ATV

Author: K.B.

  • Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku ka ndërruar jetë një foshnje.

    Foshnja u dërgua nga familjarët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prilluzhë të Vushtrrisë.

    Më pas, nga mjeku kujdestar u konstatua se e njëjta nuk kishte shenja jete.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet.

    Së pari rasti u raportua në Stacionin Policor të Vushtrrisë, derisa me të njëjtin do të vazhdojë të merret Stacioni Policor në Obiliq ku edhe do të zhvillohen hetimet lidhur me rastin.

    Organet e rendit i kanë intervistuar edhe familjarët.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Trup i pajetë – Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore.

  • Bebe Rexha dhe Faithless ngjiten në vendin e parë në listën globale të këngëve dance me “New Religion”

    Bebe Rexha dhe Faithless ngjiten në vendin e parë në listën globale të këngëve dance me “New Religion”

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha, në bashkëpunim me grupin Faithless, kanë arritur në vendin e parë në WARM Global Dance Radio chart, pasi kënga “New Religion” është rritur me një pozicion dhe ka marrë kryesimin e renditjes për javën e datës 23 maj.

    E publikuar në fillim të marsit, kënga kryeson me mbi 900 transmetime (spins) në më shumë se 200 stacione radio të monitoruara në mbarë botën gjatë javës së matjes 8–14 maj, sipas World Airplay Radio Monitor.

    “New Religion” ka pasur sukses edhe në listat amerikane të Billboard, ku ka qëndruar një javë në vendin e parë në Dance/Mix Show Airplay (datë 9 maj), si dhe ka arritur në vendin e 29-të në Pop Airplay dhe në vendin e 33-të në Rhythmic Airplay.

    Kënga përfshin elemente nga hiti i Faithless i vitit 1995, “Insomnia”, i cili vetë ka qenë një sukses në Billboard: qëndroi një javë në vendin e parë në Dance Club Songs në vitin 1997 dhe u rendit në vendin e 62-të në Billboard Hot 100. Një version i ripunuar, “Insomnia 2.0”, gjithashtu kaloi një javë në vendin e parë në Dance Club Songs në vitin 2015.

    Me këtë rezultat, “New Religion” shënon vendi i parë i parë në WARM Global Dance Radio si për Bebe Rexhën ashtu edhe për Faithless, që kur Billboard nisi publikimin e kësaj liste në mars.

    Ndërkohë, në pesëshen e parë të renditjes, ANOTR me “Talk to You” (me 54 Ultra) bie në vendin e dytë pas gjashtë javësh në krye; FISHER dhe Tones and I me “Favour” mbajnë vendin e tretë; Prospa dhe Cloonee me “Free Your Mind” ngjiten nga vendi i pestë në të katërtin; ndërsa Milky dhe Mall Grab me “Just the Way You Are” ngjiten nga vendi i shtatë në të pestin.

    Debutimi më i lartë i javës i takon Calvin Harris dhe Jazzy me “Satisfy”, që hyn në listë në vendin e 14-të, ndërsa në top 20 debuton edhe “Don’t Worry Baby” nga Dom Dolla dhe Tiga në vendin e 16-të.

    Billboard njoftoi më 5 mars se ka zgjeruar portofolin e listave dance duke përfshirë edhe WARM Global Dance Radio chart. Kjo renditje debutoi në Billboard.com më 10 mars dhe i bashkohet listave të tjera amerikane si Hot Dance/Electronic Songs, Dance/Mix Show Airplay dhe Top Dance Albums. Lista globale ka 40 pozicione (e publikuar e plotë si renditje me 100 pozicione në platformën e WARM) dhe përmbledh transmetimet nga mbi 200 radio dance në më shumë se 30 shtete, duke reflektuar këngët që janë në trend globalisht.

  • Wikipedia shndërrohet në stilin nostalgjik të Windows XP

    Wikipedia shndërrohet në stilin nostalgjik të Windows XP

    Wikipedia po merr një pamje të re jozyrtare që e shndërron në një version nostalgjik të stilit të Windows XP.

    Sipas një projekti të ri në internet, faqja e Wikipedia-s paraqitet sikur të ishte një desktop i sistemit operativ Windows XP, duke rikthyer estetikën e njohur të viteve të hershme të kompjuterëve personalë.

    Ideja është krijimi i një ndërfaqeje që e bën shfletimin e informacionit më “të prekshëm” dhe më nostalgjik për përdoruesit.

    Projekti është realizuar nga një programere dhe e transformon Wikipedia-n në një ambient të ngjashëm me desktopin klasik: artikujt shfaqen si dokumente, ndërsa kategoritë organizohen si dosje (folders).

    Në këtë mënyrë, përdoruesi nuk navigon më thjesht përmes një faqeje tradicionale web, por “lëviz” brenda një strukture që i ngjan një sistemi operativ të vjetër.

    Faqja hapet me ikona në desktop që përfaqësojnë pjesë të ndryshme të Wikipedia-s dhe shërbimeve të saj. Kategoritë mund të eksplorohen si dosje, ndërsa Wikimedia Commons paraqitet si një bibliotekë skedarësh ku imazhet mund të menaxhohen në mënyrë të ngjashme me një kompjuter të vjetër.

    Ky dizajn synon të ofrojë një përvojë ndryshe nga kërkimi tradicional në internet: në vend që përdoruesi të gjejë menjëherë një artikull, ai eksploron më ngadalë përmes strukturave dhe lidhjeve, duke zbuluar përmbajtje që ndoshta nuk do t’i gjente në kërkim normal.

    Megjithatë, ky koncept është më shumë eksperimental dhe nostalgjik sesa praktik, pasi nuk synon të zëvendësojë Wikipedia-n klasike, por të ofrojë një mënyrë kreative dhe argëtuese për ta përjetuar atë.

  • “Kur jemi te frizerkat”, burri i Vjosa Osmanit i reagon Glauk Konjufcës: Tallje me çdo vajzë e grua në Kosovë

    “Kur jemi te frizerkat”, burri i Vjosa Osmanit i reagon Glauk Konjufcës: Tallje me çdo vajzë e grua në Kosovë

    Një video e publikuar dje ku shihet ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca duke qeshur dhe duke thënë fjalën “frizerkë” bëri bujë të madhe dje në rrjet.

    E pas kësaj, Konjufca deklaroi se këtë nuk e tha duke iu referuar ish-presidentes Vjosa Osmani, por që po i përgjigjej një “pseudo-gazetari” i pranishëm në takim.

    E pas kësaj ka reaguar edhe bashkëshorti i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu.

    Përmes një shkrimi të gjatë ai foli mbi dinjitetin dhe për arritjet e Vjosa Osmanit. Pas kësaj ai tha se ky rast flet shumë për Glauk Konjufcën dhe për mentalitetin e tij “karateist” sesa për Osmanin dhe frizeret.

    “Sepse ajo që zbuloi kjo “tallje” është kjo: në botën tënde mizogjeniste, ti mund të hysh në një sallon të frizereve, të kërkosh votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorësh si armë kundër një gruaje tjetër. Kërkon mbështetjen e tyre, por nuk u jep respektin tënd. Ky nuk është qëndrim politik. Është interes i maskuar si përçmim”.

    “Ti i kërkove Kosovës të të besojë pushtetin, Glauk. Por pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson, nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben dhe qesh me ambicien e tyre, nuk është lidership. Është paralajmërim”, shtoi ai.

  • Behrami: VV-ja nuk u distancua asnjëherë nga dhuna politike dhe kauzat e rrejshme

    Behrami: VV-ja nuk u distancua asnjëherë nga dhuna politike dhe kauzat e rrejshme

    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, gjatë një debati televiziv ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar asnjëherë nga metodat dhe kauzat përmes të cilave, sipas tij, erdhi në pushtet.

    Behrami ka thënë se VV-ja nuk është shkëputur nga “dhuna politike”, gazi lotsjellës dhe, siç i quajti ai, “tentim-atentatet për kauza të rrejshme”. “Asnjëherë nuk u distancua nga dhuna politike, nga gazi lotsjellës, nga tentim-atentatët për kauza të rrejshme.

    Asnjëherë nuk u distancua nga kauzat e rrejshme përmes të cilave erdhi në pushtet”, ka deklaruar Behrami. Sipas tij, shumë nga çështjet për të cilat VV-ja kishte protestuar ndër vite, pas ardhjes në pushtet nuk kanë pësuar ndryshime.

    “Sot, për të gjitha ato për të cilat kanë protestuar – asnjë nuk është bërë. Asnjë nuk është zhbërë. I njëjti demarkacion, e njëjta fusnotë, e njëjta pako e Ahtisaarit. Pa bashkim kombëtar”, ka theksuar ai. Në fund të deklarimit të tij, Behrami ka bërë thirrje për mbështetje të PDK-së dhe kandidatëve të saj në zgjedhje.

    Postimi i plotë

  • AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

    AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se komunat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

    Sipas AKK-së, vendimi është marrë nga Këshilli i Kryetarëve në mbledhjen e mbajtur më 14 maj 2026.

    “Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datë 14 maj 2026, ka vendosur që Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj”, thuhet në njoftim.

    Asociacioni thekson se komunat “nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale”, duke argumentuar se e drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

    “E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet më tej.

    AKK vlerëson se pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontroll të ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave.

    “Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave”, thuhet në reagim, duke shtuar se çdo veprim që tejkalon këtë kufi “përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”.

    Në këtë frymë, AKK thotë se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 “përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave”, pasi, sipas tyre, centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe redukton autonominë funksionale të pushtetit lokal.

    “Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025… përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal”, thuhet në njoftim.

    Sipas AKK-së, një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e subsidiaritetit dhe standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.

    Për këtë arsye, Asociacioni ka bërë të ditur se, përmes komunave, do ta dërgojë këtë rregullore në Gjykatën Kushtetuese, “me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë”, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.

  • Sot do të testohet sistemi i alarmit i TC “Kosova B”, ftohen qytetarët të mos shqetësohen

    Sot do të testohet sistemi i alarmit i TC “Kosova B”, ftohen qytetarët të mos shqetësohen

    Komuna e Obiliqit ka njoftuar se sot, nga ora 11:00 deri në 13:00 në Termocentralin “Kosova B” do të realizohen testime teknike të sistemit të alarmit.

    Sipas njoftimit, gjatë këtij intervali do të dëgjohen alarme paralajmëruese, të cilat janë vetëm pjesë e testimeve dhe nuk paraqesin rrezik apo arsye për shqetësim.

    “Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe të mos krijojnë panik.” – thuhet në njoftim.

  • BE miraton paktin tregtar me SHBA-në, Trump kërcënoi me tarifa të reja deri më 4 korrik

    BE miraton paktin tregtar me SHBA-në, Trump kërcënoi me tarifa të reja deri më 4 korrik

    Ligjvënësit e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare arritën në orët e para të së mërkurës një marrëveshje për zbatimin e paktit tregtar me Amerikën, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar tarifa të reja në rast të mosmiratimit deri më 4 korrik.

    Marrëveshja mes Brukselit dhe Uashingtonit ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar dhe parashikon vendosjen e taksave prej 15 për qind për shumicën e mallrave evropiane. Megjithatë, teksti përfundimtar duhej ende të ratifikohej nga BE-ja, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi nga ana e Trump.

    Pas negociatave që zgjatën deri vonë gjatë natës, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare arritën kompromisin final disa orë pas mesnatës.

    “Sot, Bashkimi Evropian përmbush angazhimet e tij”, deklaroi ministri i energjisë, tregtisë dhe industrisë i Cyprus, Michael Damianos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.

    Ai theksoi se ruajtja e një partneriteti transatlantik të qëndrueshëm dhe të balancuar është në interes të të dyja palëve.

    Ratifikimi i marrëveshjes e vendos BE-në në rrugën e duhur për të respektuar afatin e vendosur nga Trump për marrëveshjen e nënshkruar në Turnberry të Skocisë mes tij dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Trump kishte paralajmëruar më herët se BE-ja mund të përballej me tarifa “shumë më të larta”, duke përfshirë rritjen e tarifave për makinat dhe kamionët evropianë nga 15 në 25 për qind.

    Përplasjet tregtare të muajve të fundit, përfshirë tarifat mbi çelikun, aluminin dhe pjesët e automjeteve, kanë shtyrë BE-në të kërkojë partnerë të rinj tregtarë në nivel global. Megjithatë, Brukseli synon të ruajë marrëdhënien ekonomike me SHBA-në, e cila vlerësohet në rreth 1.6 trilionë euro dhe mbetet partneriteti më i madh tregtar i bllokut.

  • Angela Merkel merr çmimin më të lartë të BE

    Angela Merkel merr çmimin më të lartë të BE

    Në Strasburg u dha për herë të parë Urdhri Evropian i Meritës. Ndër fituesit ishte edhe ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u nderua me shkallën më të lartë të Urdhrit.

    Ndër fituesit e çmimit ishte edhe ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel , e cila u nderua me shkallën më të lartë të Urdhrit si “Anëtare me Merita të Urdhrit”.

    Vlerësim për 16 vjet autoritet drejtues

    Juria e arsyetoi nderimin e 71-vjeçares me autoritetin e saj të pandërprerë drejtues në Evropë gjatë 16 viteve të saj si Kancelare dhe me rolin e saj për Traktatin e Lisbonës. Ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso theksoi se Merkel është angazhuar në vazhdimësi për integrimin evropian dhe për vlerat e përbashkëta.

    Merkel: Tre premtime të Evropës në rrezik

    Pas marrjes së Urdhrit, Merkeli kujtoi në fjalimin e saj tre premtime që sipas saj përshkojnë si konstante “75 vitet e BE-së” – premtimin e paqes, premtimin e mirëqenies dhe atë të demokracisë. Por politikania gjermane i sheh të tria premtimet të kërcënuara.

    Ajo tha se “sulmi barbar” i Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar se premtimi i paqes nuk është i vetëkuptueshëm, por i brishtë. Merkel shtoi se SHBA sot nuk është më “shtyllë e sigurt” siç ishte dikur.

    Për të siguruar mirëqenien, nevojitet qëndrueshmëri dhe sukses ekonomik. Duke iu referuar premtimit të demokracisë, ish-Kancelarja paralajmëroi se nuk mund të ketë liri pa demokraci.

    Paralajmërim për mediat sociale dhe inteligjencën artificiale

    Merkel sheh rreziqe të veçanta nga zhvillimi i shpejtë i mediave sociale – “ku faktet nuk janë më fakte”, ku gënjeshtrat bëhen të vërteta dhe ndjenjat përzihen me të vërtetat. Kjo përforcohet nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i inteligjencës artificiale. Merkeli bëri thirrje prandaj që të vazhdohet “rruga e rregullimit”, edhe nëse ndonjëherë bëhen gabime.

    Fitues të tjerë të shquar

    Së bashku me Merkelin u nderuan personalitete të tjera të shquara, ndër ta Presidenti ukrainas Wolodymyr Zelenski dhe ish-presidenti polak Lech Walesa, të cilët gjithashtu morën shkallën më të lartë të Urdhrit. Përveç disa politikanëve, në mesin e fituesve janë edhe shkencëtarë, sportistë dhe katër anëtarët e bandës U2.

    Urdhri Evropian i Meritës u krijua në përvjetorin e 75-të të Deklaratës së Robert Schuman-it në maj 2025 dhe vlerëson personat që kanë dhënë kontribut në integrimin evropian ose në nxitjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE. DW

  • Një grua shqiptare vdes tragjikisht në New York të SHBA-së

    Një grua shqiptare vdes tragjikisht në New York të SHBA-së

    Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në New York, ku një grua shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë të pambuluar në mes të rrugës.

    Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56 vjeçe, residente në Briarcliff Manor. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:19 të së hënës pranë Fifth Avenue në Manhattan.

    Sipas dëshmitarëve, gruaja kishte dalë nga makina e saj dhe vetëm pak sekonda më vonë u zhduk në një pusetë elektrike të hapur, rreth 3 metra të thellë, që i përkiste kompanisë Con Edison. “E mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, deklaroi dëshmitari Carlton Wood për mediat amerikane.

    Ai tregoi se disa qytetarë u përpoqën menjëherë ta ndihmonin gruan, ndërsa prisnin mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Sipas tij, dikush solli edhe një shkallë të vogël, por thellësia e pusetës e bëri të pamundur nxjerrjen e saj.

    “Ajo po bërtiste se po vdiste”, tha dëshmitari.

    Një operacion i vështirë shpëtimi u organizua nga zjarrfikësit e FDNY, të cilët përdorën shkallë për të hyrë në pusetë. Kur u nxor, Donike Gocaj ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ajo u transportua me urgjencë në spital, ku u shpall e vdekur.