ATV

Author: K.B.

  • Gjenden eshtra njeriu që dyshohet se i përkasin një personi që u zhduk vitin e kaluar

    Gjenden eshtra njeriu që dyshohet se i përkasin një personi që u zhduk vitin e kaluar

    Janë gjetur eshtra njeriu që dyshohen se i përkasin një personi të shpallur të zhdukur më 5 tetor të vitit të kaluar.

    Mbetjet u gjetën në Malishevë.

    Policia nuk ka dhënë informacione shtesë për rastin.

    “Lidhur me rastin janë gjetur eshtra të njeriut që dyshohet se i përkasin viktimës mashkull kosovar i cili ishte shpallur si person i zhdukur. Eshtrat e gjetur janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Policia ndal makinën në Vërmicë, gjen katër të huaj që po i kontrabandonte një kosovar

    Policia ndal makinën në Vërmicë, gjen katër të huaj që po i kontrabandonte një kosovar

    Policia e Kosovës ka iniciuar, të enjten, një rast të ri të dyshuar të kontrabandës me migrantë në pikën kufitare të Vërmicës, një ditë pasi në të njëjtën zonë u hasën dy shtetase të Somalisë që dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Forcat e rendit bënë me dije se të enjten rreth orës 08:30, ndaluan një automjet me targa vendore që drejtohej nga një kosovar.

    Gjatë kontrollit brenda policia gjeti katër persona, shtetas të huaj.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit penal për “Kontrabandë me migrantë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

    Vetëm një ditë më parë, në afërsi të pikës së vjetër kufitare Kosovë–Shqipëri, policia kishte hasur dy shtetase të Somalisë, të cilat deklaruan se kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Kosovë. Sipas dyshimeve fillestare, ato ishin kontrabanduar deri në afërsi të kufirit nga persona të tjerë. Për atë rast gjithashtu ishte njoftuar prokurori dhe hetimet vazhdojnë.

  • Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall.

    Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e ngarkesave në trafik.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe kolonat.

    Po ashtu, për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me linjë nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe në drejtimin e kundërt.

    Sipas planit të menaxhimit të trafikut, për automjetet që lëvizin nga Prishtina drejt Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.

    Ndërsa, automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të kenë qasje në Prishtina Mall përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrijnë te rrethi i qendrës tregtare, ndërsa në këtë drejtim do të vendosen kona në shiritin e djathtë të qarkullimit.

    Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.

  • Vetaksident në Dollc të Klinës, lëndohet një person

    Vetaksident në Dollc të Klinës, lëndohet një person

    Sot rreth orës 07:40, Policia e Kosovës është njoftuar për një vetaksident trafiku në fshatin Dollc të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.

    Policia po merret me hetimin e rrethanave të këtij rasti.

    Pamjet nga mediumi lokal Klina Info.

  • Aleanca: Ne e sigurojmë kuorumin për presidentin, nëse pranohen gjashtë pikat e ofertës

    Aleanca: Ne e sigurojmë kuorumin për presidentin, nëse pranohen gjashtë pikat e ofertës

    Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se kjo parti ka bërë publike gjashtë pika, të cilat, sipas tij, nuk janë kushte, por ofertë për të ndihmuar formimin dhe konsolidimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.

    Ai tha se nëse qeveria e ardhshme zotohet publikisht për zbatimin e këtyre pikave, Aleanca do të kontribuojë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për formimin e institucioneve.

    “Ne i kemi shprehur publikisht, kryetari Ardian Gjini, kryetari i Aleancës i ka paraqitur publikisht që janë të artikuluara qartë, janë të shkruara gjashtë, le të themi, jo kërkesa, as kushte po oferta e Aleancës për si mundësi reale për ta ndihmuar formimin e institucioneve ose konsolidimin e institucioneve të dala pas zgjedhjeve. Në qoftë se kanë një zotim publik që kjo ofertë është e pranueshme për qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës, atëherë ne kontribuojmë në kuorumin që do të ndihmojë formimin e institucioneve të reja”, tha Latifi.

    Sipas tij, oferta e Aleancës është në interes të qytetarëve dhe përfshin çështje strategjike për vendin.

    “Pra, kërkesat tona ose oferta jonë. Aleanca nuk bën ofertë për Aleancën, po e gjithë kjo ofertë në një mënyrë apo tjetrën ndikon drejtpërdrejt te qytetarët e Republikës së Kosovës, pastaj në vendosjen ose rivendosjen ose konsolidimin e marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, sepse janë edhe kërkesa strategjike. Shembull, gazi i lëngëzuar amerikan, ose krijimi i kapaciteteve të reja energjetike që me pasur siguri, me pasur garanci energjetike Kosova të furnizimit me energji elektrike”, tha ai.

    Latifi përmendi gjithashtu përmbylljen e projekteve infrastrukturore, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla dhe të mesme nga 30 mijë në 100 mijë euro, si dhe heqjen e tatimit për tokën e punuar.

    “Pastaj janë kërkesat për përmbylljen e projekteve të infrastrukturës të rrugëve kudo në Kosovë, janë projekte që kanë marrë kohë të gjatë dhe duhet të përmbyllen sa më shpejt. Pastaj është kërkesa për rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë për bizneset e vogla dhe të mesme në 100 mijë, që janë rreth 100 mijë biznese që përfitojnë direkt. Menjëherë ndërron gjendja në aspektin pozitiv edhe për ato biznese dhe normalisht që e rrit mirëqenien e bizneseve, mundësitë, horizontet e reja u hap bizneseve, por edhe mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

    Ai tha se pjesë e ofertës është edhe heqja e tatimit për tokën që punohet, me qëllim të stimulimit të bujqësisë.

    “Pastaj toka që punohet të mos tatohet. Sepse tatohet toka e punuar. Kjo domethënë është motiv shtesë që fermerët ta punojnë tokën, sepse ata që s’e punojnë le ta paguajnë. Pra ata që e punojnë është një mundësi e mirë që tokat e punueshme me qenë të kultivuara me kultura bujqësore, pemëtare, vreshtare, perimtari e me drithëra. Edhe kjo është diçka që u shërben direkt fermerëve, bujqve të Republikës së Kosovës”, tha Latifi.

    Sipas tij, oferta përfshin edhe kërkesën për investim prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën.

    “Kërkesa për 800 deri 1 miliard euro për kryeqytetin, që të bëhet më i jetueshëm, të jetë më funksional, se është tek e fundit kryeqyteti i Republikës së Kosovës. Pra janë kërkesa krejt legjitime, është një ofertë shumë e qartë, shumë konkrete, shumë e thjeshtë. Le të del ai që do me bë qeverinë e thotë: ‘Unë i bëj këto, i bëj pjesë të programit të qeverisë’. Ne s’po duam as poste, as ministra, asgjë s’po duam. Atëherë ne qëndrojmë në sallë dhe e bëjmë kuorumin e nevojshëm që të kontribuojmë në formimin e institucioneve të reja. Dhe evitohen zgjedhjet”, tha ai.

    Në fund, Latifi theksoi se oferta e AAK-së është publike dhe transparente.

    “Po ne kjo është, domethënë kjo është publike çka thashë, është transparente, qytetarët e dinë. Aleanca i ka vendosë, ka një ofertë në momentet e tanishme. Oferta është publike, pra është transparente edhe kjo është e tëra. Nuk kemi arsye me pasë marrëveshje, sepse ne po themi: zotohu që këto 6 pika të kësaj oferte të Aleancës janë në rregull, janë në dobi të qytetarëve, ne me Aleancën jemi në rregull”, tha Latifi.

  • Vrasja në Strellc, Policia publikon fotografinë e armës dhe fishekëve që u sekuestruan

    Vrasja në Strellc, Policia publikon fotografinë e armës dhe fishekëve që u sekuestruan

    Policia e Kosovës ka publikuar pamje të armës së zjarrit, karikatorit dhe fishekëve të sekuestruar pas rastit tragjik në bjeshkën e Strellcit të Deçanit, ku një person humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Sipas Policisë, rasti është raportuar më 23 korrik 2026, në oborrin e një stani në bjeshkën e Strellcit, ku njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa personi i dyshuar është arrestuar. Gjatë hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, një karikator të zbrazët dhe 24 fishekë.

    Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në DRP Pejë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë hetimet për rastin, i cili është cilësuar si “vrasje nga pakujdesia”.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë pas intervistimit.

  • Kurti mbledh qeverinë në detyrë, publikohet rendi i ditës

    Kurti mbledh qeverinë në detyrë, publikohet rendi i ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se mbledhja do të mbahet në ora 15:00 në Qeverinë e Kosovës.

    Ky është rendi i ditës:

  • Policia shqiptoi 2638 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi 2638 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2638 gjoba në trafik.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 2 me fatalitet, 30 aksidente kanë qenë me lëndime e 36 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 31 persona, ndërkaq 19 të tjerë janë dërguar në mbajtje, kurse 2 persona u dërguan në vuajtje të dënimit.

  • Të shtëna me armë në Prizren, arrestohen dy të dyshuar për plagosjen e një personi

    Të shtëna me armë në Prizren, arrestohen dy të dyshuar për plagosjen e një personi

    Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në rrugën “Bajram Shala” në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për rastin.

    Sipas raportit policor, dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri një person tjetër.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa gjatë hetimeve policore është sekuestruar një pistoletë dhe municion që dyshohet se lidhen me rastin.

    Rr. Bajram Shala, Prizren / 23.07.2026 – 16:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri viktimën mashkull kosovar. Viktima është trajtuar në Spitalin e Prizrenit. Lidhur me rastin një pistoletë dhe municion janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje” thuhet në raportin policor.

  • Një person dërgohet pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt, trupi dërgohet për obduksion

    Një person dërgohet pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt, trupi dërgohet për obduksion

    Në Emergjencen e Ferizajt është raportuar se një person mashkull kosovar është dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimës.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 23 korrik 2026, rreth orës 20:44.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Shtime / 23.07.2026 – 20:44. Nga emergjenca e Ferizajit është raportuar se viktima mashkull kosovar është dërguar pa shenja jete nga qendra emergjente e Shtimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.