ATV

Author: K.B.

  • Incidenti në Skenderaj, Dërguti: Pushteti i VV-së qëllimisht provokon Sami Lushtakun

    Incidenti në Skenderaj, Dërguti: Pushteti i VV-së qëllimisht provokon Sami Lushtakun

    Kandidatja për deputete e PDK-së, Aida Dërguti, ka kotuar ngjarjet e djeshme në Skenderaj.

    Ajo ka vlerësuar se kjo nuk është hera e parë që pushteti i VV-së njerëz të caktuar targeton dhe provokon me qëllim që të nxisin reagimin e tyre.

    Në profilin e saj në Facebook, Dërguti ka shkruar se pushteti aktual qëllimisht po e provokon Sami Lushtakun.

    “Mungesa e ligjit për vlerat e luftës, fatkeqësisht, detyron njerëzit që të marrin drejtësinë në duart e veta. Ngjarjet tronditëse si ato të djeshme në Skenderaj, nuk bën të përsëriten. Mirëpo, ka një praktikë të keqe gjatë kohës së zgjedhjeve dhe nuk është hera e parë, që njerëz të caktuar targetohen dhe nxirren në skenë, ngacmohen, provokohen, me qëllim që të nxisin reagimin e tyre, ndonëse ata nuk janë të përfshirë fare në garë. Njëri nga ta është Sami Lushtaku. Kjo lojë e ulët bëhet vetëm për përfitim të votave. Sami Lushtakun mund ta kritikosh për gjithçka tjetër, meqë është i angazhuar politikisht dhe mban post publik”, ka shkruar ajo, duke kërkuar që legjislatura e ardhshme të miratojë Ligjin për Vlerat e Luftës.

    “Prandaj angazhimi politik e publik në të sotmen, nuk e përjashton askënd nga kritika dhe të qenurit i kritikueshëm. Mirëpo, ka një pikë ku njeriu nuk preket, aty ku i kontestohet vet qenia politike. Në kulmin e polarizimit politik me Serbinë, Samiu u përball me të në vijat e frontit. Gjatë luftës, Sami Lushtaku ka qenë në nivelin më të lartë të detyrës kombëtare, duke i shërbyer vendit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kurdo që do të shfaqej nevoja, do t’i përgjigjej thirrjes me të gjitha kapacitetet e tij. Prandaj, për të shmangur situatat e ngjashme, është urgjencë kombëtare, që të miratohet Ligji për Vlerat e Luftës, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës”, ka shkruar ajo.

  • Nis hetimi për incidentin në minierën e “Trepçës”, 18 minatorë mbetën të ngujuar për mbi 12 orë

    Nis hetimi për incidentin në minierën e “Trepçës”, 18 minatorë mbetën të ngujuar për mbi 12 orë

    Ka nisur hetimi për rastin e djeshëm në minierën “Trepça” në Stan-Tërg, ku 18 minatorë mbetën të ngujuar për mbi 12 orë në thellësi rreth 800 metra.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është njoftuar prokurori dhe se rasti është nën hetime.

    “Dy ankuesit meshkuj kosovarë, një zyrtar dhe drejtori i minierës “Trepça”, kanë raportuar se si pasojë e këputjes së një kabllo të rrufepritësit është shkaktuar një zjarr i cili ka dëmtuar në tërësi një trafo të rrymës duke e lënë pa rrymë minierën. Si pasojë, lifti për bartjen e minatorëve ka dalë jashtë funksionimit dhe në minierë kanë mbetur 48 punëtorë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, emergjenca dhe zjarrfikësit. Minatorët kanë dalë nga miniera në gjendje të mirë shëndetësore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e PK-së.

    Të gjithë minatorët kanë arritur të dalin nga miniera në gjendje të mirë shëndetësore, disa përmes daljeve emergjente.

  • Kriza politike në Britani – Katër skenarët për fatin e Keir Starmer në krye të qeverisë

    Kriza politike në Britani – Katër skenarët për fatin e Keir Starmer në krye të qeverisë

    Britania po përballet me një krizë serioze politike, ndërsa autoriteti i Keir Starmer është tronditur nga dorëheqje të shumta ministrash dhe presion i fortë brenda Partisë Laburiste. Sipas analizës së “Guardian”, situata në Partinë Laburiste ka hyrë në një fazë të paqëndrueshme, ku disa deputetë po kërkojnë largimin e menjëhershëm të kryeministrit ose vendosjen e një afati të qartë për dorëheqjen e tij. Ndërkohë, Starmer mbetet në detyrë dhe ka sinjalizuar se do të luftojë për të mbajtur postin e tij.

    Sfidë lidershipi pa Andy Burnham
    Një nga skenarët kryesorë për të ardhmen e lidershipit përfshin Andy Burnham, i cili shihet si kandidat potencial për të pasuar Starmerin, por nuk është aktualisht deputet.
    Çdo sfidë formale ndaj kryeministrit do të kërkonte mbështetjen e një grupi të madh deputetësh laburistë dhe mundësisht një garë të brendshme në parti. Në këtë skenar, emra si Wes Streeting, Angela Rayner dhe Ed Miliband përmenden si figura të mundshme, por pa konsensus të qartë.

    Kthimi i Burnham në Dhomën e Komunave
    Një tjetër skenar parashikon që Burnham të kandidojë në një zgjedhje të pjesshme dhe të rikthehet si deputet në Parlament. Nëse kjo ndodh, ai mund të hyjë më lehtë në garën për lidershipin e Partisë Laburiste, duke rritur presionin ndaj Starmerit. Megjithatë, Downing Street do të kishte ndikim në procesin e lejimit të kandidaturës së tij, duke e bërë situatën politikisht të ndërlikuar dhe të paparashikueshme.

    Skenar i zgjatur për lidershipin e Burnham
    Në këtë variant, Burnham mund të mos arrijë menjëherë në Parlament, por të presë deri në përfundimin e mandatit të tij si kryebashkiak në vitin 2028. Kjo do të krijonte një periudhë të gjatë pasigurie në Partinë Laburiste, me një kryeministër të dobësuar politikisht dhe me ndikim të kufizuar. Sipas analizës, kjo situatë do të rrezikonte performancën e qeverisë dhe do të ndikonte negativisht në sondazhet e partisë.

    Starmer mbijeton në pushtet

    Skenari i katërt është që Keir Starmer të arrijë të mbijetojë politikisht, pavarësisht presionit të brendshëm. Edhe pse konsiderohet skenari më pak i mundshëm nga disa analistë, ai mbetet një opsion real nëse opozita e brendshme nuk arrin të organizohet. Në këtë rast, Partia Laburiste do të hynte në një periudhë të gjatë tensioni dhe dobësimi, por Starmer mund të përpiqet të rikuperojë mbështetjen politike dhe elektorale.

  • “Është krim çka po ndodh me punëtorët e sektorit privat” – Jusuf Azemi paralajmëron protesta dhe grevë

    “Është krim çka po ndodh me punëtorët e sektorit privat” – Jusuf Azemi paralajmëron protesta dhe grevë

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i ftuar në emisionin “Pika e Ditës”, ka folur për gjendjen e rëndë të punëtorëve në sektorin privat, duke e cilësuar si “krim” mënyrën se si po trajtohen ata.

    Azemi paralajmëroi protesta dhe greva nga punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtinës, për shkak të mosmarrjes së pagave.

    “Ne kemi paralajmëruar protestë të hënën, e nëse nuk zgjidhet problemi, të martën hyjmë në grevë. Rreth 20 shkolla në Prishtinë do të përfshihen, pasi punëtorët teknikë nuk i kanë marrë pagat, të cilat janë vetëm 391 euro”, deklaroi ai.

    Sipas Azemit, situata e punëtorëve në Kosovë mbetet shumë shqetësuese, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e tyre punojnë pa kontrata pune.

    “Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, 33 për qind e punëtorëve në Kosovë nuk kanë kontrata pune, por ne mendojmë se numri është edhe më i madh. Ka kompani që me dekada operojnë dhe ende nuk janë të regjistruara”, tha Azemi.

    Ai akuzoi institucionet se janë të informuara për problemet në sektorin privat, por sipas tij mungon veprimi konkret.

    “Po tregojmë realitetin. Është krim çka po ndodh me punëtorët e sektorit privat, ndërsa të gjitha institucionet i kanë këto probleme në tavolinë”, përfundoi Azemi.

  • “Printeri njerëzor”, kjo është gruaja që qëndron pas postimeve të jashtëzakonshme të Trumpit

    “Printeri njerëzor”, kjo është gruaja që qëndron pas postimeve të jashtëzakonshme të Trumpit

    Asistentja shumëvjeçare e Donald Trumpit, Natalie Harp, e cila pretendon se presidenti amerikan i ka shpëtuar jetën, është një punonjëse kyçe e Shtëpisë së Bardhë që e ndihmon me postimet në rrjetin Truth Social.

    Sipas Wall Street Journal, Harp mbledh “screenshot” nga rrjetet sociale ku lavdërohet Trumpi, mbështeten teori konspirative ose kritikohen kundërshtarët e tij, dhe ia jep ato të printuara presidentit për miratim.

    Pas aprovimit, ajo i publikon në llogarinë e Trumpit, shpesh jashtë orarit të punës, gjatë natës ose fundjavave. Thuhet se edhe vetë Trump ndonjëherë poston drejtpërdrejt në profilin e tij, shkruan The Independent.

    Së fundmi, Trump është përballur me kritika për postime kontroverse, përfshirë një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku paraqitej si Jezu Krishti dhe një video me përmbajtje raciste që përfshinte Barack dhe Michelle Obama.

    Sipas raportimeve, Harp ka qenë e përfshirë në publikimin e disa prej këtyre përmbajtjeve.

    Shtëpia e Bardhë ka fajësuar një punonjës të paidentifikuar për disa postime problematike, ndërsa zyrtarët theksojnë se Trump kontrollon personalisht përmbajtjen që publikohet në Truth Social.

    Harp punon me Trumpin që nga viti 2022 dhe më parë u bë e njohur pasi foli në Konventën Republikane të vitit 2020, ku pretendoi se një politikë e tij i kishte shpëtuar jetën, gjë që më vonë u vu në dyshim nga ekspertët.

    Ajo është përshkruar nga mediat si një asistente jashtëzakonisht besnike, e cila pas zgjedhjeve të vitit 2020 e ndiqte Trumpin kudo dhe i sillte artikuj dhe materiale të printuara për t’ia ngritur humorin.

    Sipas raportimeve, ajo i referohet Trumpit si “Mbrojtësi dhe Kujdestari i saj”, duke i dërguar letra me tone shumë personale mirënjohjeje dhe admirimi, gjë që ka shkaktuar edhe habi brenda rrethit të tij.

  • Ndërron jetë zyrtari i Policisë së Kosovës, Sheqir Ferizi

    Ndërron jetë zyrtari i Policisë së Kosovës, Sheqir Ferizi

    Ka ndërruar jetë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sheqir Ferizi.

    Faqja e fshatit Prapashticë ka bërë të ditur se i ndjeri ishte duke luftuar që shtatë me jetë si pasojë e një infarkti.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më datën 15.05.2026, në ora 17:00, në varrezat mbi xhaminë e fshatit Prapashticë.

  • AKK: Komunat ndodhen nën presion financiar

    AKK: Komunat ndodhen nën presion financiar

    Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka zhvilluar takimin e radhës, ku u diskutua për sfidat institucionale dhe financiare që, sipas AKK-së, po e rëndojnë funksionimin e komunave, me theks të veçantë në autonominë lokale, procedurat e rekrutimit në shërbimin civil dhe pasojat buxhetore të kontratës kolektive dhe vendimeve gjyqësore.

    Takimi u hap nga kryetari i AKK-së, Agim Aliu, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit institucional ndërmjet komunave “për mbrojtjen e interesit lokal dhe garantimin e funksionimit normal të komunave”.

    Sipas AKK-së, në takim u shqyrtuan tri çështje kryesore: rregullorja për procedurat e pranimit në shërbimin civil, kontrata kolektive dhe pasojat financiare për komunat, si dhe ndikimi buxhetor nga zbatimi i shtesës së përvojës së punës nga 0.25% në 0.5%.

    Shqetësime për rekrutimin e centralizuar dhe autonominë lokale Asociacioni njoftoi se kryetarët e komunave shprehën shqetësim “serioz” për, siç u cilësua, tendencën e centralizimit të kompetencave në rekrutimin e shërbyesve civilë dhe ndërhyrjen në autonominë lokale.

    AKK vlerëson se bartja e procedurave të rekrutimit në nivel qendror përbën cenim të kompetencave kushtetuese të komunave dhe bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes lokale.

    Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, sipas njoftimit, ka theksuar se komunat nuk janë konsultuar paraprakisht për ndryshimet e propozuara dhe se janë vendosur “para një akti të kryer”.

    Në këtë pikë, Këshilli i Kryetarëve ka kërkuar: pezullimin e zbatimit të procedurave të centralizuara të rekrutimit deri në vlerësim kushtetues e institucional, inicimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave që cenojnë kompetencat komunale, si dhe përfshirjen e komunave dhe AKK-së në proceset konsultative për reformën në administratën publike.

    Kosto të larta nga kontrata kolektive Në diskutimin për kontratën kolektive, AKK thotë se kryetarët kanë vlerësuar se komunat po përballen me pasoja të rënda financiare, që po ndikojnë drejtpërdrejt në projektet kapitale dhe shërbimet komunale.

    Sipas të dhënave të prezantuara në takim, komunat kanë përballuar mbi 344 milionë euro obligime financiare, ndërsa rreth 93 milionë euro, sipas AKK-së, kanë përfunduar në shpenzime përmbarimore.

    Kryetarët, sipas njoftimit, kanë theksuar se komunat nuk janë palë nënshkruese të kontratës kolektive dhe, rrjedhimisht, “nuk duhet të bartin barrën financiare të obligimeve” të krijuara nga niveli qendror. Po ashtu janë ngritur shqetësime për kostot e larta të përmbaruesve privatë, raste të pagesave të dyfishta dhe ndarjen e lëndëve për rritje të shpenzimeve procedurale.

    Në këtë drejtim, Këshilli i Kryetarëve kërkon rimbursim të mjeteve nga niveli qendror, ndërprerje të praktikave që rëndojnë buxhetet komunale përmes kostove disproporcionale të përmbarimit, trajtim prioritar të lëndëve në sistemin gjyqësor dhe verifikim të rasteve të pagesave të dyfishta.

    Shtesa e përvojës së punës: 15–20 milionë euro kosto shtesë në vit Sa i përket zbatimit të shtesës së përvojës së punës në shkallën 0.5% pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, AKK njofton se është vlerësuar se kjo po e rëndon ndjeshëm buxhetin e komunave, me një kosto shtesë prej rreth 15 deri në 20 milionë euro në vit.

    Këshilli i Kryetarëve kërkon që Ministria e Financave t’i kompensojë komunat për këtë kosto shtesë dhe që obligimet financiare të krijuara nga vendimet e nivelit qendror të mos barten në buxhetet komunale pa mbështetje adekuate.

  • Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për 6 mjekë të përgjithshëm në FSK

    Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për 6 mjekë të përgjithshëm në FSK

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka shpallur konkurs për pranimin e gjashtë mjekëve të përgjithshëm në Regjimentin e Mjekësisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

    Sipas njoftimit, afati për aplikim është nga data 11 deri më 25 maj 2026.

    Njëherësh, thuhet se aplikimi mund të bëhet online.

  • Marta Kos mbërrin në Presidencë, pritet nga Albulena Haxhiu

    Marta Kos mbërrin në Presidencë, pritet nga Albulena Haxhiu

    Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka mbërritur në Presidencës për takim me U.D. Presidenten, Albulena Haxhiu.

    Ajo u prit nga nikoqirja, ku para takimit realizuan edhe disa fotografi.

    Nuk është paralajmëruar konferencë për media pas këtij takimi.

    Ndërkaq, Kos pritet të takojë edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në orën 10:30, pas së cilit është paralajmëruar konferencë për media.

    Kjo është vizita e parë e Komisioneres Kos në Kosovë që nga marrja e detyrës së saj, më 2024.

  • Trump largohet nga Pekini, përfundon qëndrimi tre-ditor në Kinë

    Trump largohet nga Pekini, përfundon qëndrimi tre-ditor në Kinë

    Presidenti amerikan, Donald Trump është larguar nga Pekini për në Shtetet e Bashkuara pas takimeve me rrezik të lartë me udhëheqësin kinez Xi Jinping, të cilat synonin të adresonin një mori mosmarrëveshjesh që prekin marrëdhëniet midis dy ekonomive kryesore të botës.

    Air Force One u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit të premten pasdite sipas kohës lokale, pas një ceremonie në pistë, shkruan CNN.

    Trump ngriti grushtin ndërsa hipi në aeroplan, ndërsa njerëz të veshur me blu valëvitnin flamuj amerikanë dhe kinezë dhe brohorisnin.

    Udhëtimi tre-ditor i Trump në Kinë përfshinte një banket shtetëror, vizita në vende historike, çaj dypalësh dhe një drekë pune. Udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë përfunduar një samit historik me implikime globale. Trump tha se u zgjidhën “shumë probleme të ndryshme”, por ende nuk janë njoftuar marrëveshje thelbësore mbi çështjet kryesore që ndikojnë në rivalitetet e tyre.