ATV

Author: K.B.

  • Musliu: Albin mos nxit dhunë, tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj

    Musliu: Albin mos nxit dhunë, tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj

    Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, derisa ka publikuar një video ku shihen forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Skenderaj.

    “Përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune vetëm se nuk mund të depertosh politikisht përbën një abuzim serioz të pushtetit”, ka shkruar Musliu.

    Ajo thotë se veprime të tilla thellojnë përçarjet, nxisin tensionet dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në një mjedis ku dhuna normalizohet.

    “Albin mos nxit dhunë tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj”, ka bërë thirrje tutje Musliu.

  • Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës

    Një Asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës

    Një asteroid me përmasa të mjaftueshme për të shkaktuar shkatërrime në një qytet pritet të kalojë shumë pranë Tokës javën e ardhshme, kanë bërë të ditur shkencëtarët.

    Sipas astronomëve, trupi qiellor, i quajtur 2026 JH2, mund të jetë deri në katër herë më i madh se një autobus londinez dhe do t’i afrohet planetit tonë “sa më shumë që mundet pa e goditur”.

    Asteroidi pritet të kalojë pranë Tokës mbrëmjen e së hënës, në një distancë rreth 90 mijë kilometra. Kjo konsiderohet një afrim jashtëzakonisht i madh në terma astronomikë, pasi është afërsisht sa një e katërta e distancës mes Tokës dhe Hënës.

    Edhe pse ka përmasa që, në rast përplasjeje, mund të shkaktonin dëme të mëdha, asteroidi u identifikua nga observatorët vetëm pak ditë më parë. Kjo ka rikthyer shqetësimet për aftësinë e zbulimit të hershëm të objekteve potencialisht të rrezikshme pranë Tokës.

    Megjithatë, simulimet tregojnë se nuk ka asnjë mundësi përplasjeje me Tokën të paktën për 100 vitet e ardhshme.

    Vlerësimet aktuale sugjerojnë se asteroidi ka një diametër nga 16 deri në 35 metra dhe do të lëvizë pranë Tokës me një shpejtësi relative prej rreth 5.17 milje në sekondë.

    “Është lloji i objektit që do të mund ta shkatërronte një qytet mjaft lehtë, nëse do të godiste”, tha Mark Norris nga Universiteti i Lancashire për “New Scientist”.

    Madhësia e asteroidit mbetet një vlerësim, pasi bazohet në sasinë e dritës që reflekton sipërfaqja e tij. Kjo do të thotë se përmasat nuk mund të përcaktohen me saktësi të plotë. Nëse asteroidi përbëhet nga material i errët ose që reflekton pak dritë, ai mund të jetë më pranë kufirit të sipërm të vlerësimeve, ose edhe më i madh.

    Edhe në skenarin më të ulët të përmasave të tij, objekti mbart potencial të madh shkatërrues. Ekspertët thonë se, në rast përplasjeje, 2026 JH2 mund të shkaktonte një ngjarje të ngjashme me meteorin e Chelyabinsk-ut.

    Në vitin 2013, një meteor rreth 18 metra i gjerë shpërtheu mbi qytetin Chelyabinsk në Rusi, pranë kufirit me Kazakistanin. Shpërthimi ishte rreth 30 herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima dhe krijoi një valë goditëse që përshkoi globin dy herë.

    Nën zonën e shpërthimit, rreth 45 kilometra mbi tokë, nxehtësia ishte aq e fortë sa disa persona pësuan djegie dhe dëmtime në sy. Rreth 1,500 njerëz u plagosën dhe më shumë se 3,600 banesa u dëmtuan, ndonëse vetëm një pjesë shumë e vogël e trupit qiellor arriti në sipërfaqe.

    Me përmasa që mund të arrijnë deri në 35 metra, 2026 JH2 mund të ishte edhe më shkatërrues, duke hyrë në kategorinë e asteroidëve që shpesh quhen “vrasës qytetesh”.

    Megjithatë, pavarësisht afrimit ekstrem, astronomët theksojnë se asteroidi nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

    Falë rrjetit të teleskopëve të mbrojtjes planetare, shkencëtarët mund të bëjnë përllogaritje shumë të sakta të orbitave të asteroidëve. Edhe pse 2026 JH2 do të jetë shumë i zbehtë për t’u parë me sy të lirë, ai mund të jetë i dukshëm përmes teleskopëve amatorë në zona me qiell të errët.

    Aktualisht, asteroidi ndodhet rreth 3 milionë kilometra larg Tokës, në yjësinë Ursa Major.

    Më herët gjatë këtij viti, drejtuesja e mbrojtjes planetare në NASA paralajmëroi se ende ekzistojnë dhjetëra mijëra asteroidë të përmasave të rrezikshme që nuk janë zbuluar. Dr. Kelly Fast, e cila drejton përpjekjet për gjetjen dhe gjurmimin e objekteve pranë Tokës, tha se shkencëtarët janë ende në kërkim të rreth 15 mijë trupave qiellorë të mesëm që mund të përbëjnë kërcënim.

    Sipas saj, një përplasje nga një objekt i tillë, me diametër të paktën 140 metra, nuk do ta shkatërronte planetin, por mund të shkaktonte dëme të mëdha rajonale.

    Megjithatë, Toka ende nuk ka një sistem të gatshëm për të devijuar një asteroid nëse zbulohet papritur se është në kurs përplasjeje.

    Në vitin 2022, NASA dërgoi qëllimisht anijen kozmike DART drejt hënës së vogël Dimorphos, me qëllim ndryshimin e orbitës së saj përmes përplasjes. Misioni u cilësua si sukses dhe tregoi se një asteroid mund të devijohet nga trajektorja e tij.

    Por Dr. Nancy Chabot, shkencëtare planetare në Universitetin Johns Hopkins dhe një nga drejtueset e misionit, paralajmëroi se aktualisht nuk ka një tjetër anije të ngjashme me DART-in, të gatshme për t’u nisur nëse do të shfaqej një kërcënim real.

    “DART ishte një demonstrim i rëndësishëm”, tha ajo. “Por nuk kemi një tjetër të gatshme për ta përdorur në rast se do të na duhej për një kërcënim konkret.”

  • Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e Kujtim Koqit nga Prizreni

    Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e Kujtim Koqit nga Prizreni

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e personit në kërkim, Kujtim (Iftiman) Koqi, i lindur më 11.05.1989 në Prizren.

    Policia njofton se i njëjti dyshohet për përfshirje në vepra penale, ndaj autoritetet kompetente janë në kërkim aktiv të tij.

    “Çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e vendndodhjes së personit është i rëndësishëm për hetimet dhe trajtohet me konfidencialitet të plotë.

    Qytetarët inkurajohen që çdo informacion relevant ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose përmes linjës pa pagesë 0800 19999, si dhe në aplikacionin ‘Lajmëro Policinë’”, thuhet në njoftim.

  • Flasin nga QKUK: 25-vjeçari në gjendje koma, pasi u plagos mbrëmë në Prishtinë

    Flasin nga QKUK: 25-vjeçari në gjendje koma, pasi u plagos mbrëmë në Prishtinë

    25-vjeçari, Harbin Vitija është plagosur mbrëmë vonë në Prishtinë.

    Ai pas plagëve që ka marrë është dëguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), më konkretisht në Kliniken Intensive.

    “Po është kryer një intervenik kirurgjik. Pacienti po vazhdon të marrë trajtimin mjekësor në njësinë e mjekimit intensiv. Gjendja e përgjithshme e pacientit është e rëndë. Ai vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna, i kyçur për aparatura mjekësore dhe i varur nga aparaturat”, ka thënë në një prononcim për IndeksOnlinen, Shaqir Uka- shef i mjekimit intensive.

    Detaje për këtë rast, mbrëmë kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.

  • “Polici private e Albin Kurtit”, Mërgim Lushtaku reagon ashpër për aksionin e Njësisë Speciale në Skënderaj

    “Polici private e Albin Kurtit”, Mërgim Lushtaku reagon ashpër për aksionin e Njësisë Speciale në Skënderaj

    Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar lidhur me praninë e Njësisë Speciale në Skënderaj.

    Sipas tij, ajo çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në këtë qytet është pjesë e një skenografie të “regjimit autoritar të Albin Kurtit”.

    “Gjithçka që po shohim sonte në Skënderaj është skenografi e këtij regjimi autoritar. Disa policë me maska, pa asnjë nevojë, vetëm për të shërbyer si një polici politike e private e Albin Kurtit. Gjithsesi, respekt për uniformën që mbajnë. Shumë gjak është derdhur në tokën e lavdishme të Drenicës që një ditë ta kemi shtetin dhe policinë tonë”, ka shkruar Lushtaku.

  • Pacolli i zhgënjyer me zhvillimet politike: Kosovën po e dëmtojnë interesat klanore e personale

    Pacolli i zhgënjyer me zhvillimet politike: Kosovën po e dëmtojnë interesat klanore e personale

    Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, duke shprehur zhgënjim të thellë për mënyrën se si po funksionon skena politike.

    Ai ka thënë se po e vëzhgon situatën “nga periferia” dhe në mënyrë neutrale, duke u fokusuar vetëm në interesin e qytetarëve dhe të shtetit.

    Pacolli, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si ish-shef i diplomacisë dhe ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, ka deklaruar se zhvillimet politike po bëhen kryesisht për interesa partiake, klanore, familjare dhe personale, fatkeqësisht shpesh vetëm në dëm të qytetarëve.

    “Unë, nga periferia, po e vëzhgoj situatën në mënyrë neutrale dhe vetëm nga aspekti i interesit të qytetarëve dhe të vendit. Dua të them se jam tepër i zhgënjyer, sepse e kam kuptuar dhe e shoh qartë se zhvillimet politike po bëhen kryesisht për interesa partiake, klanore, familjare dhe personale, fatkeqësisht shpesh vetëm në dëm të qytetarëve, të Kosovës, imazhit të saj dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ai

    Ai ka shtuar se qytetarët tashmë mund ta kuptojnë pse, sipas tij, nuk arriti t’i realizojë synimet e veta politike.

    “Shpresoj shumë që qytetarët tani po e kuptojnë pse unë nuk arrita t’i realizoj synimet e mia, të cilat ishin vetëm në interes të qytetarëve, mirëqenies së tyre dhe të shtetit. Nuk arrita në këtë mision sepse isha i vetmuar dhe vota e qytetarit nuk ma mundësoi që në Kosovë të instalohej filozofia e ndershmërisë, respektit ndërnjerëzor, meritokracisë, tolerancës, imazhit pozitiv dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh ish-Presidenti Pacolli për FrontOnline

  • “Nuk është lajmëruar qe dy ditë” – zhduket 24-vjeçarja nga Prizreni, bashkëshorti kërkon ndihmën e policisë

    “Nuk është lajmëruar qe dy ditë” – zhduket 24-vjeçarja nga Prizreni, bashkëshorti kërkon ndihmën e policisë

    Një rast i zhdukjes së një të reje po hetohet në Prizren, pasi B. D. rreth 24 vjeç është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.

    Sipas informatave, bashkëshorti i saj A. K rreth 33 ka raportuar se 24-vjeçarja qe dy ditë nuk është paraqitur dhe nuk ka kontaktuar me familjen.

    Burimet bëjnë të ditur se sipas deklarimit të tij, mes tyre nuk kishte pasur probleme dhe kjo është hera e parë që ajo largohet pa njoftim.

    Rasti është raportuar në rrugën “Enkelejt-Arban” në Prizren, ndërsa njësia e hetimeve të stacionit policor ka nisur veprimet për lokalizimin e saj.

  • Thaçi nga paraburgimi mesazh për politikanët: Egoja në politikë të fundos

    Thaçi nga paraburgimi mesazh për politikanët: Egoja në politikë të fundos

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për rolin e ambicies në politikë dhe fusha të tjera të jetës, duke theksuar se pa ambicie nuk mund të arrihen objektiva të mëdha.

    Thaçi ka deklaruar se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë ambicioz dhe se këtë e konsideron një nga arsyet e arritjes së qëllimeve politike.

    “Gjithë jetën kam qenë dhe jam ambicioz, i madh bile. Por, edhe kam punuar shumë për realizimin e qëllimeve: të lirisë dhe pavarësisë. Ka mbetur edhe integrimi në NATO dhe BE”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ambicia është e domosdoshme jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera si shkenca, media, sporti apo biznesi.

    “Ata që duan të futen në politikë, shkencë, media, sport, biznes apo aktivitete tjera… nëse nuk kanë ambicie mos të futen fare, sepse bëhen barrë për të tjerët”, është shprehur Thaçi.

    Ai ka theksuar se ambicia nuk duhet ngatërruar me karrierizmin, duke i cilësuar si dy koncepte të ndryshme.

    “Janë dy kategori mendimi, sjelljeje dhe veprimi shumë të dallueshme. Nuk i ndan fija e perit, por vlera dhe deri ku shkon antivlera”, ka deklaruar ai.

    Thaçi ka përmendur edhe rrugëtimin e tij politik, duke thënë se në disa raste është tërhequr nga pozita të larta për arsye politike dhe institucionale.

    Ai ka kujtuar vitet 2001 dhe 2014, kur, pavarësisht fitoreve zgjedhore, ishte tërhequr nga posti i kryeministrit, si dhe dorëheqjen e tij nga posti i presidentit në vitin 2020 para dërgimit në Hagë.

    “Në politikë, jo rrallë një hap prapa të hap shtigje të reja, por mund edhe të të fundos. Varet si e menaxhon tërheqjen dhe për çfarë motivi ndërton rikthimin”, ka thënë Thaçi.

    Sipas tij, suksesi politik kërkon durim, kontroll të egos dhe menaxhim të interesit personal në funksion të kauzës. /Kanal10

  • Osmani me mesazh për diasporën: Votoni për kë të doni, e rëndësishme që mund të votoni të lirë

    Osmani me mesazh për diasporën: Votoni për kë të doni, e rëndësishme që mund të votoni të lirë

    Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova nuk do të mund t’ia shpaguajë kurrë diasporës gjithë kontributin që ka dhënë ndër vite për vendin.

    Në emisionin “Rubikon”, Osmani tha se mërgata ka pasur rol kyç në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke përmendur lobimin ndërkombëtar, luftën për çlirim dhe mbështetjen pas luftës.

    “Nuk besoj se ndonjëherë do të mund t’ia shpaguajmë mërgatës sonë gjithë atë që ka bërë për Kosovën. Kosova kurrë nuk do të mund t’i hapte dyert në Shtëpinë e Bardhë pa kontributin e mërgatës sonë në vitet e ’90-ta. Po ashtu, Kosova nuk do të arrinte kurrë çlirimin pa ata djem e vajza që lanë jetën komode në shtetet perëndimore dhe erdhën për të dhënë jetën për Kosovën”, tha Osmani.

    Ajo njëherësh tha se diaspora ka ndihmuar edhe në rindërtimin e vendit pas luftës dhe vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm edhe sot.

    “Sikur të mos ishte mobilizimi i menjëhershëm i mërgatës, Kosova nuk do ta kishte kaluar aq lehtë periudhën e pasluftës dhe shkatërrimet që la pas lufta dhe gjenocidi serb. Edhe sot, ata vazhdojnë të japin kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. I dua me gjithë zemër. Le të votojnë kë të duan. Me rëndësi është që sot të gjithë votojmë në liri”, deklaroi Osmani.

  • Koci për praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj: Është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne

    Koci për praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj: Është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne

    Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj pranisë së forcave të shtuara policore në Skenderaj, duke e cilësuar situatën si të panevojshme dhe fyese për qytetarët.

    Përmes një reagimi në Facebook, Koci tha se problemet nuk zgjidhen me demonstrim force dhe se dërgimi i njësive të shumta policore në Skenderaj nuk i shërben qetësimit të situatës.

    “Prania e forcave të mëdha policore në Skenderaj është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne”, ka deklaruar ai.

    Sipas Kocit, Skenderaj nuk është qytet që mund të frikësohet me autoblinda apo me prezencë të madhe policore.

    “Skenderaj nuk është qytet që frikësohet me autoblinda e demonstrim force. Këtë e ka dëshmu shumë herë”, u shpreh ai.

    Ai ka bërë thirrje për unitet dhe për ulje të tensioneve, duke theksuar se Kosova ka sfida më të mëdha me të cilat duhet të merret.

    “Kosova ka ende shumë çështje të hapura me Serbinë. Kemi probleme ekonomike, jostabilitet politik dhe sfida tjera serioze. Energjia dhe vëmendja jonë duhet me u përqendru aty, jo në përplasje mes vete”, deklaroi Koci.

    Në fund, ai u bëri thirrje liderëve politikë që të reagojnë menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të tërhequr policinë nga Skenderaj.

    “Liderët, nëse ka e nëse janë të pjekur, duhet me reagu menjëherë, me e qetësu situatën dhe me e tërheqë policinë nga Skenderaj. Menjëherë!”, përfundoi ai.