ATV

Author: K.B.

  • Pacolli: Nesër rifillojnë punimet në Aeroportin e Vlorës, po rikthehet ligjshmëria

    Pacolli: Nesër rifillojnë punimet në Aeroportin e Vlorës, po rikthehet ligjshmëria

    Behgjet Pacolli ka njoftuar se kompania MABCO do të rifillojë nesër punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës, së bashku me mbi 200 specialistë dhe nënkontraktorë.

    Sipas Pacollit, vendimi është marrë në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s, si dhe kërkesën e institucioneve shqiptare. Ai tha se punimet ishin bllokuar për disa muaj nga persona që, sipas tij, kishin vepruar pa bazë ligjore dhe kishin penguar aktivitetin në kantier.

    Pacolli e cilësoi rifillimin e punimeve si rikthim të ligjshmërisë dhe një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri.

    Postimi i plotë pa ndërhyrje:

    Nesër, MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rifillojë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Ky veprim do të ndërmerret në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe me vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s. se dates 18/06/2026 si dhe në respekt të kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe qëndrimit të shprehur publikisht nga Kryeministri Edi Rama, se Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim.Pas një bllokade disamujore dhe përpjekjeve të personave që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë tagër, punimet u penguan në mënyrë të dhunshme. Këta persona, madje me mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit, ndërprenë aktivitetin në kantier dhe sekuestruan në mënyrë arbitrare pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve.😡

    Rifillimi i punimeve shënon rikthimin e ligjshmërisë dhe respektimin e vendimeve të institucioneve juridike dhe atyre kompetente, duke i hapur rrugë vazhdimit dhe perfundimin të punimeve në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit.

    Mabco kerkon drejtesi, transparerce dhe legjitimitet dhe si gjithemon mbeshtetjen konstruktive te institucioneve dhe cdokujt ne menyre qe aeroporti te hapet sa ma shpejt!

  • Kryetari i Vushtrrisë i pikëlluar pas vdekjes tragjike të 22-vjeçarit

    Kryetari i Vushtrrisë i pikëlluar pas vdekjes tragjike të 22-vjeçarit

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka shprehur ngushëllime për 22-vjeçarin, Drilon Muniqi që humbi jetën në një aksident trafiku në zonën e kësaj komune.

    Përmes telegramit të ngushëllimit, Idrizi thotë se humbja e papritur e të riut i pikëlloi të gjithë.

    “Na pikëlloi të gjithëve lajmi për ndarjen nga jeta e të riut vushtrrias, Drilon Meniqi. Në këto momente të rënda, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Meniqi, miqve dhe gjithë të afërmve të tij, duke bashkëndjerë dhimbjen për humbjen e parakohshme të Drilonit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar ai.

    I riu u varros sot në kohën e namazit të drekës.

  • Haziri: Vetëm bashkëpunimi partiak e institucional i jep fund krizave politike

    Haziri: Vetëm bashkëpunimi partiak e institucional i jep fund krizave politike

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz që po e lodh Republikën.

    Ai thotë se Kosova sot ka nevojë për agjendë të zbardhur kur vendi gjendet në fund të javës së dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz, për t’i dhënë fund krizave politike, që nënkupton kthimin e stabilitetit”, ka shkruar Haziri.

    Postimi i tij i plotë:

    Faleminderit për secilin qytetar që i qëndroi besnik LDK-së dhe ruajti besimin për të më zgjedhur njërin nga 18 përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përulësisht falënderoj Anamoravën për mbështetjen e pandërprerë ndaj shtëpisë sonë politike.

    Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz që po e lodh Republikën!
    Kosova sot ka nevojë për agjendë të zbardhur kur jemi në fund të javës së dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Cilido opsion që arrin marrveshjen gjithëpërfshirëse, programin zhvillimor dhe agjendën strategjike duhet ta ketë në qendër të saj, ndërkaq skenari i ndarjes së përgjegjesive institicionale vjen në fund.

    Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz, për t’i dhënë fund krizave politike, që nënkupton kthimin e stabilitetit.

    Kemi premtu që Republika e Kosovës është faktor i stabilitetit rajonal, duke respektu vlerat demokaratike. Ky rol i stabilitet rajonal buron nga stabiliteti dhe bashkëpunimi brenda Kosovës.

    Republika e Kosovës i ‘duron’ zgjedhjet e shpeshta vetëm kur e kujton që mundet me mbetë edhe pa zgjedhje një ditë. Nje njeri dhe nje parti është kauzë e humbur me 17 shkurt!

    Republika, mbi të gjithë!

  • Petritsch: VV të dalë nga tradita se presidenti i takon veç asaj

    Petritsch: VV të dalë nga tradita se presidenti i takon veç asaj

    Ish-përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Kosovën, ambasadori Wolfgang Petritsch deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të dalë nga ‘tradita’ që zgjedhja e presidentit i takon vetëm partisë fituese të zgjedhjeve.

    Pos tjerash, ai shtoi se në Kosovë është tejet e nevojshme që partitë politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

    “Në të vërtetë është një ide e mirë që të mendohet jashtë kornizës, dhe jo në mënyrat tradicionale politike, që një parti, pra partia fituese e zgjedhjeve e ka të drejtën ta zgjedhë kandidatin për president. Unë mendoj që do të ishte një ide e mirë që të shikohej më tej, kjo që të shihej se kush mund të ishte personi i cili do të bashkonte dhe do të bënte diçka që është plotësisht e nevojshme në Kosovë, e kjo është që të bashkojë njerëzit dhe t’i bëjë partitë që të bashkëpunojnë”, u shpreh Petritsch në Klan Kosova.

    Ambasadori shtoi se edhe dialogu Kosovë-Serbi mbetet çështje e pazgjidhur, çka sipas tij, duhet përparim në këtë zhvillim.

    “Sepse armiku nuk është brenda vendit, dhe sfidat e juaja vinë nga jashtë Kosovës. E dini që çështja e dialogut është akoma e pazgjidhur. Para pak kohësh e kisha një takim me emisarin për dialog, Sorensen, dhe ai po bën një punë të shkëlqyer, por edhe ai është i mendimit që përderisa nuk ka një mënyrë të qartë, pra në pragmatizëm dhe përparim, atëherë gjërat tutje do të përkeqësohen”, u shpreh diplomati.

  • Qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, policia procedon 9 protestues

    Qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, policia procedon 9 protestues

    Policia ka proceduar penalisht një grup prej 9 protestuesish që qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, pas protestës së ditës së.

    “Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.

    Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.

    Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.

    Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.

    Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

    Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme””, thuhet në njoftim.

  • “Nisma e Lirisë”, nesër koncert përkujtimor në nder të heroit Hakif Zejnullahu

    “Nisma e Lirisë”, nesër koncert përkujtimor në nder të heroit Hakif Zejnullahu

    Me rastin e ditëlindjes së heroit të kombit, Hakif Zejnullahu, më 22 qershor do të mbahet koncerti përkujtimor “Nisma e Lirisë”.

    Ngjarja organizohet në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në Lladoc të Podujevës, duke filluar nga ora 20:00.

    Në këtë mbrëmje përkujtimore do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare, përfshirë Sabri Fejzullahun, Shyhrete Behlulin, Ermal Fejzullahun, Naser Maqedoncin, Dafina Aliun, Gentian Gojanin, Lind Mehmetin, Behxhet Zekën, Shoqërinë Kulturore-Artistike “Zahir Pajaziti” dhe Mirelën.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili synon të nderojë jetën dhe veprën e Hakif Zejnullahut, një prej figurave të shquara të luftës për lirinë e Kosovës.

  • Rritet konsumi i ujit, KRU “Prishtina” bën apel për përdorim të përgjegjshëm

    Rritet konsumi i ujit, KRU “Prishtina” bën apel për përdorim të përgjegjshëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë apel për qytetarët që të përdorin në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme ujin e pijshëm, si pasojë e rritjes së konsumit gjatë periudhës së verës.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtij apeli është sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

    Qytetarëve u është kërkuar që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për ujitjen e oborreve dhe kopshteve, larjen e trotuareve dhe hapësirave publike apo private, mbushjen e pishinave dhe rezervuarëve privatë, si dhe lënien e çezmave të hapura pa nevojë.

    “Me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e secilit qytetar, mund të sigurojmë furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjitha familjet, institucionet dhe bizneset. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe kontributin tuaj në ruajtjen e këtij burimi të çmuar jetik”, thotë KRU ‘Prishtina’.

  • Protestat në Tiranë, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme

    Protestat në Tiranë, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i takon protestës masive që u zhvillua të shtunën, 20 qershor, në kryeqytet.

    Duke iu referuar postimit të bërë nga një qytetare, ai shkruan se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, por qytetarë të një shteti fqinj, si pjesë shtetformuese së bashku me maqedonasit. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi ata kanë shtetin e tyre të pavarur.

    Kreu i qeverisë thekson se paraqitja e tyre në Tiranë si “diasporë” dhe përdorimi i flamujve kombëtarë në këtë mënyrë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon.

    Rama përmend edhe përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simbolit të luftës së Kosovës.

    “Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

    Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”, shkruan kryeministri në Facebook.

    Në fund të postimit, Rama sqaron se reagimi i tij nuk lidhet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, nënvizon ai.

  • Haradinaj: Nëse opozita më propozon, do ta shqyrtoja kandidaturën për President

    Haradinaj: Nëse opozita më propozon, do ta shqyrtoja kandidaturën për President

    Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do ta shqyrtonte mundësinë e kandidimit për President të vendit nëse kjo mundësi do të vinte si opsion nga opozita.

    “Nëse opozita do të më kandidonin, do ta shqyrtoja mundësinë e kandidaturës”, tha ai në një deklarim për gazetarët.

    Haradinaj përmendi se vendi është në “vështirësi të mëdha”

    “Kosova është në sfida të mëdha, në vështirësi të mëdha. Do ta shqyrtoja pra, nëse opozita më propozon në rast të një gare për President në seancë. Do ta shqyrtoja a të kandidojë a jo”, tha si.

    “Ju e dini, unë s’kam qenë kandidat për President, nuk jam edhe sot”, shtoi ai.

  • Latifi: Shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës

    Latifi: Shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës

    Analisti Blerim Latifi ka komentuar protestat në Tiranë, ku ndër të tjera deklaron se “shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës”.

    “..ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës”, shkruan Latifi.

    Reagimi i tij i plotë:

    Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese, të cilat e kanë goditur rëndë të drejtat politike e qytetare të shqiptarëve atje.

    Por ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës.

    Ndërgjegja njerëzore sikletoset nga paradokse të tilla shqiptarësh.