ATV

Author: K.B.

  • ATK nis aksion në sektorin e dasmave, paralajmëron kontrolle të shtuara

    ATK nis aksion në sektorin e dasmave, paralajmëron kontrolle të shtuara

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar veprimet operative në sektorin e shërbimeve që ofrohen në ahengje dhe dasma, me qëllim të rritjes së nivelit të zbatimit të obligimeve tatimore.

    Sipas njoftimit, kontrollet do të përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë sallat e dasmave dhe hotelet, kompanitë që ofrojnë shërbime catering, këngëtarët dhe grupet muzikore, DJ-të, videografët dhe fotografët, ofruesit e veshjeve ceremoniale, makeup artistët, hairstylistët, dekoruesit e ambienteve, organizatorët e eventeve, kompanitë për ndriçim dhe efekte speciale, shërbimet “Rent a Car”, ëmbëltoret që përgatisin torta dhe ëmbëlsira për dasma, si dhe luleshitësit.

    ATK u ka bërë thirrje qytetarëve dhe klientëve që kanë shfrytëzuar këto shërbime të bashkëpunojnë me institucionin në kuadër të këtyre veprimeve operative.

    Raportimi i rasteve të dyshuara për parregullsi mund të bëhet përmes platformës DENONCO https://crmm.atk-ks.org/sq/Public/WantToReport ose duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve të Administratës Tatimore të Kosovës në numrin 038 222 165.

  • Thellohet tragjedia në Fier, ndërron jetë në spital edhe ish-vjehrra e autorit Refit Buzi

    Thellohet tragjedia në Fier, ndërron jetë në spital edhe ish-vjehrra e autorit Refit Buzi

    Pas disa orësh në sallën e operacionit, Belere Plaka nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.

    Në orët e para të mëngjesit të së premtes, Nertil Buzi vrau pas një konflikti ish-vjehrrin e tij në fshatin Vidhisht, plagosi ish-vjehrrën dhe rrëmbeu ish të fejuarën e tij.

    Ekipet RENEA mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me Drejtorinë e Policisë së Fierit, nisën negociatat me Nertil Buzin, shkruan A2.

    Fillimisht, 35-vjeçari la të lirë ish të fejuarën dhe kërcënoi se do të vriste veten. Nëntë orë negociata nuk mjaftuan që Nertil Buzi të dorëzohej te autoritetet, duke u vetëvrarë me po të njëjtën armë që kreu krimin.

    Menjëherë pas ngjarjes reaguan edhe prindërit e Nertil Buzit, duke thënë se shkak i konfliktit ishin një shumë e konsiderueshme parash.

    Nertil Buzi dyshohet për të shkuar kriminale edhe në Londër, pasi në vitin 2022 u mbajt peng nga disa persona për 12 ditë, duke i kërkuar familjes Buzi shumën prej 400 mijë paund në këmbim të lirisë së tij.

  • KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që kanë qenë në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.

    MINTI ka bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

    Ky veprim, sipas ministrisë, vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

    MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë, që t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose përmes adresës elektronike [email protected].

  • Mbindërtimi pa leje rrënohet në Dardani, Rama: Ligji vlen për të gjithë

    Mbindërtimi pa leje rrënohet në Dardani, Rama: Ligji vlen për të gjithë

    Një mbindërtim pa leje në lagjen Dardania të Prishtinës është rrënuar.

    Me këtë rast, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka theksuar se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

    Rama njoftoi për aksionin e rrënimit, duke e cilësuar atë si pjesë të përkushtimit të institucioneve për mbrojtjen e rendit urban dhe interesit publik.

    “Rrënohet mbindërtimi pa leje në Dardani. Ligji vlen për të gjithë”, ka shkruar Rama.

    Ai njëherësh ka falënderuar qytetarët që raportojnë raste të parregullsive, duke vlerësuar se angazhimi i tyre ndihmon në ruajtjen e rendit urban në Kryeqytet.

    “Faleminderit qytetarëve aktivë që vazhdojnë të raportojnë parregullsitë në Kryeqytet. Bashkë po mbrojmë rendin urban dhe interesin publik”, është shprehur Rama.

  • Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari -Lila, e cila me partinë e saj “Alternativa” është pjesë e koalicionit me LVV-në që fituan zgjedhjet e fundit, në EURO n’T7 ka thënë se shkuarja eventuale në zgjedhje prapë gjatë vitit 2026 nuk mund të prodhojë rezultat ndryshe nga ai që kishim në zgjedhjet e fundit.

    Ajo ka deklaruar se çështja e presidentit mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

    “Ne i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë dhe Kuvendin, por nuk i kemi votat për zgjedhjen e presidentit. Për me zgjedh presidentin nevojiten 80 vota të paktën dhe të jenë në tri raundet e votimit prezent në sallë dhe të jenë 80 vota në kuti. Kjo është pika ose momenti që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje ose edhe mund ta shpëtojë vendin edhe nga një palë zgjedhje gjatë vitit 2026. Nuk e kemi interesin aspak për zgjedhje të reja, sepse po e shohim që cikël pas cikli zgjedhor nuk po prodhohet diçka e re, po lëvizin dy-tre deputetë në numra të përgjithshëm. P.sh. PDK-ja nuk ka ndryshuar fare në numrin e deputetëve, ne kemi humbur 5 deputetë, por nuk ka pasur diçka që të ndërrojë dramatikisht situatën në vend. LDK-ja i fitoi 3 deputetë, nuk ka ndryshim dramatik, ata prapë mbeten në vendin e tretë, aty ku ishin edhe para këtij procesi zgjedhor”, ka thënë Kusari Lila.

  • Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

    Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

    Policia e Kosovës përmes një komunikate për media kanë thënë se Esat Shala është intervistuar sot në cilësinë e personit të dyshuar. Kjo pasi ndaj tij është bërë ankesë për kanosje nga personi që Shala e ka përmendur si të dyshuar për krime lufte.

    Njoftimi i plotë:

    Komunikatë për media

    Sot, më datë 24.07.2026, personi mashkull Sh.B., është paraqitur në Stacionin Policor në Prizren dhe ka paraqitur ankesë, duke pretenduar se pas publikimit të një interviste në media, në të cilën ai është përmendur si i dyshuar për krime lufte, ai ndihet i kanosur.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Kanosje”.

    Personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, mashkull E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.

    Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari E.SH. është liruar në procedurë të rregullt.

    Për informata të tjera lidhur me rastin , ju lutemi t’i drejtoheni prokurorisë kompetente.

  • Esat Shala thotë se është intervistuar nga Policia pasi personi që e ka përmendur e ka denoncuar për kanosje

    Esat Shala thotë se është intervistuar nga Policia pasi personi që e ka përmendur e ka denoncuar për kanosje

    Esat Shala, i njohur për aktivitetin e tij rreth dokumentimit të krimeve të luftës të kryera në Kosovë, në një intervistë televizive gjatë ditës së enjte ka shfaqur pretendime për një qytetar nga Prizreni se ka marrë pjesë në Masakrën e Krushës.

    Shala kishte deklaruar se do të vepronte personalisht ndaj tij, nëse shteti s’do të ndërmerrte veprime.

    Këto fjalë të tij kanë bërë që personi i apostrofuar të ankohet në Polici, gjë të cilën e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Prizrenit.

    Shaqir Bytyqi ka thënë për Express se personi i apostrofuar nga Shala është paraqitur në Polici si ankues dhe pas intervistimit është liruar.

    Në polici deklaratë ka dhënë edhe Esat Shala. Ky i fundit në një bisedë për Express ka treguar se është intervistuar në polici, meqë personi që e ka përmendur në intervistë e ka denoncuar për kanosje.

    “Po më kanë intervistu. Sipas rregullave, por s’më kanë arrestuar”, ka thënë Shala.

    “Ai më ka denoncu mu atje për kanosje. Që kam folë, që kam thanë kam me arrestu me kindapu”, ka sqaruar Shala.

  • Qeveria në detyrë mban mbledhje, merr disa vendime

    Qeveria në detyrë mban mbledhje, merr disa vendime

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku janë ka miratuar 12 vendime.

    Sipas njoftimit, në mesin e vendimeve, ekzekutivi ka ndarë mjete financiare në shumën prej 9,480.00 euro për mbështetjen e realizimit të programit “OringinAL”, i cili promovon Republikën e Kosovës në nivel ndërkombëtar përmes forcimit të imazhit pozitiv të Republikës së Kosovës, promovimin e potencialit të saj turistik, kulturor dhe zhvillimor, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me diasporën në funksion të zhvillimit afatgjatë të vendit.

    Gjithashtu, është themeluar Këshilli Kombëtar i Arteve, i cili konsiderohet një mekanizëm i rëndësishëm institucional që do të forcojë zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës, duke garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe përfaqësim të denjë të komunitetit artistik.

    Pos tjerash, qeveria tha se ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 05/16, të datës 30 prill 2026, përmes të cilit Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë financiarisht vetëm specializantet lehona, të cilat janë kthyer nga pushimi i lehonisë dhe, si pasojë e ndërprerjes së vijimit të programit specialistik gjatë kësaj periudhe, nuk i kanë përfunduar modulet/ciklet e trajnimit specialistik të parapara sipas programit të specializimit, për periudhën nga 1 nëntor 2025 deri më 31 dhjetor 2026.

    Këto janë të gjitha vendimet e mbledhjes së sotme:

    Miratuar Rregulloren për Zhvillimin e Procedurave të Rekrutimit për Zjarrfikës, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për pranimin e zjarrfikësit në Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në pajtim me parimet themelore të përcaktuara në Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtar Publikë.

    Miratuar vendimin për qiradhënie për sipërfaqen prej 61402.9 m², Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, sipas kërkesës nga Agjencia Pyjore e Kosovës/Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vite për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

    Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës prej rreth 30 ari, nga parcela kadastrale e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës — Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për Ministrinë e Drejtësisë. Dhënia në shfrytëzim e kësaj prone Ministrisë së Drejtësisë do të kontribuojë në krijimin e kushteve të përshtatshme infrastrukturore për realizimin e nevojave institucionale të kësaj ministrie, në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në racionalizimin e kostove operative.

    Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 05/16, të datës 30 prill 2026, përmes të cilit Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë financiarisht vetëm specializantet lehona, të cilat janë kthyer nga pushimi i lehonisë dhe, si pasojë e ndërprerjes së vijimit të programit specialistik gjatë kësaj periudhe, nuk i kanë përfunduar modulet/ciklet e trajnimit specialistik të parapara sipas programit të specializimit, për periudhën nga 1 nëntor 2025 deri më 31 dhjetor 2026.

    Miratuar vendimin për Kornizën për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës, që do të shërbejë si një model që siguron një qasje të unifikuar për zhvillimin e aftësive digjitale thelbësore për qeverisje efektive, ofrimin e shërbimeve dhe inovacionin në një mjedis digjital.

    Miratuar në parim Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”, e cila do të jetë parakusht për implementimin e plotë të ‘EU Roaming Acquis’. Kjo Marrëveshje krijon kornizën për përfshirjen graduale të Republikës së Kosovës në regjimin “EU Roam Like Home”, duke mundësuar përdorimin e shërbimeve roaming pa tarifa shtesë ndërmjet Kosovës dhe shteteve pjesëmarrëse, pasi të plotësohen kushtet e parapara.

    Miratuar në parim Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, për Projektin e Zgjerimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë.

    Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve në shumën prej 2,000,000.00€ (dy milionë eurosh), në Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nënprogrami “Administrata qendrore”, nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti kapital “Programi për Grantin e Performancës Komunale”, në 15 (pesëmbëdhjetë) projekte kapitale, në përputhje me 15 (pesëmbëdhjetë) marrëveshjet për mbështetje financiare, për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave përkatëse.

    Themeluar Këshillin Kombëtar të Arteve, një mekanizëm i rëndësishëm institucional që do të forcojë zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës, duke garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe përfaqësim të denjë të komunitetit artistik, në këtë përbërje:
    1.1. Yll Rugova, përfaqësues nga fusha e arteve pamore;

    1.2. Baki Jashari, përfaqësues nga fusha e muzikës klasike dhe operës;

    1.3. Visare Aliu, përfaqësuese nga fusha e teatrit;

    1.4. Afrim Spahiu, përfaqësues nga fusha e filmit dhe fusha audiovizuale;

    1.5. Ardianë Pajaziti, përfaqësuese nga fusha e letërsisë dhe librit;

    1.6. Visar Munishi, përfaqësues nga fusha e këngëve dhe valleve folklorike;

    1.7. Aulona Nuhiu, përfaqësuese nga fusha e baletit dhe vallëzimit modern;

    1.8. Alberta Troni, përfaqësuese nga institucionet akademike dhe kërkimore në fushën e artit dhe kulturës;

    1.9. Arif Muharremi, përfaqësues nga sektori i pavarur kulturor që përfshin organizatat, institutet dhe shoqatat e fushës së artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura me kulturën;

    1.10. Artnet Haskuka, përfaqësuese nga fushat e ndërlidhura me kulturën, si dizajni, arkitektura apo fusha të ndërlidhura me industrinë kreative;

    1.11. Visar Haxhibeqiri, përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës.

    Ndarë mjete financiare në shumën prej 9,480.00 euro, (nëntë mijë e katërqindetetëdhjetë eurosh), për mbështetjen e realizimit të programit “OringinAL”, i cili promovon Republikën e Kosovës në nivel ndërkombëtar përmes forcimit të imazhit pozitiv të Republikës së Kosovës, promovimin e potencialit të saj turistik, kulturor dhe zhvillimor, si deh në zgjerimin e bashkëpunimit me diasporën në funksion të zhvillimit afatgjatë të vendit.

    Miratuar Propozimin e Ministrisë së Financave për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e Autorizimit Ministrit të Financave, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

    Riaprovuar Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

  • Paunoviq s’ndalet: Jo vetëm që nuk kërkon falje, por e rikonfirmon deklaratën për “spastrimin etnik” të Kosovës

    Paunoviq s’ndalet: Jo vetëm që nuk kërkon falje, por e rikonfirmon deklaratën për “spastrimin etnik” të Kosovës

    Ministrja serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ka thelluar edhe më tej skandalin e shkaktuar nga deklaratat e saj për Kosovën, duke mos kërkuar falje, por duke e rikonfirmuar publikisht qëndrimin se do të kryente “spastrimin etnik” të Kosovës. Derisa foli për Euronews Serbia, ajo deklaroi se edhe sot do ta “spastronte etnikisht Kosovën nga terroristët”, duke këmbëngulur se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se kishte pasur parasysh vetëm ushtarët e UÇK-së.

    Ndonëse deklarata e saj fashiste nxiti reagime të shumta në Kosovë, rajon e BE, Paunoviq tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në qëndrimin e saj, duke pretenduar se i ishte referuar “terroristëve”.

    Ajo madje e përsëriti këtë qëndrim, duke deklaruar se në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën: “Në vitin 1998 do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën… Ndërkohë tani është viti 2026. Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga terroristët!”

    “Kush guxon ta bëjë këtë? Kush është ai në Evropë që guxon të merret me këtë çështje në këtë mënyrë, ose edhe më keq, të mos merret fare me këtë, por të merret me një ministre që ka thënë: ‘Ah, në vitin 1998 do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën…’. Ndërkohë tani është viti 2026. Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga terroristët! Po, do ta kisha bërë – jo vetëm Kosovën, por do ta pastroja tërë botën nga terroristët për hir të viktimave të pafajshme, gjithmonë! Çfarë ka këtu të diskutueshme?”, deklaroi ajo të premten.

    Megjithatë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në praktikën e tribunaleve ndërkombëtare, termi “spastrim etnik” përdoret për të përshkruar largimin me forcë të një popullsie civile nga një territor për shkak të përkatësisë etnike, fetare ose kombëtare. Ai nuk përdoret për operacione kundër personave të cilësuar si terroristë, çka edhe më parë, e ka bërë deklaratën e Paunoviqit objekt kritikash dhe reagimesh.

    Ndërkohë, Paunoviq, në paraqitjen e saj të sotme televizive, nuk u ndal vetëm në përpjekjen për të arsyetuar deklaratën e saj të mëparshme për “spastrimin etnik të Kosovës”, por adresoi edhe një sërë deklaratash të reja kontroverse ndaj Bashkimit Evropian, institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve ndërkombëtarë.

    Një nga kritikat më të ashpra ishte drejtuar komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila më herët kishte vlerësuar se deklaratat e ministres janë të papranueshme për një anëtare të Qeverisë së Serbisë.

    Ajo e akuzoi Kos për qasje selektive, duke pretenduar se nuk ka reaguar asnjëherë për pozitën e serbëve në Kosovë apo për, sic pretendoi ajo, sulmet ndaj komunitetit serb.

    “Që Marta Kos ka reaguar, është e drejta e saj. Më vjen keq që ajo nuk ka reaguar kurrë ndaj thirrjeve tona për ta ndalur terrorin ndaj serbëve, i cili, sipas saj, zhvillohet hapur para syve të gjithë opinionit botëror, ndërsa të gjithë heshtin. Më vjen keq që nuk ka pyetur kurrë se kush janë vrasësit e fëmijëve në Bistricë të Gorazhdecit; më vjen keq që nuk ka pyetur kush qëlloi mbi djalin që vetëm po mbante badnjakun. Ka shumë gjëra për të cilat më vjen keq. Më vjen keq që nuk pyet se si është e mundur që nga 250 mijë serbë asnjëri nuk është kthyer, se që nga viti 2006 nuk kanë ku të kthehen. Më vjen keq që nuk pyeti: ‘Pse i shkatërruat varrezat, çfarë ju kishin bërë të vdekurit?’ Më vjen keq që nuk pyet: ‘Nga ju lindi ideja të krijoni Kishën Ortodokse të Kosovës?’ e kështu me radhë”, tha Paunoviq teksa kritikoi e akuzoi Kos.

    Derisa shkoi edhe më larg, Paunoviq tha se “nuk do ta shpreh mendimin e saj personal për Marta Kos, pasi respekton institucionet”.

    “Nëse ky është qëndrimi personal i zonjës Marta Kos, është legjitim. Unë nuk do ta shpreh mendimin tim personal për të, duke respektuar institucionet, por një gjë është e sigurt: për një bashkëjetesë cilësore në Evropë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, unë kam luftuar shumë më gjatë dhe shumë më intensivisht sesa zonja Marta Kos. Nuk mendoj se jam më e madhe se ajo, por se kam qenë dikush që e ka kuptuar se, pavarësisht të gjitha plagëve, duhet ecur përpara. Kjo ishte ajo që jam përpjekur të bëj”, pretendoi Paunoviq.

    Ajo sërish shtrembëroi të vërtetën duke u munduar të dezinformojë se gjoja më ’99 u krye “spastrim etknik ndaj serbëve, në vitin 1999”. Madje, ajo dezinformoi sërish duke pretenduar rrejshëm se, “spastrimi etnik ndaj serbëve vazhdon edhe sot”.

    “A kam pasur sukses? Nëse flasim për territorin nga i cili jam dëbuar, jo. Përkundrazi, jemi kthyer prapa. Ai spastrim etnik që, u bë ndaj serbëve në vitin 1999, e më pas u thellua në vitin 2004, vazhdon ende edhe sot. Edhe kjo fushatë kundër meje është në një masë të madhe përpjekje për të ushtruar presion shtesë”, pretendoi Paunoviq.

    Kujtojmë se, Paunoviq, për deklaratat skandaloze për spastrim etnik të Kosovës i ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por jo shqiptarëve./KP/

  • Masa të reja në Kroaci – kufizohet sasia e blerjes së karburantit

    Masa të reja në Kroaci – kufizohet sasia e blerjes së karburantit

    Kompanitë kroate, INA dhe Petrol kanë vendosur kufizime për sasinë e karburantit që mund të blihet në pikat e tyre të karburantit, pasi në publik kanë dalë informacione për çmime të reja të mundshme, sipas të cilave karburanti pritet të shtrenjtohet ndjeshëm të martën, veçanërisht nafta.

    “Të nderuar dhe të respektuar klientë, ju njoftojmë se nga 24 korriku 2026 vendoset një kufizim i përkohshëm i shitjes së karburantit, i cili do të jetë në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm. Në përputhje me vendimin e marrë, sasia maksimale e karburantit për një furnizim është: 300 litra për furnizim. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e vendosur në një nga pikat e karburantit të INA-s.

    Sipas portalit kroat Regionalexpress, në pikën e karburantit të Petrolit në rrugën Mutilska në Pula, nga sot ka hyrë në fuqi kufizimi i përkohshëm i shitjes së karburantit, shkruan index.hr.

    As kompania Petrol nuk ka bërë të ditur arsyen e vendosjes së kufizimit, ndërsa në njoftimin për klientët ka falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

    Sipas modelit aktual të llogaritjes së çmimeve, një litër Eurosuper 95 pritet të shtrenjtohet me 11 centë, duke arritur çmimin e ri prej 1.65 euro për litër.

    Rritja më e madhe pritet për Eurodizelin, i cili me një shtrenjtim prej 22 centësh do të kushtojë 1.81 euro për litër.

    Ndërkohë, çmimi i dizelit blu pritet të rritet me 24 centë, duke arritur në 1.26 euro për litër.