ATV

Author: K.B.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpend Hasanramajt, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga djali i tij

    Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpend Hasanramajt, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga djali i tij

    Shpend Hasanramajt do t’i jepet nesër (25 korrik) lamtumira e fundit, pasi humbi jetën të enjten në një ngjarje tragjike në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

    Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të mbahet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Strellc i Epërm, pranë xhamisë.

    “Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenetin Firdeus. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëfshatarëve”, thuhet në njoftimin mortor.

    Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arrestuar si të dyshuar djalin e viktimës, Erdonit Hasanramaj.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe një armë zjarri.

    Rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, Shpend Hasanramaj ka humbur jetën pasi është qëlluar aksidentalisht nga djali i tij gjatë qëndrimit në bjeshkë.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

  • Nafta sot edhe më shtrenjtë

    Nafta sot edhe më shtrenjtë

    Çmimi i naftës në Kosovë ka mbërritur në vlerën më të lartë që prej fillimit të majit.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 69 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 50 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

  • Konfirmohet aktakuza për korrupsion: Apeli refuzon ankesat e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Konfirmohet aktakuza për korrupsion: Apeli refuzon ankesat e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës në rastin ku Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion.

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarëve Faruk Mujka, avokati Xhafer Tahiri dhe Hysen Muzliukaj, avokati Ahmet Tahiri, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 16.12.2025, VËRETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Kundër aktvendimit të shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës, kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarëve Mujka dhe Muzliukaj, avokatët Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore si dhe shkeljeve të dispozitave të Ligjit Penal.

    Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovojë si të bazuara ankesat dhe t’i shpall provat e papranueshme dhe të hudh aktakuzën, si dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve.

    Ndërsa, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtja dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të drejtë pretendimet e paraqitura në kundërshtimet ndaj aktakuzës dhe kërkesat për hudhje të saj, duke dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja, përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen si në aktakuzë.

    Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjtes përkitazi me veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit, dhe në këtë fazë të procedurës penale të njëjtat janë të pabazuara, pasi që të gjitha këto pretendime do të vlerësohen në shqyrtimin gjyqësor pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarëve.

    Sipas Apelit, pretendimet e mbrojtjes se gjykata e shkallës sëparë ka tejkaluar kompetencat e saj procedurale dhe ka paragjykuar çështjen, duke konstatuar ekzistencën e elementeve të veprës penale dhe përgjegjësinë e tëa kuzuarëve, nuk qëndrojnë.

    Apeli thekson se nga analiza e tërësisë së arsyetimit të vendimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve, por ka bërë vetëm një vlerësim paraprak të provave në funksion të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, si kusht për vazhdimin e procedurës penale.

    Në fund të vendimit, thuhet se kolegji i Apelit ka konstatuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përbën paragjykim të rezultatit përfundimtar të procedurës penale, pasi vlerësimi përfundimtar i provave dhe konstatimi i fajësisë apo pafajësisë mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor.

    Vendimi i Apelit rezulton të jetë marrë më 20 shkurt 2026, nga kolegji i përbërë prej Albina Shabani-Ramës si kryetare e kolegjit, si dhe Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti- anëtarë.

  • BE-ja u bën thirrje partive politike të mos ushtrojnë presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    BE-ja u bën thirrje partive politike të mos ushtrojnë presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.

    Përmes një reagimi të publikuar në platformën X, Zyra e BE-së theksoi se pavarësia e gjyqësorit është një nga shtyllat themelore të sundimit të ligjit dhe duhet të respektohet nga të gjithë akterët politikë.

    “Bashkimi Evropian në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes”, thuhet në reagim.

    BE-ja nënvizoi se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Kosovë.

    “Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, theksohet në deklaratë.

  • Prokuroria e Pejës: Vrasja në Deçan dyshohet të jetë nga pakujdesia

    Prokuroria e Pejës: Vrasja në Deçan dyshohet të jetë nga pakujdesia

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë e tij.

    Rasti ka ndodhur në oborrin e një stani, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Telegrafin se i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është duke u intervistuar nga policia.

    “Dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me të gjitha njësitet relevante policore. Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe aktualisht është duke u intervistuar nga policia. Ky rast është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, ka deklaruar Nikçi.

    Sipas tij, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ndërsa pritet që njësitë përkatëse të bëjnë tërheqjen e trupit të viktimës.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion.

    Për tragjedinë e rëndë ka reaguar edhe kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

    “Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Shpend Hasanramaj nga Strellci i Epërm, i cili humbi jetën në një ngjarje të rëndë aksidentale.Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Hasanramaj, të afërmve, miqve dhe të gjithë banorëve të Strellcit të Epërm.Lutem që Zoti t’ju japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar Ramosaj.

  • Plagosja në Vushtrri: Katër persona shoqërohen në polici, i dyshuari në kërkim

    Plagosja në Vushtrri: Katër persona shoqërohen në polici, i dyshuari në kërkim

    Katër persona janë shoqëruar në polici, pas plagosjes së një personi këtë të enjte në Vushtrri.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se katër të shoqëruarit dyshohet se ishin pjesëmarrës në ngjarje.

    Ndërkohë, sipas Zahitit, i dyshuari për plagosjen është ende në arrati dhe po vazhdojnë kërkimet për kapjen e të njëjtit.

    Nga ana tjetër, i plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur veprimet operative dhe hetimore për zbardhjen e rastit.

  • “150 euro në muaj për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik shëndetësor”, Ministria e Shëndetësisë del me vendim

    “150 euro në muaj për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik shëndetësor”, Ministria e Shëndetësisë del me vendim

    Ministria e Shëndetësisë vazhdon zbatimin e politikave që synojnë mbështetjen dhe motivimin e profesionistëve shëndetësorë, duke forcuar njëkohësisht sistemin publik të kujdesit shëndetësor.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se edhe këtë vit është nënshkruar vendimi për vazhdimin e shtesës prej 150 euro në muaj për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik shëndetësor.

    “Kjo politikë ka për qëllim të kontribuojë në fuqizimin e sektorit publik shëndetësor, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e mjekëve që angazhohen ekskluzivisht në sektorin publik. I falënderojmë për kontributin e tyre dhe u urojmë shëndet e suksese në punë”, thuhet në njoftim.

  • ASK: Eksporti i Kosovës u rrit me 26.9% në qershor 2026, por deficiti tregtar vazhdon të thellohet

    ASK: Eksporti i Kosovës u rrit me 26.9% në qershor 2026, por deficiti tregtar vazhdon të thellohet

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin qershor 2026, të cilat tregojnë rritje të eksporteve dhe importeve, por edhe një zgjerim të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas ASK-së, deficiti tregtar në qershor 2026 arriti në 578.3 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 16.1% krahasuar me qershorin e vitit 2025, kur deficiti ishte 498.3 milionë euro. Eksportet mbuluan vetëm 15.0% të importeve gjatë kësaj periudhe.

    Vlera e eksporteve të mallrave në qershor 2026 ishte 102.0 milionë euro, që paraqet një rritje prej 26.9% në raport me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, importet arritën në 680.3 milionë euro, me një rritje prej 17.6%.

    Në strukturën e eksporteve, pjesën më të madhe e përbënin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 27.4%, të ndjekura nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7%, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7% dhe produktet minerale me 7.1%.

    Sa i përket importeve, produktet minerale përbënin 15.2% të totalit, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike 13.0%, mjetet e transportit 12.0%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 11.9%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 9.8%.

    Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9% të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar një rritje prej 17.7%. Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania me 10.1%, Holanda me 3.8% dhe Italia me 3.1%.

    Ndërkohë, importet nga vendet e BE-së arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.2%. Pjesën më të madhe të importeve e zunë Gjermania me 13.3%, Italia me 8.6% dhe Polonia me 4.3%.

    Tregtia me vendet e CEFTA-s mbetet një komponent i rëndësishëm i eksporteve të Kosovës. Eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 44.0 milionë euro, ose 43.1% të totalit, me një rritje prej 19.3%. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut me 16.7%, Shqipëria me 14.3%, Mali i Zi me 5.7% dhe Serbia me 4.0%.

    Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98.7 milionë euro, duke përbërë 14.5% të importeve të përgjithshme dhe duke shënuar po ashtu një rritje prej 19.3%. Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Maqedonia e Veriut me 5.4%, Shqipëria me 4.8% dhe Serbia me 3.0%.

    Sa i përket vendeve të tjera, eksportet e Kosovës arritën në 25.5 milionë euro, ose 25.0% të eksporteve totale, ku partnerët kryesorë ishin Zvicra me 10.0% dhe Turqia me 5.4%.

    Nga ana tjetër, importet nga vendet e tjera arritën në 276.7 milionë euro, ose 40.7% të importeve të përgjithshme. Kina mbetet partneri më i madh në këtë kategori me 15.1% të importeve, e ndjekur nga Turqia me 11.6%.

    Sipas ASK-së, të dhënat konfirmojnë vazhdimin e rritjes së aktivitetit tregtar të Kosovës gjatë qershorit 2026, megjithatë ritmi më i lartë i rritjes së importeve në vlerë absolute ka ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar.

    Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin qershor 2026,vizitoni: https://ask.rks-gov.net/Themes/ForeignTrade.

  • Zelensky zbret në vendin e katërt në renditjen e besimit të ukrainasve

    Zelensky zbret në vendin e katërt në renditjen e besimit të ukrainasve

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është më ndër tre liderët më të besuar në vend, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga grupi “Rating”.

    Sipas anketës së zhvilluar më 20 dhe 21 korrik 2026, lideri më i besuar nga ukrainasit rezulton të jetë ish-komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, me 70 për qind të mbështetjes.

    Në vendin e dytë renditet Mykhailo Fedorov me 65 për qind, ndërsa në vendin e tretë është Kyrylo Budanov me 62 për qind. Zelensky renditet i katërti me 59 për qind të besimit nga qytetarët.

    Rritja më e madhe në këtë renditje është shënuar nga Mykhailo Fedorov, niveli i besimit ndaj të cilit është rritur nga 35 për qind në 65 për qind brenda vetëm një jave.

    Ndërkohë, besimi ndaj shefit të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur nga 39 për qind në 23 për qind.

    Rezultatet e sondazhit tregojnë ndryshime të rëndësishme në perceptimin e publikut ukrainas ndaj figurave kryesore politike dhe ushtarake të vendit, në një periudhë kur Ukraina vazhdon përballjen me agresionin rus.

  • Ushtarë moldavë nisen drejt Kosovës për një mision të ri në KFOR

    Ushtarë moldavë nisen drejt Kosovës për një mision të ri në KFOR

    Një grup prej 41 ushtarësh të Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë është nisur për mision paqeruajtës në Kosovë.
    Për gjashtë muajt e ardhshëm, këta paqeruajtës moldavë do të punojnë krahas trupave nga vende të tjera për të monitoruar situatën e sigurisë në rajon. Para nisjes, ushtarët përfunduan një program të gjerë trajnimi, shkruan radiomoldova.md.

    Si pjesë e misionit të KFOR-it, kontingjenti do të garantojë sigurinë e objekteve ushtarake dhe do të kryejë patrullime brenda zonës së tij të përgjegjësisë. Trupat moldave do të veprojnë nën Komandën Rajonale Perëndimore dhe do të vendosen në bazën ushtarake “Camp Villaggio Italia” në Pejë, Kosovë.

    Lejtnantja Marina Agachi është një nga shtatë gratë që marrin pjesë në këtë mision.

    “Jemi të përgatitura si moralisht dhe psikologjikisht, ashtu edhe profesionalisht. Janë zhvilluar disa lloje trajnimesh, si jashtë vendit ashtu edhe brenda tij. Unë kam besim te koleget e mia dhe, me mbështetjen e ushtarëve burra, ne nuk e lëmë njëra-tjetrën pas. Ata na ndihmojnë dhe unë u uroj atyre shumë suksese”, shprehet Agachi.

    Misioni i parë paqeruajtës moldav në KOFR ka ndodhur më 8 mars, 2014.