ATV

Author: K.B.

  • Pas orësh negociatash me RENEA-n, 35-vjeçari qëllon veten në automjet

    Pas orësh negociatash me RENEA-n, 35-vjeçari qëllon veten në automjet

    35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, i dyshuar për ngjarjen e rëndë në Roskovec,ka vrarë veten me armë zjarri pas disa orësh negociata me forcat e policisë.

    Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej.

    Më herët, 35-vjeçari dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. E reja u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë.

    Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari.

    Njoftimi i Policisë së Shtetit

    “Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se: Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”.

    “Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

    Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”.

  • Arrestohet një shtetas turk, dyshohet për përfshirje në Masakrën e Krushës

    Arrestohet një shtetas turk, dyshohet për përfshirje në Masakrën e Krushës

    Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas turk, i cili dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Sipas raportimeve të Klan Kosovës, i dyshuari dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në Masakrën e Krushës gjatë luftës në Kosovë.

    I dyshuari është siguruar në Stacionin Policor në Prizren nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe më pas i është dorëzuar hetuesve të Hetuesisë së Veçantë, të cilët veprojnë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Rasti mësohet se po trajtohet nga Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, sipas burimeve të tjera, i dyshuari është paraqitur vetë në stacionin policor, pasi mbrëmë, gjatë një emisioni televiziv, emri i tij është përmendur si person që dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të kriminelit Arkan.

  • Kështu do të jetë moti këtë fundjavë në Kosovë

    Kështu do të jetë moti këtë fundjavë në Kosovë

    Moti në Kosovë gjatë fundjavës pritet të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara.

    “Mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë 23deri në 26°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore”, thuhet në njoftimin e IHK-së për ditën e shtunë.

    Ndërkaq, një mot pak a shumë i ngjashëm pritet të ngjajë edhe në ditën pasuese, të dielën.

    “Parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9–12 , ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 25-31°C. Era do të fryjë nga veriperendimi me shpejtësi 1-5m/s”.

  • AVONET kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve për mbindërtimin e paligjshëm në Ferizaj

    AVONET kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve për mbindërtimin e paligjshëm në Ferizaj

    Organizata AVONET ka kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve kompetente lidhur me një rast të mbindërtimit të paligjshëm në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, duke e cilësuar atë si shkelje të ligjit dhe rrezik për sigurinë publike.

    Përmes një deklarate për media, AVONET ka shprehur shqetësim të thellë për këtë rast, duke theksuar se çdo mbindërtim mbi objekte të ndërtuara sipas kritereve teknike dhe lejeve përkatëse cenon standardet e ndërtimit, rrezikon stabilitetin e objektit dhe sigurinë e banorëve e qytetarëve.

    Sipas organizatës, veprime të tilla janë të ndaluara me legjislacionin në fuqi dhe nuk duhet të tolerohen në një shtet që synon zbatimin e sundimit të ligjit.

    AVONET i ka bërë thirrje Komunës së Ferizajt që të ndërmarrë pa vonesë të gjitha masat ligjore dhe administrative për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e mbindërtimit të paligjshëm, duke siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit.

    Po ashtu, organizata i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit të nisë hetimet për rastin, të verifikojë përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë, përfshirë investitorin, mbikëqyrësit dhe zyrtarët kompetentë, si dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme nëse konstatohen elemente të veprave penale.

    Organizata ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe pret reagim të menjëhershëm, transparent dhe në përputhje me ligjin nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

  • Dy vetura nga Kosova përplasen në rrugën Shkup-Bllacë, lëndohen gjashtë persona

    Dy vetura nga Kosova përplasen në rrugën Shkup-Bllacë, lëndohen gjashtë persona

    Gjashtë persona nga Kosova kanë mbetur të lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën magjistrale Shkup–Pikëkalimi Kufitar Bllacë e Poshtme në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së, në aksident janë përfshirë dy automjete me targa të Kosovës: një veturë “Kia”, e drejtuar nga K.C. (33-vjeç) nga Kosova, dhe një “Volkswagen Golf”, të cilin e drejtonte S.J. (61-vjeç), gjithashtu shtetas i Kosovës.

    “Si pasojë e përplasjes, lëndime të rënda trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjeret e “Volkswagen Golf”-it, S.J. (54) dhe E.J. (20). Ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe dy pasagjerët e tjerë të kësaj veture, B.H. (23) dhe B.I. (35)”, ka njoftuar MPB-ja e RMV-së.

    Të gjithë të lënduarit mësohet se janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe në Qendrën e Urgjencës pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.

    Autoritetet maqedonase kanë njoftuar se, me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i veturës “Kia”, K.C., do të privohet nga liria pasi të përfundojë trajtimin në spital.

    Ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Shkup ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.

  • Qumështorja Vita kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale dhe Policisë pas vonesave të rezultateve

    Qumështorja Vita kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale dhe Policisë pas vonesave të rezultateve

    Qumështorja Vita ka njoftuar se ka paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës ka kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për, siç tha, shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore.

    “Nëpërmjet kësaj komunikate, njoftojmë opinionin publik, që sot, më datë 24.07.2026, kemi paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës kemi kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore. Duke marrë parasysh që deri më sot nuk kemi pranuar rezultatet dhe pavarësisht kërkesave të shumta që i kemi bërë ndaj institucionit AUV, ne akoma nuk kemi pranuar rezultatet e analizave të mostrave”.

    Kompania Vita shton: “Duke e konsideruar edhe vetë faktin që në inspektimin e datës 02.07.2026, Këshilltarja Politike e Ministrisë së Bujqësisë na u ka prezentuar si Inspektore, e njësoj ka bërë edhe pronari i Kompanisë konkurrente, ne e kemi parë të udhës që të paralajmërojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë manipulimin me rezultatet e të gjitha mostrave që i ka marrë AUV, për brendet “Holla” dhe “Vita“.

  • Komuna e Hanit të Elezit kërkon që t’i ndahet buxhet UShA-it në Ferizaj

    Komuna e Hanit të Elezit kërkon që t’i ndahet buxhet UShA-it në Ferizaj

    Komuna e Hanit të Elezit ka reaguar ndaj mungesës së mbështetjes buxhetore për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në planifikimet buxhetore për vitin 2027, duke e cilësuar këtë një shqetësim për të ardhmen e institucionit.

    Në reagimin e saj, Komuna vlerëson se universiteti ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Ferizajn, por edhe për komunat e rajonit, pasi ndër vite ka qenë institucion arsimor edhe për studentët nga Hani i Elezit dhe zonat përreth.

    Sipas Komunës, përmes programeve të tij, Universiteti i Shkencave të Aplikuara ka kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të rinj dhe në lidhjen e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.

    Komuna e Hanit të Elezit shpreh shqetësimin se mosparashikimi i mjeteve financiare për funksionimin e universitetit ngre pikëpyetje serioze për të ardhmen e tij dhe ndikon drejtpërdrejt te studentët, stafi akademik dhe zhvillimi i rajonit.

    Përmes këtij reagimi, Komuna u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të rishikojnë planifikimet buxhetore dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm për vazhdimin e veprimtarisë së Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

    “Ruajtja dhe fuqizimi i institucioneve të arsimit të lartë është përgjegjësi e përbashkët. Investimi në universitete nuk është vetëm mbështetje për studentët e sotëm, por edhe garanci për zhvillimin ekonomik, profesional dhe shoqëror të vendit në të ardhmen”, thuhet tutje në reagimin e Komunës.

  • Kontrollet ndaj mjeteve të mbingarkuara vazhdojnë, shqiptohen mbi 15 mijë euro gjoba

    Kontrollet ndaj mjeteve të mbingarkuara vazhdojnë, shqiptohen mbi 15 mijë euro gjoba

    Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha ka njoftuar se Departamenti i Sigurisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon kontrollet në terren ndaj mjeteve që tejkalojnë peshën e lejuar.

    Sipas njoftimit, vetëm gjatë kësaj jave janë evidentuar 27 kundërvajtje, ndërsa janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 15 mijë e 40 eurosh.

    Basha ka bërë të ditur, se mbingarkesa e mjeteve të rënda paraqet rrezik për sigurinë në trafik dhe dëmton infrastrukturën rrugore.

    Sipas autoriteteve, tejkalimi i peshës së lejuar ndikon në kontrollin e automjetit, zgjat distancën e frenimit dhe rrit mundësinë e aksidenteve, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

    Kontrollet dhe masat ndaj shkelësve do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, ndërsa Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe transportuesve që të respektojnë kufijtë e lejuar të peshës.

    “ Mbrojtja e rrugëve tona dhe siguria e qytetarëve janë përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim.

  • Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

    Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb për tërheqjen e dorëheqjeve të dhëna në fund të vitit 2022.

    Ai tha se braktisja ishte e organizuar politikisht si pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.

    “Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk e kemi thënë e as nuk kemi të drejtë të themi kthehuni. Kishim të drejtë etike të ju themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtuese e ligjore tu themi kthehuni”, tha Kurti.

    Sipas tij, largimi nga institucionet kishte qenë akt politik, ndërsa çështja e kthimit duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    “Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor të vepronte njësoj kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë kjo çështje”, tha Kurti.

    Edhe U.D e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi sot më herët nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që t’u jap përgjigje negative të dorëhequrve.

    Veçse mbledhja e sotshme e KGjK-së, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

    Ditë më parë, Haxhiu dekretoi lirimin nga detyra të prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Kjo, derisa Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre dhe stafit administrativ për të tërhequr dorëheqjet e mëparshme.

    Në nëntor të vitit 2022, gjyqtarë, prokurorë, punonjës administrativë dhe policë serbë kishin dhënë dorëheqje kolektive nga institucionet e drejtësisë e sigurisë në veri.

  • Babai goditi për vdekje një grua, i biri riparoi mjetin për të fshehur ngjarjen – arrestohen të dy

    Babai goditi për vdekje një grua, i biri riparoi mjetin për të fshehur ngjarjen – arrestohen të dy

    Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, babë e bir, pas një aksidenti të ndodhur në autostradën “Durrës-Tiranë” ku humbi jetën një 74-vjeçare.

    Identifikohet dhe arrestohet 65-vjeçari që përplasi me automjet, me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe. Në pranga dhe djali i 65-vjeçarit, pasi së bashku, u larguan nga vendi i aksidentit, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, dhe nuk njoftuan Policinë. Gjithashtu, 32-vjeçari fshehu automjetin dhe e riparoi për të penguar zbulimin e së vërtetës.

    Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Mercedez Benz”.

    “ Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që përplasi me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe, rreth orës 04:10 të datës 23.07.2026, në autostradën “Durrës-Tiranë”, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar të rastit, shtetasin Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës.

    Më tej, në vijim të veprimeve u arrestua djali i 65-vjeçarit, shtetasi B. M., 32 vjeç, banues në Durrës, pasagjer në automjet, në momentin e aksidentit.

    2 të arrestuarit dyshohet se janë larguar nga vendi i aksidentit, menjëherë pas përplasjes, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, si dhe pa njoftuar Policinë.

    Më pas, 32-vjeçari dyshohet se me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës, ka fshehur automjetin tip “Mercedez Benz” të përfshirë në aksident, si dhe ka riparuar dëmet që i ishin shkaktuar nga përplasja”, tha policia.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /A2CNN