ATV

Author: K.B.

  • Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi.

    Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë e 331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264 mijë e 330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë e 126 vota. Hekuran Murati renditet i katërti me 137 mijë e 810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131 mijë e 841 vota.

    Nga partitë e tjera, më i votuari është Bedri Hamza nga PDK me 126 mijë e 936 vota, i renditur i gjashti në nivel vendi.

    Në listën e dhjetë më të votuarve figurojnë gjithashtu Xhelal Sveçla me 109 mijë e 263 vota, Vjosa Osmani-Sadriu me 92 mijë e 234 vota, Ejup Maqedonci me 89 mijë e 308 vota dhe Avni Dehari me 89 mijë e 182 vota.

    Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditet i 12-ti me 83 mijë e 892 vota.

    Sipas rezultateve përfundimtare të përpunuara, Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave dhe ka siguruar 53 mandate, PDK 19.44% me 22 mandate, LDK 16.69% me 18 mandate dhe AAK 6.74% me 7 mandate.

  • Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

    Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

    Në Qendrën e Numërimit e Rezultateve ka filluar zbatimi i vendimit të KQZ-së për numërimin e vendvotimeve të ndryshme, nga të gjitha komunat e Kosovës.

    Sipas vendimit të KQZ-së, do të rinumërohen fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve.

    Valmir Elezi, z137dhënës i KQZ-së thotë se ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

    Numri i vendvotimeve që sipas tij do të rinumërohen sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

    “Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Në këtë akt nënligjor është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim”.

    Kjo masë kontrolli sipas Elezit, është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi.

  • “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    Komuna e Vushtrrisë do të organizojë më 23 dhe 24 qershor festivalin “Vushtrria Code Fest 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit për të rinjtë në Kosovë.

    Panairi i Inovacionit do të mbahet më 23 qershor, nga ora 10:00 deri në 14:00, në Shtëpia e Kulturës Hasan Prishtina, ndërsa Gala Mbrëmja dhe ceremonia përmbyllëse do të zhvillohen më 24 qershor, nga ora 19:00, në Sheshi i Qytetit.

    “Vushtrria Code Fest 2026” synon të promovojë talentet e reja, të nxisë inovacionin dhe të zhvillojë aftësitë teknologjike te gjeneratat e reja, duke krijuar një platformë ku të rinjtë mund të shpalosin kreativitetin dhe potencialin e tyre në fushën e teknologjisë.

  • Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Në njoftim bëhet e ditur se nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.

    Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.

    Ndërkaq të dielën e 14 qershorit, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.

  • FSK dhuron donacion prej 50 kontejnerësh për Federatën e Futbollit të Kosovës

    FSK dhuron donacion prej 50 kontejnerësh për Federatën e Futbollit të Kosovës

    Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës ka dhuruar donacion prej 50 kontejnerësh.

    Sipas komunikatës për media, fondacioni do të shërbejë për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës sportive për të rinjtë në mbarë vendin, transmeton Klankosova.tv.

    Ndër të tjera theksohet se ky kontribut synon të mbështesë zhvillimin e sportit, krijimin e hapësirave më të mira për aktivitetet sportive dhe avancimin e mundësive për gjeneratat e reja, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të FSK dhe FFK.

    “Në realizimin e këtij projekti po kontribuon edhe KFOR-i, i cili ka siguruar transportin e kontejnerëve, drejt lokacioneve të përcaktuara nga Federata e Futbollit e Kosovës. FSK mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e rinisë, sportit dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

  • Debati rreth gazit amerikan, Hoti: S’duhet të lejojmë që politika e një njeriu apo një qeverie të vë në rrezik aleancën me SHBA-në

    Debati rreth gazit amerikan, Hoti: S’duhet të lejojmë që politika e një njeriu apo një qeverie të vë në rrezik aleancën me SHBA-në

    Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me debatin që po zhvillohet rreth gazit amerikan dhe ftesës për Kosovën që t’i bashkohet rrjetit amerikan të LNG-së.

    Hoti ka thënë se nuk duhet të lejohet që politika e një njeriu apo e një qeverie ta rrezikojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike”, ka shkruar Hoti.

    Postimi I plotë:

    Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës.

    Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi.

    Për vite me radhë ShBA ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira. Sot, në vend që të shfrytëzojmë një mundësi për zhvillim, siguri energjetike dhe ekonomi më të fortë, po shohim një qasje që po na largon nga miqtë tanë.

    Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë: energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në është themel i shtetit tonë.

    Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike.

    Çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike — është interes jetik i Kosovës.

  • Specialistët hungarezë të KFOR-it testojnë me sukses stacionin radiofonik

    Specialistët hungarezë të KFOR-it testojnë me sukses stacionin radiofonik

    Specialistët e sinjaleve, të caktuar në rotacionin e 34-të të Forcave të Mbrojtjes Hungareze në KFOR, vendosën dhe testuan një stacion radioje me frekuencë të lartë të lëvizshme në kushte fushore.

    Stërvitja u bë në kampin e Novosellës.

    Sistemi, i vendosur në përputhje të plotë me standardet e sigurisë dhe i pajisur me masa tokëzimi dhe mbrojtjeje nga rrufeja, mundësoi komunikime të qëndrueshme dhe të sigurta gjatë gjithë fazës së provës.

    KFOR pohon se ky aktivitet kontribuon në ruajtjen e aftësive efektive të komandës dhe kontrollit dhe forcimin e gatishmërisë operacionale, duke përforcuar aftësinë e KFOR-it për të mbështetur stabilitetin rajonal dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme” deklaron KFOR-i.

  • Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

    Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin.

    Në takim u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.

    Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, në mandatin e ri, reforma në drejtësi mbetet prioritet thelbësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, jo vetëm si modernizim teknik, por si instrument për transparencë, menaxhim më të mirë të lëndëve, ulje të vonesave dhe forcim të përgjegjësisë institucionale.

    Kryeministri në detyrë Kurti i uroi z. Barbano suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Misionin dhe udhëheqjen e re të EULEX-it. Ndërkaq, z. Barbano e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin dhe e uroi për fitore në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

    Në fund, kryeministri i dhuroi librat “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të studiuesit Luan Tashi dhe “Ambasadorët” të autorit Henry James, si dhe një poster me urat në bankënotat euro.

  • Del para Gjykatës ish-gardianja Cepkenoviq, akuzohet se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

    Del para Gjykatës ish-gardianja Cepkenoviq, akuzohet se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca ndaj të akuzuarës, Nadica Cepkenoviq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cepkenoviq të cilën e akuzon se në cilësinë e ish-gardianes në burgun e Prishtinës- paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të burgut në fjalë: Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sllagjana Arsiq, Biljana Stoliq, ish-gardiane të burgut për gra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

    Aktakuza thotë se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetën e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë, Cepkenoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

  • Rutte: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

    Rutte: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë faktin se NATO-ja do të reduktojë praninë në Kosovë si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë.

    Para disa ditësh “optimizimin” e misionit të KFOR-it e kishte paralajmëruar edhe komandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich.

    Rutte të mërkurën foli para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të kësaj Aleance.

    “Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, Mark Rutte.

    Më tej shefi i NATO-s tha se vazhdimisht po shikohet se si më së miri të rregullohet prania e KFOR-it.

    “Duke shikuar përpara në këtë moment shohim se KFOR-i ka një forcë prej rreth 4700 trupash. Ajo që do të bëjmë është që të kthehemi në praninë që kishim para vitit 2023. Natyrisht kjo do të varet nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3000 dhe 3500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë”, ka thënë Rutte duke përsëritur se misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka. /Koha.net