ATV

Author: K.B.

  • Musliu-Shoshi: Serbia s’ka pasur më nevojë të shpenzojë milionat për lobim kundër Kosovës, këtë punë ia ka kryer Gërvalla

    Musliu-Shoshi: Serbia s’ka pasur më nevojë të shpenzojë milionat për lobim kundër Kosovës, këtë punë ia ka kryer Gërvalla

    Kandidatja për deputete e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila është pajtuar me lutjet që të dënohen ish-krerët e UÇK-së nga Gjykata Speciale.

    Ajo ka bërë me dije se Serbia nuk ka pasur nevojë të lobojë kundër Kosovës kur e ka pasur Gërvallen.

    ““Që nga paraqitja e parë e Donikës në Kombet e Bashkuara, Serbia s’ka pasur më nevojë të shpenzojë miliona për lobim kundër Kosovës sepse ajo këtë punë e ka bërë vetë më mirë se kushdo. Ky rol vazhdoi deri në mbledhjen në të njëjtin institucion, ku u falënderua publikisht nga Dacici për “bashkëpunimin” dhe qasjen e saj. Nga një profil i tillë nuk mund të pritet mbrojtje për UÇK-në. PËRKUNDRAZI”, ka shkruar ajo.

  • Kosova rrezikon të humbë miliona nga Plani i Rritjes

    Kosova rrezikon të humbë miliona nga Plani i Rritjes

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se ende nuk ka pranuar nga Kosova kërkesën për pagesën e radhës nga fondet e Planit të Rritjes.

    Afati për dorëzimin e kërkesës është 15 korriku, ndërsa dita e fundit e qershorit paraqet afatin përfundimtar për zbatimin e reformave të parapara për këtë periudhë.

    Dorëzimi i kërkesës nga autoritetet vendore është procedurë e paraparë me rregullat e Planit të Rritjes, ndërsa miratimi i pagesës së kësteve bëhet pasi Komisioni Evropian të vlerësojë pozitivisht zbatimin e reformave.

    “Afati i ardhshëm i raportimit për Kosovën do të jetë më 30 qershor. Shpërndarja e fondeve nga BE-ja i nënshtrohet vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave, si dhe pajtueshmërisë me kushtet dhe parakushtet e përgjithshme. Me skadimin e afatit për 13 reforma më 30 qershor të këtij viti, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk përparon në zbatimin e Agjendës së Reformave”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian, raporton RTK.

    Vlera e reformave që Kosova duhet t’i zbatojë deri më 30 qershor arrin mbi 90 milionë euro. Siç kanë shpjeguar zyrtarët e Komisionit Evropian, fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar edhe për 27 hapa të tjerë reformash, në vlerë prej afro 166 milionë eurosh.

    Nga Komisioni Evropian është porositur se Kosova duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e këtyre fondeve. Fondet nga Plani i Rritjes, në rast se humben, janë të pakthyeshme dhe kjo vlen për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor.

  • Gili feston ditëlindjen, Iliri i kushton urim të veçantë: Gëzuar shpirti im binjak!

    Gili feston ditëlindjen, Iliri i kushton urim të veçantë: Gëzuar shpirti im binjak!

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Gili, sot feston ditëlindjen.

    E një urim të veçantë ia ka kushtuar bashkëshorti i saj, Ilir Berani.

    “Gëzuar ditëlindjen shpirti im binjak! I gëzofsh më të mirat e jetës. Të duam unë, Redoni, Roberti me Herolinën e më së shumti Aleksi dhe Alesia”, ka qenë urimi i Ilirit për Gilin.

  • Meteorologët paralajmërojnë se kjo verë do të sjellë nxehtësi rekord në Evropë

    Meteorologët paralajmërojnë se kjo verë do të sjellë nxehtësi rekord në Evropë

    Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se një El Niño mund të zhvillohet nga mesi i vitit 2026, me pasoja të mëdha për temperaturat dhe modelet e reshjeve në të gjithë botën.

    Meteorologët thonë se zhvillimi i një të forti, të ashtuquajtur super El Niño, mund të ndikojë gjithashtu këtë verë, dhe të ketë pasoja edhe më të theksuara gjatë viteve 2026 dhe 2027.

    Klimatologu Daniel Swain i Institutit të Kalifornisë për Burimet Ujore vlerëson se të dy vitet mund të sjellin rekorde globale të temperaturës.

    Super El Niño i referohet një ngrohjeje veçanërisht të fortë të sipërfaqes së Oqeanit Paqësor, e cila prish modelet e motit në disa kontinente. Pasojat e një fenomeni të tillë mund të jenë valë më të forta të nxehtësisë, thatësira, reshje të dendura shiu dhe përmbytje. Teksti gjithashtu thotë se tokat në Gjermani janë tharë tashmë.

    Sipas të dhënave nga Organizata Botërore Meteorologjike, El Niño i mëparshëm u regjistrua në vitet 2023 dhe 2024, dhe kontribuoi që viti 2024 të jetë viti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve.

    Klimatologu Tido Semmler nga Shërbimi Meteorologjik Irlandez paralajmëroi se pasojat e fazës tjetër mund të jenë edhe më të forta në vitin 2027, sepse, siç shpjegoi ai, atmosferës së Tokës i duhet kohë për të reaguar ndaj El Niños.

    Ekspertët e zjarreve paralajmërojnë gjithashtu për rritjen e rrezikut. Ata theksojnë se El Niño rrit gjasat e nxehtësisë ekstreme dhe thatësirës në Australi, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe pyllin tropikal të Amazonës.

    Meteorologu dhe specialisti i klimës Jeff Berardelli i tha amerikanit WFLA-TV se beson se do të përjetojmë ngjarje moti që nuk janë parë në historinë moderne.

    Shërbimi i motit Severe Weather Europe deklaron se Evropa pret një ndryshim të papritur të motit në fund të këtij muaji, kur do të zhvillohet një kupolë e fortë termike që do të “bllokojë” ajrin e nxehtë dhe do të sjellë temperatura jashtëzakonisht të larta.

  • Përdhosi flamurin e Turqisë gjatë një iftari në Mitrovicë, 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë për Zeqirin

    Përdhosi flamurin e Turqisë gjatë një iftari në Mitrovicë, 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë për Zeqirin

    Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë Dijamant Zeqirin lidhur me akuzën për nxitjes të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe për armëmbajtje pa leje.

    Zeqiri akuzohej se gjatë organizimit të një iftari në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishte afruar në vendngjarje dhe me një mjet të mprehtë kishte shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, i cili tha se për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, Zeqiri dënohet me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda periudhës prej 2 vitesh nuk kryen vepë tjetër penale. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

    Gjithashtu, gjykatësi njoftoi se të akuzuarit Zeqiri, do t’i kthehet edhe shuma prej 5 mijë euro e dhënë në emër të dorëzanisë, pas që aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.

    I akuzuari Zeqiri obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Paraprakisht, prokurori i rastit Bekim Kodraliu, tha se kanë arritur marrëveshje për pranimin e fjaësisë me të akuzuarin Zeqiri, qysh në fazën fillestare të hetimeve dhe pas një bashkëpunimi të të akuzuarit me organet e drejtësisë.

    Po ashtu, ai tha se marrëveshja është arritur ne mënyrë të ligjshme dhe vullnetarisht, duke shtuar se në kuadër të marrëveshjes ka rekomanduar që Gjykata të shqiptojë dënim unik për dy veprat penale sipas kushteve të dakorduara ndërmjet palëve.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zeqiri, avokati Avdi Ademi tha se marrëveshja është lidhur me vullnet të plotë të të mbrojturit të tij dhe në konsultim të mjaftueshëm më të sa i përket pasojave dhe benifiteve, andaj kërkoi nga Gjykata që kjo marrëveshje të aprovohet.

    Gjithashtu, ai kërkoi që mjetet e dorëzuara në emër të dorëzanisë të lirohen dhe të kthehen në llogarinë bankare të të mbrojturit të tij, si dhe sendet e sekuestruara.

    Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë pasi që janë plotësuar të gjitha kushtet për pranimin e fajësisë dhe më pas shpalli aktgjykimin.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 24 prill 2026, Dijamant Zeqiri akuzohet se më 5 mars 2026, rreth orës 02:00 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës, publiksht ka ndërmarrë veprime konkrete të cilat kanë nxitur prishjen e rendit publik.

    Aktakuza thotë që gjatë aktivitetit publik të organizuar nga një organizatë e quajtur “Eyup Sultan”, me rastin e iftarit për besimtarët myslimanë gjatë muajit të Ramazanit, Zeqiri për shkak të bindjeve të tij fetare, është afruar në vendin e ngjarjes dhe duke përdorur një mjet të mprehtë ka shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, duke shprehur publiksht fyerje dhe urrejtje ndaj këtij simboli, me të cilat veprime ka nxitur urrejtje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës, çka ka kontribuar në prishjen e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë.

    Me këtë, Zeqiri akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 141, par.3 të Kodit Penal.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar e deri më 12 mars 2026, Dijamant Zeqiri në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe pa autorizim përkatës, ka poseduar armë dhe muncion, në atë mënyrë që gjatë bastisjes së banesës ku kishte qenë duke bazuar në Mitrovicën e Jugut, nga Policia e Kosovës, i janë gjetur dhe sekuestruar një kuti me fishekë, si dhe një karikator, ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë së vëllait të tij në Skenderaj, i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, të cilat Zeqiri i kishte në posedim paautorizim përkatës dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

  • Tensionet në Lindjen e Mesme, Turqia njofton vendosjen e sistemit gjerman Patriot

    Tensionet në Lindjen e Mesme, Turqia njofton vendosjen e sistemit gjerman Patriot

    Turqia njoftoi se Gjermania do të dërgojë një sistem mbrojtës ajror Patriot për një vendosje gjashtëmujore duke filluar nga qershori, duke zëvendësuar një që ishte vendosur si pjesë e masave të NATO-s në Turqinë juglindore për të forcuar mbrojtjen ajrore për shkak të luftës në Iran.

    Në mars, Ankaraja njoftoi se një sistem amerikan Patriot ishte vendosur në Turqinë juglindore, pranë një baze radari të NATO-s, për shkak të kërcënimeve me raketa nga Irani.

    Sipas autoriteteve turke, sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s rrëzuan katër raketa balistike të lëshuara nga Irani gjatë luftës.

    “Përveç sistemit spanjoll Patriot që është vendosur tashmë në vendin tonë, një nga dy sistemet shtesë Patriot të vendosura nga NATO për shkak të konflikteve midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit do të zëvendësohet nga një sistem gjerman”, tha Ministria Turke e Mbrojtjes në një deklaratë.

    “Zëvendësimi është planifikuar të përfundojë në qershor dhe sistemi pritet të mbetet funksional për afërsisht gjashtë muaj”, shtoi deklarata, duke vënë në dukje se vlerësimet e sigurisë do të vazhdojnë në koordinim me aleatët.

    Sistemet e NATO-s në rajon

    Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, vitet e fundit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zvogëluar varësinë e saj nga furnizuesit e huaj në sektorin e mbrojtjes.

    Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, asaj ende i mungon mbrojtja ajrore gjithëpërfshirëse dhe mbështetet në sistemet e NATO-s të vendosura në rajon.

    Siç është raportuar nga gazeta turke Daily Sabah, forcat e armatosura gjermane do të formojnë një “Forcë Sulmuese”, e cila do të veprojë në koordinim të ngushtë me forcat e armatosura turke nën ombrellën e NATO-s .

    Gazeta raportoi gjithashtu se misioni gjerman do të zëvendësojë njësinë amerikane të vendosur në territorin turk.

  • Mbledhja komemorative për Gashin, Osmani: S’do të largohet kurrë nga kujtesa jonë

    Mbledhja komemorative për Gashin, Osmani: S’do të largohet kurrë nga kujtesa jonë

    Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani foli në mbledhjen komemorative për profesorin Alush Gashi, i cili vdiq në moshën 75-vjeçare.

    Ajo u shpreh se Gashi ishte ndër njerëzit që besonte se shteti ndërohet me dije dhe me moral politik.

    “Ai ishte ndër njerëzit që besonte se shteti ndërtohet me dije, me durim dhe mbi të gjitha me moral politik. Mori pjesë në procese e takime historike për vendin tonë. Kujtojmë karakterin e tij, qetësinë, besnikërinë ndaj idealeve. Ai ishte nga ata burra që kurrë nuk kërkonin lavdi për veten”, tha ajo.

    Osmani tutje u shpreh se Alush Gashi nuk do të largohet asnjëherë nga kujtesa jonë.

    “Ai nuk do të largohet kurrë nga kujtesa jonë. Do ta kujtojmë përherë profesor Alushin, njeriu që besojë se politika mbi të gjitha duhet t’i shërbejë dinjitetit, e mbi të gjitha Republikës”, tha Osmani.

  • Kujtimi për Alush Gashin, Abdixhiku: Ai mbetet njeriu i cilësisë, arsyes dhe i përmbajtjes

    Kujtimi për Alush Gashin, Abdixhiku: Ai mbetet njeriu i cilësisë, arsyes dhe i përmbajtjes

    Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës po mban mbledhje komemorative për profesorin Alush Gashi, i cili vdiq më 15 maj në moshën 75-vjeçare.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Gashi i përkiste brezit më të vështirë të historisë së popullit të Kosovës.

    “Jemi mbledhur për të nderuar një njeri të madh. Alush Gashi mbetet njeriu i cilësisë, njeriu i arsyes, njeriu i përmbajtjes. Ai kishte një lloj pranie që nuk impononte, por që të qetësonte. Kishte një lloj autoriteti që nuk kërkonte të dëgjohej me forcë, sepse mjaftonte urtësia e tij për ta respektuar”.

    “Pikërisht për këtë, dhimbja jonë sot është e heshtur, por është shumë e rëndë”, tha Abdixhiku.

    Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Abdixhiku foli edhe për përjetimet e kujtimet që ndau me të ndjerin Gashi.

  • Dëmtohet sërish kyçja për në Mazgit, ministria del me njoftim

    Dëmtohet sërish kyçja për në Mazgit, ministria del me njoftim

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët se pjesa e kyçjes në Mazgit është dëmtuar përsëri si pasojë e ndërhyrjeve të realizuara nga KRU “Prishtina” në zonën ku kalon gypi i ujësjellësit.

    Sipas njoftimit, me qëllim të rikthimit të sigurisë dhe funksionalitetit të plotë të kësaj pjese rrugore, shumë shpejt do të nis rehabilitimi i plotë dhe sanimi i dëmtimeve të krijuara.

    “Lusim qytetarët që frekuentojnë këtë rrugë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve që do të realizohen në afatin më të shpejtë të mundshëm”, bën thirrje ministria.

  • ‘‘Avullimi” i shpenzimeve kapitale’’, Hoti: E pamundur të arsyetohen 2.7 miliardë euro gjatë qeverisjes Kurti

    ‘‘Avullimi” i shpenzimeve kapitale’’, Hoti: E pamundur të arsyetohen 2.7 miliardë euro gjatë qeverisjes Kurti

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se është e ‘’pamundur’’ të identifikohen projektet e investimeve kapitale përgjatë qeverisjes 2021-2025.

    Hoti, ka deklaruar se për dallim për qeverisjen Kurti, shpenzimet kapitale përgjatë viteve 2015-2020, mund të ‘’identifikohen qartë’’

    Postimi:

    “Avullimi” i shpenzimeve kapitale të Qeverisë Kurti gjatë viteve 2021-2025

    Të gjitha Qeveritë e Kosovës të viteve 2015-2020 (6 vite) kanë menaxhuar buxhet total prej 11.7 miliardë euro. Nga ky buxhet, për shpenzime kapitale janë dedikuar 2 miliardë euro, me të cilin janë ndërtuar shumica e kapitalit publik që e gëzojmë sot: autostrada, rrugë rajonale, shkolla, ujësjellës e kanalizime, sisteme të ujitjes dhe projekte të tjera publike.

    Qeveria Kurti në vitet 2021-2025 (6 vite) ka menaxhuar buxhet total prej 14.9 miliardë euro, që është 27% më i lartë se buxheti i gjashtë viteve paraprake (2015-2020). Nga ky buxhet total, Qeveria Kurti ka investuar 2.7 miliardë euro.

    Se ku kanë shkuar shpenzimet kapitale 2015-2020 mund të identifikohet qartë.

    Por është e pamundur të identifikohen projektet për vitet 2021-2025, të cilat i arsyetojnë shpenzimet prej 2.7 miliardë euro.