ATV

Author: K.B.

  • Gjashtë aksidente dhe 298 gjoba për 24 orë në rajonin e Ferizajt

    Gjashtë aksidente dhe 298 gjoba për 24 orë në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion.

    Sipas policisë, në këtë periudhë janë regjistruar gjithsej gjashtë aksidente trafiku, katër prej të cilave me persona të lënduar dhe dy të tjera vetëm me dëme materiale.

    Si pasojë e aksidenteve, katër persona kanë pësuar lëndime trupore.

    Gjatë kontrolleve të zhvilluara në terren, njësitet policore kanë shqiptuar gjithsej 298 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut.

    Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.

  • OKB paralajmëron për rrezikun e një lufte të re në Jemen pas sulmeve në Detin e Kuq

    OKB paralajmëron për rrezikun e një lufte të re në Jemen pas sulmeve në Detin e Kuq

    I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Hans Grundberg, ka shprehur shqetësim për rifillimin e sulmeve të Huthëve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i situatës mund ta rikthejë vendin në një konflikt të ri.

    Grundberg u ka bërë thirrje palëve që të rikthehen në tryezën e bisedimeve, duke theksuar se vazhdimi i sulmeve do ta thellonte më tej krizën humanitare dhe do të rrezikonte stabilitetin në rajon.

    Paralajmërimi vjen pasi Huthët morën përgjegjësinë për sulmet ndaj dy cisternave saudite të naftës dhe shpallën bllokadë ndaj transportit detar të lidhur me Arabinë Saudite.

    Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë Iranin përgjegjës për çdo sulm të mëtejshëm të Huthëve ndaj anijeve në rajon.

  • IKSHPK: Gjatë këtij viti dy të vdekur e 21 raste të reja me HIV/AIDS

    IKSHPK: Gjatë këtij viti dy të vdekur e 21 raste të reja me HIV/AIDS

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se 21 raste të reja me HIV/AIDS janë regjistruar në Republikën e Kosovës nga 1 janari deri më 17 korrik 2026.

    Sipas të dhënave të këtij institucioni, gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën dy persona të prekur me HIV/AIDS.

    IKSHPK ka bërë thirrje për qytetarët që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë mund të jetë vendimtar për trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjes.

    “Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, ka theksuar IKSHPK.

    Instituti ka rikujtuar se personat e diagnostikuar me HIV mund të mbajnë nën kontroll virusin përmes terapisë antiretrovirale, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

    HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, ndërsa AIDS paraqet fazën e avancuar të infeksionit HIV, kur sistemi imunitar është dobësuar ndjeshëm.

    Sipas ekspertëve shëndetësorë, HIV transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjak të infektuar, si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.

    IKSHPK ka sqaruar se HIV/AIDS nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si shtrëngimi i duarve, përqafimet, përdorimi i përbashkët i enëve ushqimore apo pickimi i mushkonjave.

  • Drejtorit të RTV Podgoricës, Vladimir Otasheviq – i ndalohet hyrja në Serbi

    Drejtorit të RTV Podgoricës, Vladimir Otasheviq – i ndalohet hyrja në Serbi

    Drejtori i Radio-Televizionit të Podgoricës, Vladimir Otasheviq, iu ndalua hyrja në Serbi, një orë pas mesnatës në pikën kufitare të Gostunit.

    Otasheviq konfirmoi për N1 se nuk i lejohej të hynte në Serbi, gjë që u përpoq ta bënte në pikën kufitare të Gostunit

    Siç shpjegoi ai, gjatë kontrollit të pasaportave iu tha të priste, dhe gjysmë ore më vonë një oficer policie erdhi dhe i dorëzoi një vendim për refuzimin e hyrjes në Serbi.

    Otasheviq shpjegoi gjithashtu se po udhëtonte me makinë me familjen e tij, dhe duke qenë se ai ishte shoferi, vendimi i përbashkët ishte që të gjithë të ktheheshin në Mal të Zi.

    Ai tha gjithashtu se nuk e përdor shpesh pikën kufitare të Gostunit, por se deri më tani nuk ka pasur probleme. Ai e përshkruan sjelljen e oficerëve të Policisë Kufitare Serbe si të saktë, por thekson se nuk mori më shumë informacion sesa ajo që thuhet në vendimin për refuzimin e hyrjes.

    Radio Televizioni i Malit të Zi më parë, duke iu referua vendimit të Policisë Kufitare Serbe për të refuzuar hyrjen, njoftoi se Otasheviq mbërriti në pikën kufitare një orë pas mesnatës, kur, pas kontrollit kufitar, atij iu refuzua hyrja në Serbi.

    U tha se hyrja mund të refuzohet kur “arsyet për mbrojtjen e sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj e kërkojnë këtë”.

    Ndryshe në qershor, Mali i Zi ndaloi kryeredaktorin e Informer, Dragan Vuçiqeviq, pas së cilës presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se ky ishte një “gabim i madh” për shkak të të cilit Serbia mund të duhet të vendosë masa reciproke kundër vendit fqinj.

    Pas kësaj, gazetarit të Televizionit Vijesti, Petar Komneniq, iu tha në kufi se nuk ishte më i mirëpritur në Serbi. /Telegrafi

  • Kosova në qershor importoi 680 milionë euro, deficiti tregtar rritet mbi 16%

    Kosova në qershor importoi 680 milionë euro, deficiti tregtar rritet mbi 16%

    Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 16,1 % në muajin qershor 2026, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 578,3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 498,3 milionë euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me vetëm 15,0 %.

    Rritja e importeve ka vazhduar të tejkalojë ritmin e eksporteve edhe gjatë muajit qershor 2026, duke e çuar deficitin tregtar të Kosovës në nivel edhe më të lartë.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vlera e deficitit tregtar arriti në 578,3 milionë euro, ose 16,1 për qind më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kur deficiti ishte 498,3 milionë euro.

    Gjatë muajit qershor, eksportet e mallrave arritën në 102 milionë euro, ndërsa importet në 680,3 milionë euro.

    Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksportet shënuan një rritje prej 26,9 për qind, ndërsa importet u rritën për 17,6 për qind. Megjithatë, pavarësisht rritjes së eksporteve, ato mbuluan vetëm 15 për qind të vlerës së importeve.

    Metalet kryesojnë eksportet, ndërsa importet dominohen nga produktet minerale

    Sipas strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të cilat përbëjnë 27,4 për qind të eksporteve totale. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12,7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10,6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8,7 për qind, si dhe produktet minerale me 7,1 për qind.

    Në anën tjetër, importet vazhdojnë të dominohen nga produktet minerale, të cilat përbëjnë 15,2 për qind të totalit të importeve. Pasojnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,0 për qind, mjetet e transportit me 12,0 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,9 për qind, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 9,8 për qind.

    Sipas të dhënave sipas grupeve kryesore të importeve, vlera më e lartë i përket kategorisë “tjera”, e cila arriti në 206,1 milionë euro, nga rreth 181 milionë euro sa ishte një vit më parë.

    Ndër grupet kryesore të mallrave të importuara, produktet minerale arritën në 103,1 milionë euro, ndërsa makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike u importuan në vlerë prej 88,1 milionë euro. Mjetet e transportit kapën vlerën 81,3 milionë euro, ndërsa pothuajse në të njëjtin nivel ishin edhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 81,1 milionë euro.

    Importet e metaleve bazë dhe artikujve prej tyre arritën në 56,4 milionë euro, ndërsa produktet e industrisë kimike u importuan në vlerë prej 54,2 milionë euro, duke shënuar rritje krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

    Nga aspekti gjeografik, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë partneri më i madh tregtar i Kosovës.

    Eksportet drejt vendeve të BE-së arritën në 32,5 milionë euro, duke përfaqësuar 31,9 për qind të eksporteve totale dhe duke shënuar një rritje prej 17,7 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025. Partnerët kryesorë të eksportit ishin Gjermania me 10,1 për qind të eksporteve totale, Holanda me 3,8 për qind dhe Italia me 3,1 për qind.

    Në të njëjtën kohë, importet nga vendet e BE-së arritën në 304,9 milionë euro, ose 44,8 për qind të importeve të përgjithshme, duke u rritur për 22,2 për qind në baza vjetore. Gjermania mbetet furnizuesi kryesor me 13,3 për qind të importeve, e ndjekur nga Italia me 8,6 për qind dhe Polonia me 4,3 për qind.

    Krahasuar me qershorin e vitit 2025, eksportet drejt BE-së u rritën nga 27,6 milionë euro në 32,5 milionë euro, ndërsa importet nga 249,6 milionë euro në 304,9 milionë euro.

    Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 44 milionë euro, duke përfaqësuar 43,1 për qind të eksporteve të përgjithshme dhe duke shënuar një rritje prej 19,3 për qind.

    Partnerët kryesorë eksportues në këtë grup ishin Maqedonia e Veriut me 16,7 për qind, Shqipëria me 14,3 për qind, Mali i Zi me 5,7 për qind dhe Serbia me 4,0 për qind.

    Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98,7 milionë euro, ose 14,5 për qind të importeve totale, me rritje prej 19,3 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Maqedonia e Veriut me 5,4 për qind, Shqipëria me 4,8 për qind dhe Serbia me 3,0 për qind.

    Eksportet drejt vendeve të tjera të botës arritën në 25,5 milionë euro, ose 25 për qind të eksporteve të përgjithshme. Partnerët më të rëndësishëm në këtë kategori ishin Zvicra, me 10 për qind të eksporteve, dhe Turqia me 5,4 për qind.

    Nga ana tjetër, importet nga vendet e tjera arritën në 276,7 milionë euro, duke përbërë 40,7 për qind të importeve totale. Pjesën më të madhe të këtyre importeve e zënë Kina, me 15,1 për qind, dhe Turqia, me 11,6 për qind.

    Statistikat tregojnë se, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, eksportet drejt vendeve jashtë BE-së dhe CEFTA-s u rritën nga 15,9 milionë euro në 25,5 milionë euro, ndërsa importet u rritën nga 246,4 milionë euro në 276,7 milionë euro. /Monitor

  • Banka Qendrore Evropiane zbulon dizenjot e reja të kartmonedhave euro

    Banka Qendrore Evropiane zbulon dizenjot e reja të kartmonedhave euro

    Banka Qendrore Evropiane prezantoi këtë të enjte projektet finaliste për kartëmonedhat e reja euro. Për herë të parë, qytetarët e BE-së do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre për dizajnin e ri, i cili pritet të zëvendësojë pamjen e pandryshuar të kartëmonedhave që prej vitit 2002.

    Euroja do të ndryshojë pamje. Për herë të parë që nga futja e saj në qarkullim, qytetarët evropianë do të kenë mundësinë të zgjedhin dizajnin e kartëmonedhave të reja. Banka Qendrore Evropiane (BQE) prezantoi 10 projektet finaliste të serisë së re të euros dhe hapi një konsultim publik, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 21 shtator.

    Krahas ekspertëve dhe Këshillit Drejtues të BQE-së, edhe qytetarët do të japin mendimin e tyre për pamjen e re të monedhës së përbashkët, e cila do të ridizenjohet plotësisht për herë të parë që nga viti 2002.

    “Jemi të entuziazmuar të prezantojmë këto motive, që paraqesin skena nga jeta reale dhe tregojnë angazhimin tonë për Evropën, duke festuar trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore. Kartëmonedhat euro janë më shumë se një mjet pagese. Ato janë një nga shprehjet më të prekshme të Evropës. Përmes dizajneve që bashkojnë bukurinë dhe domethënien, ato do të forcojnë identitetin tonë të përbashkët”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, gjatë prezantimit të modeleve finaliste.

  • Haxhiu pritet sot të caktojë datën e seancës konstituive

    Haxhiu pritet sot të caktojë datën e seancës konstituive

    Procesi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të hyjë në një fazë të re gjatë ditës së sotme, kur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të caktojë datën e mbledhjes konstituive. Sipas saj, seanca pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.

    Haxhiu ka bërë të ditur se nuk e ka caktuar më herët datën e seancës për t’u lënë hapësirë partive politike që të vazhdojnë negociatat për zgjedhjen e presidentit.

    “Në i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Siç e dini, ka pasur dy takime, një me PDK-në dhe një me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.

    Haxhiu mohoi gjithashtu se mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

    “Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje, sigurisht që do ta bënim publike. Në takim kanë qenë kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa nga ana tjetër zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani-Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, u shpreh Haxhiu.

  • Spanja shpall gjendje të jashtëzakonshme, zjarret detyrojnë evakuimin e 10 mijë banorëve

    Spanja shpall gjendje të jashtëzakonshme, zjarret detyrojnë evakuimin e 10 mijë banorëve

    Përballë përhapjes së pakontrolluar të zjarreve, qeveria spanjolle shpalli “gjendje të jashtëzakonshme me interes kombëtar” të enjten në mbrëmje deri të premten në rajonin e Madridit dhe provincën e Avilës , pranë kryeqytetit, një masë që i lejon shtetit të mobilizojë më shumë burime për të forcuar përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

    Vendimi, i njoftuar nga Ministria e Brendshme, synon të mobilizojë dhe përqendrojë burimet më shpejt në luftën kundër zjarreve që kanë detyruar evakuimin e rreth 10,000 njerëzve në Madrid , ndërsa ia beson njësisë ushtarake të reagimit ndaj emergjencave (UME) menaxhimin e krizës.

    Më herët të enjten, afërsisht 3,500 banorë të një komune të vendosur 60 kilometra në perëndim të Madridit lanë shtëpitë e tyre si masë paraprake për shkak të përhapjes së një zjarri pyjor .

    Në një përditësim nëpërmjet platformës X, ata thonë se dërguan një alarm urgjent në telefonat celularë të banorëve të Aldea del Fresno për të evakuuar zonën dhe për të shkuar në një komunë tjetër, në mënyrë që të shmangnin rrezikun nga zjarri që po shpërthente jashtë kontrollit aty pranë.

  • MMPHI paralajmëron aksione kundër uzurpimeve në Batllavë dhe Badovc, pas rrënimit të 16 villave në Ujman

    MMPHI paralajmëron aksione kundër uzurpimeve në Batllavë dhe Badovc, pas rrënimit të 16 villave në Ujman

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë të ditur se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një prej prioriteteve strategjike të saj, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe të objekteve të ndërtuara pa leje.

    Në një reagim të publikuar në Facebook, ministria njoftoi se tashmë ka nisur trajtimin e kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.

    “Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional. Prandaj kemi nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm”, thuhet në reagim.

    Ministria ka theksuar se ky angazhim po zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës, duke përmendur aksionin e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit.

    “Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. ‘Ibër-Lepenci’, është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”, thuhet më tej.

    Sipas ministrisë, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në zonat përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit.

    “Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë. Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik”, theksohet në reagim.

    Ministria ka bërë të ditur se Inspektorati po vazhdon monitorimin edhe në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke ritheksuar përkushtimin për zbatimin e ligjit.

    “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e palëkundur në misionin e saj: përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, do të mbrojmë çdo resurs ujor dhe natyror të Republikës së Kosovës nga çdo formë e uzurpimit apo ndërtimit të paligjshëm”, përfundon reagimi.

  • KGJK shqyrton sot kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    KGJK shqyrton sot kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se sot do të mbajë takimin e radhës, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.

    Kjo pikë e rendit të ditës është renditur e nënta nga 16-të sa janë gjithsej.

    Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

    “Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

    Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.

    Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.

    Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.

    “BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim.