ATV

Author: K.B.

  • ​​Inspektorati në Prishtinë shqipton gjobë 500 euro për hedhje të paligjshme të mbeturinave

    ​​Inspektorati në Prishtinë shqipton gjobë 500 euro për hedhje të paligjshme të mbeturinave

    Drejtoria e Shërbimeve Publike në Kryeqytet ka njoftuar se ekipet e saj po vazhdojnë çdo ditë aksionet për largimin e mbeturinave vëllimore në lagje të ndryshme të Prishtinës, ndërsa ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj qytetarëve që hedhin mbeturina në vende të paautorizuara.

    Sipas njoftimit, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm në terren, ende ka raste të hedhjes së mbeturinave në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar hapësirat publike dhe mjedisin.

    Në këtë kontekst, Drejtoria bën të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme.

    “Mbrëmë, në orët e vona të natës, Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftim.

    Drejtoria ka paralajmëruar se kontrollet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese në bazë të legjislacionit në fuqi.

    Po ashtu, qytetarët janë ftuar që të raportojnë rastet e tilla në numrat pa pagesë: 0800 12233 dhe 0800 12244.

  • Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

    Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

    Pak ditë para nisjes zyrtare të fushatës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar dizajnimin e një pakoje për përballje me inflacionin. Kurti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin 2.0 synon mbështetje të njëhershme prej 100 euro për pensionistët, 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik dhe 100 euro për studentët.

    “Qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm qytetarët pavarësisht bllokadat që të tjerët mund t’i vendosin”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

    Kurti tha se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë për aplikim dhe pagesat do të bëhen javën e ardhshme, ndërsa për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët, nevojitet procedurë aplikimi që do të hapet javën e ardhshme.

    Ndërkaq, Ministri i Financave Hekuran Murati tha se në mbështetjen e njëhershme prej 100 euro përfshihen të gjithë të punësuarit e deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra këtu është sektori privat dhe sektori tjetër, pra publik por që është jashtë organizatave buxhetore, shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat tjera që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit.

    Po ashtu, Qeveria ka njoftuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.

    “Nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Derisa me qeverisjet e kaluara shtesat për lehona ishin zero, për herë të parë e nisëm duke paguar nga 170 euro për 6 muaj për lehonat e papuna dhe tre muaj për të punësuara. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, kurse në maj vitin e kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 korriku bëhet 500 euro. Edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325 në 500 euro në muaj”, ka thënë Kurti.

  • Aksidenti me 4 të vdekur ku u përfshi kamioni me targa kosovare, dalin detaje të reja

    Aksidenti me 4 të vdekur ku u përfshi kamioni me targa kosovare, dalin detaje të reja

    Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona humbën jetën pas përplasjes së fuqishme mes një veture BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.

    Burime policore nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për AlsatM se nuk përjashtohet mundësia që drejtuesi i veturës BMW të ketë qenë grua.

    Megjithatë, autoritetet zyrtare ende nuk po ndajnë informacione mbi identitetin e viktimave, ndërsa ekipet e mjekësisë ligjore dhe prokurori kujdestar po analizojnë çdo detaj nga vendi i ngjarjes.

    Sipas të njëjtave burime, nga ajo që është konstatuar deri tani në terren, gjasat çojnë drejt dyshimit se automjeti drejtohej nga një grua, por për shkak të djegies së plotë të veturës dhe gjendjes së rëndë në të cilën janë gjetur kufomat, thuajse në eshtra, identifikimi zyrtar do të jetë tepër i vështirë, si dhe nevojën e obduksionit.

    Sipas të dhënave jozyrtare policore, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga drejtuesi i kamionit, i cili për shkak të lodhjes dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë në korsinë e kundërt, në momentin kur nga ana tjetër po vinte vetura BMW.

    Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti të përfshihej menjëherë nga flakët. Nga makina ka mbetur vetëm skeleti metalik, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të hetimeve intensive që po zhvillohen nga policia, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore.

    Në vendngjarje vazhdojnë të qëndrojnë forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një version zyrtar vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve të plota.

  • Fytyra e mbuluar me gjak, dhunohet “Miss Venezuela”, arrestohet stilisti i njohur

    Fytyra e mbuluar me gjak, dhunohet “Miss Venezuela”, arrestohet stilisti i njohur

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë aktiviteteve të lidhura me Festivalin e Kanës, pasi Miss Venezuela Global Andrea del Val publikoi video ku shfaqet me fytyrën e mbuluar me gjak, duke akuzuar stilistin e njohur Giovanni Laguna për agresion fizik.

    Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, modelja dëgjohet duke thënë: “Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna. Kjo është ajo që doja, që të tregoje kush je”, ndërsa më pas tregon kaosin brenda dhomës së hotelit ku ndodhi incidenti.

    Sipas raportimeve të mediave latino-amerikane, debati mes të dyve u përshkallëzua në një përleshje fizike. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan britma dhe zhurma përpara se klientët e hotelit të njoftonin policinë franceze.

  • Murati me grafikë për 100 eurot që mori vendim qeveria – Studentët dhe punëtorët e sektorit privat duhet të aplikojnë për to

    Murati me grafikë për 100 eurot që mori vendim qeveria – Studentët dhe punëtorët e sektorit privat duhet të aplikojnë për to

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar me anë të një grafike “Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0”, përmes së cilës Qeveria e Kosovës ka miratuar mbështetje të njëhershme financiare për disa kategori të qytetarëve.

    Sipas njoftimit, nga 100 euro do të përfitojnë pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit jo-publik dhe studentët aktivë.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.64 euro.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.56 euro për litër, ndërsa gasi do të kushtojë 0.75 euro për litër.

  • Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vendosur që një vendim, i cili ishte paraparë të hynte në fuqi në muajin korrik, të zbatohet më herët – që nga ky muaj.

    Pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti njoftoi rritjen e shtesave për lehonat në Kosovë.

    Ai tha se, megjithëse vendimi ishte planifikuar të hynte në fuqi në korrik, nuk ka arsye të pritet më gjatë.

    “Nga 325.9 euro në muaj, duke filluar nga ky muaj, secila nënë lehonë do të përfitojë 500 euro në muaj, pa i përfshirë shtesat për foshnjën”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.

  • Një javë pas pezullimit nga Pentagoni, Trump njofton dërgimin e 5 mijë trupave shtesë në Poloni

    Një javë pas pezullimit nga Pentagoni, Trump njofton dërgimin e 5 mijë trupave shtesë në Poloni

    Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 5 mijë trupa shtesë në Poloni, vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte pezulluar një vendosje të planifikuar forcash në vendin aleat të NATO-s.

    Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se vendimi lidhet me marrëdhëniet e ngushta me presidentin aktual të Polonisë, Karol Nawrocki.

    “Bazuar në zgjedhjen e suksesshme të Presidentit të tanishëm të Polonisë, Karol Nawrocki, të cilin isha krenar ta mbështesja, dhe marrëdhënien tonë me të, jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 5,000 trupa shtesë në Poloni”, shkroi Trump.

    Njoftimi konsiderohet një kthesë e fortë politike, pasi vetëm pak ditë më parë Pentagoni kishte bërë të ditur se do të vononte rotacionin e rreth 4 mijë trupave amerikane në Poloni, si pjesë e një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

    Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e kishte mbrojtur vendimin fillestar, duke deklaruar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Ai theksoi se “Polonia është e aftë të mbrojë veten me shumë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara”.

    Megjithatë, pezullimi fillestar i vendosjes së trupave kishte shkaktuar shqetësim në Varshavë, mes frikës për kërcënimin rus dhe luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Vendimi u kritikua gjithashtu edhe në Kongresin amerikan.

    Zhvillimi vjen vetëm disa orë përpara takimit ministror të NATO-s në Suedi, ku sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio pritet të marrë pjesë mes tensioneve të vazhdueshme midis Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.

    Rubio deklaroi se Trump është “shumë i zhgënjyer” nga disa vende të NATO-s që nuk kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre për operacionet amerikane, duke veçuar Spanjën.

    “Keni vende si Spanja që na mohojnë përdorimin e këtyre bazave – atëherë pse jeni në NATO? Kjo është një pyetje shumë e drejtë”, tha Rubio.

    Prej kohësh, Trump ka kritikuar aleatët e NATO-s për mosrritjen e kontributit në sigurinë kolektive dhe ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës.

    Ndërkohë, Polonia vazhdon të konsiderohet një nga aleatët më të afërt të SHBA-së në Evropë, duke qenë ndër vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në NATO dhe një mbështetëse aktive e operacioneve amerikane në Irak dhe Afganistan.

  • Protestohet sot në Prishtinë kundër ndalimit të shërbimeve ndërtimore në Rugovë

    Protestohet sot në Prishtinë kundër ndalimit të shërbimeve ndërtimore në Rugovë

    Sot do të mbahet një protestë në Prishtinë, para objektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.

    Protesta do të organizohet nën moton “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”.

    Sipas organizatorëve, nisja e transportit të organizuar do të bëhet nga lokali “Peja City”, nga ora 09:30 ku qytetarët do të udhëtojnë me autobusë drejt kryeqytetit.

    Organizator i protestës është Idriz Kurtbogaj, ndërsa pjesëmarrësit janë ftuar që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, me synim mbrojtjen e të drejtave të banorëve të Rugovës.

  • 27-vjetori i Masakrës së Dubravës, sot mbahen homazhe për viktimat dhe të mbijetuarit

    27-vjetori i Masakrës së Dubravës, sot mbahen homazhe për viktimat dhe të mbijetuarit

    Sot, në Burgun e Dubravës mbahen homazhe përkujtimore në nderim të viktimave, të plagosurve dhe të mbijetuarve të Masakrës së Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera ndaj të burgosurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Aktiviteti organizohet në 27-vjetorin e ngjarjeve tragjike të periudhës 19–24 maj 1999.

    Me fillim nga ora 11:00, sot në Burgun e Dubravës do të mbahen homazhe përkujtimore në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të Masakrës së Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera ndaj të burgosurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

    Aktiviteti përkujtimor organizohet në 27-vjetorin e masakrës që ndodhi gjatë periudhës 19–24 maj 1999, kur dhjetëra të burgosur shqiptarë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën brenda Burgut të Dubravës.

    Organizatorët kanë ftuar ish-të burgosurit, familjarët e viktimave, të mbijetuarit e masakrës dhe qytetarët e interesuar që të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore.

    Hyrja në hapësirat e Burgut të Dubravës do të nisë nga ora 11:00.

    Masakra e Dubravës mbetet një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë dhe një simbol i vuajtjeve të shqiptarëve gjatë regjimit serb.