ATV

Author: K.B.

  • Policia shpall në kërkim 22-vjeçaren nga Samadrexha, dyshohet për shitje të drogës

    Policia shpall në kërkim 22-vjeçaren nga Samadrexha, dyshohet për shitje të drogës

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Blerina Malokun, 22-vjeçare nga fshati Samadrexhë, e cila dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Policia, përmes një njoftimi për media, ka ndarë edhe foton e të dyshuarës.

    “Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, e dyshuara shpallet në KËRKIM nga Policia e Kosovës, referuar autorizimit të Prokurorisë drejtuar Policisë së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë që të publikojë fotografitë e të pandehurës nën dyshimin e bazuar se e njëjta, duke vepruar si bashkëkryerës ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Personi që kërkohet është: BLERINA MALOKU e lindur me 21.02.2004, shqiptare/kosovare me vendbanim në fshatin Samadrexhë-Vushtrri”.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Mitrovicë, Kurti premton mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe të tilla

    Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Mitrovicë, Kurti premton mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe të tilla

    Qeveria e Kosovës ka vënë gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt për të cilin do të investohen afër 1 milion euro, ndërsa në tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në gjithë vendin.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimi në Parkun Industrial në Frashër është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.

    “Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ja kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe tash ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithëmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha ai, raporto eo.

    Kurti shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të rrisë eksportet.

    “Sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithëmbarshëm socio-ekonomik. Në tre vitet në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë mbi 30 milionë euro për 14 parqe industriale anembanë Kosovës, sepse dëshirojmë që infrastruktura për bizneset që prodhojnë e punësojnë të jetë sa më moderne. Këtu në Frashër, punimet tashmë kanë nisur dhe po ndërtohet infrastruktura bazike, e pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër, e cila e modernizon parkun industrial dhe e bën atraktiv për bizneset”, tha ai.

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.

    “Ne si qeveri, si ministri, jemi të përcaktuar që të punojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit tregtar, në zëvendësimin e importeve me produkt vendor, por gjithashtu edhe në vendosjen e Kosovës si vend në të cilin ka prodhime me vlerë të shtuar. Prodhime të cilat nuk konkurrojnë me vendet me masë, siç janë ato që bëjnë prodhime në numër të madh të punëtorëve, por ato që kanë vlerën e shtuar. Prandaj edhe parashihet që në këtë park të ketë kompani prodhuese të cilat janë në fushën e teknologjisë, në fushën e inovacionit dhe teknologji e inovacion ka në të gjithë spektrin industrial, por gjithashtu edhe ato të shtojmë tashmë edhe komponentën e ekonomisë së pastër”, tha ajo.

    Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët dhe bizneset.

    “Zotimi im si i pari i Mitrovicës ka qenë edhe është në baza ditore, që të krijojmë kushte dhe rrethana më të favorshme të bërit biznes, duke filluar nga mundësitë infrastrukturore dhe hapësirat fizike ose ndarja e parcelave që është njëra prej kërkesave të para të secilit investitor ose afarist që dëshiron që ta rrisë kapacitetin ose që të vijë në Kosovë për t’investu. E Mitrovica si komunë, në këtë fazë dhe me përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave, vartësve të tij, e ka mundësinë ideale që të transformohet në njërën prej qyteteve më të zhvilluara sikurse ka qenë në të kaluarën. Aktualisht trendet dhe niveli i zhvillimit të komunës tonë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, ambicia jonë është që të vazhdojmë”, tha ai.

    Ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

  • Dëmi mbi 100 mijë euro, shpallen fajtorë dy të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë

    Dëmi mbi 100 mijë euro, shpallen fajtorë dy të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen fajtorë të Astrit Zogianit dhe Faton Rrustemit, të akuzuar në rastin e korrupsionit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    Në reagimin e PSRK-së, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe integritetit institucional.

    “Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe që çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

    Në seancën fillestare e cila u mbajt të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Astrit Zogiani, në cilësinë e menaxherit të financave dhe Faton Rrustemi, përgjegjës i sigurimit në Pallatin e Rinisë, pranuan fajësinë lidhur me akuzat për korrupsion.

    Sipas organit të akuzës, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin mbi 107 mijë euro.

    Astrit Zogiani akuzohej për veprat penale: “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, derisa Faton Rrustemi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    “Pallati i Rinisë”, në cilësinë e palës së dëmtuar ka kërkuar kompensim të dëmit material në shumën prej 107 mijë e 675 euro e 21 centë.

  • PS dhe PD pajtohen mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE, zbulohet drafti final

    PS dhe PD pajtohen mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE, zbulohet drafti final

    Është zbuluar drafti final i rezolutës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

    Në materialet e siguruara nga Top Channel, shihet drafti final i dakordësuar nga PS dhe PD që është dërguar në Kuvend.

    Në draft shkruhet:

    PËR PROCESIN E ANËTARESIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN

    Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

    Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr. 15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

    Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

    Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

    Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, pages dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

    Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i antarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

    Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

    Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike.

  • Arrestohen tre persona për kontrabandë me migrantë, policia jep detaje

    Arrestohen tre persona për kontrabandë me migrantë, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në dy raste kriminale ‘kontrabandë me migrantë’.

    Në rastin e parë, dje në zonën e Rugovës, policia ka ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil- kërkimi nga Greqia.

    Policia shton se, i dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi, dhe se me vendim të prokurorit i dyshuari B. K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.

    Komunikata:

    Arrestohen tre të dyshuar të përfshirë në dy raste kriminale ‘kontrabandë me migrantë’

    Prishtinë, më 14 maj 2026

    Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Departamenti i Kufirit, gjatë ditës së djeshme 13 maj 2026, kanë iniciuar dy raste kriminale ‘kontrabanda me migrantë’.

    Në rastin e parë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit-Rahovec, më 13.05.2026 në orën 13:45, në zonën e Rugovës, kanë ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil- kërkimi nga Greqia. I dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi. Me vendim të prokurorit i dyshuari B. K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.

    Rasti i dytë, i ndodhur po dje më 13.05.2026, në orën 20:35, zyrtarë policorë nga njësiti patrullues Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit -Hani i Elezit, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Migrimi ilegal”, gjatë vëzhgimit të terrenit me dron në fshatin Seqishtë, Hani i Elezit, kanë vërejtur dy persona duke kaluar në këmbë vijën kufitare nga fshati Bllacë e Maqedonisë së Veriut, në territorin e Republikës së Kosovës, në afërsi të pikëkalimit kufitar ishte duke i pritur një automjet për t’i transportuar brenda territorit.

    Njësitë patrulluese kanë arritur ta ndalojnë automjetin dhe të arrestojnë tre persona shtetas kosovarë dhe një person shtetas i Bangladeshit.

    Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve me iniciale Q. C., P. L. dhe A. B., meshkuj kosovarë, është iniciuar rasti ‘kontrabandë me migrantë’, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa viktima nga Bangladeshi është trajtuar nga njësia e migrimit dhe është dërguar në Qendrën e Strehimit për Migrantë në Vranidoll. Gjithashtu është sekuestruar përkohësisht një automjet me targa vendore dhe katër telefona mobilë.

  • “Po e shpall pavarësinë, po”; “me emër të Zotit”, Endriti rikthen videon e Thaçit me Demaçin

    “Po e shpall pavarësinë, po”; “me emër të Zotit”, Endriti rikthen videon e Thaçit me Demaçin

    Endrit Thaçi, djali ish-presidentit Thaçi, ka rikthyer në kujtesë një moment të veçantë mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

    Në videon që ka publikuar në Instagram, veprimtari Demaçi iu drejtuar Thaçit me fjalët: “Po e shpall Pavarësinë, po?”.

    Ndërsa ish-presidenti Thaçi ia kthen: “Me emër të Zotit”.

    VIDEO

  • Kosova dhe Shqipëria organizojnë konferencë shkencore kushtuar Ibrahim Rugovës

    Kosova dhe Shqipëria organizojnë konferencë shkencore kushtuar Ibrahim Rugovës

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë sot organizojnë konferencën shkencore “Ibrahim Rugova – Shkrimtari, Intelektuali, Presidenti”.

    Konferenca ndërkombëtare i kushtohet jetës, veprës dhe trashëgimisë intelektuale dhe politike të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Konferenca do të mbledhë studiues, akademikë, shkrimtarë dhe personalitete të jetës publike nga vendi dhe bota, për të trajtuar dimensionin letrar, kulturor, politik dhe diplomatik të veprës së Rugovës, si një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

    Ngjarja mbahet në Sallën e Akademisë në Prishtinë.

  • Kërkimet për gruan e zhdukur nga Deçani po vazhdojnë edhe sot

    Kërkimet për gruan e zhdukur nga Deçani po vazhdojnë edhe sot

    Operacioni i kërkimit për 55 vjeçaren e cila u raportua e zhdukur në Deçan po vazhdon edhe sot.

    Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës Driton Rugova.

    “Njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë bashkë edhe me Stacionin e Policisë në Deçan po i vazhdojnë kërkimet për personin e zhdukur. Ende nuk është arritur të gjendet”, deklaroi Rugova.

    “Në kërkim pos policisë dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit, janë të angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës”, u shpreh ai.

  • Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” shpallet kampion i Ligës së Parë

    Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” shpallet kampion i Ligës së Parë

    Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” ka arritur një sukses të madh sportiv, duke u shpallur kampion i Ligës së Parë të Futsallit për edicionin garues 2025/2026 dhe duke siguruar pjesëmarrjen në gara në Superligën e Kosovës.

    Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se ekipi i Policisë së Kosovës dominoi me rezultat 8:3.

    Pas përfundimit të ndeshjes, në një atmosferë festive dhe emocionuese, u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së medaljeve dhe Kupës së Kampionit.

    Medaljet dhe trofeu iu dorëzuan ekipit kampion nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në praninë e zyrtarëve të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës, udhëheqjes së klubit Policia e Kosovës dhe Drejtorisë së Sportit të Komunës së Prishtinës.

    “Policia e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë mbështetur ekipin gjatë këtij rrugëtimi dhe uron që ky sukses të shërbejë si motivim për të gjithë. Urime dhe suksese ekipit!”.

  • Telefoni T1 i Trumpit gati për lansim

    Telefoni T1 i Trumpit gati për lansim

    Që kur u njoftua për herë të parë, telefoni T1 i Donald Trumpit është përballur me vonesa e ridizajnime.

    Këto mund të marrin fund, pasi kompania ka njoftuar se do të lansojë shumë shpejt telefonin e saj të parë inteligjent.

    Trump Mobile ka njoftuar se po planifikon të fillojë dërgimin e telefonave për njerëzit që e kanë porositur paraprakisht pajisjen këtë javë.

    Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Pat O’Brien, e konfirmoi fillimisht lajmin për USA Today.

    Sipas Trump Mobile, përdoruesit që kanë porositur paraprakisht një telefon T1 duhet të marrin një email përditësimi me detaje të mëtejshme.

    Kompania tha se planifikon të përmbushë të gjitha porositë paraprake brenda disa javëve të ardhshme.

    Një njoftim për shtyp i Trump Mobile, i raportuar nga The Verge, thotë se kërkesa për telefonin e ri inteligjent ka qenë “jashtëzakonisht e lartë”.

    Sipas O’Brien, kompania është mbingarkuar dhe pritja e gjatë “ka vlejtur pasi po ofrojnë një produkt të mrekullueshëm”.