ATV

Author: K.B.

  • Ngjarje e rëndë në Angli, ushtarja 24-vjeçarja bie nga kali përpara Mbretit Charls III – vdes tragjikisht

    Ngjarje e rëndë në Angli, ushtarja 24-vjeçarja bie nga kali përpara Mbretit Charls III – vdes tragjikisht

    Britania është tronditur nga vdekja e ushtares 24-vjeçare Ciara Sullivan, një anëtare e elitës së Trupës Mbretërore të Artilerisë Mbretërore me Kuaj, e cila u plagos për vdekje pasi ra nga kali i saj në Shfaqjen Mbretërore të Kuajve Windsor.

    Sipas raportimeve, gruaja ra nga kali i saj rreth orës 7 të mbrëmjes, pak pasi doli nga arena, ku kishte marrë pjesë në një performancë para Mbretit Charles III Pavarësisht ndihmës së shpejtë të menjëhershme, ajo pësoi lëndime të rënda dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.

    Familja dhe miqtë e saj i kanë bërë homazhe prekëse. Babai i saj, Pat Sullivan, postoi një foto të saj në rrjetet sociale me mesazhin: “

    Nderi. Shërbimi. Ata nuk do të harrohen kurrë.”

    Nëna e saj, Wendy, iu përgjigj qindra mesazheve mbështetëse, duke shkruar: “Faleminderit nga thellësia e zemrave tona që gjetët kohë për të shkruar këto fjalë. Ajo bëri atë që donte.”

    Pallati Buckingham tha se Mbreti Charles ishte “thellësisht i tronditur dhe i trishtuar” kur mësoi për vdekjen e saj. Një zëdhënës i pallatit tha se monarku “do të kontaktojë personalisht familjen për të shprehur ngushëllimet e tij”.

    Deklarata shtoi se mbreti dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore ishin në vendngjarje në kohën e incidentit, por nuk ishin menjëherë në dijeni të ashpërsisë së situatës. “Mendimet dhe ngushëllimet e sinqerta të të gjithë familjes mbretërore janë me familjen e viktimës dhe kolegët e saj ushtarakë në këtë kohë të vështirë pikëllimi”, shtoi ajo.

    Sullivan ishte shfaqur më parë në një podcast për Fondin Bamirës të Ushtrisë, organizatën zyrtare bamirëse për veteranët e ushtrisë britanike, ku foli për praktikën e saj si kujdestare kuajsh në Trupën e Mbretit.

  • Zhduket një 31-vjeçar në Prishtinë, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Zhduket një 31-vjeçar në Prishtinë, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Një rast i personit të zhdukur është raportuar në Prishtinë.

    Sipas policisë, ankuesi derisa kishte qenë me automjetin e tij dhe ishte ndalur për të blerë diçka, me vete kishte edhe djalin e tij 31-vjeçar, i cili sipas tij vuan nga të meta mentale.

    Ankuesi ka deklaruar se në një moment djali kishte dalë nga automjeti dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

    Policia ka nisur hetimet dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për lokalizimin e personit të zhdukur.

  • Çmimet në Kosovë gjatë vitit 2025 u rritën mesatarisht 3.9 për qind krahasuar me vitin 2024

    Çmimet në Kosovë gjatë vitit 2025 u rritën mesatarisht 3.9 për qind krahasuar me vitin 2024

    Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për inflacionin në vend gjatë vitit 2025.

    Sipas ASK-së, çmimet në Kosovë gjatë këtij viti kanë qenë mesatarisht 3.9 për qind më të larta krahasuar me vitin 2024.

    Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te pijet alkoolike dhe duhani me 7.6 për qind, si edhe te informacioni dhe komunikimi me 6.8 për qind.

    Po ashtu, shtrenjtim pati edhe te veshmbathja, mobiliet dhe pajisjet shtëpiake, energjia elektrike, ushqimi dhe pijet joalkoolike, transporti, shëndetësia dhe arsimi.

    Ndërkohë, ASK-ja njoftoi se rënie e çmimeve është shënuar te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 1.4 për qind, si edhe te rekreacioni, sporti dhe kultura me 1.1 për qind.

  • Nafta dhe benzina sot më shtrenjtë se dje

    Nafta dhe benzina sot më shtrenjtë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar listën e re të çmimeve maksimale të lejuara (tavan) për shitjen e derivateve të naftës në tregun e Kosovës, të cilat do të jenë valide për 24 orët e ardhshme.

    Sipas vendimit të fundit të ministrisë, çmimet maksimale të caktuara për datën 19 maj 2026 pësuan një lëvizje të lehtë krahasuar me ditët e kaluara:

    Nafta (dizel): 1.62 euro për litër (shënon rritje prej 2 centësh);

    Benzina: 1.53 euro për litër (shënon rritje prej 3 centësh);

    Gasi: 0.75 euro për litër (shënon rënie prej 3 centësh).

    Sipas njoftimit zyrtar, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e paradites së sotme.

    MINT u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi ose tejkalim të këtyre çmimeve tavan nga ana e operatorëve ekonomikë. Ankesat mund të adresohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes emailit zyrtar [email protected] ose në numrin e telefonit pa pagesë 0800 11000.

  • KQZ-ja shtyp fletëvotimet me procedurë të përshpejtuar, jep 58 mijë € më shumë

    KQZ-ja shtyp fletëvotimet me procedurë të përshpejtuar, jep 58 mijë € më shumë

    Me procedura të përshpejtuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shtypjen e fletëvotimeve për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit, në të njëjtën ditë kur është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës për këtë proces që ka kushtuar 58 mijë euro më shumë sesa që ishte paraparë me kontratë të rregullt.

    Në të njëjtën ditë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për dhënien e kontratës, ka nisur edhe shtypja e fletëvotimeve që do të përdoren për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit.

    “Pra, kjo shtypje më e shpejtë e fletëvotimeve që përdoren për votimin me postë bëhet me qëllim që ne të arrijmë që brenda afateve të dërgojmë pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Procesi i votimit me postë për mbi 100 mijë qytetarët e regjistruar jashtë Kosovës nis më 25 maj dhe përfundon më 6 qershor.

    KQZ-ja do t’ua dërgojë pakot me fletëvotime që kushtuan rreth 60 mijë euro më shumë sesa që ishte parashikuar me kontratë të rregullt, në adresat postare të votuesve të regjistruar.

    Të hënën, në platformën elektronike të prokurimit publik u publikua njoftimi për dhënien e kontratës, por ende nuk figuron ai për nënshkrimin e saj.

    Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, nga publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës deri te nënshkrimi i saj duhet të kalojnë 10 ditë, për t’u mundësuar operatorëve ekonomikë paraqitjen e ankesave.

    Megjithatë, një opinion i Komisionit Rregullues të Prokurimit Publik parasheh mundësinë që autoriteti kontraktues ta nënshkruajë kontratën pa pritur afatet ligjore në raste emergjente ekstreme, të përcaktuara me nenin 35 të LPP-së.

    Kjo dispozitë nuk mund të zbatohet nëse situata emergjente është shkaktuar nga neglizhenca, veprimet e qëllimshme ose lëshimet e vetë autoritetit kontraktues.

    “Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në Ligjin për Prokurimin Publik, neni 35.

    Kontrata, me vlerë 342 mijë euro, i është dhënë kompanisë sllovene Cetis, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

    Kjo kompani pati shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur u evidentuan mospërputhje në numrat serikë.

    Të martën është anuluar tenderi i rregullt i hapur nga KQZ-ja për shtypjen e fletëvotimeve pasi asnjë kompani nuk bëri ofertë.

    Vlera e parashikuar në kontratën e rregullt ishte 284 mijë euro.

    Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të dytat të jashtëzakonshme që mbahen brenda gjashtë muajsh./Koha

  • Bitcoin bie nën 77,000 dollarë

    Bitcoin bie nën 77,000 dollarë

    Bitcoin dhe eteri ranë pasi presidenti amerikan i tha Iranit se “ora po ecën”, duke e çuar naftën në rritje dhe duke shkaktuar likuidime të gjera të kriptomonedhave, shkruan coindesk, përcjell KosovaPress.

    Bitcoin ra me 2.4% në 76,500 dollarë pasi Presidenti Donald Trump e paralajmëroi Iranin të “lëvizë shpejt”. Bitcoin ra me 3.5% në 2,116 dollarë, më e ulëta që nga 30 prilli.

    Asetet me rrezik u dobësuan në të gjitha nivelet, me kontratat me afat të aksioneve amerikane që ranë ndjeshëm. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent kaloi për pak kohë shifrën 112 dollarë për fuçi.

    Altkoin-et patën performancë më të dobët se kriptovalutat kryesore. BCH humbi 10% dhe DOGE ra me 4.5%, megjithëse RUNE dhe KAIA i rezistuan rënies së përgjithshme të tregut.

    Bitcoin është një kriptomonedhë e decentralizuar që përdor teknologjinë peer-to-peer dhe një blockchain për të regjistruar transaksionet. U krijua nga Satoshi Nakamoto dhe blloku i parë u minua më 3 janar 2009.

  • Situata me fruthin në Kosovë – 14 raste të konfirmuara, mbi 500 fëmijë të vaksinuar për dy javë

    Situata me fruthin në Kosovë – 14 raste të konfirmuara, mbi 500 fëmijë të vaksinuar për dy javë

    Është vetëm nëntë muajsh. Ky është vetëm njëri ndër fëmijët i cili është vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Njëjtë si ky edhe mbi një mijë fëmijë të tjerë kanë marrë vaksinën kundër sëmundjes së fruthit raporton Ekonomia Online.

    Ndërsa, 14 raste janë konfirmuar me sëmundjen e fruthit, për shkak se kanë qenë të pavaksinuar me vaksinën kundër kësaj sëmundje, e vetëm në dy javët e para të këtij muaji janë vaksinuar mbi 500 fëmijë.

    Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Xhevrije Canolli në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se vaksinimi mbetet kyç në parandalimin e fruthit.

    “Atëherë pra, siç jeni të njoftuar edhe ju, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 16 prilli deri më sot janë regjistruar 14 raste aktive me fruth. Të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar, domethënë mosvaksinimi ka ndikuar në paraqitjen e kësaj sëmundje ngjitëse që mund të parandalohet me vaksinim. Pra vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të fruthit në vendin tonë”, tha Canolli.

    Ajo u bëri thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë në QMF për vaksinim.

    “Duke qenë se kjo është sëmundje shumë ngjitëse dhe përhapet shpejt në komunitet, unë kisha bë thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit dhe në rastet e mosvaksinimit të fëmijëve të tyre kundër fruthit, të lajmërohen sa më shpejt në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare për vaksinim. Po ashtu rekomandohet shmangia e kontaktit me fëmijët e dyshimtë me fruth. Ndërsa sa i përket masave të ndërmarra nga njësia e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, janë identifikuar të gjithë fëmijët e paimunizuar dhe janë duke u telefonuar prindërit e këtyre fëmijëve që sa më parë t’i dërgojnë për vaksinim në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare”, tha ajo.

    Canolli tha se duhet marrë të dy dozat e vaksinimit në mënyrë që të ketë parandalim të plotë të fruthit dhe se janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë.

    “Po ashtu nga ekipet mobile të vaksinimit, janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë. Nxënësit e klasës së parë gjithashtu vaksinohen me dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, domethënë mbrojtja e plotë kundër fruthit arrihet me marrjen e dy dozave. Doza e parë aplikohet në moshën njëvjeçare, ndërsa doza e dytë në moshën gjashtëvjeçare, pra te nxënësit e klasës së parë. Me paraqitjen e këtyre rasteve të fruthit, po ashtu me thirrjet që janë bërë direkt prindërve përmes telefonit, thirrjet publike nga Instituti Kombëtar, nga Ministria e Shëndetësisë, është vërejtur një rritje e interesimit të prindërve për vaksinim. Vetëm gjatë këtyre dy javëve të muajit maj, janë vaksinuar mbi 500 fëmijë kundër fruthit, përderisa gjatë katër muajve të… gjatë katër muajve të parë të këtij viti, pra janar-prill, janë vaksinuar 686 fëmijë. Domethënë është dyfishuar numri”, tha Canolli.

    Doktoresha gjithashtu përmendi se cilët persona janë më të rrezikuar dhe cilat janë komplikimet më të shpeshta shëndetësore.

    “Është me rëndësi të ceket se më të rrezikuar nga fruthi janë fëmijët e paimunizuar nën pesë vjeç, gratë shtatzëna, personat me imunitet të dobësuar, edhe komplikimet që paraqiten janë më të shpeshta tek këto… tek këto raste. Komplikimet mund të paraqiten një në pesë raste. Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia, inflamacionet e veshit apo humbja e përhershme e dëgjimit në rastet kur komplikohet inflamacioni, mandej inflamacioni i trurit ose encefaliti, i cili në rastet e rënda mund të përfundojë edhe në mënyrë fatale. Duke pasur… duke parë seriozitetin e kësaj sëmundjeje, ju kisha bë thirrje prindërve që të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive. Vaksina kundër fruthit te ne përdoret mbi 50 vjet dhe është shumë e sigurt”, tha ajo për EO.

    E pyetur se a shkakton vaksina kundër fruthit autizëm, Canolli mohoi një gjë të tillë duke thënë se të gjitha studimet tregojnë se nuk ka asnjë lidhshmëri të të dyja sëmundjeve.

    “Të gjitha studimet që janë bërë deri më tani, të gjitha hulumtimet shkencore nuk tregojnë asnjë lidhshmëri në mes të vaksinës së fruthit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Një prej studimeve më të mëdha shkencore është ai i vitit 2019 në Danimarkë, që është bërë në mbi 650 mijë fëmijë, të cilat studime konfirmojnë se nuk ekziston asnjë lidhshmëri shkakësore në mes të vaksinës së fruthit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Po ashtu, në 2021 janë bërë mbi 13 studime në mbi 2 milionë fëmijë dhe nuk është gjetur asnjë lidhshmëri”.

    “Pastaj, në dhjetor të vitit 2025, OBSH-ja, pas një analize të gjithëpërfshirëse të të gjitha provave shkencore, studimeve të bëra, rikonfirmon për mungesën e kësaj lidhshmërie në mes të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe vaksinimit”, tha Canolli.

  • Pasi shpërtheu skandali në Beograd, Vuçiq sulmon Malin e Zi për krimin e organizuar

    Pasi shpërtheu skandali në Beograd, Vuçiq sulmon Malin e Zi për krimin e organizuar

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka akuzuar Malin e Zi për “importimin” e klaneve kriminale në Serbi, vetëm një ditë pas arrestimit të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq, i dyshuar për fshehjen e një vrasjeje të lidhur me krimin e organizuar.

    Ndërsa opinioni publik në Serbi pret përgjigje për arrestimin dhe shkarkimin e kreut të policisë së kryeqytetit, Vuçiq e zhvendosi vëmendjen drejt Malit të Zi, duke pretenduar se “klanët kriminale nga Kotorri e kanë vrarë gjysmën e Serbisë”.

    Autoritetet në Podgoricë nuk kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave. As Qeveria e Malit të Zi dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

    Deputeti opozitar malazez, Nikola Zirojeviq, i cilësoi deklaratat e Vuçiqit si të papërshtatshme dhe ironizoi qasjen e presidentit serb ndaj Malit të Zi.

    “Nëse e pyet Vuçiqin, të gjithë ne në Mal të Zi jemi serbë, vetëm kriminelët qenkan malazezë”, tha ai.

    Sipas Zirojeviqit, pyetja kryesore nuk është pse individë nga Mali i Zi kanë operuar në Serbi, por pse Serbia është parë si territor i favorshëm për aktivitet kriminal.

    “Ndoshta përgjigjja duhet kërkuar brenda kufijve të Serbisë dhe tek pushteti ekzekutiv serb”, deklaroi ai.

    Në qendër të skandalit është ish-shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, i arrestuar nën dyshimet se ka ndihmuar në fshehjen e një vrasjeje në një restorant të Beogradit. Prokuroria dyshon se ai kishte telefonuar viktimën dhe e kishte bindur të vinte pa sigurim personal, ndërsa në lokal ndodheshin edhe personat e dyshuar për vrasjen.

    Trupi i viktimës ende nuk është gjetur, ndërsa në kërkime është përfshirë edhe ushtria serbe.

    Megjithatë, gjatë paraqitjes publike pas arrestimit të Miliqit, Vuçiq nuk dha shumë detaje për rastin, por foli gjerësisht për klanet kriminale malazeze.

    Avokati dhe ish-ministri serb i policisë, Bozho Preleviq, vlerësoi se deklaratat e Vuçiqit janë përpjekje për të larguar vëmendjen nga ajo që ndodhi në Beograd.

    “Shteti duhet të shpjegojë si ndodhi një vrasje e rëndë në një restorant pothuajse të mbyllur për publikun dhe pse u arrestuan pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme”, tha ai.

    Vuçiq përmendi edhe klanet famëkeqe “Kavaç” dhe “Shkaljar”, dy grupe kriminale nga zona e Kotorrit që prej vitit 2014 janë përfshirë në përplasje të përgjakshme në rajon dhe Europë.

    Gazetari hulumtues, Vuk Cvijiq, tha se grupet kriminale serbe dhe malazeze janë të përziera dhe bashkëpunojnë mes vete.

    “Nuk mund të ndahen sipas kombësisë. Shumë prej tyre kanë pasaporta të të dyja shteteve”, deklaroi ai.

    Sipas tij, fakti që këto grupe kanë vepruar në Serbi tregon se aty janë ndier të sigurta.

    Vuçiq përmendi edhe emrin e Milosh Medenica, i dënuar në Mal të Zi për krim të organizuar dhe aktualisht në arrati, duke pretenduar se ai po mbrohet nga klani i Kavaçit në territorin malazez.

    Policia malazeze më herët kishte deklaruar se videot e publikuara nga Medenica në rrjetet sociale mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale, megjithëse ekspertët thanë se nuk ka prova të mjaftueshme për këtë pretendim.

    Deklaratat e Vuçiqit vijnë edhe në prag të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Presidenti serb refuzoi të marrë pjesë në festimet zyrtare dhe deklaroi se do të ishte “turp” për të të festonte ndarjen e Malit të Zi nga Serbia.

    Ministria e Jashtme e Malit të Zi i cilësoi këto deklarata si politikisht të papërgjegjshme. /REL

  • ​27 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    ​27 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    27 vite më parë në Burgun e Dubravës nisi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

    Brenda burgut u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

    Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

    Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

    Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

  • Presidenti kroat refuzon emërimin e ambasadorit të ri izraelit në Zagreb

    Presidenti kroat refuzon emërimin e ambasadorit të ri izraelit në Zagreb

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka refuzuar të miratojë emërimin e ambasadorit të ri të Izraelit në Zagreb për shkak, siç u tha nga zyra e tij “politikave të ndjekura nga autoritetet aktuale izraelite”.

    “Lidhur me veprimet e palës izraelite, Zyra e Presidentit të Republikës konfirmon se ambasadori i propozuar i Shtetit të Izraelit nuk mori dhe as nuk do të marrë pëlqimin e Presidentit të Republikës, Zoran Milanoviq, për shkak të politikës së qeverisë aktuale izraelite. Dhënia ose mosdhënia e pëlqimit për ambasadorët e propozuar është e drejtë sovrane e Republikës së Kroacisë dhe për këtë vendos Presidenti i Republikës. Çdo presion publik ose politik, në këtë rast nga pala izraelite, nuk do ta ndryshojë vendimin e Presidentit të Republikës, tha, tha zyra e presidentit në një deklaratë të hënën, raporton HRT.

    Milanoviq, një kritik i ashpër i luftës në Gaza, tha se më parë kishte shmangur komentet publike për këtë çështje, në përputhje me praktikën diplomatike, por tani argumentoi se Izraeli kishte thyer “rregullin e pashkruar” duke shpallur ambasadorin e propozuar para se të merrte pëlqimin.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se po punonte me homologët kroatë për të “zgjidhur çështjen e statusit të ambasadorit të ardhshëm të Izraelit në Zagreb”, sipas një deklarate të cituar nga The Times of Israel.

    Tensionet mes Kroacisë dhe Izraelit kanë qenë të pranishme për shkak të agresionit ushtarak izraelit në Gaza dhe në Lindjen e Mesme më gjerë.

    Në shkurt, Milanoviq njoftoi se anëtarët e forcave të armatosura kroate nuk do të bashkëpunonin me ushtrinë izraelite “për shkak të veprimeve të tyre të papranueshme dhe shkeljes së paprecedentë” të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

    Në mars, ai dënoi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke thënë se dëshira për ndryshim qeverie në Teheran mund të çojë në “dëme ekonomike” dhe pasoja afatgjata.