ATV

Author: K.B.

  • Pediatri në Gjermani akuzohet për 130 raste abuzimi seksual me fëmijë

    Pediatri në Gjermani akuzohet për 130 raste abuzimi seksual me fëmijë

    Një skandal ka tronditur Gjermaninë, pasi Zyra e Prokurorit në Potsdam ka ngritur akuza ndaj një pediatri 45-vjeçar nga Brandenburg për 130 raste të dyshuara abuzimi seksual dhe përdhunimi të të miturve.

    Sipas prokurorisë, mjeku dyshohet se ka kryer shumicën e krimeve gjatë ushtrimit të profesionit të tij, përgjatë një periudhe rreth 12-vjeçare, nga dhjetori 2013 deri në nëntor 2025.

    Autoritetet bëjnë me dije se pediatri ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të vitit të kaluar, pasi nëna e një fëmije ngriti akuza të rënda ndaj tij.

    Në janar të këtij viti u zbulua se mjeku kishte abuzuar seksualisht me një të mitur ndërsa punonte në një spital në Rathenow, në perëndim të Berlinit.

    Pas denoncimit, policia kreu kontrolle dhe sekuestroi pajisje të shumta elektronike për ruajtjen e të dhënave, ndërsa prokuroria nisi një hetim të gjerë për identifikimin e viktimave të tjera të mundshme.

    Sipas autoriteteve gjermane, rreziku i përsëritjes së krimeve ishte një nga arsyet kryesore për mbajtjen e tij në paraburgim.

    Ndërkohë, Havelland Clinics njoftoi se ka nisur një hetim të brendshëm dhe do të rishikojë procedurat e sigurisë në institucionet e saj.

    Grupi spitalor pranoi se gjatë një vizite mjekësore ishte shkelur parimi i “pranisë së dyfishtë”, që kërkon praninë e dy personave gjatë ekzaminimit të fëmijëve.

    “Akuzat dëmtojnë besimin e pacientëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi drejtori mjekësor, Mike Lehsnau.

  • Kurti mbledh qeverinë në detyrë, ky është rendi i ditës

    Kurti mbledh qeverinë në detyrë, ky është rendi i ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Sipas njoftimit të Kryeministrisë mbledhja do të mbahet në ora 15:00. Në rend dite janë gjithsej 19 pika.

    Ndër të tjera, në rend dite në mbledhjen e sotme pritet të bëhen shqyrtimi i disa kërkesave të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Ky është rendi i plotë i ditës i mbledhjes së sotme:

  • Palestinezët “i kthejnë nderin” Lamine Yamalit – murali i tij shfaqet në Gaza

    Palestinezët “i kthejnë nderin” Lamine Yamalit – murali i tij shfaqet në Gaza

    Lamine Yamal vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm për paraqitjet në fushë, por edhe për imazhin që krijoi gjatë festës së titullit të Barcelonës në La Liga.

    Pamjet e talentit spanjoll duke valëvitur një flamur palestinez mbi autobusin e ekipit pas fitimit të titullit kampion i Spanjës, bën gjiron e botës dhe shkaktuan reagime të shumta në rrjete sociale.

    Tani, palestinezët duket se i kanë kthyer “nderin” yllit të ri të Barcelonës.

    Sipas pamjeve që po qarkullojnë, disa aktivistë palestinezë kanë realizuar një mural të Lamine Yamal në kampin e refugjatëve al-Shati, në perëndim të Qytetit Gaza.

    Në mural, Yamal paraqitet pikërisht në momentin kur valëvit flamurin e Palestinës, një imazh që tashmë është kthyer në simbolikë për shumë mbështetës palestinezë në rrjete sociale.

    Raportohet se gjatë festës së Barcelonës, flamuri i Palestinës u hodh nga turma drejt lojtarëve.

    Yamal e pranoi flamurin pa hezitim, dhe më pas e shpalosi dhe e valëviti para tifozëve që ndiqnin kolonën festive. Veprimi i tij u prit me entuziazëm në turmë dhe u komentua gjerësisht edhe online.

  • Si e parashikon Visar Ymeri rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Si e parashikon Visar Ymeri rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Kosova po hyn në fazën fillestare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, të cilat pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në vend.

    Partitë kryesore kanë intensifikuar aktivitetet dhe përplasjet politike, ndërsa debatet janë fokusuar te sondazhet, raportet mes liderëve dhe rezultatet e mundshme zgjedhore.

    Në qendër të zhvillimeve kanë qenë raportet mes Vjosa Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe përplasjet politike mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Lidhur me aktualitetin politik në vend, në një prononcim për “Front Online” ka folur ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili ka vlerësuar se LVV mund të marrë një rezultat më të dobët krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mund të shënojë ngritje relative, derisa LDK-ja nuk dihet ende.

    Ai ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit mbetet i vështirë për t’u parashikuar, duke thënë se zhvillimet e fundit politike kanë ndryshuar dinamikën elektorale në vend.

    Ymeri tha se afrimi i vonshëm politik mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së ka ndikuar që kjo parti të jetë në qendër të vëmendjes publike.

    “Është vështirë të thuhet. Për shkak se bashkimi është bërë tash vonë ndërkohë që dinamika e zhvillimeve është e shpejtë. Deri tash Vjosa Osmani dhe LDK kanë qenë lajmi i ditës, dhe kjo është promovim në vete. E kemi edhe një periudhë deri në zgjedhje”, tha Ymeri.

    Sipas Ymerit, çdo rritje e mbështetjes për LDK-në dhe Osmanin do të reflektohet drejtpërdrejt me rënie të votave për LVV-në.

    “Çfarëdo rritje e LDK-së dhe Vjosa Osmanit është rënie për LVV. Nuk mund ta them me përqindje e aq më pak më numër votash mirëpo gjykuar nga ky pozicion i tashëm unë e shoh që LVV do ta ketë një rezultat pak më të dobët se shkurti i vitit 2025”, ka deklaruar Ymeri.

    Ai komentoi edhe pozicionin e PDK-së, duke thënë se kjo parti mund të shënojë rritje relative.

    “PDK mund ta ketë një ngritje relative në raport me dhjetorin, duke e pasur parasysh se PDK ka qenë partia e vetme e madhe më një votë stabile të cilën nuk mund t’ia merr askush”, u shpreh Ymeri

  • Pentagoni ndalon vendosjen e 4,000 trupave amerikane në Evropë

    Pentagoni ndalon vendosjen e 4,000 trupave amerikane në Evropë

    Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka ndaluar vendosjen e më shumë se 4,000 ushtarëve nga një brigadë luftarake në Evropë, thanë raportet e medias të mërkurën, në një veprim që i habiti disa zyrtarë ushtarakë.

    Vendimi u komunikua gjatë një takimi që përfshinte Komandën Evropiane të ushtrisë amerikane (EUCOM) dhe pjesë të Ushtrisë Amerikane, raportoi Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar të Pentagonit.

    Ushtarët pritej të vendoseshin në Poloni për një rotacion të planifikuar nëntëmujor.

    Ushtria Amerikane tha në mars se brigada do të zëvendësonte forcat e tjera si pjesë e një rotacioni rutinë.

    Sipas Wall Street Journal, disa pajisje dhe personel ishin tashmë në rrugë, duke lënë disa zyrtarë të ushtrisë të zënë në befasi nga vendimi.

    Gazeta, duke cituar disa zyrtarë të Pentagonit, tha se EUCOM kishte rekomanduar të mos zëvendësoheshin më shumë se 4,000 ushtarët pas vendosjes së tyre disamujore me rotacion, por nuk kishte shtyrë për anulimin e menjëhershëm të misionit.

    Platforma e lajmeve për mbrojtjen Task and Purpose raportoi se trupat pritej të punonin kryesisht me forcat partnere në Poloni si pjesë e Operacionit Atlantic Resolve, një mision amerikan i nisur në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia për të mbështetur aleatët e NATO-s në Evropë.

    Raportet vijnë rreth dy javë pasi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth urdhëroi tërheqjen e rreth 5,000 trupave amerikane nga Gjermania. Polonia më pas përsëriti gatishmërinë e saj për të pritur më shumë forca amerikane.

    Presidenti polak Karol Nawrocki ka thënë se gati 10,000 trupa amerikane janë aktualisht të stacionuara në Poloni, me shumicën që rrotullohen rregullisht midis bazave ushtarake amerikane në të gjithë Evropën.

  • Sonte, Shqipëria ngjitet në skenën e Eurovisionit me artistin Alis – Ja si mund të votoni nga Kosova

    Sonte, Shqipëria ngjitet në skenën e Eurovisionit me artistin Alis – Ja si mund të votoni nga Kosova

    Sonte, Alis ngjitet në skenën e madhe të Eurovision Song Contest si përfaqësuesi i sivjetmë i Shqipërisë në festivalin evropian.

    Artisti shkodran përfaqëson vendin me këngën Nan, një këngë që përcjell një mesazh emocional e të fortë dhe mallin e nënës për fëmijët në mërgim.

    Performanca e Alis pritet me interes të madh nga publiku shqiptar dhe fansat e Eurovision-it, ndërsa mbështetja për artistin ka qenë e fuqishme në rrjetet sociale dhe komunitetet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Me stilin e tij unik dhe interpretimin emocional, ai synon të sjellë një paraqitje dinjitoze për Shqipërinë në një nga skenat më prestigjioze muzikore në Europë.

    Sonte, Alis performon i 13-ti, njëherësh edhe numri me të cilin duhet ta votoni.

    Për të mbështetur Alisin nga Kosova, votimi mund të bëhet onlajn përmes platformës zyrtare të Eurovision-it: esc.vote, ani se vendi ende nuk merr pjesë në festival. Duhet të keni parasysh se votimi hapet sonte pas mbarimit të performancave.

    Ndërkohë, shqiptarët në diasporë mund të votojnë përmes SMS-ve dhe thirrjeve sipas udhëzimeve të televotimit në shtetet ku ndodhen.

    Publiku ka mundësi të votojë deri në 10 herë, duke i dhënë kështu më shumë mbështetje përfaqësuesit shqiptar në garën evropiane.

    Sipas rregullave të Eurovision-it, publiku nuk mund të votojë për shtetin që përfaqëson vendi i tyre. Kjo do të thotë se shikuesit në Shqipëri nuk mund të votojnë për Shqipërinë, ndërsa votat për Alisin mund të jepen nga shtete të tjera pjesëmarrëse dhe diaspora shqiptare jashtë vendit.

  • Kurti shkon në Mitrovicë, viziton kryetarin Faton Peci

    Kurti shkon në Mitrovicë, viziton kryetarin Faton Peci

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, kanë vizituar të enjten kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, raporton Ekonomia Online.

    Vizita u zhvillua në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të punimeve dhe vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

  • Rama i përgjigjet publikisht akuzave të Braçes dhe Spiropalin: Kush thotë hajde më vrit, të do

    Rama i përgjigjet publikisht akuzave të Braçes dhe Spiropalin: Kush thotë hajde më vrit, të do

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar publikisht për diskutimet dhe përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke komentuar qëndrimet kritike të Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit.

    Gjatë një interviste me Nikoll Lesin, Rama u ndal fillimisht te Erion Braçe, i cili së fundmi ka shtuar kritikat ndaj qeverisë dhe ka shprehur ambicie për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Kreu i qeverisë u shpreh se deputeti socialist ka qenë gjithmonë i njëjtë në qëndrimet e tij dhe nuk sheh asgjë të pazakontë në reagimet e tij, shkruan TopChannel.

    “Unë di që Braçja ka qenë dhe do mbetet ky që është. Nuk mendoj se ka një gjë të re, ai ashtu ka qenë, ashtu do të jetë dhe ashtu duhet të jetë. Ai është ekzaktësisht vetvetja. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Ashtu është ai. Kush përpiqet ta imitojë bën gabim”, tha Rama.

    Më tej, kryeministri komentoi edhe raportin me Elisa Spiropalin, pas debateve të zhvilluara në mbledhjet e grupit parlamentar socialist. Spiropali reagoi publikisht pas paralajmërimeve për masa disiplinore, duke shprehur pakënaqësi dhe rezerva ndaj situatës në parti.

    “Do përjashtohet Elisa? Kush thotë hajde këtu më vrit, e thotë ngaqë të do. Nuk duhen marrë literalisht këto gjëra. Janë krejt normale për sa kohë nuk prekin vijën e kuqe. Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë. E treta pastaj e ndan…”, tha Rama.

  • “Hajde folim”, Osmani me Abdixhikun paralajmërojnë takime të tjera me qytetarë “pa protokoll e pa distancë”

    “Hajde folim”, Osmani me Abdixhikun paralajmërojnë takime të tjera me qytetarë “pa protokoll e pa distancë”

    Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku mbajtën dje një tubim me qytetar në “Kurrizin ikonik të Prishtinës”, siç njoftoi vetë Osmani sot në një video të publikuar në Facebook.

    Përmes kësaj videoje, ajo paralajmëroi takime me qytetarë “në shumë qytete të Kosovës”, ku ata do të mund t’u bëjnë pyetje të dyve.

    “HAJDE FOLIM: pa protokoll e pa distancë. Nga dje në Kurrizin ikonik të Prishtinës e në shumë qytete të Kosovës, sy më sy me qytetarët, për të dëgjuar më shumë e për të folur shumë hapur për Kosovën”, shkruan Osmani.

  • Paralajmërim për rritjen e çmimeve të aeroplanit në Evropë

    Paralajmërim për rritjen e çmimeve të aeroplanit në Evropë

    Çmimet më të larta të biletave për udhëtarët ajrorë në Evropë janë “të pashmangshme” për shkak të kostos së lartë të karburantit për aeroplanë, sipas kreut të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror.

    Edhe pse disa linja ajrore kanë ulur çmimet e tyre evropiane kohët e fundit për shkak të mungesës së kërkesës, Willie Walsh tha se nuk kishte asnjë mënyrë që linjat ajrore të mund të përballonin kostot shtesë me kalimin e kohës.

    Ai i tha BBC-së se ende ekzistonte shqetësimi se industria në Mbretërinë e Bashkuar mund të përballej me mungesa karburanti gjatë verës, megjithëse këmbënguli se nuk kishte nevojë për panik.

    Megjithatë, ai vuri në dukje se edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet nesër, ndikimi i ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme mund të ndihet ende vitin e ardhshëm.

    Një zëdhënës i qeverisë tha se linjat ajrore të Mbretërisë së Bashkuar ishin “të qarta se aktualisht nuk po shohin mungesë karburanti për aeroplanë”.

    Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit si rezultat i konfliktit në Iran ka pasur një ndikim dramatik në çmimet e karburantit për aeroplanë dhe ka ngritur shqetësime për mungesa të mundshme në muajt në vijim.

    Evropa, dhe veçanërisht Mbretëria e Bashkuar, zakonisht varen shumë nga importet nga rajoni dhe janë përpjekur të gjejnë furnizime alternative.

    Javën e kaluar, për shembull, BE tha se nuk kishte asnjë arsye rregullatore pse karburanti i avionëve me cilësi amerikane nuk duhet të përdoret nga linjat ajrore evropiane, me kusht që futja e tij të menaxhohej me kujdes.

    Të mërkurën, komisioneri i energjisë i BE-së, Dan Jorgensen, tha se nuk priste një mungesë serioze në afat të shkurtër, por nuk mund të përjashtonte problemet e furnizimit në afat më të gjatë.

    Drejtori ekzekutiv i operatorit të udhëtimit Tui, Sebastien Ebel, tha gjithashtu se nuk priste mungesa gjatë muajve të ardhshëm.

    Por Walsh tha se ende kishte shqetësime për operatorët e Mbretërisë së Bashkuar.

    “Mendoj se problemi kryesor me të cilin përballet Mbretëria e Bashkuar është koha. Normalisht pritet të shihni një rritje prej 25% të fluturimeve dhe kërkesave për karburant në muajt korrik dhe gusht krahasuar, le të themi, me marsin”, shpjegoi ai.

    “Mendoj se shqetësimi do të jetë se nëse nuk sigurohet furnizim i mjaftueshëm alternativ, mund të ketë disa mungesa kur të hyjmë në periudhën kulmore të verës”, shtoi ai.

    Megjithatë, ai theksoi se nuk kishte arsye për panik dhe se anulimi i përhapur i fluturimeve mund të shmangej.

    Rritja e çmimeve të karburantit është reflektuar tashmë në koston e fluturimeve të gjata, disa prej të cilave kanë parë rritje të konsiderueshme.

    Por sipas drejtuesve të linjave ajrore, disa çmime në Evropë në fakt kanë rënë sepse transportuesit kanë futur zbritje në një përpjekje për të bindur udhëtarët e pavullnetshëm të fluturojnë.

    Megjithatë, Walsh këmbënguli se kjo situatë nuk do të zgjaste.

    “Nuk ka asnjë mënyrë që linjat ajrore të mund të përballojnë kostot shtesë që po përjetojnë”, shpjegoi ai.

    “Mund të ketë disa raste kur linjat ajrore do të bëjnë zbritje për të stimuluar një fluks trafiku… por me kalimin e kohës është e pashmangshme që çmimi i lartë i naftës do të reflektohet në çmime më të larta të biletave”, theksoi ndër tjera.

    Ai shtoi se ndërprerja e furnizimeve me naftë bruto dhe dëmtimi i objekteve të rafinimit në Gjirin nënkuptojnë se edhe nëse Ngushtica e Hormuzit do të rihapej tani, çmimet e karburantit nuk ka gjasa të ulen shpejt.

    “Sido që ta shikoni, mendoj se ky problem do të vazhdojë për disa muaj që do të vijnë dhe mund të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”, tha ai.

    Një zëdhënës i qeverisë shtoi se furnizuesit e karburantit mbajnë “stoqe karburanti të furnizuara për të mbështetur qëndrueshmërinë e tyre” dhe se qeveria po punonte me industrinë e aviacionit për të mbajtur fluturimet në funksionim, si dhe po konsultohej mbi “masat për të ndihmuar linjat ajrore të planifikojnë orare realiste fluturimesh të cilat do të shmangin ndërprerjet e minutës së fundit dhe do të mbrojnë pushimet”.