ATV

Author: K.B.

  • Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka habitur opinionin publik pasi zbuloi në rrjetet sociale se, që prej marrjes së detyrës, fle vetëm nga zero deri në tre orë në natë për shkak të ritmit të ngarkuar të punës.

    Deklarata e saj ka ngjallur reagime të forta, ndërsa specialistët paralajmërojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor.

    Neurologu italian Luigi Ferini Strambi, drejtues i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit në spitalin San Raffaele-Turro në Milano, e cilësoi deklaratën e kryeministres si “një mesazh thellësisht të gabuar”.

    “Na vjen keq për të, por sot kemi prova të forta shkencore që tregojnë rëndësinë e gjumit. Për më tepër, këto janë fjalë që nuk duhet t’i thotë drejtuesja e një vendi si Japonia, ku fenomeni karōshi, vdekja si pasojë e ritmeve ekstreme të punës, njihet prej vitesh si një problem shëndetësor dhe shoqëror”, u shpreh ai.

    Sipas ekspertit, gjumi është thelbësor për funksionimin normal të organizmit. Ai ul nivelin e hormonit të stresit, forcon sistemin imunitar dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të rënda si infarkti, diabeti, kanceri, demenca, hipertensioni dhe goditja në tru.

    Mungesa e gjumit ndikon gjithashtu në aftësitë njohëse. Sipas neurologut, personat që flenë pak kanë më pak përqendrim dhe vëmendje, dëmtojnë kujtesën, reagojnë më ngadalë dhe janë më të rrezikuar nga gabimet dhe aksidentet.

    Po ashtu, mungesa e pushimit ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke rritur ankthin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe vështirësitë në përballimin e stresit.

    Eksperti rekomandon që një i rritur, përfshirë persona të moshës 65-vjeçare si kryeministrja japoneze, të flejë mesatarisht rreth shtatë orë çdo natë. Ai thekson se rëndësi ka jo vetëm kohëzgjatja e gjumit, por edhe cilësia dhe rregullsia e tij.

    Megjithëse ekzistojnë persona me një predispozitë të rrallë gjenetike që mund të funksionojnë normalisht edhe me katër orë gjumë, Strambi thotë se kjo nuk duket të jetë rasti i Takaichit, e cila ka pranuar se dëshiron të flejë më shumë dhe se mungesa e gjumit i ka shkaktuar edhe rrathë të zinj poshtë syve.

  • Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar për devijimin e përkohshëm të linjave të autobusëve të Trafikut Urban.

    Arsye për këtë janë punimet në segmentin e rrugës “Ilir Konushevci”, nga kryqëzimi me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te kryqëzimi me semaforë në rrugën “Vëllezërit Fazliu”.

    “Linjat e përfshira: 3, 3A, 3B, 3C, 6, 6A, 7B, 8, 11, 12, 13, 15, 16, 22, 23, 25, S22 dhe S25”, njofton Komuna e Prishtinës.

    Devijimet do të mbeten në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe rihapjen për qarkullim të segmentit të lartpërmendur.

  • Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Një ngjarje tragjike është shënuar paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi infarkt.

    Sipas informacioneve paraprake, 75-vjeçari kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e tij. Mësohet se, rreth orës 11:30, sapo ka hyrë në det, ai është ndier keq dhe ka dalë drejt bregut, ku ka humbur ndjenjat.

    Kanë qenë pushuesit dhe familjarët e tij që e kanë nxjerrë menjëherë në breg dhe kanë kërkuar ndihmë. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa personeli mjekësor ka kryer manovrat e reagimit, por pa mundur ta rikthejë në jetë, raporton euronews.al.

    Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt kardiak, ndërsa pritet që rrethanat e plota të ngjarjes të konfirmohen nga autoritetet përkatëse.

  • Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tropojës, ku katër personalitete u shpallën “Qytetar Nderi” për kontributin e tyre në shërbim të atdheut dhe kombit.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar rolin e patriotëve nga Shqipëria që iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës, duke theksuar se shumë prej tyre i kishte njohur në frontet e luftës.

    “Luftës për çlirimin e Kosovës iu bashkuan shumë patriotë nga të gjitha trojet shqiptare. Shumë prej tyre që ishin nga Shqipëria pata fatin t’i njoh personalisht në frontet e luftës. Ishin ushtarakë me përvojë, të cilët me dijen, profesionalizmin e tyre dhanë ndihmë të jashtëzakonshme në organizimin dhe rrjedhën e luftës”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e mbajtur në Tropojë u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” Halil Kuçana, ish-komandant i Brigadës së Tropojës, Avni Hoxha, punonjës në institucionet e sigurisë, Rexhep Kortoçi, ish-ushtarak dhe komandant i Policisë Ushtarake, si dhe Selim Demushi, ushtarak dhe ish-komandant i Batalionit të Kufirit në Tropojë.

    Haradinaj ka njoftuar gjithashtu se, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës, i ka dekoruar me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

    “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe për shërbimin ndaj kombit, pata nderin t’i dekoroj me medaljen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka theksuar ai.

    Haradinaj ka shprehur respekt për të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri.

    “Krenar me rrugën tonë për liri. Nderim i përjetshëm për të gjithë ata që i dolën zot atdheut”, ka shtuar Haradinaj.

  • Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Një burrë i ulur direkt pas presidentit amerikan, Donald Trump, në një tubim fushate në Xhorxhia u bë papritur qendra e vëmendjes pasi kamerat e kapën atë duke imituar nga afër gjestet dhe shprehjet karakteristike të presidenti gjatë gjithë fjalimit.

    Momenti ndodhi gjatë tubimit të Trumpit në shkollën e mesme Wheeler në Marietta, ku pjesëmarrësi i paidentifikuar, i veshur me kostum dhe kravatë të kuqe, u shfaq duke imituar lëvizjet e duarve dhe shprehjet e fytyrës së Trumpit.

    Klipi u bë shpejt viral në rrjete sociale, me shumë përdorues që thanë se burri dukej sikur po tallte Trumpin.

    Disa përdorues gjithashtu pretenduan se ai nuk ishte më i dukshëm në kornizën e kamerës më vonë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ai kishte ndryshuar vend apo thjesht ishte jashtë shikimit.

    Ndërsa Trump fliste për çështje duke përfshirë Iranin dhe kundërshtarët e tij politikë, pjesëmarrësi vazhdoi të pasqyronte shumë nga gjestet e tij, duke tërhequr vëmendjen nga vetë fjalimi.

  • Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se në kuadër të punimeve për transformimin e Sheshit “Xhorxh Bush” ka nisur eliminimi i gypave të azbestit nga infrastruktura ekzistuese.

    Sipas Ramës, largimi i këtyre gypave është pjesë e ndërhyrjeve për modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e një hapësire më të sigurt dhe funksionale për qytetarët.

    Punimet në këtë zonë po vazhdojnë në kuadër të projektit për transformimin e sheshit, ndërsa ekipet përgjegjëse janë duke realizuar ndërhyrjet e planifikuara në terren.

  • Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Reagimi i shpejtë dhe profesional i ekipit të Shërbimit të Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së një pacienti 79-vjeçar, i cili kishte pësuar bllokim kritik të rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e ngufatjes me ushqim.

    Sipas njoftimit të spitalit, pacienti me inicialet S.S., i lindur në vitin 1947, është transportuar me autoambulancë nga Shtëpia e të Moshuarve në Skenderaj në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    Menjëherë pas pranimit në repartin e Emergjencës, ekipi kujdestar ka ndërmarrë procedurat urgjente të reanimimit. Gjatë ndërhyrjes është larguar trupi i huaj dhe është pastruar ushqimi që kishte bllokuar plotësisht rrugët e frymëmarrjes, duke mundësuar rikthimin e frymëmarrjes së pacientit.

    Falë reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të ekipit mjekësor, gjendja e pacientit është stabilizuar, ndërsa jeta e tij është shpëtuar.

    Spitali ka bërë të ditur se ndërhyrja është realizuar nën udhëheqjen e Dr. Vehbi Salihut, specialist i Mjekësisë Emergjente, me mbështetjen e infermierëve Agron Sumiqi, Musa Peci, Valdete Maliqi, Hidajete Hajrizi dhe Avdullah Ademi.

    Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” vlerësohet se ky rast dëshmon rëndësinë e reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe punës ekipore në trajtimin e rasteve emergjente që rrezikojnë jetën e pacientëve.

  • Musk sfidon Christopher Nolan, premton një “Odise” të krijuar nga AI

    Musk sfidon Christopher Nolan, premton një “Odise” të krijuar nga AI

    Elon Musk ka thënë se platforma e tij me Al, Grok, “do të rikrijojë” filmin e Odiseut në muajt në vijim.

    Trilioneri e bëri deklaratën vetëm disa ditë pasi versioni i suksesshëm i eposit të lashtë grek nga Christopher Nolan u publikua në kinematë anembanë botës.

    “Para se të mbarojë ky vit, Grok Imagine do të bëjë një film të gjatë të Odisesë që është historikisht i saktë dhe besnik ndaj artit të Homerit”, deklaroi Musk.

    Shefi i Tesla-s nuk i ka mbajtur të fshehta mendimet e tij në lidhje me Nolan.

    Më herët këtë muaj ai nisi një sulm të ashpër ndaj regjisorit për vendimet e tij në përzgjedhjen e aktorëve.

  • Dafina Zeqiri zbulon datën e lansimit të këngës së re

    Dafina Zeqiri zbulon datën e lansimit të këngës së re

    Dafina Zeqiri ka paralajmëruar projektin e ri muzikor, duke zgjuar kureshtjen e fansave me pamjet e para nga videoklipi.

    Artistja ka ndarë disa momente nga xhirimet e klipit, ku shfaqet me një veshje të veçantë me motive tradicionale shqiptare, duke sjellë një imazh ndryshe nga paraqitjet e saj të zakonshme.

    Nga pamjet e publikuara duket se videoklipi është realizuar në Shqipëri, derisa ambientet dhe stili vizual japin sinjale se projekti mund të ketë një frymë të lidhur me kulturën dhe traditën shqiptare.

    Dafina, e njohur për eksperimentet muzikore dhe vizuale, këtë herë duket se ka zgjedhur të ndërthurë elemente moderne me detaje tradicionale, duke krijuar një koncept të veçantë për këngën e re.

    Këngëtarja ende nuk ka zbuluar titullin dhe detaje të tjera rreth projektit, duke e mbajtur surprizën për publikun deri në lansimin zyrtar.

    Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Dafina ka bërë të ditur se kënga dhe videoklipi do të publikohen nesër, të premten, në orën 18:00.

    Fansat tashmë po presin me interes projektin e ri, i cili pritet të sjellë një tjetër anë të artistes dhe një kombinim mes muzikës moderne dhe elementeve të identitetit kulturor.

  • NATO hap dyert për industrinë ushtarake turke, nis programin “Front Door”

    NATO hap dyert për industrinë ushtarake turke, nis programin “Front Door”

    NATO ka prezantuar një program të ri të quajtur “Front Door” (Dera e Përparme).

    Aleanca synon t’ua lehtësojë kompanive të industrisë së mbrojtjes nga Turqia qasjen në fondin e inovacionit të Aleancës, me vlerë 5.3 miliardë euro. Programi u prezantua gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.

    Iniciativa është krijuar për të zvogëluar pengesat burokratike dhe për të përshpejtuar përfshirjen e kompanive turke në projektet e NATO-s që lidhen me zhvillimin e teknologjive të avancuara ushtarake, raportojnë mediat.

    Përmes programit, ndërmarrjet turke do të kenë më shumë mundësi të aplikojnë për financim dhe të marrin pjesë në projekte që lidhen me inteligjencën artificiale, sistemet autonome, mbrojtjen kibernetike, teknologjitë hapësinore dhe fusha të tjera strategjike.

    Zyrtarët e NATO-s theksuan se synimi është forcimi i bashkëpunimit me industrinë e mbrojtjes së vendeve anëtare dhe përshpejtimi i zhvillimit të teknologjive inovative që do të rrisin aftësitë mbrojtëse të Aleancës.

    Turqia, e cila ka zhvilluar ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes në vitet e fundit, pritet të jetë një nga përfitueset kryesore të kësaj nisme, duke pasur mundësi më të mëdha për të kontribuar në projektet e përbashkëta të NATO-s dhe për të siguruar financim nga fondi shumëmiliardësh i inovacionit.