ATV

Author: K.B.

  • 55% të numëruara: Kurti merr mbi 130 mijë vota, ja sa kanë marrë 4 tjerët

    55% të numëruara: Kurti merr mbi 130 mijë vota, ja sa kanë marrë 4 tjerët

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 55.16% të votave të numëruara nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nga 2,498 vendvotime sa janë në total, janë procesuar 1,378 prej tyre.

    10 më të votuarit në VV:

    1.[1] ALBIN KURTI 130,818 Vota
    2.[2] GLAUK KONJUFCA 102,908 Vota
    3.[5] ALBULENA HAXHIU 59,591 Vota
    4.[6] HEKURAN MURATI 51,738 Vota
    5.[3] DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ 48,061 Vota
    6.[7] XHELAL SVEÇLA 39,046 Vota
    7.[4] AVNI DEHARI 35,582 Vota
    8.[8] MIMOZA KUSARI LILA 33,403 Vota
    9.[9] HAJRULLA ÇEKU 32,995 Vota
    10.[16] EJUP MAQEDONCI 29,330 Vota

  • Arrestohet në Fushë-Kosovë i kërkuari me katër urdhëresa të gjykatës

    Arrestohet në Fushë-Kosovë i kërkuari me katër urdhëresa të gjykatës

    Një person i kërkuar me katër urdhëresa të gjykatës, është arrestuar në kuadër të operacioneve për kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar për vepra të ndryshme penale.

    Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi i të dyshuarit është realizuar mbrëmjen e së martës në Fushë-Kosovë.

    I arrestuari është A.S., i cili kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Falsifikim i parave”.

    Policia bëri të ditur se pas arrestimit, ndaj tij janë zbatuar urdhëresat e lëshuara nga gjykata dhe ai është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Publikohet çmimet e derivateve, kaq do të shitet nafta e benzina sot

    Publikohet çmimet e derivateve, kaq do të shitet nafta e benzina sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit të MINTI-it, një litër naftë do të shitet për 1.54 euro, benzina 1.40 euro dhe gasi 0.68 euro.

    Këto çmime do të hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Mimoza Haxhija-Jedrashi zgjidhet kryetare e Odës së Arkitektëve të Kosovës

    Mimoza Haxhija-Jedrashi zgjidhet kryetare e Odës së Arkitektëve të Kosovës

    Oda e Arkitektëve e Republikës së Kosovës (OARK) ka njoftuar se, pas dorëheqjes së parevokueshme të kryetarit Uran Kyçyku, Bordi Drejtues ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë institucionale dhe funksionimin e rregullt të Odës.

    Sipas njoftimit, në mbledhjen e mbajtur më 8 qershor 2026, Bordi Drejtues ka zgjedhur me shumicë votash anëtaren e bordit, Mimoza Haxhija-Jedrashi, në postin e kryetares së Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës për periudhën e mbetur të mandatit.

    Haxhija-Jedrashi është një profesioniste e dëshmuar në arkitekturë, menaxhim dhe udhëheqje projektesh komplekse publike dhe private.

    Ajo ka përvojë të gjerë menaxheriale në koordinimin e ekipeve multidisiplinare dhe realizimin e projekteve me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

    Bordi Drejtues shpreh besimin se përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i saj do të kontribuojnë në avancimin e misionit dhe objektivave të Odës.

    Njëkohësisht, Bordi Drejtues shpreh mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e Uran Kyçykut gjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të OARK-së, në një periudhë të rëndësishme për funksionalizimin dhe konsolidimin e Odës si institucion profesional dhe i pavarur.

    Bordi Drejtues mbetet i përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të tij ligjore dhe statutore, duke vazhduar të punojë në shërbim të anëtarëve të Odës dhe në mbrojtjen dhe promovimin e profesionit të arkitektit në Republikën e Kosovës.

  • Një makinë-bombë në Moskë vret një person, publikohen pamjet e sulmit

    Një makinë-bombë në Moskë vret një person, publikohen pamjet e sulmit

    Një person u vra nga një makinë-bombë në periferitë lindore të Moskës herët të martën, njoftoi Komiteti Hetues i Federatës Ruse në një deklaratë, me një hetim që është duke u zhvilluar për të përcaktuar detajet e incidentit.

    Incidenti ndodhi rreth orës 5:30 të mëngjesit sipas orës lokale në qytetin Balashikha në lindje të kryeqytetit rus, sipas zyrtarëve.

    Komiteti Hetues tha se një “pajisje shpërthyese shpërtheu ndërsa një makinë BMW X3 po lëvizte pranë një ndërtese apartamentesh”.

    “Si rezultat, shoferi i makinës mori lëndime të shumta, nga të cilat vdiq në vendin e incidentit”, tha komiteti në një deklaratë të postuar në Telegram.

    Një çështje penale është hapur, thuhet në deklaratë, dhe shoferi ende nuk është identifikuar.

    “Hetuesit dhe ekspertët mjeko-ligjorë, së bashku me shërbimet operative, po kryejnë një inspektim të vendit të incidentit. Një sërë ekzaminimesh të nevojshme mjeko-ligjore, duke përfshirë ato mjekësore dhe eksplozivë, do të caktohen në të ardhmen e afërt”, tha komiteti.

    Komiteti nuk sugjeroi ndonjë motiv të mundshëm për bombardimin, as nuk sugjeroi ndonjë të dyshuar.

    Vitet e fundit kanë ndodhur disa sulme me bomba ndaj eprorëve të lartë ushtarake dhe sulme të tjera në Moskë të lidhura me pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës fqinje nga Rusia, i cili filloi në shkurt të vitit 2022.

    Në dhjetor të vitit 2025, për shembull, oficeri rus gjenerallejtënant Fanil Sarvarov u vra kur një pajisje shpërthyese shpërtheu nën një makinë në Moskën jugore. Hetuesit fajësuan shërbimet e inteligjencës ukrainase për vrasjen.

    Një vit më parë, gjenerallejtënant Igor Kirillov dhe ndihmësi i tij, Ilya Polikarpov, u vranë kur një bombë e bashkangjitur në një skuter elektrik shpërtheu jashtë një pallati apartamentesh në Moskën juglindore. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës më vonë mori përgjegjësinë për vrasjen.

  • Cakolli: Nëse s’ka marrëveshje politike, në fund të vitit Kosova sërish në zgjedhje

    Cakolli: Nëse s’ka marrëveshje politike, në fund të vitit Kosova sërish në zgjedhje

    Hulumtuesi i Demokracisë në Veprim Eugen Cakolli tha se zgjedhjet e 7 qershorit ndonëse ishin zgjedhjet me procesin më të rregullt ndonjëherë, ato shënuan gjithashtu edhe pjesëmarrje të ulët të votuesve.

    Cakolli tha se në numrin e ulët të votuesve ka ndikuar mos pjesëmarrja e diasporës sikurse në zgjedhjet e dhjetorit por edhe zhgënjimi i qytetarëve nga bllokadat e njëpasnjëshme politike.

    “Përkundër që patëm një prej proceseve më të rregullta zgjedhore, për shkak të një konteksti të pazakontë, ku i organizuam zgjedhjet e treta parlamentare në më pak se një vit e gjysmë, patën 150 deri në 200 mijë votues më pak. E njëjta u reflektua edhe në tubime zgjedhore… Lodhje nga ciklet e shpeshta zgjedhore por në anën tjetër dalja më e ulët për dallim nga zgjedhjet e dhjetorit është edhe mungesa e diasporës. Kjo besoj se është alarm për spektrin politik dhe tregon se qytetarët janë të pakënaqur.”, tha ai për rtv21.

    Cakolli ndër të tjerash përmendi edhe afatet për formimin e institucioneve, duke thënë se me mënyrën se si po kryhet numërimi i votave nga KQZ, Kosova lehtësisht në muajin gusht si versioni më i largët mund të ketë institucione të formuara.

    Cakolli duke përmendur afatin kushtetues prej 60 ditëve për zgjedhjen e presidentit dhe 40 ditëve për formimin e qeverisë, thotë se formimi i institucioneve do të varët edhe nga gatishmëria e subjekteve politike për të arritur një gjuhë të përbashkët.

    “Kjo do të varet shumë nga marrëveshjet politike unë besoj se nëse do të ketë gatishmëri dhe vullnet për zgjidhje Kosova lehtësisht qysh në muajin gusht në versionin më të largët mund të ketë institucione në të kundërtën rrezikojmë të mbesim pa institucione deri në muajin tetor nëntor, eventualisht të shkojmë drejt një cikli të ri zgjedhor në fund të muajit nëntor eventualisht në fillim të muajit dhjetor, normalisht në rast se nuk do të ketë ndonjë krizë apo rast të paqartësive kushtetuese që do të përdoret si bazë për ta zvarritur edhe më tej…”, u shpreh ai.

  • Ramush Haradinaj kujton nënshkrimin e marrëveshjes që i dha fund luftës në Kosovë

    Ramush Haradinaj kujton nënshkrimin e marrëveshjes që i dha fund luftës në Kosovë

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar 27-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, e cila shënoi tërheqjen e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë nga Kosova, pas krimeve ndaj popullatës shqiptare të paarmatosur.

    Përmes një postimi në Facebook, ish-kreu i Aleancës tha se lufta çlirimtare e UÇK-së, me kauzën e saj të drejtë, arriti të fitojë mbështetjen e shteteve demokratike dhe NATO-s, të udhëhequr nga SHBA, e cila për tre muaj bombardoi Jugosllavinë, regjimin gjenocidal të Millosheviqit.

    Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Amerikës dhe botës demokratike për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, ka shkruar ai.

  • Misteri i fatit të 34-vjeçarit, Eglant Koçi dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i ngushtë, zbardhen detaje të reja

    Misteri i fatit të 34-vjeçarit, Eglant Koçi dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i ngushtë, zbardhen detaje të reja

    5 ditë nga zhdukja e 34-vjeçarit, Eglent Koçi, Policia e Tiranës ka një përgjigje. I riu dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i ngushtë, Armand Shakaj.

    Pas denoncimit nga familjarët paraditen e datës 4 qershor, policia u angazhua me vëzhgimin e kamerave të sigurisë, të cilat e sollën nga Sheshi Wilson drejt Bulevardit Zhan D’Ark, ku ai shkoi pranë lokalit të një miku të tij, nga ku nuk doli më.

    Nga kontrollet e policisë në terren dhe pamjet e kamerave të sigurisë, policia ka gjetur prova që shtojnë dyshimet se 34-vjeçari është vrarë dhe se shoku i tij ka zhdukur trupin duke e transportuar me një makinë. Gjatë këtij momenti dëshmitar ka qenë edhe Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në një bar në pronësi të autorit dhe që ndodhet pranë vendit të ngjarjes, i cili është arrestuar si bashkëpunëtor. Ndërsa për autorin, policia nuk ka asnjë gjurmë dhe e ka shpallur në kërkim.

    Aktualisht, blutë po kryejnë kontrolle në rrethinat e Tiranës për gjetjen e trupit të të riut.

    Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat mëson se, për të fshehur gjurmët, Shakaj ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku ndodhi krimi drejt 5 Majit, ku u gjet dy ditë pas krimit.

    34-vjeçari rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat hetimore mbi të cilat është fokusuar policia. /Tch/

  • Operacion i përbashkët ndërkombëtar në pesë qytete, arrestohen 5 të dyshuar

    Operacion i përbashkët ndërkombëtar në pesë qytete, arrestohen 5 të dyshuar

    Pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “White Star”, i zhvilluar në disa lokacione të Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

    Operacioni është zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e institucioneve të drejtësisë dhe me urdhër të gjykatës kompetente.

    “Operacioni policor është realizuar në disa lokacione nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore”, thuhet në njoftim.

    Të arrestuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave.

    Sipas autoriteteve, ata dyshohen për “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar prova dhe pasuri të ndryshme, përfshirë armë, drogë, para të gatshme, automjete dhe pajisje elektronike.

    Në njoftim thuhet se janë gjetur “6 armë; 239 fishekë; 25 telefona; 10 automjete dhe 1 motoçikletë; 7,595 euro para të gatshme; si dhe pajisje të ndryshme elektronike”.

    Operacioni është mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë EUROPOL, si dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës.

    “Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës”, thuhet në njoftim, ku theksohet se veprimet janë monitoruar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në terren.

    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë me veprime të koordinuara për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • ZKA gjen mospërputhje prej mbi 1 milion eurosh në buxhetin e të hyrave të ShSKUK-së

    ZKA gjen mospërputhje prej mbi 1 milion eurosh në buxhetin e të hyrave të ShSKUK-së

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për vitin 2025.

    Përmes këtij raporti, ZKA thekson se ka gjetur vlera jo të sakta të buxhetit të të hyrave në pasqyrën e ekzekutimit të buxhetit të institucionit.

    Neni 14 i Rregullores MF Nr.01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore specifikon që Pasqyra e ekzekutimit të buxhetit të përfshijë ekzekutimin e buxhetit dhe të prezantojë informata mbi buxhetin fillestar sipas Ligjit Vjetor të Buxhetit, buxhetin final sipas SIMFK-së, si dhe realizimin e buxhetit, duke përfshirë edhe krahasimin ndërmjet buxhetit final dhe realizimit.

    Siç thuhet në raport, edhe pas kërkesës së ekipit të auditivit për korrigjimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV), te Hyrja e Parasë së gatshme, në vend të buxhetit fillestar dhe final për të hyrat tatimore, është prezantuar vlera e realizimit vjetor e këtyre të hyrave duke mos reflektuar ndryshimet e kërkuara.

    Si rezultat, ZKA thotë se ekziston një diferencë prej 1,048,801 euro ndërmjet te hyrave te buxhetuara dhe vlerës se raportuar.

    “Mangësitë e identifikuara kanë ndodhur si shkak i kontrolleve jo të duhura me rastin e përgatitjes dhe rishikimit te PFV-ve, si dhe mos zbatimit me përpikëri të kërkesave të rregullores për raportim financiar”, thuhet në raport, transmeton Klankosova.tv.

    Ndikimi

    Në raportin e ZKA-së potencohet se prezantimi jo i drejtë i informatave lidhur me buxhetin fillestar dhe final të të hyrave jo tatimore kanë ndikuar në nënvlerësimin e këtyre informatave në Pasqyrën e ekzekutimit te buxhetit në PFV, siç thuhet nga Auditimi, duke ndikuar në besueshmërine e pasqyrave financiare.

    Rekomandimi

    Ndër të tjera, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar nga Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm që të sigurojnë që Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të mos dorëzohen pa iu nënshtruar më parë një rishikimi të detajuar nga menaxhmenti dhe zbatimit me përpikëri te kërkesave të rregullores për raportim financi.