ATV

Author: K.B.

  • Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Nënsekretari i Përgjithshëm për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, do të vizitojë Kosovën sot dhe nesër.

    Lajmin e ka konfirmuar faqja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

    Gjatë vizitës së tij, Lacroix do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës, partnerë ndërkombëtarë, partnerë të shoqërisë civile dhe kolegë të tij nga UNMIK-u.

    Ai gjithashtu do të vizitojë vendet e projekteve të mbështetura nga OKB-ja.

    “Diskutimet do të përqendrohen në ruajtjen e paqes së Kombeve të Bashkuara, angazhimin shumëpalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pas Kosovës, ai do të udhëtojë për në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë si pjesë e vizitës së tij rajonale”, thuhet në njoftimin e faqes së UNMIK në Facebook.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 39 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 33 centë.

    Kurse çmimi i gazit është 0.67 centë.

  • Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Për të hyrë në operim në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, pacientët duhet të kalojnë muaj të tërë në listat e pritjes.

    Njëri prej tyre është Ismet Musa, i cili thotë se po përballet me dhimbje të forta e pavarësisht kësaj i është rekomanduar termin për ndërhyrje kirurgjikale.

    Në raportin e tij mjekësor shkruan se ai ka “hernie inguinale”, e njohur si kilë në ijë, por me gjithë se është në gjendje të rëndë, ai për operimin duhet të presë gjashtë muaj.

    “Kam shku në Emergjencë me dhimbje dhe më kanë thënë se brenda gjysmë ore duhet të futem në operacion. Kanë dashur të më fusin në operacion dhe kur i kam pyetur a do të ma vendosin rrjetën, më kanë thënë se duhet të shkoj në Kirurgji Abdominale. Kam shkuar, i kam bërë konsultat me mjekë, pesë mjekë më kanë kontrolluar dhe më kanë thënë se duhet të hyj në operacion, më së shumti brenda 10 ditësh. Kur shkova në Drejtori të Kirurgjisë Abdominale, më thanë se drejtori është në pushim dhe disa zëvendës të tij më thanë se duhet të pres 6 muaj”, ka thënë Musa.

    E për të pritur gjashtë muaj, ai thotë se e ka të pamundur, sepse dhimbjet e forta që i shfaqen në momente të caktuara janë të vështira për t’u përballuar.

    Musa thotë se nuk ka as mundësi financiare që t’i drejtohet sektorit privat.

    “Nuk është ky rast që pret 6 muaj. Po të ishte rast që pret 6 muaj, do të ishte normale, por nuk është rast që mund të presë njeriu 6 muaj për një operacion, sepse kam shumë dhimbje. Sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të operohem. Me një pagë veterani unë nuk mund të hyj privat, sepse kushton 700, 800 e deri në 1000 euro. Unë 204 euro i marr pension, çka me ba me to? Jam zhgënjyer shumë me Kirurgjinë Abdominale”, ka thënë ai.

    Pas rekomandimit që të presë me muaj, ai thotë se ka mbetur pa zgjidhje.

    KOHA ka biseduar edhe me pacientë të tjerë, të cilët kanë treguar se për t’iu nënshtruar operimit u është dashur të presin rreth pesë muaj. Ndërkaq, një pacient tjetër që gjatë javës së shkuar ka ardhur për të caktuar termin, ka thënë se është njoftuar nga personeli shëndetësor se termini mund t’i caktohet tek për në fillim të dhjetorit.

    KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për të mësuar arsyet e listave të pritjes në Kirurgjinë Abdominale por që nga e marta nuk ka marrë përgjigje.

  • Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se sot, më 22 qershor 2026, do të realizohen punime të planifikuara për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjetit energjetik në disa komuna të vendit.

    Si pasojë e këtyre punimeve, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zona të ndryshme të Prishtinës, Fushë Kosovës, Pejës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjakovës.

    Në rajonin e Prishtinës, pa energji do të mbesin fshatrat Koliq, Ballaban dhe Nishevc nga ora 10:00 deri në 15:30, ndërsa në kuadër të projekteve investive, ndërprerje do të ketë edhe në Prugovc, Lupq të Poshtëm, Vranidoll dhe Tenezhdoll nga ora 09:00 deri në 18:00.

    Ndërkaq, në Fushë Kosovë janë planifikuar ndërprerje të shkurtra në dy termine, nga ora 09:00 deri në 09:15 dhe nga ora 15:45 deri në 16:00, ndërsa disa pjesë të qytetit do të mbeten pa energji nga ora 09:00 deri në 16:00 për shkak të punimeve në rrjet dhe energjizimit të kabllove të reja.

    KEDS njofton se punime të ngjashme do të zhvillohen edhe në komuna të tjera, përfshirë Pejën, Prizrenin, Ferizajn dhe Gjakovën, ku ndërprerjet do të zgjasin kryesisht nga pesë deri në nëntë orë, varësisht nga natyra e punimeve.

    Sipas kompanisë, punimet po realizohen në kuadër të mirëmbajtjes preventive, eliminimit të defekteve të identifikuara gjatë inspektimeve me dron, si dhe zbatimit të projekteve investive për përmirësimin e rrjetit energjetik.

    KEDS u ka bërë thirrje konsumatorëve në zonat e prekura që të planifikojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e ndërprerjeve të paralajmëruara.

  • Avni Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes

    Avni Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes

    Kandidati për deputet nga AAK-ja, Avni Arifi, ka reaguar lidhur me përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke kërkuar që liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës t’u bëjnë thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë në manifestime pro apo kundër Qeverisë së Shqipërisë.

    Përmes një postimi në facebook, Arifi ka theksuar se çështjet politike në Shqipëri duhet të mbeten në duart e qytetarëve të atjeshëm dhe se askush nga Kosova nuk ka të drejtë të përfshihet në protesta apo zhvillime të brendshme politike në shtetin shqiptar.

    “Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes. Përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta të brendshme politike në Shqipëri është i pavend, sepse synon të politizojë një simbol që i përket një kauze krejt tjetër.

    Nuk i duhet askujt një përçarje e re dhe askush nuk ka të drejtë t’i fusë hundët në një çështje që u përket vetëm shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri”, ka shkruar Arifi.

  • Pas mbledhjes te Kryeministria, nis marshimi masiv rrugëve të Tiranës: Rama n’burg, Berisha n’burg

    Pas mbledhjes te Kryeministria, nis marshimi masiv rrugëve të Tiranës: Rama n’burg, Berisha n’burg

    Pas dy orëve tubim para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin masiv me ngjyra kuqezi në rrugët e Tiranës.

    Një pjesë prej tyre qëndroi para Kryeministrisë, pasi raportohet ee ata nuk do largohen nga sheshi dhe do qëndrojnë 24 orë aty.

    Marshimi u përcoll me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, dhe me thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

    Kjo është protesta e 22-të me radhë.

  • Prokuroria Speciale paralajmëron aktakuzë për autorët e sulmit ndaj familjes Jashari

    Prokuroria Speciale paralajmëron aktakuzë për autorët e sulmit ndaj familjes Jashari

    Autorët e krimit që u krye në mars të vitit 1998 mbi familjen Jashari, pritet që së shpejti të listohen në një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka ndarë shumë detaje rreth kësaj, por vetëm ka paralajmëruar se ky rast është duke u trajtuar me prioritet dhe se së shpejti do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.”

    Avokati Visar Rrecaj thotë se PSRK-ja tashmë ka marr dëshmitë e dëshmitarëve që janë ende gjallë, ndërkohë që thotë se është e rëndësishme përmbajtja që do ketë kjo aktakuzë.

    “Rëndësia e një aktakuze të paralajmëruar nga Prokuroria Speciale është tejet e veçantë si në aspektin juridik po ashtu edhe kombëtar dhe në aspektin shtetëror që me i dhënë epilog ngjarjes së familjes Jashari të ndodhur më 1998, a është e vonuar për atë pjesë mund të diskutohet por për drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë e rëndësishme është që të jetë e kompletuar në detaje që të mos i mungojë asgjë sepse epilogu përfundimtar do të proklamohet edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë avokati, Visar Rrecaj.

    Paralajmërimin për ngritjen e aktakuzës, për sulmin ndaj familjes Jashari e kanë mirëpritur në organizatën e veteranëve të UÇK-së, por thonë se është dashur të bëhet vite më parë.

    “Është vonuar ky rast shumë jo vetëm ky rasti te lagjia Jashari dhe familja Jashari por në tërë Kosovën, janë vonuar gjykatat tona dhe supreme e Kosovës, por sido kudo unë e përshëndes dhe e mirëpres jemi mirënjohës shumë për drejtësinë që të hetohet rasti masakra në Prekaz në familjen Jasashri, që prokurorët tonë të marrin në dorë dhe të hetojnë”, ka thënë kreu i UÇK-së, Hysni Gucati.

    Hetimi i krimeve të luftës, në të kaluarën është bërë nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i, ndërsa nga vitit 2018 kompetencat kanë kaluar tek Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka departamentin e veçantë për hetimin e tyre. /rtvdukagjini/

  • IHMK: Java nis me reshje e stuhi lokale, nga e enjtja rikthehen temperaturat deri në 33 gradë

    IHMK: Java nis me reshje e stuhi lokale, nga e enjtja rikthehen temperaturat deri në 33 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme duke njoftuar se fillimi i javës do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm me reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa nga dita e enjte pritet stabilizim gradual i kushteve atmosferike.

    Sipas IHMK-së, me hyrjen në stinën astronomike të verës, Kosova do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme që do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave konvektive dhe reshjeve lokale gjatë ditëve të para të javës. Instituti vlerëson se këto reshje do të jenë të dobishme për sektorin e bujqësisë, pasi ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve për kulturat bujqësore.

    Të hënën dhe të martën parashikohet mot i vranët me intervale me diell, ndërsa gjatë ditës vende-vende priten reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh. Kushte të ngjashme priten edhe të mërkurën, kur moti do të jetë i ndryshueshëm dhe jostabil.

    Nga e enjtja pritet përmirësim i motit, me më shumë intervale me diell dhe gjasa të vogla për reshje, ndërsa e premtja parashihet kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitete në natyrë.

    Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 13 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të shënojnë rritje graduale, nga 26–29 gradë të hënën deri në 27–33 gradë Celsius të premten.

    IHMK-ja ka bërë thirrje për kujdes gjatë intervaleve me diell, pasi indeksi UV do të jetë i lartë. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës dhe të përdorin masa mbrojtëse.

    Parashikimi i IHMK-së:

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme (22–26 qershor 2026) ☀️🌦️⛈️

    Me hyrjen në stinën astronomike të verës, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat gjatë fillimit të javës do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave konvektive, reshjeve lokale të shiut dhe shkarkimeve të rrufeve. Këto reshje janë të mirëpritura për sektorin e bujqësisë, pasi kontribuojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore. 🌱🌦️

    Kushtet biometeorologjike përgjithësisht do të jenë të favorshme për pjesën më të madhe të popullatës, megjithëse gjatë intervaleve me temperatura më të larta dhe para zhvillimit të stuhive lokale mund të ketë shqetësime të lehta te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike. 🌡️

    ☀️ Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës dhe përdorimi i masave mbrojtëse.

    🌦️ E hënë (22.06.2026)

    Do të mbajë mot i vranët me intervale me diell. Gjatë ditës, vranësirat parashihen të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.

    🌡️ Temperaturat minimale: 13–16°C
    🌡️ Temperaturat maksimale: 26–29°C
    💨 Era: nga veriperëndimi, 1–11 m/s

    🌦️ E martë (23.06.2026)

    Parashihet mot i vranët me intervale me diell. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.

    🌡️ Temperaturat minimale: 13–16°C
    🌡️ Temperaturat maksimale: 26–30°C
    💨 Era: nga verilindja, 1–9 m/s

    ⛈️ E mërkurë (24.06.2026)

    Do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh.

    🌡️ Temperaturat minimale: 13–16°C
    🌡️ Temperaturat maksimale: 27–31°C
    💨 Era: kryesisht nga verilindja, 1–9 m/s

    🌤️ E enjte (25.06.2026)

    Parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Kushtet atmosferike do të jenë më të qëndrueshme, me gjasa të vogla për reshje.

    🌡️ Temperaturat minimale: 13–16°C
    🌡️ Temperaturat maksimale: 27–32°C
    💨 Era: nga verilindja, 1–4 m/s

    ☀️ E premte (26.06.2026)

    Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për aktivitete në natyrë.

    🌡️ Temperaturat minimale: 13–16°C
    🌡️ Temperaturat maksimale: 27–33°C
    💨 Era: nga veriperëndimi, 1–4 m/s

    🔹 Përmbledhje: Java fillon me mot më të paqëndrueshëm dhe reshje lokale shiu, ndërsa nga dita e enjte pritet stabilizim gradual i kushteve atmosferike, me më shumë diell dhe rritje të temperaturave. ☀️🌡️🌿

  • Ngritja e temperaturave, a do të rikthehet vendimi që kufizon orarin e punës?

    Ngritja e temperaturave, a do të rikthehet vendimi që kufizon orarin e punës?

    Temperaturat e larta po kthehen, e bashkë me to edhe rreziku për ata që janë më të ekspozuar në rrezet e diellit: punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë.

    Për këtë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura kanë kërkuar rikthimin në fuqi të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, që mes tjerash kufizonte orarin e punës dhe lironte nga puna kategori të caktuara.

    Rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve i konsideron temperaturat ekstreme eksperti i sigurisë në punë, Arian Ibishi, teksa përmend edhe obligimet e punëdhënësve për punëtorët.

    “Sigurimi i ujit të pijës në sasi të mjaftueshme duhet të jetë kyç, pushime të rregullta në vendet e punës ku mundet me pas edhe hije të freskëta, shmangien e punëve të rënda gjatë procesit të punës”, ka thënë Ibishi.

    Për efektet, flet mjeku familjar Rushit Ismajli, që përmend edhe profesione të tjera që mund të preken.

    ‘Ata të cilët punojnë në ndërtimtari, në bujqësi apo edhe në ambiente të mbyllura, në kuzhina edhe kjo mund të shkaktoj që të ngulfaten për shkak të mungesës së avullimit të tyre, mumgesës së largimit të temperaturës, mund të shkaktoj marramendje mund të shkaktoj mundim apo në raste ekstreme edhe humbje të vetëdijes”, ka thënë Ismajli.

    Përveç punëtorëve të ekspozuar direkt në rreze dielli, Ismajli përmend edhe kategori të tjera që mund të kenë telashe shëndetësore.

    ‘Ne zakonisht flasim për grupmoshat që janë më të rrezikuara, si fëmijët, gratë shtatëzënat personat me sëmundje kronike sidomos me hipertension por të rrezikuar më shumë janë punonjësit e ndërtimtartisë sepse ata qëndrojnë në temperatura të larta”, ka shtuar Ismajli.

    Në dy vitet paraprake Ministria e Shëndetësisë, kryesisht në muajin korrik, ndër të tjerash kishte ndërmarrë masa kufizuese, duke ndaluar punën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

    Me vendim të ministrisë, liroheshin nga puna shtatzënat e shkurtohej orari për qytetarët me sëmundje kronike.

    Nga ky institucion për Dukagjinin thanë që deri më tani nuk kanë pranuar rekomandime nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike për marrje të masave.

    Temperaturat e larta, tashmë kanë prekur disa vende evropiane, ku edhe janë regjistruar viktima. /dukagjini/

  • Zyrtare: UEFA e konfirmon stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja Izrael – Kosovë

    Zyrtare: UEFA e konfirmon stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja Izrael – Kosovë

    Kombëtarja e Kosovës do të luajë si mysafir i Izraelit në Hungari, më saktësisht në stadiumin “Nagyerdei”.

    Izraeli shkaku i luftës ndeshjet si vendas po vazhdon t’i zhvillojë në stadiume neutrale, ndërsa ndaj Kosovës e ka zgjedhur Hungarinë.

    UEFA ka konfirmuar se përballja që do të zhvillohet më 1 tetor 2026 do të zhvillohet në “Nagyerdei Stadion”.

    Kujtojmë, Kosova do të rikthehet në “aksion” në muajin shtator, ku për herë të parë do t’i zhvillojë katër ndeshje brenda 14 ditëve.

    Rikujtojmë, në Ligën B të Ligës së Kombeve, “Dardanët” ndodhen në të njëjtin grup kualifikues me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.