ATV

Author: K.B.

  • Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

    Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

    Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot i paqëndrueshëm, me vranësira e intervale kohore me diell dhe reshje lokale shiu. Nuk përjashtohet mundësia për rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë, por reshjet do të jenë të karakterit lokal dhe nuk do të kapin tërë territorin. Në disa rajone priten rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 10 minimalja deri në 24 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi dita e Premte pritet të kushtëzojë mot me diell dhe vranësira të shpeshta lokale. Rrebeshe më të përhapura shiu me vetëtima dhe bubullimë parashihen në jug, qendër dhe lindje të Shqipërisë dhe në shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut. Vende-vende priten rrebeshe intensive.

    Gjatë fundjavës na pret mot i paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe zhvillime të shpeshta të vranësirave ku vende-vende, herë pas here priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet nuk do të kapin të gjitha viset, megjithatë orëve të pasdits në disa rajone parashihen rrebeshe intensive./MeteoBallkan

  • Protestë nesër në Prishtinë për ndalimin e shërbimeve ndërtimore në Rugovë

    Protestë nesër në Prishtinë për ndalimin e shërbimeve ndërtimore në Rugovë

    Nesër, më 22 maj, në orën 09:30, do të mbahet një protestë në Prishtinë, përpara Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kundër vendimit për ndalimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
    Protesta do të mbahet në sloganin “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”

    Transporti i organizuar do të nisë nga lokali “Peja City” me autobusë. Organizatori i protestës është Idriz Kurtbogaj.

    Protestuesit ftohen të marrin pjesë në mënyrë paqësore dhe dinjitoze për të mbrojtur të drejtat e banorëve.

  • Abdixhiku: Është e rrezikshme dhe e frikshme që një vend të kontrollohet vetëm nga një njeri

    Abdixhiku: Është e rrezikshme dhe e frikshme që një vend të kontrollohet vetëm nga një njeri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka folur për rëndësinë e ndarjes dhe balancimit të pushteteve në Kosovë, duke e cilësuar si të rrezikshme përqendrimin e gjithë kontrollit shtetëror në duart e një personi të vetëm.

    Abdixhiku tha se funksionimi i një shteti demokratik nuk duhet të lidhet me emra të përveçëm, por me parime kushtetuese dhe me ruajtjen e balancave që garantojnë demokracinë.

    “Qëllimi ishte të faktorizohej një pozitë e rëndësishme kushtetuese. Nuk ishte dallimi i emrave të përveçëm, por i natyrës së funksionimit të shtetit. A duam një shtet kur një njeri pyetet për diçka, apo që të ketë balancë demokratike?”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së shtoi se tendenca për të kontrolluar çdo institucion krijon një ambient të pasigurt për vendin, prandaj dhe nevoja për kontroll dhe balancë mbetet jetike.

    “Është e rrezikshme një njeri me kontrollu gjithë shtetin, është e frikshme, prandaj balancat janë të rëndësishme”,tha ai në emisionin “Pressing” në T7.

  • AAK mban të dielën Këshillin e Përgjithshëm

    AAK mban të dielën Këshillin e Përgjithshëm

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të mbajë këtë të diel, më 24 maj, mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, duke përmbyllur procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti.

    Në kuadër të punimeve të Kuvendit do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

    Ky Kuvend konsiderohet etapë përmbyllëse e zgjedhjeve të brendshme të Aleancës dhe pritet të përcaktojë strukturat drejtuese të partisë për katër vitet e ardhshme.

  • Hamza takon 75 vjeçaren: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi “stop” krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën

    Hamza takon 75 vjeçaren: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi “stop” krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga vizitat që po zhvillon nëpër familje kosovare anekënd vendit, ku theksoi mbështetjen dhe vullnetin për ndryshim që, sipas tij, po e gjen te qytetarët.

    Në videon e realizuar gjatë një vizite në Suharekë, Hamza shfaqet pranë nënës Arife, për të cilën tha se, pavarësisht moshës së shtyrë, vazhdon të mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut për Kosovën.

    “Nëpër dyert dhe zemrat që po na i hapin familjet kosovare anekënd Kosovës, po gjejmë vazhdimisht shumë dashuri, mbështetje dhe vullnet për ndryshim”, ka shkruar Hamza.

    Ai ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë moment bashkimi për qytetarët e Kosovës, pa dallim moshe apo profesioni.

    “Më 7 qershor, të moshuar e të rinj, burra e gra, profesionistë, punëtorë e ndërmarrës, do të bëhemi bashkë për t’i thënë: STOP krizës. Sepse vetëm bashkë do ta ndryshojmë Kosovën!”, thuhet në mesazhin e tij.

    Postimi është shpërndarë në kuadër të sloganit të fushatës së PDK-së: “STOP Krizës. Ndrysho Kosovën”.

    Postimi i plotë:

  • Osmani në Ferizaj: Me refuzimin e gazit amerikan disa po i krijojnë hapësirë armiqve të Kosovës

    Osmani në Ferizaj: Me refuzimin e gazit amerikan disa po i krijojnë hapësirë armiqve të Kosovës

    Kandidatja për Presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me qytetarë në Ferizaj ka pyetur ata se disa që pengojnë gazin amerikan kujt po i krijojnë hapësirë.

    Ajo ka aluduar në kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pasi pikërisht çështja e gazit amerikan i përket periudhë së qeverisjes së tij.

    Osmani ka thënë se duke refuzuar gazin amerikan, iu krijohet hapësirë armiqve të Kosovës.

    “Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është, kur disa po i thonë Jo gazit amerikan, kujt realisht janë duke i kriju hapësirë. Çka po ju merr mendja, po pra armiqve të Kosovës që janë kundër Kosovës. Kjo është me rëndësi me kuptu që shkon shumë përtej zhvillimit ekonomik”, ka thënë Osmani, deklarata e saj u transmetua nga “UlpianaPress”.

  • Një muaj paraburgim ndaj shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë

    Një muaj paraburgim ndaj shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë.

    Kjo pasi gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar këtë masë të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M.

    Ata dyshohen për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që do të përsërisin veprat penale, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.

  • Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri vizita te Hashim Thaçi: Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi “Besoni në Kosovë”

    Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri vizita te Hashim Thaçi: Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi “Besoni në Kosovë”

    Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë qëndruar në Hagë për vizitë te ish-presidenti Thaçi.

    Krasniqi shprehet se Thaçi, “si në vizitën e parë, edhe sot ai mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës”.

    Tutje, ai thotë “nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!”.

  • Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngrirë 18 prona në Prizren dhe ka kërkuar paraburgim për të arrestuarin për keqpërdorim të pozitës.

    Sipas kërkesës, i pandehuri E.J., në cilësinë e personit zyrtar si ndërmjetësues i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, dhe përmes këtyre veprimeve ka përfituar për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.

    “ Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë. Përmes këtyre veprimeve, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore më fshatin Lokvicë, Komuna e Prizrenit, me vlerë rreth 1,000,000 euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë”, theksohet në njoftim.

    Hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili gjendet në arrati për shkak të veprave “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

    V.Z. dyshohet se, duke falsifikuar dokumentet publike dhe në koordinim me E.J., ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi përmes së cilës ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij. Në të njëjtin rast, hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit A.G., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    “Në lidhje me rastin, janë sekuestruar para në shumën prej 14.600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërkohë që është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive, për të siguruar gjendjen e pronave deri në përfundim të procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.

  • FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve dhe stërvitjeve të planifikuara operative, do të realizojë stërvitje fushore në zonën e Liqenit të Badovcit, duke përfshirë edhe një pjesë përgjatë rrugës “Pëllazgët” në fshatin Mramor, në datat 21-22.05.2026 dhe 28.05.2026.

    Gjatë zhvillimit të ushtrimeve, Komuna ka paralajmëruar se mund të ketë lëvizje të shtuar të automjeteve dhe personelit të FSK-së dhe përdorim të armëve dhe të shtëna stërvitore.

    “Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që të mos shqetësohen nga aktivitetet e lartëcekura, pasi bëhet fjalë për ushtrime të planifikuara dhe të kontrolluara nga institucionet përgjegjëse të sigurisë”, thuhet në njoftim.