ATV

Author: K.B.

  • ​Pas incidentit në Magurë, peticion për ndalimin e kthimit të të dyshuarve në fshat

    ​Pas incidentit në Magurë, peticion për ndalimin e kthimit të të dyshuarve në fshat

    Banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë.

    Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t’i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.

    Incidenti kishte ndodhur katër ditë më parë, kur, sipas dyshimeve, një grup personash nga komuniteti rom sulmuan Skënder Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.

    Anëtari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramë Bardhi, tha se personat që ai i cilësoi si përgjegjës për ngjarjen nuk duhet të lejohen të rikthehen në fshat.

    “Shyqyr që s’ka ndodhur më e madhe, se ka mundur me ndodhur diçka hala më keq, po u ndal me aq. Unë jam i mendimit, në qoftë se edhe ju pajtoheni, këta kriminelë i kemi marrë emrat tuaj në nënshkrime krejt, mos me u kthyer në Magurë më kurrë”, tha ai.

    Bardhi shtoi se ngjarja nuk ka prekur vetëm disa familje, por të gjithë banorët e Magurës.

    “Kjo nuk ka ndodhur me tri familje, por ka ndodhur me krejt familjet e Magurës. Është rast i të gjithëve”, theksoi Bardhi.

    Kryetari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramiz Gashi, tha se ngjarja e fundit ka tronditur banorët e fshatit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për çdo informacion që kanë lidhur me rastin.

    “Rasti i fundit që ka ndodhur na ka tronditur të gjithëve, është rast shumë i rëndë, rast që se kemi pritur askush nga disa kriminelë famëkeq, të cilët nuk kanë qenë të mirëpritur këtu asnjëherë. Sepse e dimë të gjithë çfarë kanë bërë ata këtu, Dhe ata të cilët dinë diçka për ta, mos ta mbajnë në vete, por le të dalin para drejtësisë dhe le të deklarohen. Jo unë kam dëgjuar, jo skam dëgjuar por nëse e di të vërtetëm, thuaje”

    Gashi tha se ngjarja ka shqetësuar të gjithë banorët e Magurës, duke përmendur edhe rastin e veteranit të UCK-së, Bekim Meta.

    “Jemi shumë të shqetësuar për rastin e fundit me ushtarin tonë, Bekim Meta të cilin e kanë prekur do daur kriminale”, theksoi ai.

    Kurse Shaban Qerimi banor i fshatit gjatë takimit, shprehu mbështetjen për banorët e Magurës, duke thënë se do të qëndrojnë pranë çdo vendimi që do të merret lidhur me rastin.

    “Unë dua t’ju them të gjithë bashkëfshatarëve të mi se çdo vendim që do të merret, edhe ne ashkalinjtë jemi me ju”, theksoi ai.

    Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident.

  • Rritet çmimi i banesave për 5.3 përqind

    Rritet çmimi i banesave për 5.3 përqind

    Kushdo që sivjet ka në plan të blejë një banesë, ajo do t’i kushtojë më shtrenjtë se viteve të kaluara.

    Laurant Berisha, ekspert i patundshmërisë tha se një ndër faktorët është ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, mungesa e fuqisë punëtore, por siç tha, është edhe mosdija e pronarëve që e mbivlerësojnë pronën.

    Kjo fryrje e vlerës së banesave, është e padrejtë për të.

    Përfshirja në treg e të huajve dhe diasporës u theksua se luan rol në rritjen e kostos së njësive banesore. /KlanKosova

  • Vdes i moshuari pasi u rrëzua në banesën e tij në Jalë

    Vdes i moshuari pasi u rrëzua në banesën e tij në Jalë

    Një 74-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme në Jalë, në ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një rrëzimi brenda banesës.

    Sipas informacionit paraprak, viktima, me inicialet F.A., dyshohet se është rrëzuar në ambientet e banesës së tij, duke pësuar dëmtime fatale.

    Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

    Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të hedhur dritë mbi rastin. /NOA.al

  • Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka bërë të ditur se në vitin 2008 kishte informuar ministrin e atëhershëm serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, për dyshimet mbi ekzistencën e një varri masiv në zonën ushtarake të Pasuljanski Livade.

    Në një postim në rrjetin social X, Kandiq shkruan se tema e një varri masiv të mundshëm ishte pjesë e takimit të saj me ministrin Shutanovac.

    “Një varr masiv i mundshëm në Pasuljanski Livade ishte tema e takimit tim me Ministrin serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovec, në vitin 2008. E informova se kisha folur me një person që pretendonte të kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik që ai përdori për të transportuar trupat nga Kosova në bazën ushtarake në Pasuljanski Livade. Ai kërkoi para për më shumë informacion. Ai nuk më telefonoi më kurrë. Unë menjëherë e informova Ministrin Šutanovac. As ai nuk më u përgjigj kurrë”, ka shkruar Kandiq.

    Deklarata e saj vjen në kohën kur çështja e varrezave masive dhe e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas raporteve të institucioneve të Kosovës, rreth 1,600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit.

  • “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur drejtuesit të “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, në një debat të ashpër publik që lidhet me protestën e diasporës që po vijon prej më shumë se 28 ditësh dhe me akuzat për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.

    Debati është zhvilluar përmes deklaratave publike, ku të dyja palët kanë shkëmbyer akuza të forta për qeverisjen, përgjegjësinë politike dhe trajtimin e qytetarëve shqiptarë.

    Florian Haçkaj ka akuzuar kryeministrin Rama për gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe për gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri, duke pretenduar se shumë shqiptarë detyrohen të kurohen jashtë vendit për shkak të mungesës së shërbimeve cilësore në sistemin publik.

    Ai ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke e akuzuar për përgjegjësi në degradimin e sistemit shëndetësor dhe për, siç u shpreh ai, “ikjen e qytetarëve për kurim jashtë vendit”.

    Në një tjetër deklaratë, Haçkaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke thënë se qytetarët duhet të marrin vetë drejtimin e vendit dhe të ndërtojnë një sistem pa korrupsion.

    Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe ka theksuar se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti.

    Ai ka thënë se i është referuar kritikëve politikë dhe jo popullit në përgjithësi, duke shtuar se “populli nuk përfaqësohet nga individë që, sipas tij, përdorin gjuhë fyese dhe shpifje”.

    Rama ka reaguar edhe ndaj akuzave për sistemin shëndetësor, duke theksuar se në dekadën e fundit janë bërë reforma të rëndësishme në këtë sektor, ndërsa ka pranuar se ka ende nevojë për përmirësime.

    Në deklaratën e tij, kryeministri është shprehur se është i lidhur me një “kontratë me popullin sovran të Shqipërisë deri në vitin 2029”, duke nënkuptuar vazhdimin e mandatit të tij politik.

    Haçkaj ka këmbëngulur se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në gjendje të rënduar dhe se qytetarët përballen me vështirësi të mëdha, duke u detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

    Rama i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se transformimi i shëndetësisë në vitet e fundit është “i dukshëm dhe i dokumentuar”, edhe pse, sipas tij, sistemi mbetet ende me nevoja për përmirësim.

    Debati është përshkallëzuar edhe mbi protestën e diasporës, ku Haçkaj ka akuzuar kryeministrin për mungesë përgjegjësie dhe për trajtim të padrejtë të qytetarëve kritikë.

    Rama ka deklaruar se protesta është ndikuar nga grupe dhe individë me agjenda të caktuara, duke theksuar se nuk i konsideron ata përfaqësues të gjithë popullit shqiptar.

  • Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga kushte të ndryshueshme atmosferike, duke nisur me mot shumë të nxehtë dhe duke përfunduar me freskim të ndjeshëm dhe paqëndrueshmëri.

    Sipas njoftimit zyrtar, në ditët e para të javës vendi do të ndikohet nga masa të ajrit të nxehtë, të cilat do të sjellin temperatura të larta dhe kushte tipike vere me vapë intensive.

    Megjithatë, nga mesi i javës parashikohet një ndryshim i dukshëm i situatës meteorologjike, si pasojë e depërtimit të një mase më të freskët ajrore nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim pritet të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, rritje të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe zhvillim të vranësirave lokale.

    IHK paralajmëron gjithashtu mundësinë e reshjeve të shiut në disa zona, të shoqëruara me shkarkime rrufesh, duke krijuar kushte të përkohshme të motit të paqëndrueshëm.

    Paralelisht me njoftimin meteorologjik, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta.

    Instituti rekomandon respektimin e masave mbrojtëse, veçanërisht për grupet e ndjeshme të popullsisë, për të shmangur rreziqet shëndetësore që lidhen me vapën ekstreme.

  • Katy Perry detyrohet të anulojë koncertin për shkak të motit të keq

    Katy Perry detyrohet të anulojë koncertin për shkak të motit të keq

    Katy Perry është detyruar të anulojë koncertin e saj në festivalin Werchter Boutique në Belgjikë, vetëm pak orë para se të dilte në skenë, për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.

    Këngëtarja 41-vjeçare njoftoi fansat përmes Instagramit se autoritetet urdhëruan anulimin e aktivitetit për arsye sigurie, duke theksuar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër.

    “ Fatkeqësisht, performanca ime sonte nuk mund të zhvillohet për shkak të anulimit të urdhëruar nga qeveria për shkak të motit të keq. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, shkroi ajo.

    Perry zbuloi se ndodhej tashmë prapa skene duke u përgatitur për koncertin kur mori lajmin, shkruan DailyMail.

    “Jam po aq e zhgënjyer sa edhe ju. Kjo situatë është jashtë kontrollit tim, por siguria e të gjithëve mbetet përparësia kryesore”, shtoi artistja.

    Ajo u kërkoi fansave mirëkuptim dhe u uroi të ktheheshin të sigurt në shtëpi, duke shprehur keqardhjen që nuk mundi të rikthehej në skenën e festivalit, ku kishte performuar për herë të fundit në vitin 2009.

  • OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar për një konferencë për media që do të mbahet nesër.

    Konferenca do të mbahet në zyrat e OVL- UÇK-së në Prishtinë, nga ora 13:00.

    Detaje të tjera lidhur me temat që do të diskutohen nuk janë bërë të ditura.

  • Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Policia ka ndaluar disa persona pas përfundimit të manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.

    Personat janë ndaluar nën dyshimin se kanë kënduar këngë nacionaliste kundër shtetit të Kosovës.

    Gatë kontrollit të pjesëmarrësve në dalje nga Gazimestani, janë identifikuar të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar nga policia, raporton Kallxo.com.

    Ende nuk dihet se sa persona janë ndaluar.

    Policia e Kosovës u kishte dhënë udhëzime se si duhen të sillen gjatë manifestimit. Atyre u ishte bërë të qartë që të mos bëjnë veprime që nxisin urrejtje.

    Me të përfunduar manifestimi, Policia ka filluar t’i kontrolloj një nga një pjesëmarrësit para se të largohen nga Gazimestani.

  • Aksident mes tri veturave, shtatë të lënduar në fshatin Rogovë

    Aksident mes tri veturave, shtatë të lënduar në fshatin Rogovë

    Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave që ndodhi sot në magjistralen Gjakovë–Prizren.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    “Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën magjistrale Gjakovë–Prizren, në fshatin Rogovë. Në këtë aksident janë përfshirë tri automjete dhe si pasojë e përplasjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka dalë në vendngjarje dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit,” deklaroi Krasniqi.
    Krasniqi, theksoi se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti.