ATV

Author: K.B.

  • Antikontrabanda në Ferizaj sekuestron mallra të falsifikuara

    Antikontrabanda në Ferizaj sekuestron mallra të falsifikuara

    Ne regjionin e Ferizajt, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, gjatë aktiviteteve operative në terren për parandalimin e kontrabandës, kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet të dyshimtë, i cili dyshohej se vinte nga vija e gjelbër kufitare.

    Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë hasur në një sasi të konsiderueshme të mallrave pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre.

    Pas numërimit dhe verifikimit të mallit, janë evidentuar gjithsej 2,324 artikuj, përkatësisht 654 çanta dhe 1,670 kuleta të markave të ndryshme të njohura ndërkombëtare, për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

    Malli është ndaluar dhe vendosur nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

    Sipas vlerësimit fillestar, vlera e përafërt e mallit të ndaluar është rreth 9,500 euro.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme, duke mbrojtur tregun e ligjshëm dhe duke parandaluar qarkullimin e mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.

  • “Po na ndajnë në ne dhe ata”, Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

    “Po na ndajnë në ne dhe ata”, Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

    Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Albin Kurti bashkë me të vetët kanë një qëllim politik.

    Siaps Tahiri, ky qëllim është që ta mbajnë diskursin publik e politik të bllokuar në temat ku është tash e disa ditë.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se synimi i tyre strategjik nuk është vetëm të na ndajnë në “ne” dhe “ata”, por edhe të na largojnë vëmendjen nga temat që i japin kuptim jetës së qytetarëve.

    Postimi i tij i plotë:

    Albin Kurti me të vetët kanë një qëllim të madh politik, ta mbajnë diskursin publik e politik të bllokuar në temat ku është tash e disa ditë.

    Ata nuk duan që të flasim për faktin se në shumë qytete të Kosovës sot nuk ka rrymë, se në QKUK mungojnë penjët, kushtet dhe ilaçet, ndërsa i vetmi burim që e mban sistemin në këmbë janë mjekët e motrat e përkushtuar, human dhe profesional.

    Nuk duan që të flasim për çmimet e ushqimeve që kanë shkuar në hava, as për ekonominë që është gati para falimentimit, e as për arsimin që është lënë anash.

    Pra, synimi i tyre strategjik nuk është vetëm të na ndajnë në “ne” dhe “ata”, por edhe të na largojnë vëmendjen nga temat që i japin kuptim jetës së qytetarëve dhe të mos flasim për hallet e përditshme që po ua zënë frymën secilit prej nesh.

    Kjo betejë politike nuk është e pamundur të fitohet, por duhet zgjuarsi dhe fokus.

    E drejta është në anën tonë.

  • Sulmet e Mihalit ndaj Lushtakut e Ramës – Përplasen edhe Sadiku e Matoshi: ‘‘Apetiti i Kurtit’’, ‘‘Veç kallxone veten”

    Sulmet e Mihalit ndaj Lushtakut e Ramës – Përplasen edhe Sadiku e Matoshi: ‘‘Apetiti i Kurtit’’, ‘‘Veç kallxone veten”

    Përgjatë ditëve të fundit, akterë të partive politike në vend janë përfshirë në përplasje përmes deklarimeve të ndryshme të bëra në rrjetet sociale. Pjesë e këtyre përplasjeve janë bërë edhe Ermal Sadiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe, Adriana Matoshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sadiku, për përplasjet ka akuzuar liderin e VV’së, Albin Kurti, duke thënë se këtij të fundit ‘’iu kthyen apetitet për pushtet absolut’’ pas numërimit të votave me postë. Kontekst, në të cilin, siç ka thënë Sadiku, duhen parë edhe deklaratat e Dejona Mihalit.

    Postimi i Sadikut:

    Pas rezultateve në Kosovë, me 42.9%, Kurti e kuptoi se nuk mund të vazhdonte me bllokadë. Shpalli fitoren dhe deklaroi se do të bashkëpunonte me opozitën.

    Me numërimin e votave me postë, iu kthye apetiti për pushtet absolut, ose alternativisht për bllokadë dhe zgjedhje të përsëritura.

    Pikërisht në këtë kontekst duhen parë edhe deklaratat e Dejones sot: sulme ndaj figurave të luftës, ndaj kryetarit të Prishtinës dhe ndaj opozitës. Ofendime të qëllimshme që dëmtojnë çdo mundësi bashkëpunimi apo zgjidhjeje.

    Kjo nënkupton qartë se qëllimi i tyre është bllokada dhe zgjedhjet e përsëritura. Siç ka thënë edhe vetë ai, synimi është të shkojnë deri te 80 deputetë.

    Ndaj Sadikut ka reaguar Matoshi e VV’së. Kjo e fundit, në reagimin e saj ka shtruar pyetjen ndaj Sadikut duke i thënë se ‘’edhe ty t’dul rend me mbrojt Sami Lushtakun a?’’.

    Postimi i Matoshit:

    Khuuuuu

    Ermal Sadiku i ldk paska thone, Dejona po i sulmon figurat e luftes.

    Qyqe, edhe ty t’dul rend me mbrojt Sami Lushtakun a?

    Taman po mendoj qe s’keni ku me shku ma poshte, veq kur m’befasoni hala ma shume.

    Po gaboni mu ndal, dej n’fund qeshtu.

    Veç kallxone veten se na knaqet.

    Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, Dejona Mihali nga VV’ja ka sulmuar kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun, dhe, kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, duke përdor gjuhë të ashpër ndaj tyre.

  • Deputetët e ardhshëm të VV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës: Kush fitoi e kush mbetet jashtë?

    Deputetët e ardhshëm të VV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës: Kush fitoi e kush mbetet jashtë?

    Emrat e përfaqësuesve të popullit në organin më të lartë legjislativ në vend pothuajse janë bërë të qartë.

    Me numërimin e mbi 97 për qind të votave në tërësi, procesi po shkon drejt fundit dhe tashmë dihet për numrin e mandateve në secilën parti politike.

    Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse apo 47.15 për qind të votave.

    Në krye janë ata që kanë qenë të parët në listë, ndërsa ka emra të rinj që do të jenë për herë të parë në Kuvend, por megjithatë dikush e ka humbur mandatin, si ish-ministrja Rozeta Hajdari, Fatos Geci e Naim Bardiqi.

    Partia Demokratike e Kosovës, si e dyta, ka 22 mandate apo 19.45%

    Kreu i partisë është i pari dhe pas tij janë dy prej emrave që janë votuar më së shumti në dy palë zgjedhjet e fundit, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, pasuar me kandidatët që kanë qenë deputetë në legjislaturën e kaluar.

    Kësaj radhe ka arritur të sigurojë ulëse edhe Eliza Hoxha, e cila më 28 dhjetor nuk u bë deputete

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 18 ulëse apo 16.71 për qind.

    Përveç ish-presidentes Vjosa Osmani e cila futet në Parlamentin e Kosovës, krah saj do të jenë edhe ish-deputetët e kësaj partie politike që kishin siguruar mandate edhe në zgjedhjet e kaluara.

    Në mesin e ardhjeve të reja te ky subjekt politik pas ribashkimit, e vetmja që ka siguruar ulëse është Albena Reshitaj.

    Kësaj radhe, edhe Paris Guri ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

    Aleanca do të futet në Kuvend me shtatë deputetë apo 6.62 për qind pas rritjes në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Megjithatë, emrat pritet të ndryshojnë sepse kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se do ta lëshojë karrigen e deputetit. Njësoj do të veprojë edhe Daut Haradinaj.

    Se kush janë të gjithë kandidatët që pritet të bëhen deputetët e ardhshëm të Kosovës mund t’i gjeni në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

  • ​ASK: Konsumi i energjisë elektrike u rrit mbi 5 për qind në prill

    ​ASK: Konsumi i energjisë elektrike u rrit mbi 5 për qind në prill

    Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), konsumi i energjisë elektrike në prill arriti në 460.66 GWh, që paraqet rritje prej 5.58 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.

    Megjithatë, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 567.64 GWh, duke regjistruar një rënie të lehtë prej 0.07 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

    ASK bën të ditur se energjia elektrike alternative përbënte 16.36 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend.

    Sa i përket shkëmbimeve energjetike, gjatë muajit prill 2026 Kosova importoi 335.29 GWh energji elektrike, ndërsa eksportoi 203.27 GWh, ku përfshihet edhe sasia e transmetimit.

    Sipas ASK-së, prodhimi i thëngjillit për muajin prill 2026 ishte 826 993 mijë ton, që paraqet një rritje prej 20,70 % krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

    Këto të dhëna janë pjesë e publikimit mujor “Statistikat e Energjisë”, i cili paraqet tregues mbi prodhimin, konsumin, importin dhe eksportin e energjisë në Kosovë.

  • Kusari-Lila: Çmimet e derivateve po stabilizohen, vendimi për marzhën mbetet në fuqi deri muajin e ardhshëm

    Kusari-Lila: Çmimet e derivateve po stabilizohen, vendimi për marzhën mbetet në fuqi deri muajin e ardhshëm

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë janë ndikuar drejtpërdrejt nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, por ka theksuar se ditëve të fundit po vërehet një stabilizim gradual i tyre.

    Në një prononcim për Ekonomia Online, Kusari-Lila tha se rritja e çmimeve në Kosovë ka reflektuar rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare, përderisa mekanizmi i kontrollit përmes marzhës së fitimit ka vazhduar të zbatohet.

    “Çmimet në Kosovë kanë qenë drejtpërdrejt të ndikuara nga çmimet e berzës. Për shkak se shumica e furnizimit në Kosovë vjen nga burime të tjera, por për shkak se çmimi në stoqet ndërkombëtare është rritur, reflekton tek ne në rritjen e çmimit dhe rrjedhimisht edhe në mekanizmin tonë për kontrollimin e çmimit përmes marzhës së fitimit”, tha ai.

    Sipas saj, tashmë kanë filluar të shfaqen shenja të rënies së lehtë të çmimeve dhe të stabilizimit të tregut.

    “Tashmë ka filluar të ndjehet rënie e lehtë e çmimit, do të thotë në bazë ditore po vërehet se po stabilizohet, por duke marrë parasysh se duhet pak kohë për të parë stabilitetin edhe të marrëveshjes së arritur tashmë të publikuar, unë besoj që nëse ajo tregohet brenda disa javëve, me siguri që do të kemi një stabilitet të plotë të çmimit të derivateve edhe në Republikën e Kosovës ashtu sikurse edhe në tërë botën bazuar në vlerën apo çmimin ditor të stoqeve”, tha ajo.

    Duke folur për masat e ndërmarra nga ministria, ajo tha se ka pasur respektim të vendimit për përcaktimin e çmimit në bazë të vlerës mesatare të 10 milionë litrave derivate.

    “Ne në fakt kemi qenë duke e përcjellë vazhdimisht respektimin e vendimit të Ministrisë. Mund të them se prej se kemi kaluar në vendosjen e çmimit në bazë të vlerës mesatare të çmimit në 10 milionë litra, ka pasur një respektim në masë të këtij vendimi, në bazë ditore është ditur sa është çmimi i derivateve dhe në bazë ditore është përcjellë në të gjitha pikat. Ky vendim vazhdon të jetë në fuqi deri me datën 4 të muajit të ardhshëm. Do të thotë, me 4 qershor kam nënshkruar vendimin i cili ka afat njëmujor”, tha ajo.

    Ministrja në detyrë shtoi se institucionet do të vazhdojnë monitorimin e tregut para se të vendosin nëse masa do të vazhdojë apo do të rikthehet përcaktimi i çmimeve sipas tregut të lirë.

    “Ne kemi mjaftueshëm kohë të përcjellim tashmë a kemi një stabilitet të çmimit në mënyrë që të vendosim për mosvazhdimin e kësaj mase, gjegjësisht përcaktimin e çmimit në tregun e lirë ashtu siç ka qenë edhe më herët. Në momentin kur kjo të jetë e vlerësuar, atëherë besoj që do të kemi një stabilitet të plotë të çmimeve të derivateve edhe në Republikën tonë”, tha ajo.

    Cisterna që transportojnë naftë të papërpunuar iraniane janë larguar nga Ngushtica e Hormuzit, për herë të parë që kur Shtetet e Bashkuara nisën bllokadën detare dy muaj më parë, tha më 17 qershor një ueb-faqe që gjurmon lëvizjet e anijeve.

    Ky zhvillim vjen teksa përfaqësuesit e lartë të Iranit dhe SHBA-së pritet të nënshkruajnë një marrëveshje fillestare në Zvicër më 19 qershor, që synon përfundimin e luftës që nisi në fund të shkurtit.

    Ueb-faqja Tanker Trackers, që gjurmon ruajtjen dhe transportimin e naftës, konfirmoi lëvizjen e “eksportit të parë të naftës së papërpunuar të Iranit në dy muaj”, bazuar në të dhënat digjitale që tha se përkonin me imazhet satelitore.

    Të paktën dy anije cisternë të Kompanisë Kombëtare Iraniane të Cisternave, përfshirë edhe dy super-cisterna me naftë të papërpunuar të quajtura “Diona” dhe “Hero2” që kanë kaluar përmes zonës të bllokadës të marinës detare amerikane, janë ngarkuar me 3.8 milionë fuçi naftë të papërpunuar iraniane nga terminalet e shtetit dhe më pas kanë lëvizur drejt destinacioneve të tyre”, shkroi në X ueb-faqja Tanker Trackers.

    Më pas, kompania njoftoi se edhe një cisternë e tretë iraniane kishte kaluar përmes bllokadës detare të SHBA-së.

    Irani dhe Shtetet e Bashkuara e nënshkruan në mënyrë elektronike më 15 qershor memorandumin e mirëkuptimit për t’i dhënë fund luftës, i hartuar në formën e një dokumenti të përgjithshëm.

    Përveç përfundimit të luftës, ky memorandum kishte në fokus edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë kyç ujore nga e cila rëndom kalon një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit.

    Pas nënshkrimit të memorandumit më 19 qershor, është paraparë që palët të kenë një afat 60-ditor për fazën e ardhshme të negociatave./EO/

  • Dita do shndërrohet në natë për më mbi 6 minuta, po afron eklipsi diellor më i gjatë i shekullit të 21-të

    Dita do shndërrohet në natë për më mbi 6 minuta, po afron eklipsi diellor më i gjatë i shekullit të 21-të

    Drita e ditës do të zhduket plotësisht për një kohë rekord prej 6 minutash e 23 sekondash më 2 gusht 2027, kur Hëna do ta bllokojë plotësisht Diellin.

    Ky do të jetë eklipsi më i gjatë total diellor i këtij shekulli, një fenomen që ndodh një herë në njëqind vjet.

    Ky spektakël i rrallë astronomik do të jetë i dukshëm nga pjesë të Spanjës, Marokut, Algjerisë, Libisë, Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

    Ngjarja pritet të tërheqë miliona astronomë, entuziastë dhe turistë nga e gjithë bota që duan të dëshmojnë momentin historik.

    Shkencëtarët shpjegojnë se gjatësia e jashtëzakonshme e këtij eklipsi është rezultat i një rreshtimi të rrallë të Tokës, Hënës dhe Diellit.

    Sipas NASA-s dhe portalit Eclipsophile, eklipsi i gushtit 2027 do të zgjasë jashtëzakonisht shumë sepse Hëna do të jetë relativisht afër Tokës në atë moment, duke e bërë atë të duket më e madhe në qiell.

    Në të njëjtën kohë, Toka do të jetë pranë afelit të saj – pika në orbitën e saj ku është më larg nga Dielli.

    Për shkak të kësaj distance, disku i Diellit do të duket pak më i vogël se zakonisht.

    Astronomët vërejnë se ky rreshtim i trupave qiellorë është jashtëzakonisht i rrallë.

    Egjipti në qendër të vëmendjes

    Rruga e eklipsit të plotë do të fillojë mbi Oqeanin Atlantik, përpara se të kalojë mbi Evropën Jugore, Afrikën Veriore dhe pjesë të Lindjes së Mesme.

    I gjithë eklipsi do të jetë i dukshëm nga pjesë të Spanjës, Gjibraltarit, Marokut, Algjerisë, Tunizisë, Libisë, Egjiptit, Sudanit, Arabisë Saudite, Jemenit dhe Somalisë.

    Llogaritjet astronomike tregojnë se pika e kohëzgjatjes maksimale të eklipsit do të jetë pikërisht mbi Egjipt, duke e bërë këtë vend një destinacion kryesor për vëzhguesit.

    Gjatë fazës së eklipsit të plotë, dita do të shndërrohet shkurtimisht në muzg.

    Temperaturat e ajrit do të bien ndjeshëm dhe planetët dhe yjet e ndritshëm do të bëhen të dukshëm në qiell.

    Kjo është e vetmja fazë në të cilën kurora e Diellit – atmosfera e jashtme e yllit – mund të vërehet me sy të lirë.

  • ​Inaugurohet murali “Çast”, nderohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    ​Inaugurohet murali “Çast”, nderohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Është inauguruar murali “Çast” i cili nderon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky mural u organizua nga fondacioni “Jahjaga” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

    Kryetarja e këtij fondacioni, Atifete Jahjaga tha se ky mural ka një rëndësi të veçantë, sepse është një akt i dinjitetit dhe kujtesës.

    “Në këtë muaj që neve e shënojmë kujtesën tonë që kemi, kujtojmë çlirimin e shtetit tonë, ku neve e kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e gjithsecilit qytetar të vendit tonë që ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, pikërisht në këtë ditë kryetar, ku neve po zbulojmë së bashku edhe me shumë komuna të tjera këtë mural, i cili nuk është vetëm si mural, por ka këtë domethënie të veçantë sepse është një akt i dinjitetit, është një akt i kujtesës, është një akt i përgjegjësisë ndaj të vërtetës sonë. Sepse 27 vite më parë, kur neve kemi trashëguar shumë pasoja të luftës, neve kemi trashëguar edhe mbi 20,000 gra dhe burra ku trupi i tyre është shndërruar në fushëbetejë, ku dhunimi është përdorur si mjet lufte ndaj qytetarëve të pafajshëm të shtetit tonë, dhe pikërisht kjo vepër e artit, që unë nuk i them që është vetëm vepër e artit, sepse pas nesh është edhe një dëshmi publike, një kujtesë e gjallë dhe një thirrje që historia jonë të mos harrohet, që historia jonë të mos heshtet”, tha Jahjaga.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky mural do të shërbej si kujtesë kolektive për periudhën e luftës.

    “Ky mural këtu, është i vendosur në zemër të Prishtinës, është një akt i kujtesës dhe i respektit për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Murali është nderim për çdo grua dhe burrë që mbijetoi këtë krim të tmerrshëm të luftës. E përgëzoj edhe një herë Presidenten Jahjaga për këtë iniciativë, për të cilën jam shumë i lumtur që ne si kryeqytet kemi pasur mundësi që sado pak ta mbështesim dhe t’i japim hapësirë kësaj pjese të historisë sonë të përbashkët. Ky mural do të mbetet këtu për gjithmonë, që për secilin që kalon, pra ka me pasur një kujtesë shoqërore, një kujtesë kolektive nëpër të cilën ne si shoqëri kemi kaluar, e tregon që sakrifica e këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale është vetë themeli i paqes, i lirisë e i demokracisë që ne sot e gëzojmë si qytetarë të kryeqytetit e të gjithë Kosovës. Prandaj urime Prishtinë, faleminderit shumë Presidente Jahjaga për këtë iniciativë të mrekullueshme. E paçim këtu si një kujtim të mendësisë tonë kolektive e të mos e harrojmë kurrë”, tha Rama.

    Ndërsa, Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës u shpreh se të mbijetuarave të dhunës seksuale u mungon ende drejtësia.

    “Të mbijetuarat sot kanë të drejtat e tyre që i takon si shtet, i ka dhënë i ka ofruar shteti, por ajo që ju mungon është drejtësia. E këtu dua me falënderuar Vasfien, që ishte zëri që doli publik. Vasfia sot e kësaj dite vazhdon me kërkuar drejtësi. Faleminderit të gjithëve edhe një herë”, tha Rugova, raporton KosovaPress.

    Murali “Çast”, është vendosur te Kinemaja ABC në Prishtinë.

    Në Kosovë janë rreth 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

  • Azemi: Shumë punëtorë nuk i kanë marrë ende 100 eurot

    Azemi: Shumë punëtorë nuk i kanë marrë ende 100 eurot

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se një numër i konsiderueshëm i punëtorëve po ankohen se nuk i kanë pranuar ende 100 eurot e ndara nga Qeveria.

    Në një prononcim për Front Online, Azemi tha se ende është herët për të dhënë një raport përfundimtar, pasi vonesat mund të lidhen edhe me procedurat bankare.

    “Një pjesë e madhe e punëtorëve po ankohen se nuk iu kanë dalë mjetet. Megjithatë, nuk mund të japim raport përfundimtar, sepse mund të ndodhë që edhe bankat ta bëjnë këtë vonesë. Përndryshe, kemi shumë punëtorë që po thonë se nuk i kanë marrë 100 eurot”, ka thënë Azemi.

    Sipas tij, një pjesë e punëtorëve rrezikojnë të mbeten pa këtë përfitim për shkak të mungesës së kontratave të punës dhe mospagesës së kontributeve nga disa kompani.

    Azemi rikujtoi se më herët kishte paralajmëruar se jo të gjithë punëtorët do të përfitojnë nga kjo masë.

    “Në këtë rast unë kam thënë se do të ketë shumë punëtorë që nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë, sepse së pari nuk kanë kontrata pune dhe së dyti ka kompani që nuk kanë qenë serioze dhe nuk ua kanë paguar kontributet punëtorëve. Jo rastësisht kam thënë se as 10 mijë punëtorë nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë”, deklaroi ai.

  • Kush është Shkëlqim Kastrati – Personi me të kaluar kriminale që mbeti i plagosur mbrëmë në Veternik

    Kush është Shkëlqim Kastrati – Personi me të kaluar kriminale që mbeti i plagosur mbrëmë në Veternik

    Shkëlqim Kastrati është personi që mbeti i plagosur mbrëmë me armë zjarri pas të shtënave në rrugën “Feriz Guri” në Veternik të Prishtinës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ai aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ka pësuar lëndime trupore.

    Për rastin, siç bëri të ditur Prokuroria po dyshohet personi N.B.

    Megjithatë, sipas informacioneve të raportuara, Shkëlqim Kastrati ka një të kaluar kriminale dhe është përmendur në disa raste të mëparshme.

    Kastrati është shtetas i Kosovës dhe dyshohet për përfshirje në disa incidente me armë zjarri në Prishtinë. Ai është raportuar se ka qenë edhe në kërkim ndërkombëtar.

    Në muajin maj të këtij viti, Kastrati ishte arrestuar lidhur me një incident me armë zjarri në “Rrugën B” në Prishtinë. Gjatë operacionit, policia kishte sekuestruar edhe një motoçikletë të gjetur në vendin e ngjarjes.

    I kërkuar edhe në Gjermani

    Shkëlqim Kastrati rezulton se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga viti 2017 nga autoritetet gjermane, nën dyshimin për “vrasje me dashje në tentativë”.

    Sipas raportimeve, rasti kishte ndodhur në një klub nate në Gjermani, ku ai dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri ndaj një punonjësi sigurie. Viktima kishte shpëtuar falë jelekut antiplumb.

    Pas incidentit, Kastrati ishte larguar dhe ishte fshehur në Shqipëri, ndërsa ndaj tij ishte nisur procedura për ekstradim në Gjermani.

    Gjykata e Lartë e Shqipërisë kishte miratuar ekstradimin e tij në Gjermani, pasi ai rezultonte i kërkuar nga Gjykata e Villingenit që nga dhjetori i vitit 2017 për veprën penale “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë.