ATV

Author: K.B.

  • Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Shtime, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u ngulfat me një copë mishi.

    Sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme nga Emergjenca e Ferizajt është raportuar se një viktimë, mashkull kosovar, është dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimës.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

    Gazeta Express, nga burime të veta, ka mësuar se viktima është një fëmijë 3-vjeçar, i cili dyshohet se është ngulfatur nga një copë mishi.

    Familjarët i kanë ofruar menjëherë ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime. Mjekët kanë arritur ta largojnë copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur pa puls dhe pa shenja jete.

    Më pas ai është transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por pa sukses. Në orën 19:40 është konstatuar vdekja e tij.

    Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.

  • Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për mos raportim të pasurisë.

    Ahmeti po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.

    Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premtën më 24.07.2026 nga gjyqtari Leon Përlaska.

    Sipas Gjykatës, dënimi me 2 vite burg, do të ekzekutohet pas plotfuqshmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa dënimi me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh pas plotëfuqimërisë së këtij aktgjykimi.

    Në rast se i pandehuri nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënim me gjobë, Gjykata mund të ia zëvendësojë dënimin me gjobë, me dënim me burgim ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro gjobë.

    Tutje, Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimine shumës së mjeteve të padeklaruara.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shpend Ahmeti u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

    Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte prenzent i akuzuari Shpend Ahmeti.

    Kjo çështje penale është trajtuar në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga: Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare).

    Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca./Kallxo.com/

  • Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Ka filluar mbledhja e 371-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku në rendin e ditës është edhe pika në të cilën do të diskutohet vendimi për gjyqtarët serbë të dorëhequr.

    Në pikën e 9-të të rendit të ditës është diskutimi rreth kërkesës së u.d. presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

  • Borë në korrik në Dobërdol të Podujevës, pamje të pazakonta nga reshjet

    Borë në korrik në Dobërdol të Podujevës, pamje të pazakonta nga reshjet

    Reshjet e borës kanë zbardhur Dobërdolin e Pejës, duke sjellë pamje të pazakonta për muajin korrik.

    Dobërdoli, i njohur si një vendbanim alpin në zonën kufitare me Malin e Zi dhe një ndër destinacionet më të frekuentuara gjatë verës, është mbuluar nga bora pas rënies së ndjeshme të temperaturave.

    Pamjet e publikuara nga kjo zonë tregojnë peizazhe dimërore në mes të verës, një fenomen i rrallë për këtë periudhë të vitit. /Ekonomiaonline

  • Incident në hapësirën ajrore të NATO-s: F-16 rumun rrëzon një dron

    Incident në hapësirën ajrore të NATO-s: F-16 rumun rrëzon një dron

    Një avion luftarak rumun F-16 ka rrëzuar një dron që hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë, tha Presidenti Nicuşor Dan, duke shënuar një incident të ri në hapësirën ajrore të një anëtari të NATO-s.

    “Këtë mëngjes rreth orës 11:00, një pilot rumun në një avion luftarak F-16 rrëzoi një dron që hyri në hapësirën ajrore të vendit tonë”, shkroi Dan në rrjetet sociale.

    Ai shtoi se incidenti ndodhi mbi një zonë të pabanuar, që do të thotë se droni mund të ishte rrëzuar pa rrezikuar popullsinë.

    “Ekipet nga institucionet përkatëse po kërkojnë aktualisht zonën për të përcaktuar të gjitha rrethanat e incidentit”, tha presidenti, pa zbuluar origjinën e dronit.

    Ministria rumune e Mbrojtjes tha se droni u rrëzua pranë Padinës, në rajonin lindor të Buzaut.

    Rumania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që ndan rreth 650 kilometra kufi tokësor me Ukrainën, ka raportuar vazhdimisht ndërhyrje me dron në hapësirën e saj ajrore që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, kryesisht gjatë sulmeve ruse në portet ukrainase.

    Në fund të majit, një dron goditi një pallat apartamentesh në Rumani, duke plagosur dy persona. Ishte hera e parë që një zonë me popullsi të dendur të një anëtari të NATO-s goditej në luftën në Ukrainë, me civilë të plagosur.

  • Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pavarësisht pranisë së madhe të vendeve evropiane në listë, Singapori ka ruajtur vendin e parë në Indeksin e Pasaportave Henley për të dytin vit radhazi.

    Tre vende u renditën në vendin e dytë: Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me qasje pa viza në 188 destinacione, ndërsa Singapori kryeson me 192 destinacione.

    Indeksi, i cili përdor të dhëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) për numrin e vendeve ku mund të udhëtojnë qytetarët pa vizë paraprake, këtë vit shënon 20-vjetorin e tij.

    Suedia u rendit në vendin e tretë me qasje në 187 vende. Pas saj, me qasje në 186 destinacione, u renditën Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.

    Në pesëshen e parë u përfshinë edhe Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra.

    Edhe pse 29 vende evropiane janë në mesin e 10 pasaportave më të fuqishme, disa shtete vazhdojnë të mbeten prapa.

    Mbajtësit e pasaportës së Bjellorusisë mund të udhëtojnë pa vizë në vetëm 78 vende, duke u renditur në vendin e 62-të. Ndërsa pasaporta e Kosovës renditet pak më lart, në vendin e 60-të, së bashku me Kinën, me qasje pa vizë në 83 vende.

    Megjithatë, Kosova ka bërë përparim të madh vitet e fundit, duke u ngjitur 35 vende në renditje që nga viti 2016.

    Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi që ka shënuar rritjen më të madhe gjatë 20 viteve të fundit. Ato tani renditen të dytat në botë, pasi janë ngjitur 60 vende dhe kanë fituar qasje në 153 destinacione më shumë.

    Vitin e kaluar, Emiratet ishin në vendin e 10-të, ndërsa tani kanë kaluar Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë.

    Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 10-të, me qasje në 180 vende, duke mbetur në të njëjtën pozitë si në vitin 2025, kur kishin arritur nivelin më të ulët historik në këtë indeks.

    Christian H. Kaelin, kryetar i kompanisë Henley & Partners, tha se fuqia e pasaportës sot luan një rol të rëndësishëm në mundësitë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ekonomike, ndërsa përfitimet e lëvizjes globale janë gjithnjë e më shumë të përqendruara te vendet më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht, shkruan Euronews.

  • Përparim Rama vlerëson Yll Limanin: I ndan mirënjohje për kontributin në muzikë

    Përparim Rama vlerëson Yll Limanin: I ndan mirënjohje për kontributin në muzikë

    Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama ka pritur sot në takim këngëtarin e njohur shqiptar Yll Limani, të cilit i ka ndarë një mirënjohje për kontributin e tij në fushën e artit dhe kulturës.

    Sipas njoftimit të Kryeqytetit, Rama e ka falënderuar Limanin për promovimin e muzikës shqiptare, përfaqësimin dinjitoz të Prishtinës dhe ndikimin pozitiv që ka te brezat e rinj përmes krijimtarisë së tij muzikore.

    “Ylli mbetet një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare dhe një ambasador i denjë i talentit dhe kulturës sonë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit është vlerësuar roli i artistëve në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe kontributi i tyre në skenën vendore dhe ndërkombëtare.

  • Seanca konstituive më 6 gusht, Cakolli: Mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

    Seanca konstituive më 6 gusht, Cakolli: Mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

    Sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka caktuar për 6 gusht në ora 10:00 seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    E lidhur me këtë ka reaguar sot Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Cakolli në një postim në Facebook shkruan se caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

    Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit.

    Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar.

    Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër.

    Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiak.

  • AKB: Kosova rrezikon të humbasë qindra milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

    AKB: Kosova rrezikon të humbasë qindra milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

    Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve të parapara nga Bashkimi Evropian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes, ka paralajmëruar Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB).

    Sipas AKB-së, vonesat e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara nga ky plan kanë ndikuar në ritmin e përfitimit të fondeve evropiane, duke e vendosur vendin në një pozitë më të pafavorshme krahasuar me shtetet tjera të rajonit.

    Kosova ka në dispozicion 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për periudhën 2024–2027, por deri më tani ka përfituar vetëm 61 milionë euro në formë parafinancimi, që përbëjnë rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme. Ndërkohë, sipas AKB-së, vendi ende nuk ka marrë pagesa të rregullta nga ky mekanizëm financiar.

    AKB thekson se Kosova ishte vendi i fundit në rajon që dorëzoi raportin për zbatimin e reformave, duke e bërë këtë vetëm pak para përfundimit të afatit. Sipas organizatës së bizneseve, kjo tregon mungesë të planifikimit strategjik, koordinimit institucional dhe përgjegjësisë ndaj një procesi me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

  • ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet

    ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore shënoi rritje në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025

    ASK njofton se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, gjersa grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

    “Në TM2 2026, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 10.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2,9%,krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjersa Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 6,3 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

    Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

    Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

    Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.

    Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

    Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

    ASK njofton të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.