ATV

Author: K.B.

  • Kosova përkrah vendeve aleate në SOF Week 2026, Ambasada Amerikane uron FSK-në

    Kosova përkrah vendeve aleate në SOF Week 2026, Ambasada Amerikane uron FSK-në

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka uruar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për pjesëmarrjen e saj të parë ndonjëherë në aktivitetin ndërkombëtar “SOF Week 2026”, ku Kosova u përfaqësua përkrah vendeve aleate dhe partnere.

    Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane theksoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe në avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

    “Urime Forcës së Sigurisë së Kosovës për pjesëmarrjen e saj të parë në SOF Week 2026, duke përfaqësuar me krenari Kosovën përkrah vendeve aleate dhe partnere, ndërsa avancon bashkëpunimin, gatishmërinë dhe sigurinë e përbashkët”, thuhet në postimin e ambasadës.

  • Rama sulmon influencerët: Punojnë në Instagram dhe nxisin racizëm

    Rama sulmon influencerët: Punojnë në Instagram dhe nxisin racizëm

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sulmuar influencerët dhe bloggerëve, të cilët prej ditësh mbështesin protestat masive për largimin e tij nga qeveria.

    Në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama tha se janë pikërisht influencerat që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj, që vijnë dhe punojnë në Shqipëri.

    Sipas kryeministrit Rama, këta persona nuk kanë nevojë për punë, ose punojnë në instagram duke reklamuar jetën e tyre luksoze.

    “Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë me e ulët se në Kroaci, nuk ka!

    Cili është problemi? Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet si skllevër, ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe Kroaci.

    Ose nuk janë në nevojë për një punë, përkundrazi punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj.

    Çështja është shumë e thjeshtë. Sa me lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do jenë pagat, sa më e ulët të jetë cilësia sistemit të turizmit, aq më të ulëta do jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem aq më të larta do jenë të ardhurat. Zvicra që është një vend turistik gjithashtu është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta. Ka paga shumë të larta sepse ka mundësinë që të jetë e shtrenjtë sepse ka cilësi shumë të lartë”, tha Rama ndër të tjera.

  • ​Sindikatat e RTK-së: Nëse deri të premten nuk ka veprime për pagat, nga e hëna protestojmë

    ​Sindikatat e RTK-së: Nëse deri të premten nuk ka veprime për pagat, nga e hëna protestojmë

    Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të RTK-së, duke shprehur pakënaqësinë për mospagesën e plotë të pagave. Përfaqësuesit sindikalë kërkuan nga Bordi dhe Menaxhmenti që të sigurojnë menjëherë pagesën e plotë të pagave, ndërsa paralajmëruan vazhdimin e protestave dhe veprimeve të tjera sindikale nëse deri të premten nuk ofrohet një zgjidhje konkrete.

    Në emër të tri sindikatave të RTK-së, Veton Rugova tha se protesta është organizuar për të mbrojtur dinjitetin e punëtorëve dhe të drejtën e tyre për paga të plota.

    “Sot tri sindikatat e RTK-së janë bashkë për të protestuar për mospagesën e plotë të pagës nga RTK-ja. Kjo nuk është çështje e një grupi. Kjo është çështje e çdo punëtori që me mund dhe përkushtim ka dhënë kontributin e tij për këtë institucion. Ne sot jemi mbledhur këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë si punëtorë.. Sot, pikërisht ata njerëz që kanë mbajtur RTK-në në këmbë, po përballen me pasiguri për pagat e tyre. Kjo është e padrejtë dhe e papranueshme. Pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje. Paga nuk është luks. Paga është mjeti me të cilin mbajmë familjet tona dhe sigurojmë jetesën. Ne nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë favore. Kërkojmë vetëm atë që na takon me ligj”, tha Rugova.

    Ai theksoi se punëtorët nuk janë përgjegjës për krizën financiare në institucion dhe kërkoi llogaridhënie nga drejtuesit e RTK-së.

    “Duhet të thuhet qartë: punëtorët nuk janë shkaktarë të kësaj krize. Ata nuk kanë menaxhuar financat, nuk kanë marrë vendime për buxhetin dhe nuk mund të paguajnë çmimin e gabimeve të të tjerëve. Prandaj, sot kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë pasur detyrimin ta drejtojnë dhe ta mbrojnë këtë institucion. Heshtja, vonesat dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje. Punëtorët meritojnë përgjigje dhe meritojnë paga. I bëjmë thirrje Bordit dhe Menaxhmentit që menjëherë të sigurojnë pagesën e plotë të pagave dhe të japin një përgjigje të qartë për punëtorët. Ne do të presim deri të premten për një reagim konkret dhe për zgjidhjen e kësaj situate.Por, le të jetë e qartë për të gjithë: nëse deri të premten nuk ka veprime konkrete nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, atëherë nga e hëna do të vazhdojmë me protesta dhe veprime të tjera sindikale. Nuk do të ndalemi derisa të drejtat e punëtorëve të respektohen dhe derisa secili punëtor të marrë atë që i takon”, tha ai.

    Mbështetje për protestën shprehu edhe kryetari i Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i cili kritikoi menaxhimin e situatës dhe trajtimin e mediumit publik.

    “Është për keqardhje që është hera e sata herë që brenda një kohe të shkurtër punonjësit e RTK-së mbesin pa paga apo me vonesë. Këtë e shohim si mungesë e përgjegjësisë së menaxhimit së RTK. E ftojmë bordin dhe menaxhmentin qe të bëjnë të gjitha përpjekjet që situata si kjo të mos përsëriten, që të kujdesen që të paguhen për punën që bëjnë dhe të jenë transparent me punëtorët qe këto kriza si kjo të shmangen. Të gjitha problemet e fundit të RTK-së lidhen me mënyrën se si Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti e ka trajtuar mediumin publik, me ndarjen të vetëm 8.9 milion euro nga thuajse 22 milion sa i takojnë. Kjo parti politike ka dashur që ta mbaje nën kontroll politik RTK-në dhe fatkeqësisht e ka arritur një masë të madhe ku së fundmi një pjesë e mirë, sidomos lajmeve qendrore janë shndërruar në elemente propaganduese për VV-në dhe RTK-në. I ftojmë kolegët e RTK në rast të presioneve që i dimë që ndodhin, politike brenda dhe do vazhdojmë t’i përkrahim deri në fund”, tha Rexha.

  • Arrest shtëpiak për anëtarin e Vakatit që dyshohet se fshehu fletëvotime

    Arrest shtëpiak për anëtarin e Vakatit që dyshohet se fshehu fletëvotime

    Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e sigurisë – arrest shtëpiak Adnan Demirit, komisionerit nga radhët e koalicionit Vakat.

    Ish-kandidati për deputet dhe për asamblist, dyshohet për veprën penale “asgjësimi i dokumentit të votimit”.

    Demiri dyshohet për rastin e shkëputjes nga blloku dhe fshehjes së gjashtë fletëvotimeve në fshatin Jabllanicë të Prizrenit të dielën.

    Kryetari i koalicionit Vakat, Rasim Demiri, e ka konfirmuar për Kohën se i dyshuari Adnan Demiri nuk është familjar i tij dhe se është anëtar i Këshillit Drejtues të subjektit të tij politik.

    Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prizren një ditë më parë ka kërkuar masën e paraburgimit.

    Kryetari i Vakatit tha se nuk ka koment për arrestimin e anëtarit të partisë, pasi drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj.

    Koalicioni Vakat është subjekti më i votuar i komunitetit boshnjak në zgjedhjet e 7 qershorit me 3810 vota. /Koha

  • Miliona euro tenderë jashtë kritereve dhe mbi planifikim, auditori zbulon shkelje të rënda në Podujevë

    Miliona euro tenderë jashtë kritereve dhe mbi planifikim, auditori zbulon shkelje të rënda në Podujevë

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë parregullsish në procedurat e prokurimit publik në Komunën e Podujevës, të udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi.

    Sipas raportit të auditorit, gjetjet lidhen me mosrespektim të kritereve të tenderëve dhe tejkalime të mëdha të vlerave të planifikuara buxhetore.

    Në një nga rastet e analizuara, një kompani ishte shpallur fituese për projektin “Rregullimi i infrastrukturës së varrezave të qytetit”, me vlerë rreth 1 milion e 155 mijë euro. ZKA ka konstatuar se operatori ekonomik nuk kishte dorëzuar dokumentin e kërkuar për qarkullimin vjetor nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me minimumin e përcaktuar prej 1.7 milion euro, megjithatë ishte shpallur fitues.

    Po ashtu, për këtë projekt, në Ligjin e Buxhetit ishte parashikuar një shumë prej 50 mijë eurosh, ndërsa kontrata përfundimtare kapte vlerën mbi 1.1 milion euro, duke shënuar një tejkalim të konsiderueshëm të planifikimit fillestar.

    Parregullsi të ngjashme janë evidentuar edhe në tenderin “Ndërtimi i parkut industrial bujqësor në Sfeqël”, me vlerë rreth 1.356 milion euro. Sipas ZKA-së, operatorit fitues i ishte kërkuar certifikata ISO 9001:2015, por ai kishte dorëzuar ISO 14001:2015. Megjithatë, ai ishte shpallur fitues.

    Për këtë projekt, buxheti fillestar ishte parashikuar rreth 400 mijë euro, ndërsa kostoja përfundimtare ka arritur në 1.356 milion euro, duke tejkaluar planifikimin për rreth 956 mijë euro, shkruan Paparaci.

    Edhe në projektin “Ndërtimi i kuzhinës qendrore për fëmijë në çerdhe dhe nxënës të shkollave në Podujevë”, me vlerë rreth 698 mijë euro, ZKA ka gjetur mospërputhje në dokumentacionin e kërkuar. Në vend të certifikatës ISO 50001:2018, operatori kishte dorëzuar një certifikatë tjetër (PAS 99:2012), e cila nuk e plotësonte kriterin e kërkuar.

    Ky projekt, sipas të dhënave të auditimit, ishte planifikuar në vlerë prej 190 mijë eurosh, por kostoja përfundimtare ka arritur rreth 698 mijë euro.

    Në raport theksohet se për këto gjetje, Komuna e Podujevës është përgjigjur me një fjalë të vetme: “Pajtohemi”.

    ZKA vlerëson se këto parregullsi kanë cenuar parimet e transparencës, barazisë dhe efikasitetit në procedurat e prokurimit publik. Raporti është pranuar nga komuna më 20 maj 2026.

  • Trepça largon përkohësisht nga puna pesë punëtorë, dyshohen se u paguan për vikend pa qenë në vendin e punës

    Trepça largon përkohësisht nga puna pesë punëtorë, dyshohen se u paguan për vikend pa qenë në vendin e punës

    Trepça ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna pesë punonjës, në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

    Në njoftim shtohet se, vendimi është nxjerrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit në fjalë janë evidentuar si të angazhuar në punë gjatë ditëve të vikendit, ndonëse dyshohet se nuk kanë qenë të pranishëm në vendin e punës.

    Postimi:

    Me datën 09.06.2026, Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka nxjerrë Vendimin me nr. prot. 5245 për largimin e përkohshëm nga puna të punonjësve:

    1).F.Z.,

    2).K.A.,

    3).Z.A.,

    4).A.G.,

    5).M,Z.

    punonjës në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

    Sipas këtij vendimi, punonjësit e lartcekur largohen përkohësisht nga puna duke filluar nga data 08.06.2026, deri në marrjen e vendimit nga Komisioni Disiplinor.

    Vendimi është nxjerrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit në fjalë janë evidentuar si të angazhuar në punë gjatë ditëve të vikendit, ndonëse dyshohet se nuk kanë qenë të pranishëm në vendin e punës.

    Për rrjedhojë, ekziston dyshimi se janë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, sipas nenit 10, paragrafëve 1.1, 1.5, 1.13, 1.19 dhe 1.26 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.

  • Dhurata e veçantë që Dua mori nga komuniteti arbëresh për martesën

    Dhurata e veçantë që Dua mori nga komuniteti arbëresh për martesën

    Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, dhe partneri i saj, aktori Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni magjike në Siçili të Italisë. Festimet luksoze, të cilat zgjatën për tri ditë, u mbajtën në ambientet përrallore të “Villa Valguarnera” në Bagheria, pranë Palermos, duke mbledhur miq, familjarë dhe personazhe të njohur të artit.

    Një nga momentet më emocionuese dhe të veçanta të kësaj dasme ka qenë surpriza e organizuar nga komuniteti historik arbëresh i Siçilisë. Siç tregohet, banorët e zonës së njohur “Piana degli Albanesi” kanë udhëtuar drejt vilës për t’i bërë një nderim special nuses shqiptare.

    Një delegacion i përbërë nga dhjetë vajza të veshura me kostumet madhështore e tradicionale të Piana degli Albanesi ka magjepsur të pranishmit. Ato kanë interpretuar këngë të vjetra e sugjestive arbëreshe, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë të rrënjëve shqiptare në zemër të Siçilisë.

    Përveç muzikës, artistët dhe mjeshtrit argjendarë vendas i kanë dhuruar çiftit të sapomartuar një kujtim të çmuar. Ata kanë krijuar plotësisht me dorë vathët tradicionalë të zonës të njohur si “Panieri”, një vepër arti artizanale që simbolizon trashëgiminë e pasur kulturore arbëreshe. Ky moment krenarie ka bërë xhiron e rrjetit, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë që komunitetet shqiptare jashtë vendit ruajnë për figurat që lartësojnë emrin e kombit në botë.

  • Shoqërohen katër persona në Polici, kaluan ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë

    Shoqërohen katër persona në Polici, kaluan ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar në stacionin policor katër persona për shkak se kanë kaluar kufirin ilegalisht.

    Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    “Fsh. Prapashticë, Prishtinë, 08.06.2026 – 17:00. Janë shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuari meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia për në Kosovë”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Kurti në Austri, takohet me kancelarin Stocker

    Kurti në Austri, takohet me kancelarin Stocker

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Austria, ku u prit në takim nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.

    Gjatë takimit, të dy liderët diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, marrëdhëniet bilaterale dhe ekonomike, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

    Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishte edhe procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe mbështetja për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

    Në kuadër të vizitës në Austri, Kurti gjatë ditës do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku pritet të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik rajonal, investimet dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Radoniqi nga QKN: S’mund të jap datë të saktë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

    Radoniqi nga QKN: S’mund të jap datë të saktë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

    Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, duke thënë se procesi i numërimit të votave po shkon në rregull.

    “Të gjitha përgatitjet janë bërë që numërimi me shku në rregull edhe në shpresojmë që me këtë tempo numërimi do të përfundojë deri kah fundi i javës eventualisht në mesin e javës tjetër”, ka thënë ai.

    Radoniqi, ka thënë se deri më tani nuk kanë pas probleme në qendrat e numërimit, duke shtuar se vetëm në Vushtrri ka pas problem me lidhje të internetit gjë që është sanuar menjëherë.

    “Deri më tani nuk kemi pas asnjë problem. Në Vushtrri vetëm një problem me lidhjen e internetit dhe është sanuar dhe numri ka vazhduar në rregull. Kontrolli është pak më i lartë. Procesi deri më tani nuk ka probleme dhe nuk kemi ankesa nga asnjëra palë”, ka shtuar Radoniqi.

    Ndërsa, i pyetur se kur pritet të dalin me rezultatet përfundimtare, Radoniqi shtoi se nuk mund të japë ndonjë datë të saktë, por se beson se kjo mund të ndodhë në fund të këtij muaji, raporton EO.

    “Ky është proces dinamik, nuk mund të jap datë të saktë, sipas planit operacional është data 6 korrik, por unë besoj se kah fundi i qershorit do të jemi gati me gjithë rezultatin”, ka thënë ndër të tjera Radoniqi.