ATV

Author: K.B.

  • Albin Kurti ripërsërit 3 kushtet për t’u takuar me Vuçiqin në Bruksel

    Albin Kurti ripërsërit 3 kushtet për t’u takuar me Vuçiqin në Bruksel

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka folur për deklaratën e kryediplomates, Kaja Kallas, se është dakorduar një takim i nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksander Vucic.

    Kurti pa treguar nëse është dakorduar apo jo, ka renditur tri kushtet e tij për t’u takuar me Vuçiqin, ku përfshihen dorëzimi i Radojiçiqit, tërheqja e letrës së Bërnabiqit dhe nënshkrimit të marrëveshjes Ohër-Bruksel.

    “Radojcici duhet t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës. Ka aktakuzë 160 faqesh bashkë me 44 paramilitarë terroristë që na e vranë Afrim Bunjakun. Radojcic jo vetëm që është i lirë, por edhe aktiv në politikë. Ai atje është pjesë e projektit për ta shkatërruar opozitën demokratike dhe vazhdon kërcënimet ndaj opozitës”, ka deklaruar ai

    “Letra që e ka lexuar dhe dorëzuar para 27 -shes së BE-së, Ana Brnabiq, ku thotë se nuk e respekton integritetin territorial, duhet të hiqet”, ka theksuar ai.

    “Vazhdoj të insistoj se ajo duhet të nënshkruhet, sepse nënshkrimi nga liderët paraqet kredibilitet, sepse tregon besueshmëri mes palëve. Këto tri masa të mirëbesimit për të vazhduar dialogu, qëndrojnë edhe më tutje”, ka deklaruar Kurti.

  • KQZ: Nesër tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotim

    KQZ: Nesër tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nesër do të mbajë tërheqjen e shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Lajmi është konfirmuar për RTK nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes së shortit për caktimin e numrave rendorë të subjekteve politike është planifikuar të zhvillohet më 16 maj.

    Një ditë më parë, KQZ ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është certifikuar pjesëmarrja në zgjedhje e katër prej pesë subjekteve të reja politike që kishin aplikuar gjatë periudhës 2–10 maj 2026. Bëhet fjalë për tri koalicione dhe një kandidat të pavarur.

    Subjektet e certifikuara janë: Lëvizja Vetëvendosje, Koalicija Vakat, Ashkalitë e Bashkuar, si dhe kandidati i pavarur Esmir Kasi.

    Ndërkohë, KQZ ka refuzuar certifikimin e dy subjekteve politike, Složno Pobeđujemo (nismë qytetare) dhe SDA – Stranka Demokratske Akcije, pasi nuk kanë arritur të plotësojnë kriterin ligjor prej 1000 nënshkrimeve të kërkuara për certifikim.

    Pas vendimeve të fundit të KQZ-së, në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 do të marrin pjesë gjithsej 3 koalicione, 17 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur.

    Koalicionet pjesëmarrëse janë: LVV, Ashkalitë e Bashkuar dhe Koalicija Vakat.

    Ndërsa partitë politike pjesëmarrëse janë: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), KNRP, PSA, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Srpska Lista, Fjala, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Socijaldemokratska Unija (SDU), Jedinstvena Goranska Partija, Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP), Nova Demokratska Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) dhe PSD.

    Kandidat i pavarur në këto zgjedhje është Esmir Kasi.

  • Incidenti në Skenderaj, kush dhe pse e çoi Njësinë Speciale me maska që revoltoi qytetarët e Drenicës mbrëmë?

    Incidenti në Skenderaj, kush dhe pse e çoi Njësinë Speciale me maska që revoltoi qytetarët e Drenicës mbrëmë?

    Incidenti i mesditës së djeshme në qytetin e Skenderajt nga ku mbetën të lënduar kryetari i degës së Vetëvendosjes, zëvendësministri Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli, nxiti tensione në mbrëmje mes policisë e qytetarëve në këtë qytet pas vendosjes së Njësisë Speciale. Vetëvendosje pretendoi se anëtarët e saj u sulmuan nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili e mohoi duke thënë se qytetarët reaguan pas thirrjes “Sami Serbia”. Policia njoftoi se dy persona u arrestuan për këtë rast, ndërsa për intervistim u ftuan dy të tjerë, përfshirë Lushtakun, që deri në njoftim thanë se nuk iu përgjigjen thirrjes.

    Qytetarët e Skenderajt mbrëmë dolën në rrugë për të kundërshtuar prezencën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës pasi atë e lidhën me incidentin ku u përfshi kryetari Lushtaku e zëvendësministri Mehani.

    Drejtoresha e Policisë për rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, tha se vendosja e Njësisë Speciale ishte çështje rutinore dhe operative, e lidhur me kontrolle dhe aktivitete policore të zakonshme.

    Por, këtë version s’e pranuan qytetarët, të cilët praninë e policisë e panë si presion politik.

    Në ballë të qytetarëve doli ish-deputetja Ganimete Musliu, e cila kërkoi sqarim nga policia se pse ndodhën aty.

    Ajo telefonoi policinë për të marrë përgjigje për këtë.

    “Një pjesë e Njësisë Speciale e kanë vetëm plan operativ për shkak se është vera duke u afruar dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve, nuk është asgjë për t’u shqetësuar”, i tha zyrtarja në telefon, të cilin Musliu e kishte vendosur me zë të lartë për ta regjistruar edhe mediat që ishin prezente.

    Megjithatë, Musliu këtë përgjigje e mori si “tallje me qytetarët e Skenderajt”.

    Përveç saj për situatën e krijuar reagoi edhe nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i cili e përshkroi si “atmosferë shtetrrethimi”.

    “Sonte, në mesnatë, në Sheshin e Lirisë “Adem Jashari” në Skenderaj, shumëkush mund të ndiejë peshën e një simbolike të rëndë. Jo sepse historia po përsëritet, e as sepse kohët janë të njëjta, por sepse çdo atmosferë tensioni e shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime që ky vend i ka paguar shtrenjtë. Kur qytetarët fillojnë të ndiejnë presion aty ku duhet të ndiejnë liri, atëherë çdo pushtet duhet të reflektojë”.

    Pas disa orësh tensione dhe grumbullimi të qytetarëve, Njësia Speciale dhe forcat tjera policore u larguan nga Skenderaj në orët e para të mëngjesit, ndërsa qytetarët paralajmëruan reagime të tjera edhe gjatë ditës së sotme.

    Këtë mëngjes një reagim erdhi nga kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, i cili tha se mbrëmë “pamë skena aspak të mira”.

    Ai tha se Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë “me prapavija presioni dhe demonstrimi force”.

    Hamza ia la edhe një porosi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    “E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, shkroi Hamza.

    Ai iu bëri thirrje votuesve të PDK’së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor.

    “Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”.

    Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ftuar konferencë për media, e cila pritet të mbahet në zyrat e kësaj organizate në Skenderaj nga ora 10:30.

    Për incidentin e djeshëm, Prokuroria Themelore në Mitrovicë doli me një komunikatë ku sqaroi veprimet që kanë ndërmarrë.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se përkitazi me rastin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M., dhe B.Z., prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin. Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, tha dje prokuroria.

  • “Suny Hill”, konfirmohet tre emra të rinj, që do të përformojnë në skenë

    “Suny Hill”, konfirmohet tre emra të rinj, që do të përformojnë në skenë

    Sunny Hill Festival ka zbuluar artistët e rinj që do të performojnë në edicionin e këtij viti, duke paralajmëruar një verë spektakolare në Prishtina.

    Festivali do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht dhe pritet të sjellë një nga organizimet më të mëdha muzikore në rajon.

    Në mesin e emrave të konfirmuar janë disa prej artistëve më të njohur të skenës elektronike ndërkombëtare, përfshirë Keinemusik, me performancat e Adam Port dhe Rampa, si dhe Seth Troxler, Carlita dhe Manifest.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i listës së artistëve dhe se në ditët në vijim do të publikohen edhe emra të tjerë të mëdhenj të muzikës botërore, së bashku me artistë vendorë që do të jenë pjesë e programit artistik të festivalit.

    Sipas tyre, pritjet për këtë edicion janë rekord, pasi deri më tani janë konfirmuar blerës të biletave nga më shumë se 50 shtete të botës.

    Interesimi i madh ka bërë që festivali të zgjerojë rrjetin e shitjes së biletave në të gjitha shtetet e Evropës, në United States dhe në vende të tjera anembanë globit.

    Rëndësia e festivalit po reflektohet edhe në ndikimin ekonomik që pritet të sjellë këtë verë.

    Organizatorët theksojnë se hoteleria në Prishtinë dhe qytetet përreth tashmë ka nisur të mbushet me rezervime, ndërsa shumë brende të njohura ndërkombëtare dhe lokale do të jenë pjesë e përvojës së këtij edicioni.

    “Ky edicion nuk është vetëm një festival i zakonshëm i muzikës; është një dëshmi e rritjes sonë si destinacion global. Prishtina po mirëpret botën”, thuhet nga ekipi organizativ i festivalit.

  • Kurti: Shtesat për fëmijë në mandatin tjetër do të rriten deri në 90 euro

    Kurti: Shtesat për fëmijë në mandatin tjetër do të rriten deri në 90 euro

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë nga 60 deri në 90 euro dhe rritje të mbështetjes për lehonat deri në 500 euro në muaj gjatë mandatit të ardhshëm.

    Në tryezën e organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Kurti tha se mbi 400 mijë fëmijë kanë përfituar nga shtesat për fëmijë, ndërsa mbi 80 mijë nëna nga shtesat për lehona.

    “Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë dhe më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadër të gjerë të vendimmarrjes. Për të zbërthyer këtë, më lejoni të përmend disa prej punëve, shumë prej të cilave në sektorë të ndryshëm, por që të gjitha në qendër e kanë familjen”.

    “Për herë të parë në Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400.000 fëmijë. Kur nisem me 10 dhe 20 euro – pati tallje e përqeshje për një politikë të këtillë. E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin tjetër, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro”, tha ai.

    “Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët, edhe këtu i patëm gjetur zero. Nisi me 170 euro muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj”, tha ai.

  • Çështja e konkursit për zëvendëskryesues nxit debat në KGJK

    Çështja e konkursit për zëvendëskryesues nxit debat në KGJK

    Në mbledhjen e 366-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), propozimi i të anëtarit Fahret Vellija që në rend dite të futet shpallja e konkursit për zëvendëskryesues nxiti debat mes anëtarëve.

    Fillimisht, anëtari Vellija tha se nuk duhet të përsëritet gabimi që e kanë bërë si Këshilli me pozitën e kryesuesit. Propozoi që të shpallet konkursit për zëvendëskryesues me qëllim që kjo pozitë të mos mbete vakante, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Gabimi që e kemi ba me kryesuesin mos ta bëjmë me zëvendëskryesuesin”, tha Vellija.

    Më pas, anëtari tjetër- Artan Abazi tha se duhet të kemi parasysh Rregulloren për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, ku specifikohet se pozitat plotësohen 30 ditë pasi që ato të mbesin të lira.

    Abazi bëri thirrje që Këshilli të mos shkel rregulloret e veta, duke thënë se e kanë shkelur tashmë Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së nga gjykata themelore.

    “Nuk duhet për herë të dytë me shkel rregulloren. Rregullorja po thotë 30 ditë pasi të mbetet vakant duhet të hapet e jo 30 ditë para dhe cili e çon dorën me shkel rregulloren, e shkelin rregulloren”, tha Abazi.

    Më pas, fjalën e mori anëtari Besnik Bislimaj, duke thënë se nuk mund t’i faturohet shkelja e rregullores për mosshpallje të konkursit për anëtar të KGJK-së dështimit të takimeve, pasi që në rend dite nuk ka qenë asnjëherë në ato takime propozimi për shpalljen e konkursit.

    Edhe anëtari tjetër, Rrustem Thaqi tha se pozita e zëvendëskryesuesit është e plotësuar dhe se aktualisht zëvendëskryesuesja ka mandat dhe se nuk ka nguti që kjo pozitë të plotësohet.

    Më pas, Vellija pyeti se çka nëse përfundon mandati i zëvendëskryesueses dhe se Këshilli dështon sërish ta zgjedh kryesuesin, duke shtuar se do të mbetet Këshilli i pafunksionalizuar.

    Ndërkaq, Thaqi tha se kjo nuk qëndron si arsyetim pasi që mbledhjet udhëhiqen nga anëtari më i vjetër në rast se pozita e zëvendëskryesuesit mbetet e lirë.

    Anëtari Abazi gjatë diskutimeve tha se Këshilli është penguar në punën e tij, duke munguar anëtarët vazhdimisht në mbledhje. Tha ase natyrshëm mendon se edhe te pjesa e propozimit për zëvendëskryesues ka diçka mbrapa propozimit.

    “Unë gjithëherë flas tu u nis nga faktet, prova dhe provoja, tu e pas faktin e pengesës së mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Gjyqësor në vazhdimësi, të një fakti të njëjtë pa ndryshu fakti fare, sëmundje, sëmundje- më çon me mendu se apet ka diçka mbrapa dhe mendoj se ka prapavijë edhe kjo sepse ka prapavijë edhe kjo. Askush s’mundet me thanë se ka diçka të paimagjinueshme”, u shpreh Abazi.

    Në anën tjetër, anëtari Fidan Hoxha propozoi që t’i drejtohen Zyrës Ligjore për konsultim lidhur me pikën për shpalljen e konkursit për zëvendëskryesues.

    Më pas, anëtari tjetër, Bashkim Hyseni tha se në rast se vazhdimisht diskutohet, do të mbesin tërë ditën duke propozuar që të hidhet direkt në votim propozimi i anëtarit Vellija, propozim ky që mori përkrahje me gjashtë vota për dhe pesë kundër, që në rend dite të jetë shpallja e konkursit për zëvendëskryesues.

    Mbledhja po vazhdon me dyer të mbyllura, ndërkaq në orën 12:00 pritet të hapet.

    Me dyer të mbyllura po trajtohen rastet disiplinore: Shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinor Nr: AD/KGJK/01/2026/GJKK-AD.GJKK.nr.01/2026; Shqyrtimi i ankesës Nr.01/602, të datës 14 prill 2026; Shqyrtimi i ankesës Nr.01/560, të datës 17 mars 2026; Shqyrtimi i kërkesës të datës 12 maj 2026, si dhe Shqyrtimi i ankesës së datës 5 maj 2026.

  • Ish-deputeti Driton Hyseni tregon arsyet e moskandidimit për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit

    Ish-deputeti Driton Hyseni tregon arsyet e moskandidimit për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit

    Anëtari i LVV’së, Driton Hyseni, ka treguar arsyet se pse nuk është në listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Ai ka thënë se ky është një vendim që e ka marrë në koordinim me kreun e partisë, Albin Kurtin, meqë do të angazhohet në kuadër të pushtetit ekzekutiv.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Republikës sonë,

    të nderuar bashkatdhetarë në mërgatë,

    dhe ju miq që më keni qëndruar pranë në çdo rrugëtim politik,

    Ju njoftoj se, në koordinim me Kryeministrin e vendit, z. Albin Kurti, kemi vendosur që angazhimi im të vazhdojë në kuadër të pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës, si vijimësi e rrugëtimit dhe betejave tona të përbashkëta për Kosovën, që nga viti 1998, kur ishim bashkë në shërbim të Zyrës së Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Bacës Adem.

    Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për secilin prej jush, për mbështetjen, konsideratën, besimin dhe vlerësimin që i keni dhënë Lëvizjes Vetëvendosje dhe mua personalisht gjatë kandidimeve në tri palë zgjedhje. Ju jam përjetësisht mirënjohës!

    Jam përpjekur me gjithë dijen dhe mundësitë e mia që, me devotshmëri e besnikëri të ju përfaqësoj në Kuvendin e Republikës. Shpresoj t’ia kem dalë t’i përmbush pritjet tuaja.

    Për Republikën tonë, do të jem gjithmonë aty ku kërkohen puna dhe përkushtimi për t’i shërbyer vendit.

    Suksese Lëvizjes sonë të madhe dhe të gjithë kandidatëve të saj në zgjedhjet e 7 qershorit.

  • Hysni Mehani lirohet nga spitali

    Hysni Mehani lirohet nga spitali

    Pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, kryetari i degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani është liruar në shtëpi.

    Lajmin për lirimin e Mehanit e ka bërë të ditur zyra për media e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.

    Mehani pranoi trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të enjten si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një sulm fizik në qendër të Skenderajt në mesditë.

    Dy persona u ndaluan për 48 orë nën dyshimet për sulmin ndaj Mehanit, konfirmoi Prokuroria e Mitrovicës të enjten.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuari me inicialet E.L dhe B.N janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

    “Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Sami Lushtaku nuk iu përgjigj Prokurorisë, Nura thotë se nuk ka ftesë zyrtare

    Sami Lushtaku nuk iu përgjigj Prokurorisë, Nura thotë se nuk ka ftesë zyrtare

    Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar në konferencë për media se kryetari i komunës, Sami Lushtaku, do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë sapo ajo të pranohet zyrtarisht.

    Ai ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur ftesë zyrtare për institucionin dhe se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë sapo të ndiqen procedurat ligjore.

    “Përndryshe ftesë zyrtare ende nuk kemi si institucion. Jemi duke e prit. Në momentin që e kemi ftesën zyrtare, sigurisht që zoti Lushtaku do t’i përgjigjet…”, ka thënë Nura.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se disa persona të përfshirë në rast nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim, përfshirë edhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, sipas njoftimit zyrtar.

    Nura ka komentuar gjithashtu edhe reagimet politike pas incidentit, duke thënë se gjuha e përdorur nga përfaqësues të Lëvizja Vetëvendosje është e papranueshme dhe e tensionuar. /RTV Dukagjini/

  • Kurti pret në takim Marta Kos

    Kurti pret në takim Marta Kos

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, raporton Ekonomia Online.

    Takimi është duke u zhvilluar në objektin e qeverisë.

    Pas takimit Kurti dhe Kos do të kenë konferencë të përbashkët për media.

    Kos sot gjatë ditës është takuar edhe me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.