ATV

Author: K.B.

  • Shkurte Fejza takohet në Amerikë me ish-presidentin Bill Clinton: Mirënjohje nga zemra në emër të popullit të Kosovës

    Shkurte Fejza takohet në Amerikë me ish-presidentin Bill Clinton: Mirënjohje nga zemra në emër të popullit të Kosovës

    Shkurte Fejza ka ndarë një mesazh emocionues në rrjetet sociale pas takimit që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

    Këngëtarja e njohur shqiptare e cilësoi këtë takim si një moment të veçantë mirënjohjeje për rolin historik që Clinton pati për Kosovën në periudhën më të vështirë të popullit shqiptar.

    Në postimin e saj, Fejza falënderoi gjithashtu shqiptarët e Amerikës për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës ndër vite, duke i quajtur ata ‘zemra e gjallë e shqiptarizmës’.

  • Kush është Rolando Maran, selektori i ri i Kombëtares së Shqipërisë?

    Kush është Rolando Maran, selektori i ri i Kombëtares së Shqipërisë?

    Rolando Maran tanimë edhe zyrtarisht është emëruar selektor i Kombëtares së Shqipërisë.

    Federata Shqiptare e Futbollit pas largimit të Sylvinhos e ka emëruar italianin në stolin e kuqezinjve, duke bërë një lëvizje të shpejtë dhe duke mos e lënë Kombëtaren pa një selektor të kalibrit të madh.


    Mirëpo kush është Rolando Maran?

    Rolando Maran është një nga trajnerët më të njohur dhe më të respektuar të futbollit italian, me një karrierë të gjatë si futbollist dhe trajner në elitën e futbollit në Itali.

    I lindur më 10 gusht 1963 në Trento, Maran është konsideruar gjithmonë si një figurë e disiplinuar dhe një punëtor i palodhur i futbollit italian.

    Karriera e tij nisi si futbollist, ku luante në repartin defensiv dhe njihej për karakterin e fortë, shpirtin luftarak dhe aftësitë udhëheqëse në fushë. Periudha më e rëndësishme e karrierës së tij si lojtar lidhet me Chievo Verona, klub ku luajti nga viti 1986 deri më 1995.

    Gjatë asaj kohe, Maran zhvilloi rreth 300 ndeshje me fanellën e Chievos dhe ishte një nga figurat kryesore të skuadrës, transmeton Klankosova.tv.

    Ai mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe u bë simbol i periudhës historike të klubit, kur Chievo arriti të ngjitej nga Serie C2 deri në Serie B. Pikërisht ajo periudhë u konsiderua më vonë si fillimi i “mrekullisë së Chievo-s”, histori që mbeti gjatë në futbollin italian.

    Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Maran kaloi menjëherë në rolin e trajnerit.

    Fillimisht ai punoi si ndihmës trajner te Chievo dhe më pas te Brescia, ndërsa gradualisht nisi të ndërtojë profilin e tij si një trajner i disiplinës taktike dhe organizimit defensiv.

    Me kalimin e viteve, italiani arriti të drejtojë mbi 250 ndeshje në Serie A, duke u bërë një nga trajnerët më me eksperiencë në elitën e futbollit italian.

    Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij erdhi gjatë sezonit 2012/2013 me Catania. Nën drejtimin e Maranit, skuadra siciliane realizoi sezonin më të mirë në historinë e saj në Serie A, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tetë me 56 pikë, transmeton Klankosova.tv.

    Ky mbetet ende rekordi më i mirë i Catanias në elitën italiane.

    Suksesi me Catanian e rriti edhe më shumë reputacionin e trajnerit italian, i cili më pas u rikthye te Chievo Verona në vitin 2014.

    Në katër sezonet qëndroi në krye të skuadrës dhe arriti ta mbajë ekipin larg zonës së rënies nga kategoria, pavarësisht buxhetit të kufizuar të klubit.

    Gjatë asaj periudhe, Chievo u konsiderua një skuadër shumë e vështirë për kundërshtarët e mëdhenj, kryesisht për shkak të organizimit defensiv dhe disiplinës taktike që Maran kishte instaluar në ekip.

    Në vitin 2018, ai mori drejtimin e Cagliari, ku nisi një projekt ambicioz me skuadrën nga Sardenja. Në sezonin 2019/20, Cagliari ishte një nga surprizat e kampionatit italian gjatë pjesës së parë të sezonit dhe për një periudhë qëndroi edhe në zonën që siguronte kualifikimin në kompeticionet evropiane.

    Megjithatë, rënia e rezultateve në pjesën e dytë të sezonit çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit italian.

    Përveç këtyre eksperiencave, Maran ka drejtuar edhe skuadra të tjera të njohura italiane si Genoa, Pisa dhe Brescia.

    Në Itali ai konsiderohet si një trajner me aftësi të mëdha në menaxhimin e grupeve, stabilitetin e skuadrës dhe organizimin taktik, sidomos në situata të vështira apo momente krize.

  • Hamiti: Jemi nënkampionë për varfëri në Evropë në kohën kur demagogu Kurti dhe VV-ja propagandojnë prosperitet dhe begati

    Hamiti: Jemi nënkampionë për varfëri në Evropë në kohën kur demagogu Kurti dhe VV-ja propagandojnë prosperitet dhe begati

    Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar raportin e World Atlas i mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili Kosovën e rendit si vendin e dytë më i varfër në Evropë.

    Ai ka bërë me dije mi se Kosova është nënkampionë për varfëri në Evropë.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka vlerësuar se kjo po ndodh në kohën kur Albin Kurti dhe VV-në propagandojnë prosperitet dhe begati.

    “Jemi nënkampionë për varfëri në Evropë në kohën kur demagogu Albin Kurti me VV-në e tij propagandojnë prosperitet dhe begati. Me synimin e tij të pafshehur për t’u bërë sundimtar absolut i Kosovës, sepse të qeverisë në mënyrë demokratike nuk di ose nuk do as me 51% të votave të qytetarëve, siç u pa, Albin Kurti po e sfidon vetë idenë e kosovarëve për demokracinë e vendit të vet. Qytetarët duhet t’i japin një JO kumbuese pretendentit më 7 qershor 2026. Kështu, me votë demokratike, e shpëtojnë vendin e vet”, ka shkruar ai.

  • “Reflections on Seismic Design”, libri i Mentor Llunjit promovohet sot në ASHAK

    “Reflections on Seismic Design”, libri i Mentor Llunjit promovohet sot në ASHAK

    Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot nga ora 11:00 do të bëhet promovimi i librit “Reflections on Seismic Design”, i autorit Mentor Llunji, inxhinier konstruktor me mbi 20 vite përvojë profesionale.

    Libri është përmbledhje mendimesh personale mbi të tashmen dhe të ardhmen e projektimit sizmik dhe trajton pyetjet dhe çështjet me të cilat autori është përballur gjatë më shumë se dy dekadave të projektimit të strukturave në zona sizmike.

    Në këtë libër pasqyrohen këndvështrimet mbi filozofinë bashkëkohore të projektimit sizmik, te metat dhe përparësit e saj, duke ofruar një vështrim kritik mbi kodet e ndërtimit dhe rëndesinë e përgatitjes përmbajtesore të inxhinierëve që pretendojnë të projektojnë në zona sizmike.

    Mesazhi kryesor i librit është që projektimi sizmik nuk ka të bëjë me saktësinë, por me kuptimin që synon t’u kujtojë inxhinierëve se asgjë në këtë fushë nuk është e pakontestueshme.

    “Reflections on Seismic Design”, bën thirrje për një rikthim te bazat e profesionit, te mendimi i pavarur dhe kritik, me qëllimin kryesor për të mbështetur inxhinierët në formimin e qasjes së tyre personale ndaj projektimit të strukturave rezistente ndaj tërmeteve.

    Libri i është dedikuar viktimave të tërmeteve të Kahramanmaraşit të vitit 2023.

  • Lushaku-Sadriu: Vetëvendosje asnjë reformë në arsim, gjatë 6 vjetëve qeverisjeje

    Lushaku-Sadriu: Vetëvendosje asnjë reformë në arsim, gjatë 6 vjetëve qeverisjeje

    Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka bërë asnjë reform në arsim gjatë gjashtë vjetëve qeverisjeje.

    “Brenda gjashtë vjete qeverisjeje me 1.2 miliardë euro, VV-ja s’ka arritur ta niste ASNJË reformë në arsim.

    Ja si bëhen reformat kur ka vullnet politik, kur ka vendosmëri e kur e do dijen dhe të mirën e fëmijëve!

    Jam krenare, që brenda gjashtë muajsh, kam bërë realitet reformën e MËSIMIT TËRËDITOR.

    FËMIJËT tanë meritojnë dije e të ardhme ma mire”, shkruan Lushaku-Sadriu në postim.

  • Sulmohen katër zyrtarë korrektues nga një i burgosur në Pejë

    Sulmohen katër zyrtarë korrektues nga një i burgosur në Pejë

    Katër zyrtarë janë sulmuar fizikisht brenda një qendre korrektuese në Pejë, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    Sipas raportit policor, incidenti ka ndodhur më 18 maj, ku një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj katër zyrtarëve ku si pasojë e sulmit, kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe motiveve që çuan deri te incidenti brenda institucionit korrektues.

  • I dënuar me burg përjetë për vrasjen e 3 personave, arrestohet në SHBA 51-vjeçari nga Fieri

    I dënuar me burg përjetë për vrasjen e 3 personave, arrestohet në SHBA 51-vjeçari nga Fieri

    Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1997 dhe i dënuar për disa vrasje të rënda në Shqipëri dhe Belgjikë, është arrestuar në shtetin e Ohajos, në SHBA, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Globi”.

    Operacioni u finalizua falë bashkëpunimit mes Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tiranë, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit, Interpol Brukselit, Marshallëve Amerikanë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në SHBA.

    Në pranga ka rënë shtetasi shqiptar Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

    Ai ishte dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Fier me 25 vite burg për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Hetimet kanë provuar se më 30 mars 1997, në Patos, ai vrau me armë zjarri dy vëllezër, shtetasit H.B. dhe I.B., për motive të dobëta.

    Po ashtu, në vitin 2010, Gjykata e Bruksel e dënoi me burgim të përjetshëm për “Vrasje me dashje”, pasi më 29 gusht 1997 vrau me armë zjarri një shtetase shqiptare në Belgjikë, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

    Operacioni u zhvillua nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale, e njohur si “Njësia e përbashkët e shërbimeve investiguese”, në bashkëpunim të ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

    Autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e të arrestuarit dhe ekzekutimin e vendimeve penale ndaj tij.

  • Ardian Gjini: Do ta rikthejmë ëndrrën për një Kosovë të zhvilluar dhe normale

    Ardian Gjini: Do ta rikthejmë ëndrrën për një Kosovë të zhvilluar dhe normale

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ardian Gjini, ka zhvilluar takime në Rahovec, ku ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e qytetarëve dhe ka prezantuar vizionin për zhvillimin e vendit.

    “Gjithmonë është kënaqësi e veçantë të jesh në Rahovec, mes njerëzve të mirë, bujarë dhe jashtëzakonisht punëtorë”, ka deklaruar Gjini, duke theksuar se fryma që po e shoqëron në takime lidhet me dëshirën për ta rikthyer “ëndrrën e një shteti të zhvilluar e normal”.

    Sipas tij, prioritet mbetet zhvillimi ekonomik, trajtimi më dinjitoz i mësuesve dhe vlerësimi maksimal i pensionistëve për kontributin e tyre jetësor.

  • Bilanc tragjik në rrugët e Kosovës – 4 viktima dhe dhjetëra të lënduar brenda 24 orëve

    Bilanc tragjik në rrugët e Kosovës – 4 viktima dhe dhjetëra të lënduar brenda 24 orëve

    Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidente të ndryshme të raportuara nga Policia e Kosovës.

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku dy vetura janë përfshirë në përplasje dhe si pasojë një mashkull kosovar ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet.

    Një tjetër aksident tragjik është regjistruar në fshatin Dollc të Klinës, ku drejtuesi i një veture dyshohet se nga pakujdesia ka dalë jashtë rrugës, duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.

    Në këtë aksident janë lënduar edhe një femër dhe tre meshkuj kosovarë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Po ashtu, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë tri automjete.

    Të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

    Ndërkaq, një tjetër viktimë e aksidenteve ka ndërruar jetë në QKUK pas disa ditësh trajtim mjekësor.

    Bëhet fjalë për një person që ishte përfshirë në një aksident trafiku më 7 maj në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

    Përveç rasteve me fatalitet, policia ka raportuar edhe aksidente me lëndime dhe dëme materiale.

    Në fshatin Prekallë të Istogut, një femër ka pësuar lëndime trupore pas përplasjes së dy veturave, ndërsa në rrugën “Hysen Rexhepi” në Prizren janë raportuar vetëm dëme materiale pas një aksidenti mes dy automjeteve.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër aksidente me fatalitet, 19 aksidente me persona të lënduar dhe 39 aksidente që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

  • Haradinaj kujton Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies heroike

    Haradinaj kujton Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies heroike

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë e Kosovës, Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies së tyre heroike.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Tahiri e Topalli ishin intelektualë vizionarë dhe veprimtarë të palodhur të çështjes kombëtare.

    “Me përkushtim të palëkundur ndaj lirisë dhe guxim të rrallë, Abdullah Tahiri dhe Enver Topalli ecën pa u ndalur në rrugën e çlirimit të vendit. Ata dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre që Kosova të jetojë e lirë. Lavdi e përjetshme Abdullah Tahirit dhe Enver Topallit!”, ka shkruar ai.