ATV

Author: K.B.

  • Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Protesta, që sot hyn në javën e katërt të saj, ka padyshim një përbërje të shumëllojshme nga shtresa dhe përkatësi të ndryshme fetare, sociale dhe politike. Por mes tyre spikatin dhe socialistët. Që nga ata që kanë qenë në poste më të larta drejtuese dhe deri tek aspirantët për deputetë në siglën e trëndafilit.

    Më e shquara padyshim është Marjana Koçeku. Neomalësorja që një vit më parë kryesonte listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës ishte e para që “tradhtoi” Ramën duke postuar si fillim një flamingo ikonë në FB e deri mbrëmë kur u shfaq në mes të protestuesve si mbështetëse tashmë pa asnjë rezervë e atyre që thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”. Jo rastësisht, pas daljes së saj në krah të protestës, nuk kanë munguar përpjekjet për ta anatemuaar si një protagoniste të re që kërkon të rritet politikisht përballë Edi Ramës.

    Më herët kritika për Ramën dhe mbështetës të protestës kanë qenë dhe ish-ministrat Arta Dade dhe Ditmir Bushati. Ky i fundit publikoi dhe një ese të gjatë dhe të plotë për mënyrën si duhet reformuar Partia Socialiste. Të dy ish-drejtuesit e lartë të PS munguan dhe në festën e 35-vjetorit të PS.

    Artan Shkreli është një tjetër socialist që këtë herë është shfaqur si ambientalist në mbrojtje të natyrës. Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ramës, që nga koha kur ky i fundit bojatiste pallatet e Tiranës dhe deri para një viti drejtor i Institutit të Ndërtimit, zoti Shkreli ka dalë hapur kundër projektit të Zvërnecit, duke përfshirë në Revolucionin e Flamingove të bijën, Ana Shkrelin, si pjesëmarrëse aktive, dhe dhëndrin Belind Këlliçi më shumë si ekskursionist dhe postues të fotove të protestës.

    Por ai që ka qenë më aktiv në protestë është Paulin Luli. Ish-kandidat i PS për deputet në 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, këtë herë në protestë ka folur si emigrant nga Gjermania që kërkon ndryshimin e sistemit. Për Paulin Lulin disa nga deputetët e PS kanë postuar dhe video, ndërsa e kritikojnë për ndryshimin e qëndrimit.

    Në shesh sigurisht ka shumë të tjerë, anëtarë apo mbështetës të PS, që janë aty për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës. Jo më kot Edi Rama dje në mbledhjen e zgjatur me dyer të mbyllura të PS ka shprehur shqetësim për këtë kategori socialistësh që janë të pakënaqur me qeverinë dhe që këto ditë kanë zbritur në shesh, duke shënuar dhe një nga gjërat e rralla që ndodh me socialistët.

  • Tunizia përsëriti startin historik të Greqisë 1994, eliminim i hershëm në Botëror

    Tunizia përsëriti startin historik të Greqisë 1994, eliminim i hershëm në Botëror

    Tunisia ka përjetuar një nga nisjet më të vështira në historinë e saj në Kupën e Botës, duke u bërë skuadra e parë që nga Greqia në vitin 1994 që humb dy ndeshjet e para të fazës së grupeve me diferencë prej katër golash.

    Skuadra afrikano-veriore u mposht fillimisht 5-1 nga Suedia më 14 qershor, ndërsa më 20 qershor pësoi një tjetër disfatë të rëndë 4-0 ndaj Japonisë, në ndeshjen e 1,000-të në historinë e Kampionatit Botëror për meshkuj.

    Ky rezultat e rikthen kujtesën te Botërori i vitit 1994, kur Greqia u mposht 4-0 nga Argjentina dhe më pas 4-0 nga Bullgaria, duke regjistruar një nga startet më të dobëta në histori të turneut.

    Me zero pikë dhe një golavarazh -8, Tunizia është tashmë matematikisht e eliminuar pas vetëm dy ndeshjesh, pasi rregullat e përballjeve direkte dhe renditjes në grup nuk i lejojnë më të kapërcejë Suedinë në tabelë.

  • Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të japë dorëheqjen të hënën dhe të njoftojë një afat kohor për largimin e tij, raportoi “Observer”, ndërsa një burim qeveritar ka theksuar se ai mbetet i fokusuar në detyrat e tij qeveritare.

    Sipas raportimit, pozita e Starmer është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit dhe është përkeqësuar më tej pas zhvillimeve të së premtes, kur rivali i tij Andy Burnham fitoi një vend në parlament që do t’i hapte rrugën një gare të mundshme për drejtimin e Partisë Laburiste.

    Gazeta shkruan se Starmer ka diskutuar mundësinë e dorëheqjes me këshilltarët, ministrat e kabinetit, donatorët dhe përfaqësues të sindikatave, si edhe me familjen e tij në Chequers, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

    Megjithatë, burime brenda qeverisë thonë se ai vazhdon të kryejë detyrat e tij dhe nuk ka konfirmuar largimin.

    Sipas raportimeve, një numër i madh deputetësh të Partisë Laburiste kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij ose vendosjen e një afati të qartë për largim, ndërsa situata e brendshme në parti mbetet e tensionuar pas një periudhe të gjatë pakënaqësie politike dhe rënieje të mbështetjes publike.

  • ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot do të bëhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili për vite me radhë ishte në Listën e Personave të Zhdukur.

    Sipas njoftimit, identifikimi i tij është bërë përmes analizës shkencore të ADN-së, ndërsa rivarrimi do të realizohet në mbështetje të kërkesës së familjes.

    Ceremonia e rivarrimit do të mbahet në varrezat e fshatit Kodrali të Deçanit, duke filluar nga ora 16:00. Paraprakisht, nga ora 15:00, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë do të bëjnë homazhe te “Lapidari i Ri” në fshatin Kodrali.

    Organizimi i ceremonisë do të bëhet nga Shoqatat e dala nga lufta – Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Me këtë rast, Komisioni ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Pepaj, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e angazhimeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

  • Nga sot, këto tri shenja hyjnë në periudhën që e kanë pritur prej kohësh

    Nga sot, këto tri shenja hyjnë në periudhën që e kanë pritur prej kohësh

    Pas shumë durimi, sakrificash dhe pritjesh të gjata, më në fund vjen një fazë që mund t’u sjellë qetësi, para dhe stabilitet

    Ka periudha kur duket sikur përpjekja kalon pa u vënë re, sikur puna e ndershme merret si e mirëqenë dhe sikur shpërblimet përfundojnë gjithmonë në duart e të tjerëve. Megjithatë, sipas astrologjisë, nga 21 qershori tabloja energjetike ndryshon për tri shenja të Horoskopit, të cilat prej vitesh e kanë ndërtuar jetën e tyre hap pas hapi, pa rrugë të shkurtra dhe pa u mbështetur te rrethanat me fat.

    Për Virgjëreshat, Bricjapët dhe Gaforret nis një periudhë në të cilën më në fund mund të shohin rezultatet konkrete të gjithçkaje që kanë investuar, qoftë në punë, familje, financa apo marrëdhënie personale. Në vend të luftës së vazhdueshme dhe nevojës për t’u dëshmuar, para tyre hapet një fazë stabiliteti, lehtësimi dhe ndjesie se gjërat më në fund po vihen në vendin e duhur.

    Virgjëresha

    Virgjëreshat hyjnë në një periudhë që sjell më shumë paqe dhe siguri në jetën private. Shumë të lindur në këtë shenjë mund të zgjidhin çështje që i kanë rënduar për një kohë të gjatë, nga mosmarrëveshjet familjare deri te temat administrative dhe pronësore që kishin mbetur pezull.

    Ajo që do t’u vlejë më së shumti nuk është vetëm përfitimi financiar, por ndjenja se më në fund mund të marrin frymë lirshëm. Marrëdhëniet me njerëzit më të afërt bëhen më të qëndrueshme, komunikimi më i hapur, ndërsa atmosfera në shtëpi shumë më e këndshme se gjatë muajve të kaluar. Pas një periudhe të gjatë dhënieje dhe kujdesi për të tjerët, Virgjëreshat mund të ndiejnë se mbështetja dhe dashuria po u kthehen në mënyrën më të bukur të mundshme.

    Bricjapi

    Bricjapët janë ndër shenjat që rrallë presin që diçka t’u bjerë nga qielli. Ata janë mësuar të punojnë më shumë se të tjerët dhe t’i ndërtojnë rezultatet me durim. Pikërisht për këtë arsye, periudha pas 21 qershorit mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për ta.

    Janë të mundshme mundësi të reja në punë, të cilat sjellin të ardhura më të mëdha, avancim ose njohje për një angazhim që për një kohë të gjatë kishte mbetur në hije. Shumë Bricjapë më në fund do të marrin konfirmimin se përpjekja e tyre është vënë re. Situatat që i kanë ngadalësuar fillojnë të zbehen, ndërsa hapen dyer drejt projekteve që mund të sjellin stabilitet financiar afatgjatë.

    Gaforrja

    Gaforret hyjnë në një fazë në të cilën mund të ndiejnë frytet e durimit të tyre. Pas një periudhe gjatë së cilës shpesh u është dashur të luftojnë për çdo gjë të vogël, tani vjen koha kur rrethanat fillojnë të punojnë në favorin e tyre.

    Për disa, kjo mund të jetë zgjidhja e çështjeve të rëndësishme financiare; për të tjerë, investimi në pronë, një punë e re ose një mundësi që sjell më shumë siguri. Këmbëngulja dhe përgjegjësia e tyre më në fund dalin në pah, ndërsa ajo që kanë ndërtuar prej vitesh mund të fillojë të japë rezultate të prekshme.

    Si ta shfrytëzoni më mirë këtë periudhë?

    Astrologët theksojnë se mundësitë më shpesh u vijnë atyre që janë të gatshëm t’i njohin dhe t’i pranojnë. Prandaj është e rëndësishme të mos i injoroni thirrjet, ofertat dhe bisedat që mund të shfaqen gjatë javëve në vijim.

    Nëse prej kohësh po e shtyni një vendim të rëndësishëm, një hap profesional ose një bisedë të domosdoshme, pikërisht tani mund të jetë momenti i duhur për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, disiplina financiare mbetet e rëndësishme. Çdo e ardhur shtesë është më mirë të orientohet drejt sigurisë dhe planeve afatgjata sesa drejt shpenzimeve impulsive.


    Çfarë i lidh këto tri shenja?

    Edhe pse ndryshojnë nga njëra-tjetra për nga karakteri, Virgjëreshat, Bricjapët dhe Gaforret kanë një tipar të përbashkët: rrallë zgjedhin rrugën më të lehtë. Zakonisht ndërtojnë ngadalë, me durim dhe pa shumë zhurmë. Pikërisht për këtë arsye, periudha që nis më 21 qershor mund të përfaqësojë për ta një shpërblim simbolik për gjithçka që kanë dhënë e investuar ndër vite.

    Ndonjëherë pasuria më e madhe nuk është vetëm paraja. Ajo mund të jetë një gjumë i qetë, siguria në vendimet personale, mbështetja e familjes ose ndjenja se jeta më në fund po shkon në drejtimin që e keni shpresuar prej kohësh. Për këto tri shenja, pikërisht një periudhë e tillë sapo po fillon.

  • “Nana”, lansohet kënga që Shpati s’arriti ta publikonte

    “Nana”, lansohet kënga që Shpati s’arriti ta publikonte

    Ashtu siç kishte paralajmëruar ditë më parë Selvija, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, tashmë është lansuar projekti i tij më i ri muzikor.

    Kjo këngë vjen si pjesë e premtimit të saj për të sjellë në dritë krijimet që Shpati i la përgjysmë dhe nuk arriti t’i publikonte sa ishte gjallë.

    “Nana” është publikuar zyrtarisht në kanalin YouTube.

    Kënga ka prekur menjëherë zemrat e fansave, duke sjellë sërish zërin e artistit që u nda herët nga jeta.

    Ajo që e bën akoma më emocionues këtë lançim është videoklipi i realizuar. Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, është mundësuar një video ku Shpati shfaqet me krahë engjëlli pranë nënës së tij, duke krijuar një imazh mjaft prekës, shkruan privebyls.

    Ky projekt pritet të jetë vetëm një nga krijimet e shumta që Selvija ka planifikuar të ndajë me publikun, për të mbajtur gjallë trashëgiminë muzikore dhe kujtimin e artistit të dashur për publikun shqiptar.

  • Labinot Tahiri: Duhet të ngrihemi në prostestë për ruajtjen e miqësisë me Amerikën

    Labinot Tahiri: Duhet të ngrihemi në prostestë për ruajtjen e miqësisë me Amerikën

    Këngëtari i njohur Labinot Tahiri – Labi ka publikuar ka ngritur shqetësime lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendimet që, sipas tij, mund të cenojnë miqësinë me aleatin kryesor të vendit.

    Në reagimin e tij, Tahiri ka bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke kujtuar mbështetjen që Amerika i ka dhënë Kosovës para dhe gjatë periudhave më të vështira të historisë së saj.

    “Duhet të ngrihemi në protestë ashtu siç e kemi kërkuar Amerikën para luftës, edhe tani në ruajtjen e miqësisë me Amerikën”, ka shkruar ai.

    Labi ka shtruar pyetje lidhur me politikat ekonomike dhe energjetike, duke vënë në dukje se në Kosovë vazhdojnë të qarkullojnë produkte dhe mallra nga Serbia, ndërsa, sipas tij, po refuzohet bashkëpunimi në fusha të caktuara me Shtetet e Bashkuara.

  • Importi arrin 2.9 miliardë euro për pesë muaj, eksporti mbetet shtatë herë më i ulët

    Importi arrin 2.9 miliardë euro për pesë muaj, eksporti mbetet shtatë herë më i ulët

    Kosova vazhdon të blejë shumë më tepër produkte nga jashtë se sa të shesë të vetat në tregjet e huaja. Nga të dhënat e Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 419.2 milionë euro.

    Kjo do të thotë se Kosova shpenzoi 2.5 miliardë euro më shumë për blerje nga jashtë se sa fitoi nga shitja e produkteve të veta jashtë kufijve.

    Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur për rreth 150 milionë euro. Ndërkaq, në raport me vitin 2024, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro më shumë mallra.

    Ekonomisti Ismet Mulaj vlerëson se rritja e importeve është rezultat i mungesës së reformave strukturore ekonomike, rritjes së konsumit dhe dobësisë së prodhimit vendor.

    Edhe ekonomisti Lulzim Beqiri e konsideron vitin 2026 si një nga periudhat më shqetësuese sa i përket varësisë së Kosovës nga importet.

    Ai thotë se varësia e importit në Kosovë bën që çdo krizë globale të jetë shqetësuese për vendin për shkak të mosinvestimit të mjaftueshëm në aspektin e rritjes së prodhimit vendas.

    Duke pohuar se eksportet e Kosovës e mbulojnë vetëm 15% – 20% të importit, Beqiri këtë e sheh si jashtëzakonisht shqëtësuese.

    Në prezantimin e raportit të 100 ditëve pune Minstrja në detyrë Kusari Lila, javë më parë pranoi rritjen e deficitit tregtar, duke shtuar se kjo paraqet presion shtesë për institucionet që të punojnë më shumë në promovimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.

    Krahasuar me vitet e kaluara, edhe eksportet kanë shënuar rritje, por ritmi i rritjes së importeve ka qenë dukshëm më i lartë. Në periudhën janar–maj 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh dhe eksportuar 356.8 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.39 miliardë euro.

    Një vit më herët, në pesëmujorin e parë të vitit 2024, importet arrinin në 2.38 miliardë euro, eksportet në rreth 352 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.03 miliardë euro.

    Në këtë rritje të importit për këtë vit, sipas tij, ka ndikuar edhe rritja së kostos së energjisë elektrike në sektorin prodhues, si dhe varësia e vendit nga importi i karburanteve.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Gjermania renditet e para nga shtetet që ka vlerë më të madhe të importit në Kosovë duke u pasuar me Kinën dhe Turqinë.

    Sipas këtyre të dhënave, Serbia ende mbetet në mesin e dhjetëshës së parë të shteteve që importojnë më së shumti në Kosovë. Në krahasim me pesëmujorin e vitit 2025 vlera e importit ka treguar rritje nga 91.1 milionë euro në 91.6 milionë euro sa është në të njëjtën përiudhë të këtij viti. Këtë e konfirmin edhe ministrja në detyrë, Kusa – Lila, ani se në informatat që i posedon, Serbia është jashtë 10-shes së parë të shteteve importuese në Kosovë.

    Edhe ekonomisti Mulaj tha se kjo gjë ndodh për shkak se disa prej këtyre produkteve janë më konkurruese falë subvencioneve.

    Sipast tij ndikon edhe afërsia gjeografike dhe çmimet, por edhe në atë se Serbia investon vazhdimisht në promovimin e produkteve të saj në tregun kosovar.

    Ai thotë se nga Qeveria e Kosovës duhet një qasje strategjike me qëllim që në ata sektorë ku Serbia ka potencial të madh për të depërtuar në Kosovë, duhet që të rriten kapacitete vendase prodhuese.

    Sipas tij, kjo duhet të bëhet sidomos në serktorët e ndërtimit aty ku ka më shumë import e që edhe Serbia është shumë e fuqishme në raport me vendet e tjera dhe me prodhimin vendor./KP/

  • Vritet kameramani i Al Jazeera në sulmet izraelite në Gaza

    Vritet kameramani i Al Jazeera në sulmet izraelite në Gaza

    Sulmet e fundit izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një kameraman të Al Jazeera dhe të paktën një fëmijë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe ekipeve të shpëtimit.

    Al Jazeera tha se “dënon fuqimisht krimin e urryer të shënjestrimit dhe vrasjes” së korrespondentit Ahmed Wishah, i cili u vra në një sulm ndaj një shtëpie në qendër të Gazës.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) e akuzuan Wishah-un se ishte “terrorist në krahun ushtarak të Hamasit dhe shërbeu si snajperist”.

    Al Jazeera tha se vdekja e Wishah të shtunën “përbën një shkelje të re dhe flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe pasqyron një politikë të vazhdueshme sistematike të shënjestrimit të gazetarëve dhe heshtjes së zërit të së vërtetës”.

    Sipas IDF, Wishah në muajt e fundit kishte plane të avancuara sulmi me snajper kundër trupave izraelite, por pa ofruar prova.

    Vëllai i Wishah, Mohamed, i cili ishte gjithashtu korrespondent për Al Jazeera, u vra në një sulm izraelit në prill.

    IDF e akuzoi atë se punonte në selinë e prodhimit të raketave dhe armëve të Hamasit, pa dhënë detaje.

  • Viktima dërgohet pa shenja jete në QKMF në Malishevë, policia nis hetimet

    Viktima dërgohet pa shenja jete në QKMF në Malishevë, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një gruaje në fshatin Bubavec të Malishevës.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima, një grua kosovare, është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.

    Bazuar në vlerësimin fillestar të mjekut kujdestar, dyshohet se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    Autoritetet po vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.