ATV

Author: K.B.

  • Sot është përvjetori i ditëlindjes së heroit Ilir Konushevci

    Sot është përvjetori i ditëlindjes së heroit Ilir Konushevci

    Sot shënohet përvjetori i lindjes i heroit kombëtar Ilir Konushevci.

    Ilir Konushevci i lindur në 20 qershor të vitit 1969 ra dëshmor me 09 maj të vitit 1998 duke lënë gjurmë në radhët e UÇK-së ku shkroi rreshta të pashlyer në historinë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

    Konushevci mbetet një emër i lidhur ngushtë me historinë e luftës çlirimtare dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bëri homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij në Kazermën “Adem Jashari”.

    “Heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Ilir Konushevci!”, ka shkruar Maqedonci.

  • Policia e Kosovës shqiptoi 1,880 gjoba trafiku brenda 24 orëve, regjistrohen 71 aksidente

    Policia e Kosovës shqiptoi 1,880 gjoba trafiku brenda 24 orëve, regjistrohen 71 aksidente

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e përgjithshme nga raporti 24-orësh, sipas të cilit gjatë një dite janë regjistruar 71 aksidente trafiku në të gjithë vendin.

    Sipas të dhënave zyrtare, 26 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 45 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

    Në kuadër të aktiviteteve për sigurinë në komunikacion, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 1,880 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave në komunikacion.

    Raporti po ashtu tregon se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 20 persona për vepra të ndryshme penale. Prej tyre, 13 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për vuajtje të dënimit.

    Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave të komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.

  • Digjet resorti i famshëm në Republikën Domenikane, evakuohen 1700 pushues

    Digjet resorti i famshëm në Republikën Domenikane, evakuohen 1700 pushues

    Një zjarr i fuqishëm përfshiu një resort luksoz bregdetar në Republikën Domenikane, duke shkaktuar vdekjen e një turisteje italiane dhe evakuimin e rreth 1700 mysafirëve.

    Sipas autoriteteve lokale të emergjencës, viktima është një grua 46-vjeçare nga Italia. Tre persona të tjerë u dërguan për trajtim në spital, ndërsa gjashtë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.

    Flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit në resortin Viva Wyndham Dominicus Beach në Bayahibe.

    Pamjet ajrore treguan disa ndërtesa të përfshira nga zjarri dhe re të dendura tymi që mbuluan zonën turistike, shkruan BBC.

  • MINTI: Do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion

    MINTI: Do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka organizuar konferencën “She Rises 2026”, me moton “Gratë në Biznes në Kosovë – një dekadë progres dhe vizion për të ardhmen”, e dedikuar grave ndërmarrëse, ku u theksuan arritjet dhe sfidat e fuqizimit ekonomik të grave në vend.

    Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari Lila, bëri të ditur se për herë të parë në Kosovë, në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse, ndërsa skemat mbështetëse të lansuara do të institucionalizohen dhe zgjerohen për mbështetje financiare dhe profesionale.

    Kusari Lila tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e grave në biznes dhe se konferenca synon të sjellë në një vend histori suksesi, pune dhe vizioni.

    “Nga nxitja tek kodimi, e cyber security, prej punëtorisë rrobaqepës në një tënd të ngjitur shtëpie, tek vendimet e marra në bordet e korporatave e ndërmarrjeve të tashme e tjera. Numrat sot tregojnë se gratë janë pronare të 18% të bizneseve në Kosovë, krahasuar me 10% në vitin 2017. Vetëm këtë vit, një në tre biznese të reja të regjistruara, ka pronare një grua. Kemi arritur gjithashtu, që 40% e vendeve në bordet e shoqërive aksionare, të mbahen nga gratë, falë hapave të ndërmarrë për të garantuar përfaqësim dhe mundësi të barabarta”.

    “Për herë të parë në Kosovë, në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse. Ndërsa, skemat mbështetëse të lansuara, do të institucionalizohen, do të zgjerohen për mbështetje financiare dhe profesionale për gratë ndërmarrëse. Kemi bërë rrugë të gjatë.Sot jemi bashkë për të dëshmuar, se barazia nuk është destinacioni i një gruaje të vetme, por rrugëtimi i një shoqërie të tërë. Sot përmes konferencës She Rises, ne sjellim në një vend, histori suksesi, pune dhe vizioni.

    Do të flasim për politikat që mbështesin gratë ndërmarrëse, për qasjen në financa, për sukseset që frymëzojnë dhe për pengesat që ende duhet t’i kapërcejmë”, tha ajo.

    Nga ana tjetër, Lendita Kastrati nga G7 tha se pavarësisht progresit, potenciali ekonomik i grave vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar në masë të madhe.

    “Gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë në vend, por ato përfaqësojnë më pak se 20% të bizneseve të regjistruara në vend. Dhe kjo do të thotë se pjesa më e madhe e potencialit ekonomik të vendit, vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por është çështje e zhvillimit ekonomik të vendit. Prandaj, fuqizimi ekonomik i grave, nuk duhet të shihet vetëm si politikë sociale, por duhet të shihet edhe si politikë e zhvillimit ekonomik të vendit, si investim strategjik. Sepse qëllimi ynë nuk është të flasim vetëm për suksesin e grave, por qëllimi ynë është të krijojmë kushte që sa më shumë gra të kenë sukses”, tha ajo.

    Ndërsa, Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave kërkoi që politikat për fuqizimin ekonomik të grave të përkthehen në veprime konkrete dhe të bëhen prioritet i qeverisë së re.

    “Praktikat nga vendet e zhvilluara na tregojnë se politikat publike të bazuara në evidencë nuk sjellin vetëm barazi, por sinergji, zhvillim dhe qëndrueshmëri ekonomike. Prandaj, për të krijuar një mjedis ku gratë shihen si zhvillim, frymëzim, model, është e domosdoshme që këto vlera t’i përkthejmë në veprime konkrete. Me veprime konkrete, me bashkëpunim, me stabilitet institucional. Sepse buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, investimi në shërbimet e kujdesit, ndryshimi i ligjit të punës, lirimi i sektorit privat nga barra e pagesës së lejes së lehonisë, vendosja e lejes prindërore si një përgjegjësi e përbashkët familjare, mbështetja financiare e grave ndërmarrëse dhe jo vetëm, nuk duhet të mbesin vetëm kërkesa kyçe të forumit ekonomik të grave, por duhet t’i shohim si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë dhe prioritet i qeverisë se re”, tha ajo.

  • Hykmete Bajrami kërkon që të anulohet testi i maturës

    Hykmete Bajrami kërkon që të anulohet testi i maturës

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e testit të maturës shtetërore, duke e cilësuar procesin si të dështuar dhe të padrejtë për nxënësit që kanë mësuar me përkushtim.

    Përmes një postimi në facebook, Bajrami ka deklaruar se publikimi i testit sapo filloi provimi po përsëritet tash e gjashtë vjet me radhë, duke bërë që testi të mos e vlerësojë dijen, por të favorizojë kopjimin.

    “Të anulohet testi i maturësNëse nuk ki mundësi me organizu si duhet, anuloje. Që gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit sapo fillon provimi. Pra, testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin.Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë.

    Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punu me vite. Ky nuk është më veç problem i organizimit të një testi, është problem i drejtësisë në arsim, është edhe pjesë e procesit të regjistrimit në fakultet. Kur kopjimi bëhet rruga ma e lehtë drejt suksesit, atëherë nxënësit e ndershëm ndëshkohen.

    Prandaj, është koha me e pranu realitetin: testi i maturës e ka humbë besueshmërinë dhe duhet me u zëvendësu me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesem.Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim”, ka shkruar Bajrami.

  • Obama: Jemi kthyer aty ku ishim para luftës me Iranin, ndoshta jemi edhe në një situatë më të keqe

    Obama: Jemi kthyer aty ku ishim para luftës me Iranin, ndoshta jemi edhe në një situatë më të keqe

    Ish-presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi se duket se Shtetet e Bashkuara, pas luftës kundër Iranit të nisur nga presidenti Donald Trump, janë kthyer në pikën fillestare ose madje ndodhen në një pozitë më të keqe se para fillimit të konfliktit.

    “Ne tani kemi zhvilluar një luftë, kemi shpenzuar miliarda e miliarda dollarë, kemi vënë ushtrinë tonë nën një barrë të madhe. Shumë njerëz kanë humbur jetën. Dhe duket se jemi kthyer aty ku ishim para se të fillonim luftën, përveçse ndoshta jemi në një situatë disi më të keqe”, tha Obama në një intervistë për emisionin “TODAY”.

    Ai iu përgjigj një pyetjeje lidhur me memorandumin e mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit. “Jam shumë i kënaqur që shoh një armëpushim dhe shpresoj që ai të vazhdojë”, tha Obama, ndërsa vuri në pikëpyetje arsyetimin për luftën kundër Iranit.

    Ish-presidenti kujtoi se sipas marrëveshjes bërthamore me Iranin, e arritur gjatë mandatit të tij, “Irani kishte rënë dakord të mos zhvillonte armë bërthamore. Kjo administratë, ose versioni i saj i mëparshëm, u tërhoq nga ajo marrëveshje, gjë që më pas çoi në zhvillimin e kapaciteteve më të mëdha bërthamore nga Irani”.

    Trump gjatë mandatit të parë në vitin 2018 tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar në vitin 2015. Marrëveshja parashikonte hapa të detajuar që Teherani duhej t’i zbatonte për më shumë se 25 vjet, me qëllim parandalimin e sigurimit ose zhvillimit të armëve bërthamore.

    Memorandumi aktual i mirëkuptimit nuk e zgjidh plotësisht çështjen e së ardhmes së programit bërthamor iranian. Trump e nënshkroi memorandumin gjatë një darke në pallatin e Versajës të mërkurën në mbrëmje.

    Dokumenti parashikon një afat prej 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje më të qëndrueshme që do t’i jepte fund konfliktit.

  • Ushtrimi “Sentinel Sica”, Garda Kombëtare Ajrore e Iowas dhe FSK thellojnë bashkëpunimin

    Ushtrimi “Sentinel Sica”, Garda Kombëtare Ajrore e Iowas dhe FSK thellojnë bashkëpunimin

    Udhëheqës të lartë të Gardës Kombëtare Ajrore të shtetit Iowa vizituan pjesëtarët e Skuadrës së Komunikimit të Krahut të 132-të dhe drejtues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë ushtrimit “Sentinel Sica”, i cili u mbajt në Kosovë.

    Gjatë vizitës, gjeneral brigade Mark Muckey, zëvendësadjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare Ajrore të Iowas, kryerreshteri komandues Sara Orwig dhe kryerreshteri komandues Jason Lehmann vëzhguan nga afër ushtrimin e përbashkët të komunikimit të Gardës Kombëtare Ajrore dhe Tokësore të Iowas.

    Delegacioni gjithashtu zhvilloi takime dhe shkëmbime me drejtues ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të partneritetit afatgjatë ndërmjet Iowas dhe Kosovës përmes Programit të Partneritetit Shtetëror.

    Ushtrimi “Sentinel Sica” synon forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe rritjen e aftësive të komunikimit dhe koordinimit ndërmjet forcave partnere, duke kontribuar në avancimin e marrëdhënieve të sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowa-s.

  • Përparim Rama tregon vazhdimin e punimeve te sheshi “Xhorxh Bush”: Po hiqet asfalti i mbetur deri te Hotel Grand

    Përparim Rama tregon vazhdimin e punimeve te sheshi “Xhorxh Bush”: Po hiqet asfalti i mbetur deri te Hotel Grand

    kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se tashmë ka nisur edhe heqja e asfaltit në pjesën e mbetur të sheshti “Xhorxh Bush” deri te Hotel Grand.

    “ Filloi demolimi i asfaltit edhe në pjesën e mbetur të sheshit “Xhorxh Bush”, deri te Hotel Grand”, ka shkruar Rama.

  • Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar në Prishtinë

    Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar në Prishtinë

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka njoftuar për arrestimin e një personi i cili ishte në kërkim.

    Njësitet e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë realizuar arrestimin e E.K., mashkull, 24 vjeç, i dënuar me dy (2) vite burgim për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Pas arrestimit, personi është dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale lidhur me rastin.

  • Rama: Miliona njerëz që nuk e dinin as ku ndodhet Zëvrneci krijuan qëndrime të forta mbi projektin

    Rama: Miliona njerëz që nuk e dinin as ku ndodhet Zëvrneci krijuan qëndrime të forta mbi projektin

    Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS. Mes shumë diskutimesh, ai ka folur lidhur me investimin në Zvërnec.

    Ai tha se çështja mori përmasa ndërkombëtare në një kohë shumë të shkurtër, duke theksuar se shumë njerëz që nuk e njihnin zonën apo projektin, krijuan qëndrime të forta mbi të.

    Sipas Ramës, reagimet ndaj projektit nuk u bazuan në analiza të detajuara, por u ndikuan nga emocione, perceptime dhe debate ideologjike që shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë.

    “Miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zëvrneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin. Jo sepse studiuan për Shqipërinë apo analizuan projektin, por sepse te brishtësia e bukur e nje zogu identifikuan simbolin e nje rezistence anti kapitaliste. Më bukur se asnjëherë u hap dhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër jush dhe PS-së”, tha Rama.

    Kreu i qeverisë argumentoi se projekti në Zvërnec u shndërrua në një përplasjeje më të gjerë globale, e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.

    “Ky është mësimi i parë i kësaj historie. Kjo kohë e re ku edhe një rrahje lokale bëhet përplasje globale nuk transporton më vetëm mallra, por zemërime, identitete politike, fetare, agresione, gënjshtra shumë më shpejtë se sa transporton faktet, arsyetimet. Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri dhe nuk ka për objekt Shqipërinë.

    Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj, jo si protagonistë por si skenë. Kjo është risia e kohës që jetojmë. Kohë kur emocionet mbërrijnë përpara fakteve. Kur shumë shpesh përceptimi bëhet e vërteta dhe e vërteta mbetet jetime.

    Duhet ta lexojmë këtë histori drejt, për çfarë vjen më pas. Se ky është vetëm fillimi. Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Nga një herë është mirë që të largohesh pak prej saj dhe të hapësh librat e historisë”, tha Rama.