ATV

Author: K.B.

  • Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë : Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

    Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë : Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore, duke theksuar se ndryshimi duhet të vijë nga dëgjimi i drejtpërdrejtë i shqetësimeve të qytetarëve.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza bëri të ditur se kësaj radhe është mirëpritur nga familja Thaçi në Mitrovicë, ku ka biseduar për vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen shumë familje kosovare.

    “Derë më derë, shtëpi më shtëpi, për të dëgjuar nga afër nevojat dhe shqetësimet reale të qytetarëve tanë”, ka shkruar Hamza.

    Kryefamiljari Besim Thaçi, profesor i teknologjisë, ka theksuar se situata ekonomike në vend është vështirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, pasi çmimet janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta që nga koha kur, sipas tij, ato ishin rritur nga Hamza në cilësinë e ish-ministrit të Financave.

    Hamza ka vlerësuar se Kosova po kalon një krizë të thellë ekonomike dhe sociale gjatë viteve të fundit, duke theksuar se çmimet e larta, pagat e vogla dhe mirëqenia e përkeqësuar janë bërë barrë për shumë qytetarë.

    Sipas Hamzës, është jetike që Kosovës t’i jepet një drejtim i ri politik dhe ekonomik, me rritje pagash e pensionesh, ulje të tatimeve, investime të mëdha në ekonomi, shëndetësi e arsim.

    “Prandaj është jetike t’i themi STOP krizës dhe, bashkë, ta ndryshojmë Kosovën. Ky është misioni ynë. Ky është zotimi ynë”, ka deklaruar ai.

  • 5 gabimet që bëni kur dërgoni një e-mail që tregojnë pasiguri

    5 gabimet që bëni kur dërgoni një e-mail që tregojnë pasiguri

    Në komunikimin profesional me email, mënyra si shkruani dhe formuloni mesazhin tuaj luan një rol shumë të rëndësishëm në imazhin që krijoni.

    Shpesh, pa e kuptuar, njerëzit bëjnë gabime të vogla që i bëjnë të duken më pak të sigurt ose më pak profesionalë.

    Këto gabime mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen idetë dhe kërkesat e tyre. Më poshtë janë 5 gabime të zakonshme që duhen shmangur kur dërgoni një email pune.

    1. ‘Më lajmëro nëse kjo është e mirë’

    Nëse duhet t’i kërkosh dikujt tjetër miratim ose vlerësim për një ide që ke menduar, ka shumë të ngjarë që ai të të perceptojë si më pak të sigurt në vetvete. Sigurisht, nëse po shkëmben ide me dikë ose po punon, mund të duhet të marrësh miratimin e dikujt tjetër, por njerëzit më të sigurt në vetvete nuk i vënë në dyshim idetë e tyre.

    2. ‘Nuk dua të të shqetësoj’

    Nëse dikush e fillon ose e përfundon një email me një kërkim falje thjesht sepse i ka kontaktuar, ka shumë të ngjarë që po projekton një ndjenjë pasigurie ose pasigurie. Komunikimi i drejtpërdrejtë sinjalizon besim dhe kompetencë, por “Nuk dua t’ju shqetësoj” sinjalizon pasiguri dhe frikë.

    3. ‘Më fal, ishte shumë’

    Kërkimi i tepërt i faljes për email-et e gjata ose të folurit më gjatë se kushdo tjetër në një takim janë të gjitha mënyra për të minuar besueshmërinë dhe autonominë tuaj personale, veçanërisht në vendin e punës, siç shpjegon këshilltarja klinike Millie Huckabee.

    4. ‘Mos u shqetëso, nëse jo’

    Njerëzit që shfaqin pasiguri dhe dobësi, kërkojnë falje më shumë sesa duhet. Ata janë të pasigurt për besueshmërinë e tyre dhe shpesh nuk ndihen të sigurt në hapësirat profesionale, kështu që duhet t’u bëjnë qejfin të tjerëve dhe të kërkojnë falje një milion herë për të kompensuar ato frikëra të brendshme.

    5. ‘Doja vetëm të regjistrohesha’

    Nëse po kërkoni diçka ose po bëni një kërkesë, por duke përdorur fjalën “thjesht”, po minoni besueshmërinë tuaj.

  • Sot prezantohet romani “Një fije shprese, Një fije shkrepëse” në Konsullatën e Kosovës në New York

    Sot prezantohet romani “Një fije shprese, Një fije shkrepëse” në Konsullatën e Kosovës në New York

    Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York do të mbahet promovimi i romanit “Një fije shprese, Një fije shkrepëse” të autorit Ag Apolloni.

    Ngjarja organizohet nën kujdesin e ambasadorit Blerim Reka dhe do të ketë si folës profesorin David Damrosch.

    Promovimi do të mbahet sot më 21 maj 2026, në ora 17:30, në adresën 801 2nd Ave, Suite 301, New York.

    “Një fije shprese, Një fije shkrepëse” është një roman dokumentar (dokuroman) i botuar në vitin 2020. Libri trajton pasojat rrëqethëse të luftës në Kosovë përmes përshkrimit të tragjedisë së nënave shqiptare, veçanërisht historisë së Ferdonije Qerkezit nga Gjakova dhe Pashke Markut nga Zllakuqani, të cilat humbën djemtë dhe familjarët e tyre.

    Romani sjell një reflektim të fuqishëm mbi dhimbjen, kujtesën dhe qëndresën njerëzore, ndërsa aktiviteti pritet të mbledhë komunitetin shqiptar dhe dashamirësit e letërsisë në SHBA.

  • Ish-gruaja e Trumpit diagnostikohet me kancer

    Ish-gruaja e Trumpit diagnostikohet me kancer

    Vanessa Trump ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer në gji.

    Ajo e ndau lajmin në Instagram të mërkurën, duke vënë në dukje në postim, ndër të tjera, se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në fillim të kësaj jave.

    “Dua të ndaj një përditësim mbi shëndetin tim. Kohët e fundit më diagnostikuan me kancer në gji. Edhe pse ky nuk është një lajm që askush nuk e pret, po bashkëpunoj me mjekët e mi për planin tim të trajtimit. Do të doja të falënderoja mjekët që më kryen procedurën këtë javë. Mbetem e përqendruar dhe plot shpresë, ndërsa jam e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes, fëmijëve dhe atyre që janë më afër meje”, shkroi Trump.

    Në fund të postimit, ajo falënderoi ndjekësit e saj për mirësinë dhe mbështetjen e tyre.

  • Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.

    Në njoftim bëhet e ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes me datë 20.05.2026, janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi.

    “Nga kontrollet e realizuara janë sekuestruar gjithsej: 3.775,33 gram ari i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455.000 euro dhe 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim më tej bëhet e ditur se gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të KPRK-së.

    Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar dy armë/pistoleta pa leje dhe është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

  • Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Një person është arrestuar në Malishevë, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.

    Policia ka njoftuar se është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k vajzën e tij. Me vendim të prokurorit është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Sa gjoba trafiku u dhanë në 24 orët e fundit në Kosovë?

    Sa gjoba trafiku u dhanë në 24 orët e fundit në Kosovë?

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 504 gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit në vend.

    Sipas raportit policor, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 15 aksidente trafiku me persona të lënduar.

    36 aksidente të tjera kanë përfunduar me dëme materiale.

  • Katër të lënduar në një aksident në Koshtovë

    Katër të lënduar në një aksident në Koshtovë

    Dy automjete janë përfshirë në një aksident në Koshtovë të Mitrovicës, ku lëndime kanë pësuar katër persona.

    Në njoftimin e policisë thuhet se njëra njëra veturë ishte me targa vendore dhe tjetra me targa të Serbisë, ndërkaq dy nga të lënduar janë duke u trajtuar në Spitalin rajonal të Mitrovicës së Jugut dhe dy në Mitrovicë të Veriut.

    “Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të Serbisë. Si pasoj lëndime trupore kanë pësuar katër persona. Dy janë duke u trajtuar në Spitalin rajonal Mitrovicë Jug dhe dy në Mitrovicë Veri. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Haradinaj kujton të rënët në Sagonë: Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat

    Haradinaj kujton të rënët në Sagonë: Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar të rënët në Sagonë të Kaçanikut.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat, ndërsa shtoi se kjo trevë e dëshmoi veten edhe në luftën e fundit për liri.

    “Sot, në përvjetorin e rënies, kujtojmë dëshmorët e rënë në Sagonë të Kaçanikut; Kemajl Thaqi dhe Ekrem Gudaqi, të cilët ranë nën udhëheqjen e Komandantit, tanimë Hero i Kosovës, Agim Bajrami. Po ashtu, me respektin më të lartë, nderojmë martirët e rënë në këtë datë të vitit 1999; Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi”.

    “Trashëgimia që e lanë pas, të na shërbejë si shtytës në përpjekjet tona për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Zhduken dy vajza të mitura për një ditë në Fushë Kosovë

    Zhduken dy vajza të mitura për një ditë në Fushë Kosovë

    Dy vajza të mitura janë raportuar të zhdukura gjatë ditës së mërkurë në Fushë-Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, në rastin e parë babai ka raportuar rreth orës 12:30 se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

    Ndërkaq, në rastin e dytë, i raportuar rreth orës 22:00, është bërë e ditur se një tjetër vajzë e mitur është larguar nga shtëpia dhe ende nuk dihet se ku ndodhet.

    Të dy rastet janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës.