Xi-Trump, çfarë është në agjendë

    Takimi Xi-Trump, çfarë është në agjendë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është takuar me liderin e Kinës, Xi Jinping, për një samit të rëndësishëm që do të përfshijë negociata mbi konfliktet globale, tregtinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e inteligjencës artificiale brenda pak më shumë se 24 orësh.

    Trump mbërriti në Sallën e Madhe të Popullit, një ndërtesë e epokës së Maos që ndodhet në skajin perëndimor të Sheshit Tiananmen, të enjten në mëngjes për një ceremoni hapëse, e ndjekur nga një orë bisedime ballë për ballë me Xi-n.

    Rreshta oficerësh me uniforma rrethonin qilimin e kuq të vendosur përpara Sallës së Madhe të Popullit, ndërsa Xi dhe Trump ecën krah për krah drejt podiumit.

    Ceremonia përfundoi me një performancë të koreografuar me kujdes nga banda marshuese e ushtrisë kineze, përpara se Trump dhe Xi të ngjiteshin shkallëve drejt legjislaturës kombëtare të Kinës për raundin e parë të bisedimeve dypalëshe.

    Donald Trump ndodhet në Kinë për një samit me shumë rëndësi me liderin kinez Xi Jinping, ku Irani, Tajvani, inteligjenca artificiale dhe tregtia pritet të jenë temat kryesore të agjendës.

    Në komentet hapëse, Xi vuri në dukje se viti 2026 shënon 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së dhe tha se stabiliteti në marrëdhëniet SHBA-Kinë është i nevojshëm për botën.

    Trump tha se ai dhe Xi “njihen prej kohësh” dhe se Xi është një “lider i madh”.

    “Unë ua them të gjithëve që je një lider i madh. Ndonjëherë njerëzit nuk duan që ta them këtë, por unë e them gjithsesi, sepse është e vërtetë,” i tha Trump Xi-së.

    Dy liderët pritet të diskutojnë konfliktin në Lindjen e Mesme, luftën tregtare SHBA-Kinë, mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe konkurrencën globale në inteligjencën artificiale.

    Vendimi i Trump për të ndërmarrë sulme kundër Iranit në shkurt, duke vrarë udhëheqjen e një vendi me lidhje të ngushta me Kinën dhe duke rrezikuar furnizimet globale me energji, ka hedhur hije mbi bisedimet që supozohej të përqendroheshin në arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha në Air Force One gjatë udhëtimit të ekipit të Trump drejt Pekinit se SHBA do të kërkojë nga Pekini ndihmë për krizën me Iranin.

    Pavarësisht se vizita zgjat vetëm dy ditë, Xi dhe Trump do të kenë mjaft kohë për ndërveprim gjatë kësaj vizite, e para nga deri në katër takime presidenciale që pritet të zhvillohen këtë vit.

    Pasdite, dy liderët do të vizitojnë Tempullin e Qiellit në Pekin, një kompleks fetar i dinastisë Ming që është vizituar edhe nga Henry Kissinger dhe ish-presidenti amerikan Gerald Ford.

    Në vizitën e parë të Trump në vitin 2017, ai ishte lideri i parë i huaj në historinë moderne kineze që u ftua të darkonte brenda Qytetit të Ndaluar, kompleksi i madh pallator që strehoi perandorët kinezë për qindra vjet.

  • Ushtarët shqiptarë korrin sukses në Gardën Kombëtare të New Jersey

    Ushtarët shqiptarë korrin sukses në Gardën Kombëtare të New Jersey

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se dy rreshterë shqiptarë kanë arritur një sukses të rëndësishëm në SHBA.

    Përmes një postimi në X, ambasada ka njoftuar se rreshteri Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi kanë dalë fitues në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së New Jerseyt për vitin 2026, transmeton Klankosova.tv.

    “Javën e kaluar, ndërsa po festonim 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror midis Gardës Kombëtare të New Jerseyt dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, rreshteri shqiptar Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi garuan në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Neq Jerseyt për vitin 2026 – dhe fituan në divizionet e tyre!”.

    “Gjatë katër ditëve të vështira, konkurrentët u shtynë deri në kufijtë e tyre përmes garave me pengesa, testeve të fitnesit, aftësive luftarake në ujë, lundrimit në tokë dhe ushtrimeve të qitjeve me stres që përfshinin sisteme të shumëfishta armësh. Fitorja e tyre tregon forcën e Programit të Partneritetit Shtetëror. Urime!”, thuhet në postimin e ambasadës.